Shqipëria nuk është Tunizia dhe aq më tepër Egjipti. Por pozicioni gjeografik i Italisë, për shembull, të imponon një tjetër qëndrim ndaj situatës. Qeveria fqinje- nëse nuk është duke u marrë me skandalet e shefit të saj- po shikon e shqetësuar këto ditë situatën në vendin e shqiponjave. Roma zyrtare druhet nga një valë e re emigrantësh në rast se konflikti do përshkallëzohet.
Reagimi i Berlinit zyrtar është i përmbajtur dhe në pritje të përfundimit të hetimeve për arsyet që sollën vrasjet makabër të tre demonstruesve. Në gjuhën popullore kjo quhet pllaq- plluq. Në të paktën një rast në një video të publikuar autori dallohet shumë qartë.
Pas rënies së diktaturës staliniste, Shqipëria ka qenë shpesh shesh konfrontimi. Por kjo nuk e ka penguar NATO-n që ta marrë Shqipërinë në radhët e saj. Manipulimet zgjedhore e korrupsioni, demokracia e deformuar dhe mjerimi alarmues nuk kanë qenë një arsye për NATO-n që të mos e pranojë Shqipërinë në gjirin e saj e nuk është as tani një arsye për t’i treguar derën Shqipërisë.
Edhe në rastin e Shqipërisë Bashkimi i Mesdheut ka treguar se ka dështuar. Falë Zotit Bashkimi Europian i ka refuzuar anëtarësimin regjimit të kryeministrit Sali Berisha, dikur mjek personal i Enver Hoxhës. Brukseli vijon të mbajë qëndrime të ashpra.
Shkak për protestat ku mendohet se kanë marrë pjesë rreth 300 mijë njerëz, ishte regjistrimi i fshehtë i zëvendëskryeministrit Ilir Meta duke kërkuar një ryshfet prej 700 mijë eurosh. Bëhet fjalë për një shumë të përbindshme në një vend kur të ardhurat mesatare nuk janë më shumë se 200 euro në muaj.
Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, papunësia sipas shifrave zyrtare është 16 përqind, shifra e zezë në realitet është 30 përqind. Dërgesat e rreth 1 milion shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit përbëjnë 13 përqind të ekonomisë shqiptare.
Berlini do bënte mirë që t’i kushtonte më shumë vëmendje Tiranë. Gjithmonë e më shumë fëmijë rreth Mesdheut po bien në pus. Shqipëria është në radhë. Deklaratat e kryeqytetit gjerman do të tingëllojnë si në rastin e Egjiptit sot: të shpëlara pllaq- plluq. Nuk duhet të kujdesemi vetëm për demokracinë në Bjellorusi.
*Manfred Bleskin është analist politik i rrjetit informativ televiziv gjerman n-tv