Që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme

12 Mars 2011, 10:51Politika TEMA

Nga Aleksandër Meksi

Besoj se shumica dërmuese e shqiptarëve janë tashmë të bindur se nuk do të ndërtohet dot Shqipëria demokratike dhe e përparuar, pa zgjedhje të lira e të ndershme, ashtu si nuk mund të ketë Shqipëri demokratike pa parti të demokratizuara e të privatizuara nga disa individë. Kuptohet se bëjnë përjashtim këtu ata që merren me vjedhjen e votave, sejmenët, larot por dhe tifozët e sëmurë të politikës së tyre, të cilët, e kemi fjalën për këta të fundit, nuk kanë asnjë përfitim nga pushteti i vjedhur dhe ilegjitim.

Vota e lirë dhe e ndershme është mjeti me të cilin populli gjykon (rikonfirmon apo ndëshkon) qeverisjet dhe qeveritarët, kur një gjë të tillë e kërkojnë shumica e zgjedhësve. Një votë e tillë krijon legjitimitet për qeverisjen e ardhshme dhe ndëshkon politikat e gabuara, të dëmshme dhe jo dobi prurës për vendin, ndër të tjera dhe korrupsionin dhe krimin e organizuar, ashtu si dhe çdo tjetërsim të demokracisë dhe të ligjeve demokratike.

Mbas një përvoje të shkurtër votimesh të lira dhe të ndershme (mars ’92, korrik’92, referendumi nëntor ’94) në Shqipëri po bëhen vetëm votime të turpshme të shoqëruara me dhunë, vjedhje votash e mbushje kutish, votime disa herë nga i njëjti zgjedhës e të tjera e të tjera. Rezultati tashmë është i qartë për këdo : zvarritje, zvarritje, zvarritje. Kjo dukuri vjen duke  u thelluar nga votimi në votim dhe tashti kemi arritur të hartojmë Kod Zgjedhor (2009) aspak demokratik, që mundëson vjedhjen e votës, e që çuditërisht u hartua me konsensus nga të dy partitë, sepse  opozitës i gënjeu mëndja që do të vidhte më shumë e do t’ia hidhte pozitës, e sot na ankohet.

Zgjedhjet jo të lira e të pandershme krijojnë një piramidë të tërë pushteti jo legjitim të mbështetur në klientelizëm , krahinalizëm, nepotizëm për të siguruar përfitime të drejtuesve. Kjo klimë vijon më tej me bizneset dhe mediat të cilat bëhen pjesë e qeverisjes dhe i nënshtrohen asaj, me pasoja katastrofike në ekonomi : monopole, evazion fiskal, kontrabandë, privatizime e zaptime  e tjera. Në qeverisje të tilla gjen gjithashtu mbështetje dhe krimi i organizuar e trafikantët e çdo lloji.

Në të gjitha këto vite, përpara se të bëhet ndryshimi i radhës i Kodit Zgjedhor, sipas mendimeve të vyera të liderit të radhës në pushtet, fillojnë e bëhen vërejtje, propozime e debate nga analistë e politolog gjithëflamurësh, të cilët  shtrojnë rrugën për ndryshimet e dëshiruara nga sponsorizuesit e fushatës mediatike. Ndryshohet hera herës sistemi, hera herës procedurat e votimit,regjistri zgjedhor, regjistrimet e kandidatëve, shpallja dhe afatet e ndryshme. Kemi vërejtur se të gjitha këto janë pjesë e një strategjie për të mbajtur pushtetin, pavarësisht mendimit të popullit për qeverisjen që shprehet me votë. Hartuesit e Kodeve Zgjedhore kanë pasur mirë në mendjen e tyre si thënien lapidare të Benjamin Franklin se “vota vret më shumë se plumbi”, ashtu  dhe atë të gjakësorit Stalin se “populli le të votoj se ne do ti numërojmë”. Për fatin e keq të shqiptarëve me të tilla Kode turpi janë bashkuar dhe osëbëeistët dhe anglishtfolsit e këtushëm.  Për ta me sa duket ka më shumë rëndësi stabiliteti, sot për sot, i rajonit se sa demokracia dhe mirëqenia e popujve të tij, ku  bëjmë pjesë dhe ne shqiptarët ekstrakomunitarë.

Sot zgjedhësi voton, në qendrën që i cakton regjistri, i cili duhet të shpallet , voton për një listë të mbyllur të hartuar nga lideri dhe njerëzit e tij në bazë, pavarësisht vlerave të tyre dhe opinionit të anëtarësisë dhe simpatizantëve për ta. Pra votohet për partinë dhe nga ai çast deputeti nuk ka asnjë lidhje e asnjë përgjegjësi përpara zgjedhësve. Ai duhet të tregoj vetëm bindje të verbër dhe besnikëri ndaj Liderit, njësoj si vasali për mbretin në shoqëritë feudale.

Sistemi zgjedhor “proporcional i personalizuar” i viteve 1992 dhe 2001 mundësonte votimin me dy raunde për 100 kandidat, sipas sistemit mazhoritare që korrigjohej me llogaritjen sipas proporcionalit me përqindjen e votave për partinë dhe vetëm me një fletë votimi. Në këtë rast lideri nuk përjashtonte më të mirët, ata me integritet që mendojnë dhe ndryshe, sepse rrezikonte votat. Në këtë rast niveli i Kuvendit mund të ishte më i mirë. Në zgjedhjet e vitit 2001, në kundërshtim me Kushtetutën që përcakton se zgjedhjet bëhen në një ditë, pra vendet me proporcional ndahen sipas rezultatit të asaj dite, u shpik “Dushku” dhe Presidenti heshti. Një zonë elektorale “prodhoi“ 9 deputetë. Ndërsa në vitin 2005 po prapë në kundërshtim me Kushtetutën, u votua me një raund dhe me dy fleta votimi të veçanta që të realizohej transferimi i votave. U prodhua “Pylli i Dushkut” dhe Presidenti e firmosi Kodin.

Në vitin 2008 u fut sistemi proporcional rajonal, sipas modeleve të shteteve federale apo të përafërta në ndërtim (Spanja), me lista të mbyllura. I cili u miratua me konsensusin e dy partive që menduan të jenë vetëm ato (lexo: Ata) në politikën shqiptare, duke eliminuar kundërshtarë brenda të njëjtit krah. Paradoksale, sepse ne për shaka themi se jemi një popull ku “dy persona kanë tre mendje”. Kështu jemi të detyruar dhe të lindim dhe të vdesim nën pushtetin e dy Liderëve të përjetshëm dhe fiton ai që vjedh më shumë e “më mirë” (!!).

Sot votohet dhe pa kartë identiteti, dhe pa u regjistruar numri i saj dhe pa firmë, madje dhe kur je në emigracion se fletën e hedhin komisionarët militantë. Skandal i vërtetë. Por kulmi u arrit kur bëhej numërimi i votave, të cilat i numërojnë dhe i ndajnë vetëm dy koalicionet e mëdha, që bënin sikur i shfaqnin në ekran për t’u kontrolluar. Gjithashtu sipas Kodit askush nuk mund të ankohet realisht, përderisa vendos KQZ-ja politike (kështu ndodhi dhe në 2009). Pra nuk sigurohet rinumërimi, e vetmja mundësi që shmang vjedhjen e votës, pra zgjedhje të ndershme. Le të kujtojmë këtu zgjedhjet e fundit në Kosovë, ku edhe pse pati kontestime për rezultatin përfundimtar, u rivotua dhe votat u rinumëruan, dhe jo fshehurazi si në Shkodër, në se realisht atje u hap ndonjë kuti.

Duhet të theksojmë se ajo çka është më tragjike për pasojat e këtyre pseudozgjedhjeve, është se për asnjë nga autorët e shkeljes së ligjit nuk pati pasoja ligjore. E vetmja gjë që po flitet (shqip e anglisht) është se zgjedhjet e reja duhet të jenë më të mira. Shyqyr që pranojnë se ato të shkuarat na paskërkan pasur “ndonjë” të metë.

Pas këtyre vërejtjeve gjithkush ka të drejtë të na thotë çfarë duhet ndryshuar që zgjedhjet e reja të jenë të lira dhe të ndershme ?

Së pari, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jetë i përkohshëm, të ngrihet sa herë që shpallen zgjedhje dhe të përbëhet me pesë anëtarë nga të cilët katër të jenë gjyqtarë që zgjidhen me short vetëm një herë nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dh Apelit të Tiranës, ndërsa i pesti (sekretari) të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Zgjedhjeve në Ministrinë e Brendshme. Komisionet e tjera të formohen nga 3-5 anëtarë, të kenë në krye një jurist dhe anëtarë të zgjedhur  me short nga një  listë Zyrtarësh jo nga radhët e politikës as të emëruar nga Partitë. Në të gjitha komisionet Partitë të kenë përfaqësues-vëzhgues. Komisionet organizojnë procesin zgjedhor dhe drejtojnë e mbikëqyrin atë dhe shpallin rezultatin, i cili nuk duhet të jetë objekt interpretimi prej tyre. Ankimet bëhen në gjykatë, trupë që ngrihet për çdo rast sipas Kodit, pra që gjykon vetëm një ankim.

Së dyti, qytetarët të votojnë vetëm në vendbanimin ku janë rezident e të jenë regjistruar në Librat e Gjendjes Civile, sipas regjistrit elektoral e të shpallur më parë. Ata votojnë vetëm me Kartë Identiteti biometrike dhe që vërtetohet me shenjën e gishtit në aparaturë elektronike, e cila memorizon kartën dhe shenjën e gishtit verifikues, në mënyrë, që kur të bëhet kontrolli, ajo  kartë apo ai person të mos votoj më shumë se një herë. Për shkelësit eventual dënimi të jetë 2 vite burg dhe humbje e të drejtave civile për pesë vjet.

Karta e Identitetit duhet të jepet falas ose me çmim simbolik për pensionistët të rinjtë e papunësuar dhe fshatarët. Në Qendrën e Votimit dërgohet si Lista e zgjedhësve ashtu dhe Lista e atyre që janë pajisur me kartë identiteti. Shtojmë se është e mundur të disponohet dhe lista e  mbajtësve të një Karte identiteti që ndodhen në Shqipëri. Të gjitha këto të dhëna lejojnë të njohim numrin maksimal të votuesve për çdo Qendër Votimi.

Së treti, numërimi i votave, procesi që deformon rezultatin duke i bërë ato të pandershme, të bëhet në prani reale të përfaqësuesve të subjekteve elektoral, të mediave dhe vëzhguesve të tjerë. Nuk do të ishte keq që të përdorej leximi optik dhe numërimi elektronik i votave, por mbase duhet lënë për herë të tjera. Kur subjektet e kërkojnë,   duke u ankuar në formën e duhur, të bëhet rinumërimi në publik dhe në prani të ankuesit dhe nga një komision i ri me tre gjyqtar të zgjedhur me short për çdo rast.

Zbatimi i dy pikave  të fundit i kthen realisht në të përkohshme komisionet dhe ato nuk do të mund të ndikojnë si gjer më sot me urdhra politike në rezultatin.  Po kështu askush nuk vjedh dot Vota, por sigurisht ka manipulim psikologjik i cili zvogëlohet po qe se fletët e votimit të Qendrave të ndryshme  të së njëjtës zonë bashkohen dhe  përzihen para se të numërohen, siç bëhet në mjaft vende evropiane. Kuptohet se veç këtyre Kodi duhet të pësoj edhe  ndryshime të shumta në frymën e këtyre propozimeve pa të cilat do kemi  pa as më të voglin dyshim zgjedhje si të derisotmet me vjedhje votash e tjetërsim të rezultatit, duke destabilizuar dhe bllokuar  vendin si në këto dy vitet e fundit dhe atëhere  mos të ankohemi se po i largohemi Evropës dhe demokracive perëndimore.

Në stadin në të cilin është demokracia shqiptare duhet të ndryshohet detyrimisht dhe sistemi zgjedhor, duke mos penalizuar alternativat me kushte për regjistrimin partive dhe kandidatëve, duke i konsideruar të gjitha subjektet të barabarta dhe me të drejta të njëjta në proceset elektorale. Edhe në se ndokush kërkon sot vetëm  dy parti në Shqipëri këtë nuk duhet ta  bëj me ligj por me votën dhe sisteme që mundësojnë alternativet. Gjykimi dhe strukturat bardh e zi  janë tejet primitive dhe shumica e shqiptarëve nuk janë të tillë. Dhe kur këtë e kërkojnë të tjerët turp t’ju vij. Zgjedhjet nuk bëhen të lira e të ndershme pa rregulla demokratike dhe vetëm në respekt të tyre dhe të Kushtetutës duhet kërkuar dialogu e konsensusi. Ndryshe thirrjet dhe urimet e rastit, që i dëgjojmë për ditë, janë vetëm tallje me shqiptarët.

Së fundi, dëgjojmë shpesh dhe në disa gjuhë, që zgjedhjet të bëhen duke respektuar Kushtetutën. Le ta lexojmë atë. Në nenin 45 pika 1 thuhet : se “Çdo shtetas….ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet” , dhe në po atë nen, pika 4, thuhet ”Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Prej këndej buron detyrimi për legjislatorin që harton Kodin, për ata që e zbatojnë dhe ata që na këshillojnë e na gjykojnë, që të garantojnë realizimin e këtyre të drejtave pra : askush nuk voton pa të drejtë, se votat duhen rinumëruar kur paraqiten ankime, deri dhe në ripërtëritjen e votimeve, dhe të mos na gjykojnë për keq  kur këmbëngulim në çka propozuam më lartë. Themi se ky nen duhet ripërkthyer më mirë në gjuhët e huaja.

Aleksandër Meksi

www.aleksandermeksi.com

Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 12.03.2011 me titullin “Lindim e vdesim me liderë të përjetshëm”

3 komente në “Që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme”

  1. Gramozi says:

    Z.Meksi….Kam shume respekt per ju si nje nga te paktet politikan mete vertete DEMOKRATIK…
    —Jeni nje politikan me DINJITET qe s’kini rene pre e servilizmit———-Ideja jote eshte e persosur–
    si ne aspektin demokratik ashtu edhe juridik..
    –Ju edhe z.Ngjela kini karakter DEMOKRATIK dhe JURIDIK……PS–
    -Ngjela foli shkelqyer te enjten ne TOP STORY.

  2. dymi says:

    Komuniteti nderkombetar duhet ta largojne me force Gedafin, jo me bisedime e dialog, ndryshe nuk largohen asnje here diktatoret. Me ultimatum, nga bremda e nga jashte, duhet larguar edhe Gedaf Berisha, ndryshe ta gezoje per jete Shqiperia dhe Europa! O Sal-iu o demokracia, te dyja nuk mund te rine bashke.

  3. protesto says:

    Shkrimet e Aleksander Meksit jane si dy pika uji me lotet e krikodilit qe qan per te shqyer prene e rradhes.Po a nuk ishte Meksi qe desh e sulmoje me ushtri e polici e garde jugun e rrevoltuar me skemat piramidale te ideve te peshtira e kriminale berishjano-meksjane?po a nuk ishte Meksi me fugont e policise se shtetit grumbullonte paret nga mashtruesit e piramamidave si sudja,gjallica,vefa,populli,etj?te shkruajshe eshte kulture por te mashtrosh eshte jo vetem mekat por dhe krim sebashku.A nuk eshte Aleksander meksi qe pas drejtimit te qeverise hadute e vrasese,filloje te ndertoje pallatet gradaciele me parat e piramidave e botes se krimit e korrupsionit?Po a nuk eshte Aleksander Meksi i ftuar special i Gramoz Pashkos ne shtepine e prokurorit te pergjitheshem famekeq te diktatures komuniste Josif Pashko,Meksi si pjestar ne te felliqurin komisjon nistmetar per formimin e partise allakomunisto-demokratike qe si dje u formua ne skutat e diktatures komuniste nga komuniste,bijte e mostrat e saj dhe sot nen diligjimin e tyre po diligjon boten e krimit e korrupsionit ne te kater pushtetet,apo nje luge supe e prishur e ben te vjelli tere jetem?Meksi nuk eshte gje tjeter vetem se nje djall me fytyure njerezore qe u diligjua ne krye te qeverise Shqipter nga xhaketat e kthyera te diktatures,bijte e mostrat e saj.Ne adrese te tij e te berishes me mostra jane te faturuar mbi 3000 krime te kryera ne 1997-ten,apo ky djall mendo se duke zhgaravitur do ti largohet pergjegjesise,Gabon,Zoti vonon po kurre nuk harron te ndeshkoje kriminelet per krimet e tyre makabre te bera ne vite.Beso e binduni.Protesto e vetem protesto per te shkulur nga rrenjet xhaketat e kthyera te diktatures komuniste,bijete e mostrat e saj te tipit Meksi me shoke per te shijuar lirine e demokracine e sakrifikuar ne breza si dhe vendosur shtetin e se Drejtes.Beso e bindu

Comments are closed.

Lini një Përgjigje