Revolucioni i çadrave

3 Shkurt 2011, 20:13Politika TEMA

Nga Enton Palushi

Christopher Hitchens është një analist britanik, i cilësuar si një nga pesë intelektualët publikë më të njohur në botë. Në një shkrim të botuar para pak ditësh në revistën “Slate”, ai shkruan se turpi i nxori egjiptianët në rrugë. Hitchens e nis shkrimin duke treguar një histori:

“Biri i një diktatori të një shteti arab me shumicë myslimane pyeti një mikun tim se a është e vërtetë që edhe në Shqipëri po mbahen zgjedhje të lira. Miku im i pohoi të vërtetën relative të kësaj duke thënë se ka qenë vetë vëzhgues në zgjedhjet shqiptare, ku ka vënë re njëfarë niveli transparence e ndershmërie. “Në këtë rast, çfarë na ngelet që të jemi ne,” ulëriti trashëgimtari i diktatorit arab. “D.m.th ne jemi katundarë, fëmijë, çfarë?”. E gjithë biseda u bë e zymtë për shkak të faktit se vendet arabe ndodhen edhe pas Shqipërisë,” e përfundon historinë Hitchens.

Ky rast i shërben analistit britanik për të nisur një vëzhgim të mprehtë mbi arsyet që sollën trazirat në Tunizi e në Egjipt. “Njerëzit nuk duhet të trajtohen si budallenj,” shkruan Hitchens. “Ndonjëherë njerëzit protestojnë ashpër edhe për terma pak abstraktë si nderi e njohja, po aq sa mund të protestojnë për mungesën e bukës dhe për territorin”.

Shumë media e kanë “përkthyer” shkrimin e Hitchens si një arsyetim se bota arabe është lodhur duke u përqeshur e duke mbetur shumë pas botës moderne.

Sërish tek tallja

Si duhet të ndjehemi ne shqiptarët kur dëgjojmë një gjë të tillë? A jemi ne të lodhur duke qëndruar të fundit në Europë, të tallur e të përqeshur nga vendet e kontinentit ku bëjmë pjesë? Fundja, a nuk është krahasimi që bën Hitchens për zgjedhjet në Shqipëri një tallje? Ai flet për një të vërtetë relative për zgjedhje të lira e shton se ka njëfarë niveli transparence e ndershmërie. A nuk është edhe kjo tallje, kur më poshtë në shkrimin e tij ai u jep ca këshilla diktatorëve të tipit Mubarak e një prej tyre është që të mos bëjnë zgjedhje fare nëse kanë ndërmend të bëjnë zgjedhje të këqija…

Por prej kohësh vendi ynë është kthyer në një njësi matëse të së keqes.

A e dini se ndoshta kurrë nuk do e kishim marrë vesh që paska një studim në lidhje me vdekshmërinë e nënave gjatë lindjeve, po të mos ishte “shpërthimi” në mediat britanike, se Anglia qenka pas Shqipërisë në këtë drejtim.

Ndoshta kurrë nuk do kishim mësuar që gjermanët nuk kanë një sistem dixhital të komunikimit të zjarrfikësve, po të mos ishte zemërimi i mediave se Gjermania bashkë me Shqipërinë, janë të vetmet që nuk e kanë këtë sistem.

Ndoshta kurrë nuk do kishim mësuar që zgjedhjet në Togo kanë qenë më probleme, po të mos ishte protesta e aktivistëve francezë me moton “Të mos e bëjmë Togon si Shqipëria”.

Ndoshta kurrë nuk do kishim mësuar se Hondurasi ishte në prag të një konflikti, po të mos ishte presidenti i Kosta Rikës, që deklaronte se nuk duhet të tolerojmë “një Shqipëri të dytë” në rajon.

Ndoshta kurrë nuk do mësonim se të ardhurat për frymë në Kinë janë po aq sa në Shqipëri, po të mos ishte revolta e mediave amerikane, që ankohen se si një ekonomi aq e fuqishme, sjell për banorët e saj të ardhura për frymë njësoj si në Shqipëri.

Ndoshta kurrë nuk do mësonim se Shqipëria e ka jetëgjatësinë më të lartë se disa shtete të SHBA, po të mos ishte pezmatimi i mediave amerikane pse kanë rënë kaq poshtë.

Sot, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, kohë e mjaftueshme për të ringritur çdo shtet nga hiri, ne jemi sërish atje ku kemi qenë, duke shërbyer si njësi matëse e mjerimit, varfërisë, totalitarizmit. Jemi thjesht një etalon i së keqes.

Tre vijat e kuqe

Mëngjesi i 21 janarit e gjeti Tiranën të qetë. Shumë pak njerëz lëviznin nëpër rrugë. Po të kaloje përpara kryeministrisë nja dy orë përpara protestës së përgjakshme, mund të vije re tre- katër kordonë policësh, pa asnjë mbrojtje, po thjesht me uniformë. Madje as uniformat e tyre nuk ishin njësoj.

Gjëja e parë që të vjen ndërmend tani që kujton “faktet” e kryeministrit për parapërgatitjet për të marrë pushtetin është se përse këta policë të shkretë, me duar në xhepa, ishin vendosur në radhë të parë për të pritur “zjarrin armik”. Siç tregojnë fotot e mëvonshme, ata nuk i rezistonin dot asaj furie njerëzish dhe madje një protestues i vetëm mund të vinte përpara dhjetë prej tyre. Përse ishin në radhë të parë këta policë gjynahqarë që marrin një pagë qesharake?

Në të gjithë botën demokratike, taksat tona shkojnë për të veshur policinë në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u mbrojtur nga sulmet e demonstruesve. Ndaj në çdo raportim që bëhet për raste demonstratash në Perëndim, flitet për numër demonstruesish të plagosur, sepse supozohet që policët janë të mbrojtur nga armët që ka populli në një demokraci, gurë e shkopinj (dhe çadra).

Prandaj dallon një demokraci nga një diktaturë, sepse ka një vijë të kuqe, e cila nuk duhet të shkelet nga policia e forcat e rendit.

Ka një pamje që më është vërtitur në mendje deri vonë, ajo e një protestueseje iraniane, që goditet me plumb në kokë gjatë një proteste. Ajo u bë simbol i qëndresës ndaj një regjimi diktatorial e të dhunshëm. Po tani që kemi në vendin tonë pamje të jo një, por të tre protestuesve të vrarë me plumb në kokë e gjoks, sa gjatë do rrinë në kujtesën tonë këto pamje makabër që na kanë prishur gjakun?

Ndërsa ka shkelur me dy këmbë vijën e parë të kuqe që ndan një demokraci nga diktatura, atë të dhunës e terrorit policor, kryeministri po shkel çdo ditë një tjetër vijë të kuqe që ndan dy sistemet: atë të ndarjes së pushteteve.

Por më parë është shkelur edhe një vijë e tretë e kuqe, duke plotësuar kuadrin e një sistemi autokratik. Është nxjerrë jashtë loje opozita. Vështirësia e ndërtimit të një sistemi demokratik qëndron tek sjellja që ke ndaj opozitës. Kurse në rastin tonë opozita cilësohet si një humbëse e keqe, e cila duhet të mbyllë gojën e të aprovojë arritjet madhështore të qeverisë. Por a kemi ne një opozitë destruktive? Deri më tani kemi një opozitë që ka folur vetëm për kauza demokratike, për nevojën e zgjedhjeve të lira dhe për lirinë e fjalës. Një opozitë është destruktive kur bllokon parlamentin se kërkon të miratohet një ligj për legalizim vilash në bregdet, për ulje akcize, apo që do të ndryshojë ligje në favor të interesave të saj ekonomike. Ne nuk kemi një opozitë të tillë.

Godina e Berishës

Duhet të jetë rast i rrallë që një kryeministër të citojë kaq shpesh karrigen e tij në çdo dalje publike. “Do më merrnin karrigen, nuk e lëshoj karrigen, ai do karrigen,” për të pasuar më pas në nënndërgjegje me “do më marrin vulën, dokumentet, setin, pikturat etj”. Çfarë është ky pasion i kryeministrit për të identifikuar një institucion vetëm nga pikëpamja materiale? Për të kryeministria është godina. Ajo ka rëndësi. Ndërsa kudo në botën perëndimore nuk janë godinat që mbajnë gjallë institucionin. Por këtë gjë e di mirë kryeministri ynë aktual, që edhe pse e pati pushtuar godinën e qeverisë shumë vite më parë, nuk ia pa dot hairin. Sepse nuk është godina që bën institucionin. A e dëgjuat Eduard Halimin që i thoshte presidentit titullar institucioni? Ndërkohë që këshilltari i Topit i tha se presidenti është vetë institucioni. A u mjafton kjo logjikë? Po atëherë sërish të rilind pyetja, pse kjo joshje e kryeministrit pas materiales.

Kokëpalarët dhe babëzia

Ka një shpjegim ndoshta edhe për këtë. Shumë herë i ka emërtuar protestuesit e 21 janarit si kokëpalarë, morracakë, zhulsa, që donin të bënin pis Tiranën. Ndërsa dëgjon kryeministrin tek flet këto fjalë nuk ka si të mos kujtohet ajo periudhë kur protestuesit e tij i emërtonte “çeçenë”, “bathoraxhinj” e “katundarë” ajo pjesë e pushtetit të Fatos Nanos, të cilën Berisha e quante borxhezia e re që lahet në vaska ari. Madje kryeministri disa herë u betua që do hakmerrej ndaj kësaj borxhezie. Ç’ka ndodhur? Tani Berisha ka aristokracinë e tij, që bezdiset teksa sheh disa protestues të palarë para zyrave. Bile, kur sheh Berishën që shqipton këto fjalë, nuk të duket se flet ai, po zëri i njerëzve që e rrethojnë, i femrave të aristokracisë së re, që ndjehen të kërcënuara nga pabuksit. A nuk ju duket se sa herë flet Berisha me këto fyerje, në vend të tij të shfaqet një femër e rrethit të tij familjaro- pushtetar, me qafën gjithë pala (sigurisht do jetë bionde), që ankohet se “kokëpalarët” po i shkatërrojnë fundjavën e skive?

Ndërsa kujtesa ta fshin këtë femrën me pala në qafë për një moment, në mendje të vjen Ana, vajza bukuroshe e “kokëpalarit” Ziver Veizi, loti i të cilës ka tronditur çdo zemër shqiptare.

Psikologjia e turmës

Ka me qindra studime për psikologjinë e turmës. Nuk ka fushë më joshëse studimi për filozofët, psikologët e historianët se turma. Nuk ka rëndësi se kush bëhet pjesë e saj, nuk ka rëndësi vendi ku ajo grumbullohet, nuk ka rëndësi formimi i njerëzve që i bashkëngjiten, turma është e frikshme dhe shumë e rrezikshme. Jo më kot shpesh përdoret edhe si fyerje. Ndërsa gjitha ligjësitë të sugjerojnë se turma nuk dihet si reagon ndaj duhet t’i ruhesh në çdo moment (qofsh në Francë, Angli, Zimbabve apo Tunizi), një tropojane me emrin Bekime është “kujtuar” të sfidojë këto ligjësi duke provokuar një turmë që po drejtohej drejt sheshit qendror më 21 janar. Që të kuptohemi, e dënoj sulmin mbi atë vajzë, sikundër e besoj se mund të jetë një reagim adoleshentesk i saj, por nuk është ajo simboli i dhunimit të mendimit ndryshe siç na e paraqet çdo sekondë një spot i qeverisë (të tjera para tonat për propagandën e Berishës). Përfytyroni për një moment sikur ajo turmë të ishte e mbushur me tifozë të Romës dhe kjo vajza bukuroshe të futej mes tyre e të bërtiste “Lacio, Lacio”.

Çështja e imazhit

Fotoja e një protestuesi egjiptian që mban një parullë ku shkruhet “Të lutem turistë, mos u largoni, nuk kemi gjë me ju”, po publikohet në mediat e mëdha në Perëndim. Prej kohësh Egjipti është një destinacion i rëndësishëm turistik. Po ashtu edhe Tunizia.

Ka shumë vende diktatoriale në botë që kanë një turizëm të zhvilluar. Disa mund të thonë se është diktatura që mban nën kontroll krimin dhe i mbron turistët. Mund të jetë edhe kjo. Por e vërteta është se një popull dashamirës, bujar e mikpritës nuk zhbën traditat e tij vetëm pse proteston ndaj qeverisë. Po ashtu nuk mund të kriminalizosh një popull. Por ajo që po bën kryeministri shqiptar është e frikshme për turistët. Ai po kriminalizon individin shqiptar. Asnjë turist nuk ka frikë nga një popull që revoltohet. Ka turistë janë bashkuar me egjiptianët në protestë. Por ajo që po bën kryeministri është e frikshme. Ai po flet për njerëz me armë të sofistikuara, për tritol që lëviz lirisht në rrugë, për thika me helm e për njerëz që për 200 euro mund të bëjnë kërdinë. Kush turist do guxonte të vinte në një vend ky qytetari është kaq i kriminalizuar? A mund të vijë një turist në një vend ku policia thotë se kreu i opozitës mund të vritet për një makinë? Po sikur ai turist të vijë me makinën e tij dhe të shkaktojë një aksident? Apo kur të shkojë në bregdet të hasë pa dashje në një kamp stërvitor me mercenarë…

Në mbyllje

“Përkthyesja” është një film me aktore kryesore Nicole Kidman, i pari film i xhiruar në ambientet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kidman në këtë film është përkthyese për OKB, e cila dyshohet se do të vrasë liderin e një shteti afrikan, për shkak se ai i ka vrarë vëllanë. Por në realitet atentatin ndaj liderit afrikan po e përgatisin këshilltarët e tij. Synimi është që të ketë një atentat të dështuar, çka do i shërbente liderit afrikan për të asgjësuar opozitën e vendit të tij.

Në fund të filmit ka një fjalim mjaft prekës të Kidman, e cila ka mbështetur liderin afrikan të vijë në pushtet duke besuar fort se ai do të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Por ai u bë më i keq së paraardhësi. Duke besuar se mesazhi i këtij filmi ishte shumë i fortë, OKB hapi dyert për të xhiruar në brendësi.

Prandaj duhet besuar vetëm tek një zgjidhje: tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Prej kësaj kauze ne kemi mbërritur në këtë ditë ku jemi. Askush nuk duhet të ketë frikë nga zgjedhjet, edhe nëse bëhen të shpeshta. Është e vetmja mënyrë për t’i treguar çdo politikani se nuk e ka jetën e gjatë. Në pushtet sigurisht.

5 komente në “Revolucioni i çadrave”

  1. Petrit Kola says:

    Thursday, February 03, 2011
    Iku Berisha, po me pas c’fare?

    Per vite shqiptaret sillen si pula me koken e prere ne oborin e cung-uar te quajtur Shqiperi.
    Vazhdojne te kullojne gjak e lengojne ashtu, kuturu.
    Iku Berisha, po me pas c’fare?
    Ismail Kadare u be i gjalle pas 20 vjetesh duke na thene se, politika ne 21 Janar 2011 thirri ne sken vdekjen. Vertet? Ky fenomen nuk eshte i ri. Perse Ismail Kadare ka rrefuzuar ta shikoje kete fenomen qysh ne demostaren e 2 Prillit ne Shkoder?! A nuk ishte politika dhe po keta autore (ne pushtet dhe opozite) qe ekzekutuan Arben Brocin dhe manipuluan hetimin vrasjes?
    Iku Berisha, po me pas c’fare?
    Keto dite Rexhep Qosja analizon 21 Janarin 2011 dhe bene thirrje per largimin e Sali Berishes.
    Iku Berisha, po me pas c’fare?
    Rexhep Qosja edhe Ismail Kadare nuk po tregojne rrenjet e problemit e keshtu ai do te ripertrihet me pasoja e intensitet tragjik per shqiptaret kudo qe ndodhen. Gjaku shqiptar do te vazhdoje te derdhet ne kuptimin me te drejteperdrejte te fjales, ka per ti lare sheshet dhe rruget, nepermjet debimit te tyre de facto prej trojeve te tyre duke ja bere jeten te padurusheme, nepermjet asimilimit…
    Edhe Qosja edhe Kadare gabohen kur problemin e vertet shqiptar qe eshte problem kombetar e paraqesin si problem te thjesht demokratik (demokracise).
    Pozicioni gjeokgrafik dhe idenditeti i jone shqiptar, do te na beje ose do te na c’beje. Keshtu ka qene, keshtu eshte dhe keshtu do te jete. Kjo eshte rrenja dhe mbi kete baze duhet ta ndertojme strategjine e mbijetese dhe zgjidhjes se problemeve tona. Sabotimi i demokracise eshte i qellimshem. Nepermjet sabotimit te tij kerkohet te sabotohet ceshtja komebtare shqiptare.
    Iku Berisha, po me pas c’fare?
    Le te marim dy shembuj.
    Besoj se askush sot nuk ka me dyshim per misionin e kolonelit te sherbimti sekret grek Anastas Janullatos. Greqizimin dhe coptimin e trojeve te Jugut. Kolonel Janullatosin vertet teknikisht e solli Ramiz Alia dhe Sali Berisha gjithe udheqesia e PD-PS-PR… kane qene dhe jane dakort.
    Po ashtu PS-PD dogjen dosjet e agjentures se huaj nderkohe qe dosjet ordinere midis shqiptaresh i ruajten. Perse valle? A nuk duhej ti jepej perparesi te pares? Perse u veprua ashtu?
    Iku Berisha, po me pas c’fare?
    Deri sa ne te gjithe refuzojme ta trajtojme problemin ashtu sic eshte dhe ta shikojme rrezikun ne sy duke e likujduar ate rrezik, vdekja e sigurt ne pret.
    Faji eshte imi, faji eshte i yti, faji eshte i te gjitheve. Ne se nuk reagojme pasojat jane te merituara.

  2. Dino USA says:

    Z.Petrit.Analizat e tua jane nje revolt permanente,por do tju sugjeroja ti qendroni larg nihilizmit.Idete nihiliste jane nje mllef, nje revolt ne infinit,majtas dhe djathtas para dhe prapa dhe kurre nuk gjejne cakun e zgjidhjes.Ato me se shpeshti mohojne te kaluaren,te tashmen dhe po aq edhe te ardhmen.Prandaj me shpesh nihilistat konsiderohen dhe filozofa pa koke.Diskutimet.Idete e tyre kenaqin vetem ata qe i prodhojne ato, dhe nuk kane ndonje relacion me popullin dhe hallet qe populli pret ti zgjidhen.Ato shpesh prodhojne konflikt dhe konfuzion,duke u ulur keshtu pa kuptuar edhe ne preherin e Konfucit…!

  3. dymi says:

    Petrit, disa here te jam pergjigjur. Ti shtron pyetjen : iku Berisha, po me pas cfar? Une po te them: Duhet te iki Sal-iu sepse eshte diktator jo cfardo po komunist i pandreqshem. Duhet te iki Sal-iu sepse te gjitha pushtetet i ka perqendruar ne duart e veta dhe te oborit te tij. Sepse e ka kthyer drejtimin e shtetit ne biznes familjar.Sepse i ka syte e kuq e kudo shikon vetem kufoma kundershtaresh. sepse dite e nate shkruan vetem nekrologji per kundershtaret.” Po me pas cfar?” Me pas le te thirret populli qe te thote fjalen!

  4. xenilirise says:

    Ta ndihmojme Petritit, te largohet nga “fataliteti” me te cilin e sheh te ardhmen tone, pa LIUN!
    Personalisht i jap fjalen se, nese bie LIU, une do votoj per Petritin!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
    Mbase nen udheheqjen e tij, behet ky vend, se plasem…
    O Petrit, ngrihu ne lartesine e emrit qe mban dhe PROTESTO, mos VAJTO, sa here ke bindjen se shkelen lirite dhe te drejtat e njeriut, sa here shkelet Kushtetuta dhe Ligjet, pavaresisht kush eshte ne pushtet.
    PROTESTO dhe VOTO, per te kontribuar per ndryshimin, sepse duke VAJTUAR, kontribuon per vetskllaverimin…
    E drejta e VOTES dhe PROTESTES, e dallon NJERIUN nga SKLLAVI..

  5. pellasgu says:

    Eshte vertet per te ardhur keq kur sheh se si ne shqiptaret arrijme ne gjendje te tilla sa edhe zihemi me njeri-tjetrin se kush preferojme te na grabise,keqtrajtoje apo vrase me shume,kur eshte mese e kuptueshme qe te gjitha palet politike i perkasin te njejtes PARI…jane thjesht gishta te njeres dore!!

    Si nuk na vjen per te vjellur kur mendojme te ashtuquajturen ”alternative” kundrejt monstres Berisha??Kujtojme: Rama-Ruci-Gjinushi-Milo-perversi Velia qe e njeh gjithe Tirana-P. Koci-Ngjela-Kokedhima etj.. etj.. si keta e genjehemi se mund te shohe drite Shqiperia jone e vyer?!

    A ishte Rama qe ideoi dhe firmosi marreveshjen e turpshme te 21 prillit 2008 me monstren Berisha per ndryshimin e gati gjysmes se Kushtetutes bashke me kodit zgjedhor qe tani po e konteston?!
    Po per Gerdecin pse su ngriten kjo e ashtuquajtura ”alternative” ta shporri Berishen dhe kliken e tij te korruptuar?!Pse Tirana qeveriset pa nje ligj urbanistik dhe nuk ka ndertues qe te thote se nuk ka paguar para per lejen e ndertimit?!Ku eshte ndryshimi mes qeverisjes se Saliut dhe Edit….mbase duhet te pyesim zotin Baze apo Bushati per nje pergjigje me te mire?!A nuk zhduku Rama nga PS gjithe ato persona qe kane kontribuar ne parti ne kohe te veshtira,sic ka bere Berisha me te djathten e vertete tek PD-ja?!Si mun te flasim apo enderrojme per metoda demokratike te zotit Rama ne qeverisjen e ardhshme…ku eshte ndryshimi me qeverisjen e PD-se te Saliut?!

    Vendy yne s’ka me nevoje per hajdute e kriminele te rinj qe kane gati 70 vjet qe e kane shtypur,pushkatuar,internuar,tallur dhe shkaterruar k’te popull fisnik me nje histori shume te hidhur…prandaj eshte marrezi dhe pa-pergjegjesi te mendosh dhe keshillosh shqiptaret per ”alternativa inegzistente”!!

    Ju lutem o vllezerit e mi…hapni syte se k’tu ka dicka shume me te madhe ne tavoline,eshte ceshtja kombtare,vete ekzistenca e kombit e rraces tone eshte vene ne medyshje!!Qe kur komunizmi pushtoi vendin tone me ndihmen e armiqve tone shekullore e pas, eshte punuar vec per ta zhdukur kombin tone dhe se k’ta te ashtuquajturit politikane jane thjesht vegla te sherbimeve sekrete serbo-greke-ruse-arabe te mire-dirigjuara nga Ramiz Alia dhe kupola e kuqe!!

    Ne vend qe te kete nje fryme krejt te re, te udhehequr nga Shqyptare qe do ti bente k’ta kriminele te kerkonin falje dhe te paguajne per krime kundra njerezimit qe kane bere ne k’to 70 vitet e fundit,ne zihemi kush na pelqen t’na shkatrroje me mire?!!

    ZGJOHU KOMB!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje