Hoze Murinjo do ta lërë Realin e Madridit, ndoshta në fund të këtij sezoni, për t;u kthyer në Angli. Këtë e ka pohuar vetë portugezi për britaniken “Sun”. “Më mungon Anglia dhe destinacioni im i ri do të jetë pikërisht ky vend. Në Angli kam kaluar pjesën më të bukur të karrierës sime dhe të njëtën gjë mund të them edhe për familjen time. Kam edhe tre vjet kontratë më Realin, që është klubi më i madh në planet, por dhe më i vështiri në botë”, ka thënë tekniku portugez. Fjalët e tij janë të qarta: “Anglia është speciale. Njerëzit atje janë specialë. Në Spanjë dhe Portugali më pyesin se si ka mundësi që e dua kaq shumë këtë vend, por nuk di si të përgjigjem. Është kështu dhe mjafton”. Murinjo, pavarësisht se është në luftë të plotë për të fituar të trija kompeticionet ku merr pjesë Reali, kampionat, kupë dhe Champions, do ta ketë shumë të vështirë që të fitojë një trofe, pasi në rrugën e tij ka përpara ekipin më të mirë në botë, Barcelonën. Portugezi, në rast se nuk arrin të fitojë asnjë trofe gjatë këtij sezoni, pritet që të largohet në verë. Destinacioni i tij, siç edhe e pohoi vetë, është Anglia. Diskutimi është se në cilin klub do të përfundojë. Alternativat janë Çelsi, Mançester Siti dhe Liverpuli.