Një dokument sekret i policisë zbulon se nga Komisariati Nr. 5 në kryeqytet është bërë shoqërimi në Komisariat i 5 personave të dyshuar si pjesëmarrës në konflikt, konkretisht shtetasit: Skënder Ukë Skënderi, Edison Skënder Skënderi, Alsen Hysen Berai, Guxim Rexhë Dunisha dhe Afrim Rexhe Dunisha, të gjithë këta janë banorë në rrugën “Jordan Misja”, në afërsi të vendbanimit të familjeve rome .
Policia e Shtetit është përfshirë dje në një skandal të ri, duke u bërë mbrojtëse zyrtare e dhunuesve të komunitetit rom në qendër të Tiranës. Pas zhurmës së bërë nga media, fillimisht Top Channel dhe më pas gazeta Tema, policia doli me një komunikatë zyrtare për shtyp ku u kërkon qytetarëve të sjellin dëshmi për atë që ka ndodhur, duke mbajtur distancë nga ngjarja. Zëdhënësja e policisë së Qarkut të Tiranës tha në një komunikatë për shtypin se “policia ka marrë takim me përfaqësues të komunitetit rom dhe se “përfaqësuesit e Policisë në këtë takim u sqaruan proçedurat standarte të punës së Policisë, si dhe siguruan se në çdo kohë shtetasit e këtij Komuniteti, të cilët kanë pretendim keqtrajtimi apo kërcënimi nga banorët e tjerë, mund të paraqiten pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë , për të depozituar kallëzimin penal. Policia e Shtetit i ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë së jetës së tyre dhe të çdo qytetari që kërkon ndihmën e policisë.”
Nga komunikata e policisë shihet qartë se policia bën sikur nuk di se çfarë ka ndodhur realisht dhe akoma më keq bën sikur banorët e komunitetit rom janë ende aty dhe nuk janë zbuar. Lexojeni të plotë komunikatën zyrtare:
REPUBLIKA E SHQIPERISE
Drejtoria e Policisë e Qarkut Tiranë
Seksioni i Marrëdhënieve me Publikun & Mediat
Tiranë, më 11. 03. 2011
Deklaratë për shtyp
Në lidhje me lajmin e publikuar ditën e sotme në disa media të shkruara, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik, se për çdo rast njoftimi të marrë nga qytetarët për konflikte apo incidente të ndryshme, merr gjithnjë masa ku për çdo rast konkret, vepron në bazë të proçedurave standarte që normojnë punën saj.
Sqarojmë se, Policia e Tiranës ka zbatuar me rigorozitet, detyrimet që i ngarkon Ligji “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
Shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariati të Policisë Nr.3 Tiranë, me marrjen e dijeni të një konflikti të ndodhur në afërsi të stacionit të Trenit në Tiranë, kanë mbërritur duke marrë masat dhe dhënë ndihmën e Komunitetit Rom, të përfshirë në këtë konflikt.
Nga kryeja e veprimeve mësohet se, konfliti midis Komunitetit Rom dhe banorëve të tjerë të kësaj lagjeje, ka nisur për motive të dobta si dhe ka vijuar më tej, për prishje të rendit dhe qetësisë publike, nga ana e banorëve të Komunitetit Rom.
Sa më sipër, janë kryer shoqërimet përkatëse të personave të përfshirë në këtë konflikt, por nga ana e Komunitetit Rom nuk është deponuar asnjë kallzim penal, për zjarrë vënie apo dëmtim banese.
Nga drejtuesit e Policisë së Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, është marrë takim me Përfaqësuesin e Komunitetin Rom në këtë lagje, duke e siguruar që mos të largohen nga vendi ku kanë banuar deri më tani, pasi do të kenë gjithnjë mbështetjen e policisë, ndërkohë që ky i fundit nuk ka ngritur pretendime në lidhje me punën e policisë, por ka deklaruar me shkrim mbi largimin me deshire të banorëve Romë nga kjo zonë dhe zhvendosjen e tyre në rrethe të tjera.
Ndërkohë, përgjatë ditës së djeshme, është zhvilluar një takim në ambjentet e Ministrisë së Punëve Cështjeve Sociale & Shanseve të Barabarta, në saj të letër-ankesës së bërë nga Koalicioni shqiptar “Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve” BKTF, si dhe informacionit të marrë në rrugë të zyrtare, mbi problemin e Komunitetit Rom që jeton në zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë.
Në këtë takim, ishin të ftuar pjesëmarrës nga të gjitha institucionet dhe organizatat jo qeveritare, që kanë në drejtim të punës së tyre kujdesin për fëmijët, trajtimin e problemeve të minoritetit apo problemet sociale, me qëllim gjetjen e një zgjidhje dhe masat që duhen të marren për t”ju ardhur në ndihmë Komunitetit Rom. Problemet kryesore të ngritura në takim ishin : “Strehimi-Kujdesi Shëndetësor për fëmijët- Integrimi në arsim i fëmijëve”.
Ndërkohë, nga Përfaqësuesit e Policisë në këtë takim, u sqaruan proçedurat standarte të punës së Policisë, si dhe siguruan se në çdo kohë shtetasit e këtij Komuniteti, të cilët kanë pretendim keqtrajtimi apo kërcënimi nga banorët e tjerë, mund të paraqiten pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë , për të depozituar kallëzimin penal. Policia e Shtetit i ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë së jetës së tyre dhe të çdo qytetari që kërkon ndihmën e policisë.
Theksojmë se, aktualisht nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, po kryejnë veprimet hetimore dhe proçeduriale për zjarrvënie dhe dëmtime të pronës së këtij komuniteti, ndërkohë që i fton këto të fundit të paraqiten për të depozituar kallzim penal, pranë Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtyre veprimeve.
Po ashtu sqarojmë se, në lidhje me largimin e këtij komuniteti, janë marrë të dhëna të sakta mbi vendbanimet e tyre, nga Koalicioni “Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve” BKTF, nga ku rezulton se, – 14 familje të Komuniteti Rom janë shpërngulur në qytetin e Elbasanit, 2 – familje në qytetin e Durrësit, 5 – familje në qytetin e Beratit, 1 – familje në qytetin e Shkodrës, 7 – familje në Selitë Tiranë, 5 – familje Bregu i Lumit në Tiranë, 4 – familje në zonën e Nish Tulla 3 në Tiranë dhe 1 – familje në Kinostudio në Tiranë.
Në këtë kuadër, Policia e Tiranës, siguron qytetarët se puna e saj, mbështetet në zbatimin e ligjit, duke i parë të gjithë qytetarët të barabartë përpara tij, me synim garantimin dhe zbatimin e të drejtave themelore të njeriut.
Për të kontaktuar më tej….
Zëdhënëse Alma Katragjini
Mob 069 41 02 612 & Zyrë : Tel & fax 04 22 35 740
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë
Por skandali është i rëndë. Gazeta Tema ka zbuluar se në dosjen e policisë ekzistojnë të dhëna të plota mbi skandalin deri dhe emra të personave që kanë dhunuar romët. Gazeta Tema ka mundur të sigurojë të plotë dokumentin sekret të policisë, të cilin mund ta lexoni më poshtë:
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nisur nga ankesa e bërë nga një grup organizatash që punojnë në mbrojtje të fëmijëve, si Koalicioni “Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve” BKTF, mbi keqtrajtimin dhe dëbimin e familjeve Rome nga banesat e tyre pranë Stacionit të Trenit Tiranë; Ju vëmë në dijeni se janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e familjeve Rome. Përsa më sipër:
Më datë 09.03.2011 në bazë të detyrave të lëna nga ana juaj është formuar një grup pune mbi verifikimin dhe sqarimin e të gjitha pretendimeve të ngritura në letrën e dërguar nga Koalicioni BKTF. Për këtë sqarim është marrë takim me Drejtorin Ekzekutiv të Unionit të Romëve në Shqipëri “Amaro-Drom”, shtetasin Skënder Veliu, pasi Presidenti i BKTF z.Zini Kore nuk ndodhej ne Tiranë. Takimi u zhvillua pranë Komisariatit të Policisë nr 3 Tiranë. Gjatë takimit Drejtori Ekzekutiv Skënder Veliu, është sqaruar për të gjitha pretendimet që kanë në lidhje me zgjidhjen e problemit të Komunitetit Rom. Ai u sigurua sërisht se në Policinë e Shtetit nuk ekziston asnjë dallim racor dhe të gjithë shtresat e komunitetit trajtohen të barabartë përpara ligjit. Policia e Shtetit në të gjitha rastet zbaton me rigorozitet, detyrimet që i ngarkon Ligji Nr.10347, datë 04.11.2010 “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” si dhe Ligji Nr.10221, datë 04.02.2010 për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe Ligji për Policinë e Shtetit.
Përsa i përket ngjarjes së datës 20.02.2011 në lagjen pranë stacionit të Trenit ku jeton një pjesë e Komunitetit Rom, nga veprimet e para proceduriale dhe informacionet e marra në rrugë operative, ka rezultuar se shkak për konfliktin mes banorëve të Komunitetit Rom dhe banorëve të tjerë të asaj lagjeje ka qënë një femër rome e quajtur XHULI, nga fshati Drizaj i Fierit e cila e ka pasur rast të përsëritur konfliktimin për motive të dobta me persona të tjerë. Kjo femër njihej si problematike për këtë Komunitet edhe nga Drejtori Ekzekutiv Skënder Veliu.
Më datë 10.03.2011, Ministria e Punëve Cështjeve Sociale & Shanseve të Barabarta, në saj të letër-ankesës së bërë nga Koalicioni shqiptar “Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve” BKTF, si dhe informacionit të marrë në rrugë të zyrtare, mbi problemin e Komunitetit Rom që jeton në lagjen e Stacionit të Trenit, organizoi një takim në të cilin kishte ftuar pjesëmarrës nga të gjitha institucionet dhe organizatat jo qeveritare, që kanë në drejtim të punës së tyre kujdesin për fëmijët, trajtimin e problemeve të minoritetit apo problemet sociale, me qëllim gjetjen e një zgjidhje dhe masat që duhen të marren për t”ju ardhur në ndihmë Komunitetit Rom. Problemet kryesore të ngritura në takim ishin : Strehimi-Kujdesi Shëndetësor për fëmijët- Integrimi në arsim i fëmijëve.
Ndërsa përfaqësuesit e Policisë në këtë takim sqaruan procedurat standarte të punës së Policisë , si dhe siguruan se në cdo kohë personat e këtij Komuniteti, të cilët kanë pretendim keqtrajtimi apo kërcënimi nga banorët e tjerë, mund të paraqiten pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë , për bërë kallëzim penal. Policia e Shtetit i ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë së jetës së tyre dhe të cdo qytetari që kërkon ndihmën e policisë.
Për tju sqaruar më hollësisht mbi veprimet e kryera nga Policia dhe konfiktin e ndodhur në lagjen pranë stacionit të Trenit ku jeton Komuniteti Rom, ju informojmë se:
Më datën 20.02.2011, rreth orës 21.00, Komisariati i Policisë Nr.3 është njoftuar se në rrugën “Jordan Misja “, tek barakat e Romëve ka një konflikt. Menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendin e konfliktit kanë shkuar patrullat e policisë dhe kanë marrë takim me këto familje, të cilat gjatë pyetjes janë shprehur se tek vendi ku ato banojne kanë shkuar një grup personash të panjohur, i kanë keqtrajtuar duke ushtruar dhunë fizike si dhe ju kanë thënë të largoheshin nga vendi ku ato banonin. Më pas i kanë vënë zjarrin disa barakave të cilat ishin bosh (të pa banuara nga kjo pjesë e këtij komuniteti).
Gjithashtu specialistët dhe drejtuesit e Komisariatit të Policisë nr.3, kanë marrë takim me banorët e Komunitetit Rom në atë zone, por ata nuk kanë dhënë ndonjë spjegim për arsyet e konfliktit të ndodhur dhe për personat me të cilët kishin konflikt. Ju është kërkuar që të paraqiten në komisariatin e policisë për të bërë kallëzim penal për ngjarjen e ndodhur, por ata nuk kanë pranuar.
Gjatë ditës në vazhdim është marrë përsëri takim me këta banorë dhe nuk ka pasur shqetësime. Më datën 21.02.2011, në orën 22.00, është njoftuar se përsëri ka probleme në lagjen ku banojnë Romët në rrugën “Jordan Misja”. Menjëherë në vendëngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë të Komisariatit nr.3 Tiranë dhe kanë marrë takim me banorët e komunitetit Rom, të cilët kanë spjeguar mbi konfliktin. Në lidhje me këtë konflikt janë shoqëruar në komisariat pesë persona të cilët dyshoheshin se mund të jenë të përfshirë në konflikt.
Nga ana e përfaqësuesve të Komunitetit Rom nuk ka pranuar që të shkojë asnjë person për të bërë kallëzim apo ankim në lidhje me ngjarjen.
Më datën, 22.01.2011, në orën 10.00 Komisariati i Policisë Nr.3 është njoftuar nga Salla Operative e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, se një person nga familjet Rome që banojnë në rrugën “Jordan Misja”, ndodhej i shtruar në Spitalin Ushtarak. Nga ana e shërbimeve të Komisariatit të policisë nr.3, është shkuar në Spitalin Ushtarak, dhe është marrë takim me të dëmtuarin dhe familjen e tij, të cilët janë pyetur mbi cfarë ju kishte ndodhur, por ata nuk kanë pranuar të japin spjegime dhe as të bëjnë kallëzim penal në lidhje me ngjarjen. Po këtë ditë në orën 20.00, nga ana e Specialistit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimeve është shkuar në Spitalin Ushtarak për të marrë takim me të dëmtuarin dhe prindërit e tij, por ata përsëri kanë mbajtur të njëjtin qëndrim duke mos dhënë spjegime në lidhje me ngjarjen.
Specialistët e Komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë , për të marrë të dhëna mbi zbardhjen e ngjarjes dhe parandalimin e veprimeve të ndodhura më datën 20.02.2011, kanë siguruar informacione të marra në rrugë operative ku nga të cilat, mësohet se ka pasur një konflikt mes banorëve të Komunitetit Rom dhe atyre vendas për prishje të rendit dhe qetësise nga ana e banorëve të Komunitetit Rom, pasi këta të fundit kanë pasur një dasëm dhe ju kanë prishur qetësinë gjatë orëve të natës rreth një javë duke ngritur zërin e muzikës.
Gjithashtu më datën 23.02.2011, në shkresën me numër prot 012/2011 nga ana e shoqatës “ Amaro- Drom”, i është bërë një kërkesë me shkrim drejtuar Shefit të Komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë, në të cilën pretendohej se banorët e Komunitetit Rom kanë shkuar në Komisariatin e Policisë nr 3, dhe se nga ana e shërbimeve të policisë nuk u është marrë kallëzim penal. Kjo nuk qëndron, pasi ata nuk janë paraqitur dhe nuk kanë pranuar që të bëjnë kallëzim.
Mbi sqarimet e kësaj ankese shoqatës “Amaro-Drom”, i është kthyer përgjigje me shkresë Nr 2006/1, datë 27.02.2011.
Ndërsa përsa i përketë ankesës së Koalicionit BKTF, ju vëmë në dijeni se janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen e familjeve Rome. Nuk u është thënë që të largohen, përkundrazi në atë zonë është shtuar ndjeshëm patrullimi nga ana e Patrullës së Përgjithshme të Policisë.I është dhënë detyrë Ndihmës Specialistit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimeve, të marri kontakt të vazhdueshëm me këta banorë si dhe të mbajë nën kontroll situatën me qëllim evitimin e konflikteve të mundëshme.
Gjithashtu ju vëmë në dijeni se pranë Komisariatit të Policise nr.3 janë paraqitur tre persona të zgjedhur nga ana e këtij komuniteti dhe konkretisht; Xhevrie Hysenaj, Bashkim Myrtezai dhe Florian Peqini. Këta shtetas janë pritur, dëgjuar, ju është kërkuar që të bëjnë kallëzim penal me shkrim që cështja të ndiqet në rrugë ligjore, por ata nuk kanë pranuar që të bëjnë kallëzim apo të japin deklarim për rrethanat e konfliktit me pretendimin se nuk duan që të kenë më probleme.
Nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë nr.3, për konfliktin e datës 23.02.2011, të familjeve të Komunitetit Rom është bërë shoqërimi në Komisariat i 5 personave të dyshuar si pjesmarrës në konflikt, konkretisht shtetasit: Skënder Ukë Skënderi, Edison Skënder Skënderi, Alsen Hysen Berai, Guxim Rexhe Dunisha dhe Afrim Rexhe Dunisha, të gjithë këta janë banore në rrugën “Jordan Misja”, në afërsi të vendbanimit të familjeve Rome .
Ditën që familjet Rome janë larguar nga vendi ku kanë jetuar prej disa kohësh është marrë takim me ta. Janë siguruar që mos të lëvizin nga vendi ku kanë banuar, pasi do të kenë mbështetjen e policisë në mënyrë të vazhdueshme , si dhe kanë për të jetuar të qetë në ambjentet e banimit të tyre. Por ata e kishin marrë një vendim të tillë më parë, i kishin prishur barakat dhe cadrat për tu vendosur në rrethe të tjera.
Po ashtu nga ana shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.3, janë marrë takime të vazhdueshme me shtetasin Qazim Bajramaj i cili është prezantuar si përfaqësues i Komunitetit Rom në këtë zonë. Këtij shtetasi i është marrë deklarim me shkrim në lidhje me largimin e banorëve Romë nga lagjia dhe zhvendosja e tyre në rrethe të tjera.
Përsa më sipër mbi këtë konflikt ju është dërguar informacion me shkrim, Zëvëndësministres së Brëndshme znj.Iva ZAIMI, Zëvëndësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Departamentin e Sigurisë Publike Z.Muhamet RRUMBULLAKU, si dhe Unionit për Zhvillim dhe Integrim të Komunitetit Rom në Shqipëri, “AMARO-DROM”, me Drejtor Ekzekutiv Z.Skënder VELIU.
Comments are closed.
Shof ne foto nje fushe te madhe bosh .Mos valle do kompesohet per ndonje pallat?
Kesaj i thone, shef polici nje “gango” qe po i rremben kuleten nje plake dhe nuk nderhyn!
Me pas (kur hajduti eshte larguar) i afrohet plakes dhe i thote: “None e do kuleten? Hajde boj denoncim ne Komisariat!
Ndryshe? Une do them qe: ja ” dhurove” vete….
sigurisht qe do fshihen emrat e shpellarve.. ata jane kusherinjte ee Sali shpelles