Rrena, provokime, marrëzi, qyfyre ….

5 Shkurt 2011, 10:49Politika TEMA

Nga Mustafa Nano

Gjithçka filloi me transmetimin e një bisede të përgjuar mes Metës e Priftit në programin Fix Fare të televizionit Top-channel; njerëzve iu shpalos para syve një botë tangjentesh e akraballëqesh të bëra nga dinjitarë e funksionarë shtetërorë. Ne e merrnim me mend se në zyrat e shtetit e të qeverisë këto punë të pista bëheshin gjithë ditën e ditës por, siç mund të merret me mend, është tjetër gjë të marrësh me mend e tjetër gjë të shohësh me sy. Ishin shumë të shpifura ato pamje, e sikur të mos mjaftonte kjo, kupën e derdhën reagimet e atyre që praktikisht do duhej të mos dilnin më në shesh pas shfaqjes së atij filmi. Këtu zënë fill 14 ditë të mbushura me rrena, provokime, idiotësi, kanosje, qyfyre, etj, etj (Më poshtë po përpiqem të bëj kronikën e asaj që është thënë gjatë këtyre dy javëve. Nuk po merrem me dhunën, me të vrarët, etj. Po merrem me kolonën zanore apo veshjen verbale të këtyre ditëve; dhe në këtë mes mos prisni që t’ju riprodhoj besnikërisht frazat; jo, do t’ju riprodhoj besnikërisht mesazhin, të shoqëruar me ndonjë koment lakonik timin).

1. Ilir Meta: “Unë u premtoj shqiptarëve se do të luftoj deri në fund për lirinë e tyre, e cila po nëpërkëmbet prej njerëzve të çimkave”. Oh jo, jo, jo. Kjo është e tepërt. Kjo është si të të pështyjë tjetri në fytyrë.

2. Sali Berisha: “Videoja është e manipuluar; mungojnë disa sekonda; kanë dashur t’më bëjnë pis mua”. Ishte e vërtetë. Sekondat e hequra lidhnin dy pjesë të bisedës në mënyrë të tillë, që me gojën e Metës të dilte i përzjerë në kodoshllëqe dhe Berisha. Po s’kuptohet pse, ndërsa bën si i lënduar nga ky truk që i hedh veç një stërkalë balte, nul lëndohet fare, kur gazetarët e mbulojnë me baltë si babain e Shkëlzenit të Gërdecit e të Argitës së trojeve të blera buzë detit.

3. Edi Rama: “Ky popull mund ta tejkalojë opozitën”. Kjo deklaratë e bërë në studion e programit Top Story ka qënë një mënyrë për t’mos u identifikuar me një dhunë të pritshme apo të programuar në tubimin e një dite më pas. E pafalshme për një leader opozite; ky i fundit duhet të kish guximin të njëjtësohej me (ta përfaqësonte) popullin, e jo të mbetej prapa. Dhe në fakt, mbeti prapa. Atë ditë.

4. Meta&Berisha&Basha: “Kemi informacion se po përdoren kontingjente kriminelësh e të kërkuarish”. Po na thoni ca emra, dreqi ta hajë! Pse nuk i arrestoni këta kriminelë, në fund të fundit?

5. Meta&Berisha: “Do të mbrojmë rendin kushtetues”. Kjo është një frazë, që kurrë më s’duhet të dalë nga gojë qeveritarësh në rrethanat, kur në protestë del opozita. Nuk mund të mbrohet rendi kushtetues nga opozita. Me opozitën negocjohet. Vetëm diktaturat marrin përsipër të mbrojnë rendin kushtetues nga opozita. Opozita është pjesë e rendit kushtetues.

6. Spartak Ngjela: “Janë vrarë tre vetë? Edhe 13 mijë mund të vriten për një ideal e për një kauzë”. Kjo është një frazë e paqortueshme, nëse e nxjerr nga konteksti (madje, fare mirë mund ta shkruash si slogan dhe ta varësh në muret e klasave të gjimnazeve), por e thënë në të nxehtë, disa orë pas egzekutimit të tre protestueve, ishte papërgjegjshmëri totale.

7. Arbem Imami: “Protestuesit janë vrarë nga protestuesit”. Nuk na e tha se kush ia tha. Ia ka thënë rradakja e vet.

8. Sali Berisha: “Me të dhënat që kam unë, të vrarët janë qëlluar nga afër”. Po nga i more këto të dhëna? Ah, më fal, i ke marrë nga një mjek demokratikas i spitalit ushtarak me mbiemrin Koçeku.

9. Mjeku Koçeku: “Të vrarët janë qëlluar nga një distancë e afërt”. Shih, shih, ditka qerratai të bëjë dhe analiza balistike e forensike!

10. Sokol Olldashi: “Makina që shpërtheu portën prej hekuri të kryeministrisë ishte e mbushur me tritol”. Ky po, i di këto gjëra. Është i zanatit.

11. Ilir Meta: “Ata që protestuan e u ndeshën me gardistët ishin kokëpalarë”.

12. Sali Berisha: “Mbi protestuesit është qëlluar mbi bazën e rregullores; ka rregullore për brenda gardhit, për gardhin dhe për jashtë gardhit”. Mbi bazën e rregullores? U vritkan njerëzit mbi bazën e “rregullores së gardhit”?

13. Sali Berisha: “Nëpunësit e administratës së kryeministrisë ishin përgatitur të mbroheshin e të mbronin kryeministrinë” Po ç’punë kanë këta me mbrojtjen? Këta janë nëpunës, teknikë, njerëz të lapsit.

14. Sali Berisha: “Është kryer një grusht shteti”.

15. Sali Berisha: “Kur bëhet grusht shteti, mund të vriten 3, mund të vriten 30, mund të vriten 300”.

16. Sali Berisha: “Do të bëjmë ditën e mërkurë një anti-miting të paqes; do të jetë një manifestim i paparë ndonjëherë”. Këtë vendim e mori pasi të gjithë morën vesh, se protestuesit ishin vrarë nga gardistët.

17. Edi Rama: “Do mblidhemi prapë të premten”.

18. Sali Berisha: “Anti-mitingun e paqes do ta bëj të shtunën”.

19. Sali Berisha: “Dëgjo këtu, Edvin Kristaq Rama! Po e provove sërish, nuk do merrem me askënd tjetër; do të ndëshkoj vetëm ty, ashtu siç ndëshkohet një bandit. Të tjerët do jenë të amnistuar”. Këtë deklaratë e bëri dhe në parlament, ditën e dielë, përballë deputetëve të partisë demokratike. Këta të fundit e duartrokitën. Më shumë nga të gjithë duartrokitën Genc Ruli, Genc Pollo e Genc Imami; më falni, Arben Imami.

20. Sali Berisha: “Kam qënë pesë orë i rrethuar”. Rrethuar? E dramatizon situatën, që të heroizojë veten.

21. Sali Berisha: “Edvin Kristaq Ramën nuk e pranuan në spital të afërmit e të lënduarit nga Lezha”. Po ky vetë vajti? E pranuan?

22. Sali Berisha: “Bekimja është një vajzë heroinë; e rrahën, sepse tha ‘rroftë Sali Berisha’ në mes të protestuesve të tërbuar”.

23. Sali Berisha: “Rrugaçët e hodhën flamurin tonë kombëtar. Ju e patë vetë se si e hodhën. Por gardisti Amarildo e pa atë flamur përtokë, dhe harroi ku ishte; u fiksua pas flamurit, derisa e çoi dhe e futi në gji. Është një hero.”

24. Ilir Meta: “Në zgjedhjet e majit LSI-ja do të korrë një fitore spektakolare”.

25. Sali Berisha: “Kam të shkruara mesazhet e përcjella midis banditëve që po lufonin me gardën, dhe shtabit të grushtit të shtetit. Mund t’ua tregoj, po të doni. ‘Çfarë të bëjmë? Do na i sillni armët? Po, po, do ju sjellim kallashnikovë’”. Askush nuk e mori vesh burimin e këtyre mesazheve. Vetëm Berisha i di këto gjëra. Se mos vetëm këto!

26. Arben Imami: “Nuk do ta përdorim ushtrinë kundër grushtit të shtetit”. Hë, më të lumtë!

27. Sali Berisha: “Ka qënë planifikuar nga autorët e grushtit të shtetit të përdoreshin thika me helm”. Fiu!

28. Sali Berisha: “Dhe stilolapsa-spitoletë dhe çadra-kobure”. Fiu, fiu!

29. Sali Berisha: “Janë stërvitur për ditë të tëra në zona të caktuara në grupe pesëshe”. Fiu, fiu, fiu!

30. Sali Berisha: “Diku, shumë afër vendit të ngjarjes, ishte një makinë e mbushur plot e përplot me kallashnikovë”. Fiu, fiu, fiu, fiu!

31. Sali Berisha: “Tërhiqem nga anti-mitingu i paqes; e bëj në emër të paqes”.

32. Ambasadori amerikan, Alexander Arvizú: “Sali Berisha është burrë shteti; ai u tërhoq nga tubimi”.

33. Sali Berisha: “Kush nuk pa dhunë kundër gardistëve në bulevard është një lavire bulevardi”. Unë për vete pashë dhunë. Kryeprokurorja e Presidenti nuk kanë parë.

34. Sali Berisha: “Kam patur informacion lidhur me veprimet e kryeprokurores, që më ka ardhur nga brenda Prokurorisë”. Kjo po, që është sjellje putschi-sti.

35. Sali Berisha: “Qytetarë e qytetare të Shqipërisë” – kështu e filloi ‘dëshminë’ përpara komisionit hetimor parlamentar. Halimët u dukën të lumtur. Kapsallitën sytë e nuk ditën ku e si të mbanin duart.

36. Sali Berisha: “Bamiri donte t’më eliminonte mua fizikisht”.

37. Dritëro Agolli: “Bamiri s’vret dot një mi të vogël, e jo më të vrasë një mi të madh”.

38. Olldashi: “Janë fajtorë ata që vranë protestuesit; por janë fajtorë dhe ata që i çuan protestuesit atje”. Ku i çuan? Në thertore? Apo në Jurassic park?

39. Ambasadori amerikan: “Be careful, my fellow americans! Manifestimi-homazh i datës 28 është i rrezikshëm. Ambasada atë ditë do të mbyllet”.

40. Filip Çakuli: “Unë jam koka e putsch-it”.

41. Mustafa Nano: “Dua të jem dhe unë putsch-ist. Bëmëni, ju përgjërohem!”

42. Bamir Topi: “Sa është Arsenali me Gallatasarajin? Ka dhunë në fushë? Mos!” Ky është një mesazh i interceptuar nga tabulatet e Presidentit të Republikës në datën 21 janar.

43. Policia e Tiranës: “Në manifestimin e 28 janarit morën pjesë vetëm 6 mijë vetë”. Pse gënjeni? Isha dhe unë. Bëhen 6 mijë e një.

44. Aldo Bumçi: “Më 28 janar Tirana e braktisi opozitën”. Ku e gjen gjithë këtë inteligjencë, xhanëm?

45. Sali Berisha: “Më pyesni; jam i hapur!” Dhe anëtarët e komisionit hetimor parlamentar e bombarduan me pyetje të llojit: a e dinin gardistët dhe putsch-istët, që kryeministrinë nuk mund ta merrnin kurrë?

46. Ina Rama: “Nuk mund të më hetoni për një ngjarje, të cilën po e hetoj unë”. Dhe bëri të ikte.

47. Komisioneri Halimi: “Ju nuk mund të ikni!” Por ajo iku.

48. Ismail Kadare: “Tani ndryshon puna. S’është më si më parë. Në politikë hyri vdekja”.

49. Ilir Meta: “Do ta çmontojmë videon e montuar”. Këtë e tha dje. Në Shkodër.

50. Një internaut: “Epo fashizmi s’ka brirë, or ti shoq”. Këtë e lexova sot.

Hurrah! Long life to all Albanians!

5 komente në “Rrena, provokime, marrëzi, qyfyre ….”

  1. Gramozi says:

    —-Fjalet e Edi Rames dhe Spartak Ngjeles….jane gabime te shprehuri pa pasoja tragjike apo demtuse ndaj POPULLIT——Kurse te Saliut me spiunet e tij….jan genjeshta te qellimshme ne kurriz te popullit…..

  2. pellasgu says:

    ”Alternativa Inegzistente”

    Eshte vertet per te ardhur keq kur sheh se si ne shqiptaret arrijme ne gjendje te tilla sa edhe zihemi me njeri-tjetrin se kush preferojme te na grabise,keqtrajtoje apo vrase me shume,kur eshte mese e kuptueshme qe te gjitha palet politike i perkasin te njejtes PARI…jane thjesht gishta te njeres dore!!

    Si nuk na vjen per te vjellur kur mendojme te ashtuquajturen ”alternative” kundrejt monstres Berisha??Kujtojme: Rama-Ruci-Gjinushi-Milo-perversi Velia qe e njeh gjithe Tirana-P. Koci-Ngjela-Kokedhima etj.. etj.. si keta e genjehemi se mund te shohe drite Shqiperia jone e vyer?!

    A ishte Rama qe ideoi dhe firmosi marreveshjen e turpshme te 21 prillit 2008 me monstren Berisha per ndryshimin e gati gjysmes se Kushtetutes bashke me kodit zgjedhor qe tani po e konteston?!
    Po per Gerdecin pse su ngriten kjo e ashtuquajtura ”alternative” ta shporri Berishen dhe kliken e tij te korruptuar?!Pse Tirana qeveriset pa nje ligj urbanistik dhe nuk ka ndertues qe te thote se nuk ka paguar para per lejen e ndertimit?!Ku eshte ndryshimi mes qeverisjes se Saliut dhe Edit….mbase duhet te pyesim zotin Baze apo Bushati per nje pergjigje me te mire?!A nuk zhduku Rama nga PS gjithe ato persona qe kane kontribuar ne parti ne kohe te veshtira,sic ka bere Berisha me te djathten e vertete tek PD-ja?!Si mund te flasim apo enderrojme per metoda demokratike te zotit Rama ne qeverisjen e ardhshme…ku eshte ndryshimi me qeverisjen e PD-se te Saliut?!

    Vendy yne s’ka me nevoje per hajdute e kriminele te rinj qe kane gati 70 vjet qe e kane shtypur,pushkatuar,internuar,tallur dhe shkaterruar k’te popull fisnik me nje histori shume te hidhur…prandaj eshte marrezi dhe pa-pergjegjesi te mendosh dhe keshillosh shqiptaret per ”alternativa inegzistente”!!

    Ju lutem o vllezerit e mi…hapni syte se k’tu ka dicka shume me te madhe ne tavoline,eshte ceshtja kombtare,vete ekzistenca e kombit e rraces tone eshte vene ne medyshje!!Qe kur komunizmi pushtoi vendin tone me ndihmen e armiqve tone shekullore e pas, eshte punuar vec per ta zhdukur kombin tone dhe se k’ta te ashtuquajturit politikane jane thjesht vegla te sherbimeve sekrete serbo-greke-ruse-arabe te mire-dirigjuara nga agjente te tyre si Ramiz Alia me kupolen e kuqe nga te dy anet!!

    Ne vend qe te kete nje fryme krejt te re, te udhehequr nga Shqyptare qe do ti bente k’ta kriminele te kerkonin falje dhe te paguajne per krime kundra njerezimit qe kane bere ne k’to 70 vitet e fundit,ne zihemi kush na pelqen t’na shkatrroje me mire?!!

    ZGJOHU KOMB!!

  3. Ilirian Bogonica says:

    Zoti Mustafa Nano si gjithmone jeni objektiv ne analizat qe ju beni, Tashme asnje si beson ketyre pseudo ”pushtetareve” te korruptuar koke e kembe…ka ardhur koha qe keta PLERA te kombit te ikin sa me pare nga vendet qe i kane pushtuar me dhune, mashtrime dhe me vota te vjedhura…
    Ju pergezoj juve i nderuar Mustafa Nano dhe stafin e gazetes Tema, jeni opozita me reale e vendit tone, jeni zeri dhe syte e popullit te ndershem qe ju admiron…

  4. raimondi says:

    ———Tek Ngjela vetem e ke gabim
    Fjala e Ngjeles eshte shume e sakte —- Vetem ne ate menyre duhet folur qe te trimeroheshin njerezit, te mos tulateshin nga dhuna kriminale e policise ….. dhe protesta te vazhdonte edhe diten tjeter,
    edhe me me force deri sa te binte Sala ,
    sepse Saliu njeh vetem gjuhen e forces,…. ndryshe Sala nuk leviz as per 100 vjet

  5. beso says:

    Puçi vazhdon…Puçistet jane pare prape te hane darke se bashku,dhe kur u desh te paguajne,sejcili nxorri padashur nga 200 euro nga xhepi.Ngjela firmosi nje autograf per nje pensionist me kapele te bardhe;informacionet jane se stilolapsi ishte i prodhimit rus.Nje sms i shpejte njofton se Ngjela nuk ka lare koken se gjoja s’kishte uje boileri.Policia njofton se ne rast shiu,u ndalohet qytetareve te mbajne çadra per nje afat te pacaktuar,gjersa Dragobia te shpalle heqjen e gjendjes se puçit.Ministria e Mbrojtjes njofton me ane te ndihmeszedheneses,te nenndihmesit te pare te ministrit,ushtar Benit nga Pashalimani,se qeveria i dhuroi Afganistanit treqindmije çadra njeperdorimeshe.Sipas mjaft eksperteve te kriminalistikes(te gjithe me emrin dhe mbiemrin Ndreu)stlolapsi qe mban ne dore Mero Baze eshte arme e ftohte qe hap zjarr kur nxehet.Kjo arme-stilolaps,perdor plumba te kalibrit te vogel,dhe ne vend te bojes perdor 1 tonelate me tritol.Agjencia Gagaçi zbardh biseden midis ambasadorit rumun(ne fakt eshte amerikan)Aleksander Arvizu dhe Berishes e Metes.Ja ç’eshte thene ne konfidence:”Arvizu-Berishes:-ju jeni burre shteti pa shtet,po ajo puna e videos eshte me spec… Berisha-Arvizut:-Videoja eshte fallso,e montur,kokepalare,lavire bulevardi eshte videoja..Dun te me fusin mue ne valle…Nderhyn Meta:-z.ambassador,atje nuk eshte zeri im biles ju qe e dini shqipen me mire nga Jozefina,e vini re kollaj.Pastaj ka nje kleçke qe duket ashiqare… Nderhyn Berisha:-Akoma ka kleçka videoja?Ore ti?..Meta ben ca gjeste:-Epo duhet ta them..Une ne fakt me shoket nuk te quaj asnjehere doktor,por Dragobia.Ky eshte nje detaj qe tregon se videoja eshte e montuar,se une nuk kam thene Doktori…Po ty mos te ngelet qejfi,eeeeee!Saliu e sheh pa sy,por ne koken e tij videoja behet nje manipulim me gjigant nga ç’dukej.Cfare Puçi or ti shoqi im?!!Nderhyn ambasadori:-Nuk po kuptoj fare kush eshte Drragobia?Berisha ben nje mimike,per ti dhene te kuptonte se gjithshka aty verdalle ishte Krryminister.Meta,per ta zbutur situaten nderhyn me takt:-Jo me dy”r”,me nje mor bure i dheut;Dragobia,me”r”te bute…-Ja ta shenoj pak-thote ambasadori,dhe behet te nxjerre stilolapsin.Berisha i mban doren:-Jo,jojjooojo,,no no,nau,nou,jou!Jo,mor jaaaahuu! I kam fiksim stilolapsat,me mire gojarisht.Pastaj takohen dhe dalin jashte.Ilir Meta ferkon doren,dhe shikon oren.Saliu vrik ia kap me doren e djathte:-mos ke bere ndonje pergjim me oren?-Jo mor bure fshati,ç’a jam une,kokepalare?Na merre oren po s’besove,e kam blere ne Corovode!Saliu i merr oren dhe pasi ndahen Meta sheh qe Saliu nxjerr nje çakmak nga xhepi.Befas Metes i vjen nje dyshim;Peshku qe shkon dy here ne te njejten rrjete eshte peshk budalla.”C’ne Dragobia çakmak ne xhep?Ai s’e pi duhanin?!….Bobobboo mor bur i dheut,te gjithe mua po ma fusin…”

Comments are closed.

Lini një Përgjigje