Lëvizja FOL ka mbajtur të premten konferencën për media, me ç’rast ka bërë publike kërkesën për presidentin Behgjet Pacolli që të kërkojë nga Agjencia Kundër Korrupsion të bëjë publike pasurinë e tij.
”Vitin e kaluar z. Behgjet Pacolli kishte kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) që të mos e bëj publike pasurinë e tij. Një veprim i tillë nga vetë AKK-ja dhe z. Pacolli përbën shkelje të ligjit për prejardhjen, kontrollin dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, i cili nuk e parasheh mos publikimin e pasurisë mbi bazë të kërkesës së një zyrtari. Një veprim i tillë i z. Pacolli ngreh pikëpyetje në përkushtimin e tij për ta luftuar
korrupsionin dhe krimin e organizuar – që janë problemet kryesore të vendit”, thekson kjo lëvizje.
Lëvizja FOL kërkon nga Presidenti Pacolli që të kërkojë nga Agjencia Kundër Korrupsion të bëjë publike pasurinë e tij.
Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha, se në përputhje me nenin 15, pika 1 e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, FOL kërkon nga presidenti i vendit të zgjidhë vetë, sa më parë dhe në mënyrën sa më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit.
Ndërkaq nga AKK-ja ka kërkuar që në përputhje me nenin 14 të verifikojë pasurinë e kryetarit Pacolli në përputhje me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit si dhe Ligjin për Presidentin.
“Legjislacioni aktual nuk u lejon zyrtarëve publikë të menaxhojnë aksione më shumë se 20% të vlerës në një kompani, si dhe të bartin këto aksione tek persona të afërt me z. Pacolli sipas nenit 6 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, tha Ilazi.
“Në rastin e presidentit të vendit, z. Pacolli, konsiderojmë se është jo-etike që ai të ketë interesa ekonomike përderisa ushtron funksionin më të lartë në vend. Prandaj, është ne interesin publik që z. Pacolli të sqarojë raportin që ka me bizneset e tij brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo do t’i ndihmojë në funksionimin e këtij institucioni, si dhe do të krijojë një standard të mirë për zyrtarët e lartë publik”, ka thënë Ilazi. /Zëri/