Vetë shtruarja e pyetjes në publik, se kush është fajtor që Behgjet Pacolli u bë Kryetar i Kosovës, sugjeron se qenka bërë një gabim i madh, që e ka fajtorin. Opozita, e pakënaqur me epilogun e zgjedhjeve, fajin ia vesh Hashim Thaçit për faktin se e zgjodhi Pacollin partner të koalicionit. Akuza do qëndronte parimisht nëse Thaçi do të kishte edhe zgjedhje tjera por është përcaktuar për më të keqen. Por, nuk ka qenë kështu. Partitë tjera, LDK, VV dhe AAK, refuzuan koalicionin me PDK-në dhe shprehimisht refuzuan që të janë në një qeveri me Thaçin. S’ka fjalë, ka qenë e drejta e tyre ta kundërshtojnë Thaçin.
E zgjodhën që t’ia bëjnë opozitën. Por, Pacollin s’do të duhej t’ia veshin. Ai ka qenë një domosdoshmëri e imponuar me refuzimin e tyre.
Pozita, ndërkaq, fajin për Pacollin ia adreson opozitës. Sidomos AAK-së që ka pas ofertë më të prekshme, me emër konkret për kryetar (Blerim Shala). Por, Ramushi ose Kryesia e AAK-së e pengoj këtë. Ata thanë jo Thaçi por dikush i AAK-së duhet të jetë kryeministër. Ky “dikushi” do t’ia ruante postin Haradinajt derisa ai të mos kthehet nga Haga. Pra, ata ishin për një kryeministër kukull. Kërkesë aspak serioze e bazuar vetëm në kundërshtimin e Thaçit, që nuk ka të bëjë fare me Pacollin, por objektivisht ia hapi rrugën e zgjedhjes së tij për kryetar.
Sipas kësaj logjike ka edhe shumë “fajtorë” të tjerë. LDK-ja dhe VV-ja po kështu refuzuan Thaçin. “Fajtor” është edhe KQZ-ja pasi që nuk e ndëshkoi manipulimin e votës në total po vetëm i arnojë zgjedhjet. “Fajtor” është edhe ambasadori Dell sepse i dha përkrahje “Qeverisë së numrave” dhe “Presidentit të sms-ave”.
Unë mendoj se fajtor i vetëm është vetë Behgjet Pacolli. Ambicia e tij, investimet e mëdha, dëshira që të dëshmohet në një post ku ai thjesht si personalitet nuk është aspak kompatibil. Mbase Pacolli edhe nuk e kupton mirë se çfarë janë kompetencat dhe roli i kryetarit të Kosovës. Kryetari i Kosovës është post kryesisht përfaqësues dhe protokollar, që nuk siguron pushtet të madh real dhe ekzekutiv. Ndërkaq, deklaratat e tija të para tregojnë se ai keqkupton rolin e tij. Ai flet se do ta bëj Kosovën të tillë ose të atillë (!) ndërkohë që kjo nuk është fare punë që duhet ta bëjë një kryetar. Edhe nëse është i bindur që Kosova duhet të jetë multietnike, është absurde ta thotë në vetën e parë “unë do ta bëj Kosovën komb multietnik”.
Shembujt që ndjek ai, që janë pjesë e botëkuptimit të tij, praktikisht janë të paaplikueshëm në Kosovë.
Një figurë që ai edhe vetë e ka deklarua se e ka model, është udhëheqësi autoritar i Kazahstanit, Nazurbajev, përndryshe mik personal i Pacollit. Po të ishte Pacolli kryetar i Kosovastanit ndoshta edhe do të mund të mësonte nga Nazurbajev. Por definitivisht nuk është. Pacolli është një kryetaruc që në zgjedhje ka fituar 7 për qind, dhe jo 91 për qind sa i ka kryetari i Kazahstanit, dhe ku Nazurbajev është zot i gjithëçkafit, politikës, ekonomisë etj., dhe praktikisht i gjithë shteti punon për interesat e tija (pasuria e paligjshme e Nazurbajevit e grumbulluar në bankat e huaja vlerësohet mbi 1 miliard dollar). Në Kosovë autoritet kryesore politikëbërëse janë Qeveria dhe Kuvendi, dhe Kryetari nuk duhet dhe nuk mund të aspirojë pozitën autoritare politikëbërëse; të paktën jo në mënyrë të ligjshme. Le të provojë ta luaj Nazurbajevin dhe menjëherë do ta ketë në qafë jo vetëm mediat, që edhe ashtu nuk e kanë aspak në qejf, por edhe Qeverinë dhe Kuvendin. Nëse tepron me gafet e tij, supozoj se do të jetë shumë më lehtë që Pacolli të shkarkohet, seç është zgjedhur për Kryetar.
Figura tjetër jokompatibile që ndjek Pacolli, – këtë e ka bërë edhe si kryetar partie, – është ajo e bossit të një ndërmarrjeje që në opinion shfaqet me arrogancën e të kamurit, që nuk e ka fort merak publicitetin negativ. Në raportet me të tjerët, inferioritetin që e ndien karshi elitës politike dhe kulturore të vendit (kultura e të cilëve përndryshe nuk është shumë e lartë dhe për lakmi) ai e kompenson me superioritetin e të qenit njeriu më i kamur në Kosovë, duke luajtur një lojë sociale që do ta mund ta përshkruanim me këto fjalë: “unë jam ai që mund ta blej çdokënd, ose pothuajse çdokënd!” Një variant tjetër është: “Si njeri i suksesit në biznesët, do të jam njeri i suksesit edhe në politikë!”
Në postin që e fitojë me 62 vota Pacolli nuk mund ta luaj më rolin e bossit në asnjë mënyrë, e që kjo të mos hetohet ose edhe ndëshkohet. Publiciteti negativ në politikë nuk është si në bizneset. Bile, Pacolli menjëherë pas zgjedhjes morri vendimin e detyrueshëm të dorëheqjes nga posti i kryetarit të AKR-së, por nuk po thotë gjë për bizneset e tija të shumta. Ai nuk do të duhej të udhëhiqte as edhe në mënyrë të tërthortë asnjë nga bizneset, dhe sidomos nuk do të duhej të siguronte asnjë favorizim bizneseve të veta dhe të partnerëve të tij, në tenderët dhe aktivitetet ekonomike të Kosovës, përderisa është Kryetar.
Afera me përgjimin e këmbimit të sms-ave me ambasadorin Dell gjatë seancës kur u zgjodh për kryetar, tregon shkallën e survejimit që do ta ketë Pacolli nga opinioni. Njëfarëdore, kur je Kryetar i shtetit nuk je më i lirë, je rob i protokolleve, dhe nën vëzhgim permanent. Nuk të lejohet assesi të sillesh si boss. Këtë lloj të boshllëkut e ka në shkallë të lartë kryeministri italian Berluskoni, por ai është kombinim i rrallë i fuqisë ekonomike, mediale dhe politike, që trazon dhe nxinë shumë imazhin e demokracisë bashkëkohore, por edhe, nga ana tjetër, edhe Berluskoni është vazhdimisht nën hetime dhe kritika, dhe me gjasa nuk do të jetë edhe gjatë në pushtet.
Ajo që nuk mund ta kuptoj në këtë rast është pse dikush që i ka të gjitha të mirat e jetës, dhe të paktën gjysmë miliardë euro në konto dhe biznese të shumta, ka dëshirë të bëhet president i protokolleve të mërzitshme. Roli i kryetarit është si e një jete në kafaz, ku ke detyrime, detyrime, detyrime, dhe shumë pak liri personale.
Ndonjë leshko o profesor universiteti, pale edhe me fuqi të mjaftueshme politike që mundëson privilegje dhe fitime nga bizneset e djemve, familjareve dhe miqve, edhe mund të lakmojë pa masë rolin e presidentit.
Pacolli i ka të gjitha me pallate, aeroplanë privat dhe gjëra të paimagjinueshme të luksit. Por mbase i ka munguar, si atyre që po mbyllen në shtëpitë e Big Brotherave për disa muaj, publiciteti 24 orësh. Ajo famë e kotë që mbase emrin e ka përmendore e stupiditetit.
Comments are closed.
Me Pacollin do tallen dhe ca kohe,dhe do vuajne gjithe jeten ta heqin qafe,si italianet Berluskonin,dhe s’do ta heqin dot.Edhe Berluskoni i kishte dhe i ka te gjitha lukset e botes,por gustoja e pushtetit s’paska krahasim.Do ti gustoje dhe Pacollit,dhe hajde ta heqesh!PS.Ky e ka Pacolli me”c” apo me”k”?
Brockulla.A munde te me thoni ju,zoti SHkelzen, se ne cilin vend multietnik minoritetet kane me shume,poste qeveritare,se ne kosove.Kosova dejure eshte multietnike.
Zoti Maliqi, cfarë eshte kjo fillozofi e thate?!…Ndonese kurre nuk do te doja ta shihja Pacollin kryetar shteti, ne nuk kemi te drejte t’i mohojme aspiratat e askujt…Keshtu e ka jeta z Shkelzen….Pacolli lakmon postin e Presidentit dhe e arrin, ndersa per Maliqin te kesh para eshte kulmi i botes…
Maliqi me kete artikull zbulon menyren sesi punon mendja e tij dhe e mikut te tij, Drejtorit te TV KlanKosova, Baton Haxhiu si dy njerez te lidhur forte me interesa politike. (Paramendojeni cfare ngjashmerie me Aleksandar Frangajn dhe Blendi Fevziun). Logjika te cilin Maliqi le per te kuptuar ketu eshte kjo. Pse te zgjidhej kryetar shteti nje njeri i kamur e jo nje njeri “ne nevoje” d.m.th pse te zgjidhej nje dinjitar (titull qe mbase Pacolli nuk e meriton) e jo nje nevojtar.
Pacolli qysh ne fillim, kur votoi pro kabinetit qeveritar, tregoi se ai nuk ka sensin se cili eshte roli i Presidentit si garant i unitetit. Mbase po te perqendrohej ketu editoriali i Maliqit do te ishte OK. Por ai dhe Haxhiu, te cilet po mendojne se kane monopolin e perzgjedhjes gjate kohes sa Thaci eshte ne pushtet, po thone se Pacollit pasi ka te rregulluar jeten si mos me mire, cfare ju dashte te behej kryetar, dhe e cila do t’i sillte shume probleme. Ka ndonje analist ne bote qe fillon keshtu analizen?!
Ne fillet e karrieres se tij politike, une vete kam qene perkthyes ne nje takim te tij me eurodeputete, kur ai thoshte se ai nuk ia thane per politike, se ka ardhur thjeshte t’i ndihmoje Kosoves ne zhvillimin ekonomik. Une e di se Pacolli flet pa ditur fare se ku mund te vrase fjala, por ajo qe me cudit eshte fakti se si keta analiste vene theksin tek Pacolli duke u munduar disi ta fshehin Hashim Thacin, zgjedhja e te cilit perben nje problem mijera here me te madh; zgjedhja e te cilit perben nje bombe me sahat qe pritet te shpertheje nga casti ne cast; zgjedhja e te cilit nuk i ben nder Kosoves se vitit 2011. Samir Potera, ish redaktor i lajmeve ne gjuhen angleze.