Mazhoranca ka miratuar ndryshimet në rregullore me 73 votat e saj, kurse opozita ka braktisur seancën. Deputetët demokratë kanë miratuar fillimisht në parim e pastaj nen për nen dhe në tërësi parimin për ndryshimin e rregullores. Menjëherë më pas mazhoranca ka miratuar me të njëjtat forma votimi dhe me të njëjtin kuorum votash edhe projektligjin për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe lejimin e ndjekjes së tyre penale nga prokuroria.
Seanca është shoqëruar nga debate të shumta. Kreu i qeverisë dhe i mazhorancës Sali Berisha ishte një nga folësit më të shpeshtë në seancën parlamentare ku u diskutua për kufizimin e imunitetit. Ai mori fjalën disa herë duke akuzuar opozitën dhe më tej kryeprokuroren Ina Rama. Berisha akuzoi deputetë të veçantë të PS-së, kryesisht biznesmenët duke përmendur shifra të metrave katrore që kanë nën pronësi. Ai akuzoi dhe kundërshtarin e tij politik Edi Rama për korrupsion. Ndërsa për Ina Ramën tha se kryeporkurorja po pengon hetimet për puçin e shtetit dhe “po fle mbi krimin” . Ai nuk nguroi madje të përdorë dhe shprehje fyese për të duke e cilësuar “shoqja e Bulevardit”, kur më parë e kishte cilësuar lavire bulevardi. “Po hetimi do të bëhet. Ta dini mirë ju. Se shoqja e bulevardit po bën gjithçka për ta penguar. Po të jeni të siguritë se nuk do ta bëni. Ju doni ta pengoni hetimet sepse jeni organizatorët e vrasjeve, por do ketë hetim të plotë“, tha ai dje në seancë. Më tej nuk nguroi të fusë në rrethin e akuzës dhe presidentin e Republikës, i cili është kryetar i KLD-së, duke akuzuar organin më të lartë të drejtësisë për korrupsion.
Kryeministri Sali Berisha, duke folur në seancën parlamentare ka vlerësuar nismën e mazhorancës për kufizimin e imunitetit. Berisha është shprehur se kjo nismë është pjesë e luftës së qeverisë së tij kundër korrupsionit, e cila ka qenë shumë e vështirë. “Erdhëm në pushtet duke vendosur si kriter fillimin e betejës kundër korrupsionit nga zyrat tona, pasi për udhëtime shpenzoheshin shifra marramendëse. Me këtë masë ne reduktuam shpenzimet në 1.8 për qind të GDP-së. Amenduam ligjin e konfliktit të interesit, kur administrata e tërë ishte ndërtuar në konflikt interesi, amenduam ligjin për KLD-në, vendosëm standarde të reja në ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme, morëm me seriozitetin më të madh rekomandimet e KiE. Një ligj i ri për prokurimet u miratua, i cili ndalonte prokurimet direkte, një ligj për koncesionet u miratua që ndalonte koncesionet direkte, u ndërtua regjistri elektronik, u vendos taksa e sheshtë, u vendosën çmimet e referencës në dogana”, ka saktësuar Berisha, i cili ka publikuar edhe rezultatet e luftës së qeverisë së tij. Më tej, ai ka hedhur një seri akuzash ndaj deputetëve të PS, të cilët sipas tij nën udhëheqjen e Edi Ramës kanë monopolizuar hapësirat e ndërtimit. Kjo, sipas kryeministrit, është një nga arsyet përse Partia Socialiste nuk do të votojë nismën e saj për kufizimin e imunitetit. “Kupola juaj ka 1 milion metër katrorë ndërtime. SHPK-ja socialiste nuk mund të dalë kundër vetvetes. Vetëm Fidel Ylli ka 87 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi, sepse Besnik Sula, që bleu truallin në mes të Tiranës me 100 euro ka 82 mijë metër katrorë ndërtimi, sepse Dashi bashkë me Ilir Matën kanë 42 mijë metër katrorë ndërtimi, sepse Sadri Abazi ka 73 mijë, Arian Leska 61 mijë, Dundullaku 145 mijë, etj. Pastaj, është kryetari që blen shaganin 230 mijë euro dhe bastunin 12 mijë euro dhe thotë që jeton me 3 mijë euro. Këto s’janë gjë sepse është 20 për qindëshi që shkon në 100 milionë euro. Ju s’votoni dot sot pasi dy kompani morën 70 për qind të lejeve të ndërtimit”, ka shtuar Berisha. Kryeministri ka akuzuar deputetë të PS edhe për organizim të pucit të 21 janarit, ku ka publikuar disa dokumente që sipas tij i zotëron prokuroria dhe vërtetojnë sms-të me të cilat deputetët e PS kanë nxitur protestuesit. “Hetimi do të bëhet. Shoqja e bulevardit do që ta pengojë, ju doni ta pengoni, por s’keni për ta penguar. Ju pengoni hetimin e organizatorëve, sepse pas viktimave fshihen organizatorët që fshiheshin në lokalin e Fidelit dhe jepnin urdhëra për hapjen e dyerve të kryeministrisë. Qëndrojnë ata që nga kulla ku ishin mbyllur shpërndanin shishet molotov. Prandaj ju keni tmerr nga hetimi i organizatorëve. Por do të hetohet, do ketë një hetim të plotë”, është shprehur Berisha. Kreu i ekzekutivit e ka mbyllur fjalën e tij me një ftesë drejtuar Partisë Socialiste për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, duke dhënë garancinë e tij për mbarëvajtjen dhe transparencën e tyre. “Ju bëj thirrje, do t’ju ftoj në garën elektorale lokale, të dilni nga spirali ku futët veten. Do bëhet gjithçka për një garë të ndershme e të lirë, do ketë një transparencë të fortë dhe unë falënderoj të gjitha vendet mike, në veçanti SHBA, për shumën që kanë vendosur për transparencën e këtyre zgjedhjeve.”, ka pohuar Berisha.
Ruçi-Berishës: Dorëhiqu, Sali Gadafi
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci u është përgjigjur akuzave të kryeministrit Berisha ndaj deputetëve socialiste dhe ndaj tij personalisht. Duke replikuar ndaj deklaratës së kryeministrit në Kuvend, Ruci e ka bërë atë përgjegjës për një seri tragjedish të ndodhura në vend, për të cilat ai ka kërkuar dorëheqjen e Berishës. “Sali Mubaraku, t’i ki kurajo, jep dorëheqje dhe nënshtroju hetimit për vrasjet e 21 janarit. Ty të bën apel nëna ligjore e Fatmir Xhindit që po dergjet në var prej dy vjetësh për shkak të pushtetit tënd, po bëjnë apel familjarët e 26 viktimave të Gërdecit, nëna e Hekuranit, fëmijët e Faikut e Ziverit që i vrave me pushtetin tënd”, ka deklaruar Ruçi. “Prandaj, ti ke detyrimin të përgjigjesh duke dhënë dorëheqjen nga qeverisja. T’i i ke duart të zhytura në llumin e korrupsionit, si ke guximin dhe flet para popullit shqiptar”, është shprehur ai. Pas akuzave që kryeministri drejtoi ndaj tij, në replikë Ruçi i tha se “unë pata burrërinë të jap dorëheqjen dhe iu nënshtrova hetimit. Bëje dhe ti. Dorëhiqu! Sali Gedafi, apo Ben Aliu. Janë 32 vrasje që rëndojnë mbi ty. Jep dorëheqjen dhe vihu përpara drejtësisë.”- tha Ruçi. Kreu i grupit socialist i kujtoi Berishës tragjedinë e Gërdecit, vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi që nuk është zbardhur akoma dhe vrasjet e fundit para derës së kryeministrisë së katër qytetarëve nga radhët e opozitës.
Patozi: PS ruan imunitetin e Ramës
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi ka deklaruar se PS refuzon të miratojë ndryshimet në rregullore për shkak të korrupsionit që ka përfshirë lidershipin e saj. “Rregullorja nuk mund të jetë bibël që të mos ndryshohet. Mes nesh janë murrët e korrupsionit, me njërën palë që ka marrë kazmën për ta shembur dhe tjetrën që përpiqet që ta mbajë që të mos bjerë”, ka pohuar Patozi. Duke folur në seancën parlamentare, ai ka theksuar se deputetët socialistë refuzojnë kufizimin e imunitetit për të mbrojtur interesat e kryetarit të tyre, i cili sipas tij është baroni i korrupsionit në Shqipëri. “E vërteta është se rezistenca e PS mbron një filozofi të shëmtuar, që ka interesat e njerëzve të kapur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Interesat e kujt mbroni sot, kur qytetarët na duan të barabartë përpara ligjit?”, është shprehur Patozi. “Sot mes mazhorancës dhe opozitës është frika e Edi Ramës se dara e ligjit do të shkulë dhëmbët e korrupsionit politik. Nuk ka asnjë arsye juridike përse PS e refuzon kufizimin e imunitetit, por synon ruajtjen e paprekshmërisë së imunitetit të baronit të korrupsionit në Shqipëri, që quhet Edi Rama. Kjo është kriza më e madhe morale e një opozite të sëmurë”, ka vijuar ai duke iu drejtuar deputetëve të opozitës. Më tej, Patozi ka bërë të ditur se PD nuk do të tërhiqet nga nisma e saj, por ka lënë të hapur mundësinë që PS t’i bashkohet asaj duke bërë propozimet për ndryshimet në rregullore.