Mesi dhe Murinjo, liderë edhe në fitime

22 Mars 2011, 12:09Sport TEMA

Lionel Mesi nuk është më i miri vetëm në fushën e lojës, por edhe për llogarinë e tij bankare. Sipas “France Football”, ylli argjentinas i futbollit do të fitojë gjatë këtij viti plot 33 milionë euro. Fituesi dy herë i çmimit “Topi i Artë”, ka lënë në vend të dytë rivalin e tij të përhershëm edhe në fushën e lojës, portugezin Kristiano Ronaldo, i cili do të fitojë 5.5 milionë euro më pak se argjentinasi. Nuk është e thënë se Ronaldo ta mposhtë Mesin as në fushën e llogarive bankare. Shumë larg Mesit dhe Ronaldos qëndron sulmuesi anglez, Uejn Runi, që do të përfitojë vetëm 20.7 milionë euro gjatë këtij viti. Kuptohet, nuk është një shumë e vogël, por, duke parë shumat që fitojnë Mesi dhe Ronaldo, Runi ndoshta ndihet pak “fatkeq”. Përsa i përket trajnerëve, fiton “Special One”. Tekniku portugez, Hoze Murinjo, është trajneri më i paguar në planet, pasi gjatë këtij viti do të përfitojë 13.5 milionë euro.  Megjithatë, sportisti më i paguar në botë vazhdon që të mbetet golfisti Tajgër Vuds. Pavarësisht skandaleve që e përfshinë atë dhe divorcit, që i kushtoi shumë, golfisti do të mund që të grumbullojë gjatë këtij viti 53 milionë euro përfitime. Por, duke mbetur tek futbolli, nuk janë duke ja kaluar keq edhe dy futbollistë të njohur, të cilët janë në fund të karrierës së tyre dhe kanë shkuar pikërisht në Amerikë për t’i dhënë fund. Bëhet fjalë për Dejvid Bekam dhe Tieri Henri, të cilët, edhe pse në fund të karrierës, do të përfitojnë gjatë këtij viti përkatësisht 19 dhe 13.6 milionë euro.

Lini një Përgjigje