Çfarë kemi mësuar deri tani?

14 Janar 2011, 12:32Blog TEMA

Nga Mustafa Nano

Kanë qenë dy ditë të ngjeshura me lajme, denoncime, pohime, përgënjeshtrime, kërcënime, debate, intervista, parashikime, komente, protesta, etj. Më të fundit ishin dy shfaqje televizive të dhëna në të njëjtën kohë, në dy televizione të ndryshme (Top-channel e Tv Klan), nga dy persona të ndryshëm (Dritan Prifti e Ilir Meta), të cilët mbrëmë dhanë përshtypjen, se rivalitetin e armiqësinë e tyre donin ta shtrinin edhe në terma të audience-ës. Kisha kohë pa ndjekur me vëmendje debate televizive të Zululandit tonë, dhe vetëm në fund e kuptova që telekomandën e kisha patur gjithë kohën në dorë; sa herë që njëri emision futej në shina të monotonisë, unë fap, kaloja tek tjetri, ndonëse më duhet të them se andej nga lagjja e Opinionit monotoninë e vriste tek-tuk veç ndonjë ndërhyrje e ndonjë gazetari; sikur Meta të ish në një intervistë pa gazetarë, kjo e fundit, intervista pra, nuk do të shtyhej fare. Ndërsa nga lagjja tjetër, ajo e Top Story-t, Dritan Prifti e kish zgjidhur gojën si kurrë ndonjë shqiptar më parë, dhe po thosh gjëra që ta mbanin vëmendjen të ngrehur.

Të gjitha gjërat që ai thosh janë për t’u verifikuar nga koha apo nga institucionet e sistemit të drejtësisë. Ka plot pikëpyetje në këtë mes, një pjesë e të cilave ishin shtruar sot në një shkrim të Mentor Kikias në gazetën Shqip: Përse Prifti iu drejtua Prokurorisë gati një vit më pas përgjimit? Përse e publikoi pikërisht tani? A e ka përdorur videon për tjetër gjë para se ta publikonte? Përse nuk e bëri këtë denoncim me anë videosh sa kohë ishte ministër i Energjitikës? Përse e bëri tani që Meta e ka shkarkuar? Prifti kërkon të denoncojë korrupsionin, apo ka qëllime të tjera?

Të gjitha këto pyetje kanë rëndësi, por edhe sikur të mbeten pa përgjigje, apo edhe sikur përgjigjet që gjejmë të jenë të tilla që e komprometojnë rëndë Dritan Priftin, nuk do ta ciflosnin asnjë çikë vlerën e dëshmisë që ka ajo video e filmuar në zyrën e ministrit të Energjitikës, që dje ishte e mbajtur nga Prifti e sot mbahet nga Meta. Kush do ta vërë në dyshim vullnetin antikorruptiv apo motivimin e ndershëm të Dritan Priftit, është i lirë, dhe ka gjithë të drejtën, ta bëjë (unë jam i pari që e bëj), por kjo gjë nuk ka pse të përzihet me përmbajtjen e videos, për të cilën Ilir Meta duhet të përgjigjet deri në një. Zv.kryeministri i sotëm nuk duhet lejuar, që pyetjeve lidhur me deklarata të tij gjatë asaj bisede në zyrën e Priftit, t’u bëjë bisht duke na bërë me dije mbi qëllimet e ndyra të Priftit, të Ramës, të Doshit. Dritan Prifti nuk është se po hedh akuza në erë në stilin e të gjithëve kundër të gjithëve; ai nuk po bën denoncime të paprovueshme; përkundrazi, ai na ka dhënë një video, në të cilin kemi Ilir Metën që flet me gojën e vet.

Ilir Meta, me siguri, do të vijojë me të vetën. Nuk është se ka shumë hapësirë për të lëvizur, i shkreti; sikur ta kishim mik, do duhej të na vinte keq; ose thënë ndryshe (që të evitojmë këtë miqësi hipotetike; duhet të jetë bezdi dhe një miqësi e supozuar me të), do duhej të uronim që miqtë tanë mos t’i shihnim asnjëherë në pozitën e atij, që ashtu si dhe Meta, nuk ka rrugë tjetër, veçse të belbëzojë, të çaprashitë fraza e arsyetime që nuk lidhen me një fill logjik, t’u ikë pyetjeve e ndërhyrjeve të gazetarëve, t’i thahen buzët, etj.

Pavarësisht nga ajo që bën e do bëjë Meta, tri gjëra kanë dalë qartë tanimë:

1. Berisha është vënë në mbrojtje të Metës. Me aq sa ka dalë në shesh, ai nuk kish pse ta bënte, pasi nuk del vetë drejtëpërdrejtë i implikuar; përderisa e bën, do të thotë se ka gjëra që s’kanë dalë në shesh, dmth ka ndyrësira që ata i bëjënë së bashku. Mund të mendohet se Berisha e bën këtë mbrojtje të Metës, ngaqë është i detyruar nga aritmetika parlamentare, por ai nuk është nga ata që mendojnë se si ta shtyjnë dhe ca kohë në pushtet; jo, Berisha ëhstë nga ata që mendojnë se si të rrijnë për gjithë kohën në pushtet, dhe dihet që me Metën në krah (me këtë lloj Mete që del nga video-ja) nuk mund t’ia arrijë këtij qëllimi.

2. E vetmja gjë që Meta bëri në mënyrë të përsosur tek Opinioni i mbrëmshëm ishte gjetja e alibive për doktorin, dhe nënvizimi i faktit që ky i fundit është dorëjashtë në këtë mesele. Në një moment ai u dëgjua të thosh: është monstruoze ta përfshish doktorin në histori, ku ai nuk hyn fare. Pse e bën këtë? E bën sepse në këtë moment ai ka nevojë për Berishën. Vetëm Berisha mund ta shpëtojë (nëse mund të shpëtohet). Mund t’i ndodhen shumë njerëz të tjerë në krah këto kohë, por asëll-asëll vetëm ndihma e Berishës i lipset, pasi vetëm ky ka fuqi (të shohim nëse e ka këtë fuqi edhe në këto rrethana), që t’ua mbajë dorën prokurorëve e të frikësojë gjyqtarët (nëse çështja shkon në sallën e gjyqit). Kryeministri u shfaq dje dhe foli për herë të parë për këtë ngjarje, që s’ka të bëjë me ullinj e lajthi. Dhe tha në thelb, se “videoja është një montazh e trukim i turpshëm. Mesazhi ishte për Ina Ramën, e cila, për Berishën, nuk ka shans tjetër, veçse ta nxjerrë atë material të trukuar.

3. Në këtë video nuk është se duket thjesht fytyra e Ilir Metës. Aty duket fytyra e një qeverie dhe e një qeverisjeje, që dallohet (e kemi ditur përpara se të shihnim këtë film) për pushtimin klientelist të administratës, për lidhje të dyshimta me botën e një biznesi të dyshimtë, për fuqinë dhe ndikimin që individë pa asnjë status publik kanë mbi anëtarë të kabinetit (ishte domethënëse ajo telefonata që Meta bëri me një “askush”, ndërsa ishte duke biseduar me Priftin), për mentalitetin paternalist të pushtetit në sjelljen me institucionet jo qeveritare, e sidomos me ato të sistemit të drejtësisë (Meta e përmend kryetaren e Gjykatës së Lartë, si të ish fjala për një militante të LSI-së), për etiketën që dominon marrëdhëniet mes njerëzve të pushtetit (biseda Meta-Prifti ishte bisedë mes dy ministrash, dhe dukej se në çfarë niveli e me çfarë “klasi” bëhen këto biseda), etj. Kjo video na mësoi (kush nuk e ka ditur) se ne nuk kemi në krye një qeveri; përkundrazi, kemi në krye një bandë.

E cila duhet shkulur sa më parë nga zyrat e shtetit shqiptar.

*respublica.al

8 komente në “Çfarë kemi mësuar deri tani?”

  1. LORA says:

    Kemi mesuar,deri tani qe po shkruaj, qe po te kryejme detyrat tona civile e civike mund ta ngreme zgupthi e ta flakim ne plehra,ku e ka vendin,kete qeveri kriminale e kedo qe do guxoje ti ngjaje.

  2. huri says:

    Kjo bande duhet shkule nga rrenjet.Te gjithe ne shesh me date 21 janar 2011.Te gjithe bashke mund ta bejme

    1. Patriot Kodra says:

      Dukesh nga emri qe e ke seriozisht. Por, pewr hir te se vertetes , ti je nje antare i bandave te 1997-es.

      1. huri says:

        Patriot mor patriot,po ty kush ti vari qillot?…

      2. dymi says:

        Cfar paurioti je? Mos je patrioti i atij? Nga? Nga Tropoja? Po Tropoja ka burra shume te mire, i fundit, qe mos t’i numeroj te tjeret, Azem Hajdari. Po ju te dy nga keni ngjare?

  3. dymi says:

    Te gjitha cfar po shofim e degjojme i dinim prej kohesh, por tani ato jane te konfirmuara nga vete banditet. Edhe doreheqja nuk mjafton, nuk mbyllen felliqesirat sepse ato jane shtrire ne gjeresi e thellesi.

  4. dymi says:

    Lexova sot me dt. 15.1.2011 ne nje te perditshme nje shkrim te E Salianji. Ne fillim qesha me te madhe, pastaj mendova se ka shkruar vete Saliu.(shikoni edhe mbiemri eshte nje variacion i skraparizuar i emrit te Saliut. Aty flitet per nje ” kryeminister dinjitoz” qe “respekton ligjin dhe institucionet ” A nuk ju bejne te shqyeni gazit keto? Mua po. Pikerisht tani kur Saliu dhe Iliri nuk dine ku kane koken ky gjoja opinionist mer persiper t’i beje makiazh idhullit te vet qe po i dalin te pëgërat. Goxha sherbetor s’ke ç’i thua.

  5. skaran says:

    Shume te drejte ke o zoti Nano. Por eshte nje gje qe keta analistet si puna e nje banditi si puna e Frrok Cupit eshte per tu ardhur keq. Nje njeri qe vetem gaztar dhe analist nuk mund te jete. Nje njeri pa karakter, sahanlepires dhe mashtues.

    NUk ka fjale per te pershkruar kete njeri te peshtire.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje