Lavdosh Ferruni: Klane të caktuara po shkatërrojnë mjedisin

26 Mars 2011, 10:29Politika TEMA

Intervistë me ambientalistin e njohur

Bisedoi: Bledar Lumani, Free Press

Si është situata e ndotjes së mjedisit në tërësi në vendin tonë?

Situata mjedisore në shqipëri ka dy anët e saj. Një anë është që jemi një vend me një mjedis kryesisht të pastër, duke parë që nuk kemi një industri tepër ndotëse dhe një trafik intensiv në tërësinë e vet në gjithë Shqipërinë. Shqipëria në vetvete është një mjedis i pastër, me një ajër të pastër, me një sistem hidrik mjaft të pasur dhe të pastër nga ndotjet e mundshme industriale, që është një problem mjaft problematik në vende të tjera të Europës. Kjo është ana e të parit në mënyrë pozitive të gjërave. Nëse vijmë në çështjet më specifike dhe më konkrete, ne kemi probleme të mëdha me ndotjen në vend, sidomos në rrjedhjen e poshtme të lumenjve dhe gjatë gjithë bregdetit Adriatik. Bregdeti Jon nga ana tjetër është relativisht i pastër, pasi nuk kemi delta lumenjsh që ta ndotin atë. Problemi më madhor i evidentuar së fundmi, është dyndja e mbetjeve plastike në vend, që më përpara nuk ka qenë një fenomen, ndryshe nga vendet e tjera. Kjo dyndje ka bërë që luginat e lumenjve të ndoten jashtëzakonisht shumë. Kjo vjen si pasojë e hedhjes pa asnjë lloj kriteresh të mbetjeve në lumenjtë dhe përrenjtë e Shqipërisë. Gjithë kjo ka bërë që të kemi një përqëndim shumë të madh të ndotjes në deltat e lumenjve të Shqipërisë, duke filluar nga Buna deri në Vjosë. Mund të them se ky është një problem serioz jo vetëm në aspektin e ndotjes reale, por është edhe një ndotje vizive e jazhtëzakonshme, gjë që është e papranueshme në një vend që pretendon dhe ka priori zhvillimin e turizmit.

Kësaj që thatë më sipër pastaj i shtohet edhe vendimi i qeverisë për importimin e mbetjeve…

Kjo ishte një fotografi e situatës. Nga ana tjetër, vendimi i qeverisë për importimin e mbetjeve nga vende të ndryshme të botës, është një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm, për arsyen se Shqipëria ka një problem të madh me menaxhimin e mbetjeve në vend. Shqipëria akoma nuk ka një mekanizim për ndarjen e plehrave dhe për tre “R-të” e famshme: reduktimi i plehrave, ripërdorimi dhe në fund riciklimi i tyre. Ky sistem aktualisht në Shqipëri nuk funksionon, pasi edhe kushton. Vetëm për të menaxhuar mbetjet e brendshme, duhet një investim prej 200 milionë dollarë dhe në vijueshmëri pastaj kërkohen shpenzime të përvitshme, për të krijuar standarde në menaxhimin e mbetjeve. Shqipëria mund të përballet me një katastrofë nëse përfshin edhe plehrat në qarkullimin e lirë të mallrave. Shqipëria ka aq shumë gropa ku mund të futen mbetjet, sa forcat e tregut nuk mund ta kontrollojnë dot këtë gjë dhe mbetjet mund të vijnë pambarimisht, sa një ditë situata mund të bëhet e parikuperueshme. Ky arsyetim është në skaj, por në një qeveri të korruptuar, kjo gjë mund të ndodhë. Mund të ndodhë që plehrat të importohen me një intensitet shumë të madh brenda një kohe të shkurtër dhe kjo do të ishte e rrezikshme. Aq më tepër që në listën e famshme të 55 mbetjeve për t’u importuar, ka mbetje plumbi, nikeli, zinku etj, të cilat janë konsideruar si problematike. Pavarësisht se këto mbetje nuk konsiderohen si tepër të rrezikshme, ato mund të kthehen në shumë problematike, nëse nuk aktivizohet një teknologji bashkëkohore. Çështja e mbetjeve duhet të jetë një shqetësim për qeverinë, duke parë se dëmton disa prioritete të tjera të rëndësishme, si turizmin, energjinë e pastër energjetike nga burimet ujore, bujqësinë, industrinë e lehtë etj. Importi i plehrave duhet të ndalohet dhe duhet të zhvillohet në një shkallë të vogël industria e riciklimit të mbetjeve për ato të vendit. Nëse ne nuk mund të jemi në gjendje për të ricikluar mbetjet tona, mund të jemi eksportues të këtyre mbetjeve, por kurrë importues, për arsye se Shqipëria nuk e ka këtë mundësi, pasi duhet një teknologji bashkëkohore dhe moderne, e cila është në gjendje që të përpunojë këto mbetje. Edhe në Gjermani, e cila ka një teknologji shumë të përparuar, arrijnë që të depërtojnë mbetje të rrezikshme, çka ka shkaktuar edhe reagime të shumta nga ana e shoqërisë civile dhe ambientalistë.

Përveç importimit të mbetjeve, qeveria më shumë se një herë ka theksuar se ka ndërmend që të ndërtojë centrale bërthamore. Sa janë kushtet reale të ndërtimit të këtyre centralave, në mënyrë që të mos ketë efekte negative në mjedis?

Ideja e centraleve bërthamore në Shqipëri, duhet që të përjashtohet totalisht, nëse gjykohet për një zhvillim në planin perspektiv të këtij vendi. Është një industri e cila mund të krijojë vetëm probleme në Shqipëri dhe asgjë pozitive. Kjo, për faktin se këto centrale që mendohet të ndërtohen, nuk janë në favor të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Shqipëria, me potencialet e veta të rinovueshme që ka, si uji, era dhe dielli, mund të jetë përfituese dhe madje të eksportojë jashtë, pasi ka lëndën e parë. Në rastin e centraleve, Shqipëria nuk ka asnjë faktor prodhues, që do t’i siguronte vendit përfitime. Nuk ka as teknologji, nuk ka as kapacitetet humane për ta instaluar dhe për ta vënë në punë, nuk ka burime financiare për të instaluar centrale të tilla. E vetmja gjë që Shqipëria ofron për këtë lloj energjie, është hapësira tokësore, e cila në vetvete mban rreziqe të shumta për ndotjet që mund të krijojë nga mbetjet radioaktive që krijohen. Alternativa e energjisë bërthamore në Shqipëri duhet të përjashtohet në masën 100%.

Ndërkohë, një tjetër industri problematike për mjedisin është edhe ajo e çimentos…

Industria e çimentos është një alternativë shumë e gabuar, pasi siç dihet, ajo është një industri shumë ndotëse dhe krijon probleme të mëdha në territoret ku instalohet. Nga ana tjetër, kjo është një industri e cila nuk gjeneron përfitime dhe të ardhura nga punësimi apo lidhjet me sektorë të tjerë të ekonomisë. Nuk jam kundër industrisë së çimentos, por nuk duhet arritur deri në prodhimin për eksport, pasi kjo është një kontradiktë me planet e qeverisë, e cila e konsideron turizmin si një prioritet. Instalimi i një industri të tillë çimentoje, siç është aksi Lezhë-Fushë Krujë, përfshirë edhe Krujën, që është target i fuqishëm turistik, është në kontradiktë të thellë me prioritetet e qeverisë. Zhvillimi i kësaj industrie, ashtu siç janë planet, është një gjë shume e gabuar dhe me pasoja të rënda për ndotjen e mjedisit.

Qeveria nga ana tjetër ka në plan edhe krijimin e një industrie komplekse në gjirin e Vlorës, ku bën pjesë plani për ndërtimin e një superporti, plani për ndërtimin e një parku supereolitik dhe plani për një zonë të lirë prej 500 hektarësh për instalimin e industrive nga më të ndryshme, të cilat mund të jenë shumë të rrezikshme dhe ndotëse për ambientin. Sa i dëmshëm është ky megaplan i qeverisë për mjedisin?

Këtu kemi një antagonizëm të thellë të zhvillimit, pasi kjo hapësirë konsiderohet si një nga më të pasurat në biodiversitetin tokësor, madje më e pasur në shqipëri, nga studime të ndryshme që janë bërë. Këto 20 vjet, të gjitha energjitë e shqiptarëve dhe sidomos të vlonjatëve, janë përqëndruar në zhvillimin e turizmit dhe industrive të tjera respektove që lidhen me turizmin, bujqësinë, peshkimin dhe industri të tjera që janë mbështetëse për turizmin. Planet për instalimet e industrive të tilla supergjigande në nivel mesdhetar dhe evropian, në një zonë të ngushtë dhe tepër delikate nga pikëpamja e ekosistemit, janë plane shkatërruese totale për industritë aktuale që janë duke u zhvilluar. Kjo, jo vetëm në planin e ndotjes që krijon, pasi është një ndotje e shumë e madhe, për arsyen se këto industri janë tepër të fuqishme dhe prodhojnë një ndotje të konsiderueshme, por edhe në plane të tjera. Mjafton të përmendim portin e kontenierëve, që në përmasat e përcaktuara prej 3 milionë kontenierësh në vit, do të thotë se fluksi i kamioneve që do të kalojnë nëpër akset e qytetit dhe hapësirave turistike në Vlorë, do të jetë si një tren që lëviz vazhdimisht, kur dihet që ndotja e lëshuar nga ana e këtyre kamionëve është shumë i madh. Nga ana tjetër, Karaburuni është një ekosistem i veçantë dhe madje unikal në Mesdhe dhe ai do dëmtohet seriozisht nga projekti për parkun eolitik, që, si në rastin e centraleve bërthamore, nuk ka si qëllim përfitimin e qytetarëve shqiptarë, por atyre italianë, pasi energjia që do të prodhohet në këtë park, do të shkojë pikërisht në Itali. Shqipëria nuk ka asnjë përfitim nga kjo lloj industrie. E vetmja që do të bëjë kjo industri atje, është shkatërrimi i ekosistemeve dhe mënyrës së jetesës së atyre banorëve, të cilët jetojnë prej shekujsh në atë zonë, si dhe të turizmit, që është një nga bazat e zhvillimit të Vlorës.

E ardhmja për mjedisin duket shumë pesimiste, duke parë gjithë këto projekte…

Ashtu është, por unë shpresoj që gjithë këto projekte të anullohen. Fakti që këto nuk kanë ndodhur akoma, na bën më të vendosur që t’i qartësojmë më shumë këto plane, në mënyrë që të mos shkojmë në rrugë të gabuar. Ka një mekanizëm që mund ta zgjidhë këtë situatë, e cila ka të bëjë me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, që është një detyrim ligjor me ligjin për “Planifikimin e Territorit” në vitin 2009, i cili normalisht duhej të përfundonte në fundin e vitit 2001, por aktualisht ende nuk ka nisur puna për të. Në këtë Plan të Përgjithshëm Kombëtar do të jepen drejtimet kryesore të zhvillimit të vendit, mbështetur në një diskutim të gjerë publik. Pra, do të pyeten ekspertët shqiptar, publiku, organizata të ndryshme, se cilat mund të jenë rrugët më të mira dhe të duhura për zhvillimin e vendit. Kjo do të jetë në përputhje me atë që ndodh në shumicën e vendeve të botës, të cilat kanë një paln të qartë të zhvillimit të vendit, pas një konsensusi të gjerë dhe që nuk ndodhin ndryshime drastike me ndryshimin e qeverive, ashtu siç në fakt ndodh në Shqipëri. Tashmë është momenti që ky Plan të vihet në zbatim, në mënyrë që të përcaktohet në mënyrën më të mirë të mundshme se si mund të zhvillohet Shqipëria. Nëse vazhdojnë që të merren vendime në këtë situatë të turbullt dhe jo shumë të qartë, do të kishim të bënim me një gabim të pakorigjueshëm për shumë dekada për vendin. Është e rëndësishme që të zhvillohet një plan për zhvillimin e vendit, pasi deri më tani, ky zhvillim ka qenë kaotik dhe me programe të shkurtra, me klientelizëm shumë të hapur dhe me interesa shumë të ngushta, herë të kryeministrave apo klaneve brenda qeverive.

Si përfundim, nga sa thatë më sipër, situata mjedisore nuk është edhe aq e keqe, por rrezikon që të precipitojë për shkak të vendimeve dhe planeve të fundit të qeverisë shqiptare. Përse kjo e fundit, duke qenë se nuk ka përfitime, ka ndërmarrë këto veprime dhe ka plane të tilla, për shkak të korrupsionit, papërgjegjshmërisë apo injorancës për dëmet që mund t’i shkaktohen mjedisit?

Jo vetëm që Shqipëria nuk ka asnjë përfitim nga këto projekte, por ka humbje. Humbjet në radhë të parë janë në ekosistemet tona, në territor dhe në degradimin e mjedisit. Qeveria, gjatë projekteve dhe planeve që bën, nuk e llogarit fare se sa është kostua e dëmtimit të mjedisit. Vlera e mjedisit nuk llogaritet fare nga ana e qeverisë shqiptare. Realisht, sot në vendet e zhvilluara, mjedisi dhe ekosistemet vlerësohen se tepërmi në një projekt të mundshëm. Marrja e vendimeve nga ana e qeverisë është një proçes shumë kompleks. Për mendimin timë, në radhë të parë këtu kemi një ndërthurje të çështjeve korruptive, i cili mund të mos jetë një korrupsion i drejtëpërdrejtë material, por mund të jetë një korrupsion politik, shoqëror, moral etj dhe në këtë këndvështrim duhet parë gjithë kjo filozofi e mbrapshtë që është shpalosur në Shqipëri, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit, e cila ka filluar që në vitet 2000 me qeverinë “Nano” dhe kanë vazhduar gjatë gjithë këtij dhjetëvjeçari. Këto plane duhet të kundërshtohen, pasi ajo që po ndodh është se ofrohen territore të Shqipërisë në shkëmbim të disa përfitimeve që merr një grup apo një klan i caktuar njerëzish. Pra, klane të caktuara janë përfituese të këtyre marrëveshjeve, duke shkaktuar dëme të mëdha për shoqërinë dhe mjedisin shqiptar.

Lini një Përgjigje