Ambasadori amerikan, Christopher Dell, ka bërë të ditur se funksioni i bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në afërsi të Ferizajt do të mbyllet së shpejti.
Në një intervistë për “Balkan Insight”, ai ka deklaruar se janë vetëm një mit fjalët që Bondsteel është ndërtuar dhe përdoret për të shpërndarë energjinë apo fuqinë e SHBA-së në rajon. Ai tha se ky kamp, në fakt është një barrë e rëndë financiare. Prandaj gjatë kësaj interviste ai thotë se si pjese e zhvillimit(ndryshimit) strategjik, asetet e ushtrisë amerikane në rajon do të tërhiqen.
Dell ka thënë se “Bondsteel-i është një detyrim i madh, një pronë shumë e shtrenjte, dhe ne nuk dëshirojmë që ta mbajmë më shume sesa qe është e domosdoshme…ne lirisht mund të flasim për rolin e SHBA-së këtu edhe pa kampin e Bondsteeli-t”.
Gjithashtu Ambasadori Dell përgjatë kësaj interviste gjithashtu ka thënë se Kosova është duke rënë në pozita më poshtë në agjendën e SHBA-së, pasi qe problemet e regjioneve tjera marrin prioritet më të madh.
“Ju mund ta vëreni se presioni i ngjarjeve në vendet tjera, siç është gjendja e vazhdueshme ne Afganistan, apo edhe vala gjithnjë e në rritje e protestave në Lindjen e Mesme, i bën të gjithë politik-bërësit të merren me gjerat më të rëndësishme të ditës”, vazhdoi ai.
“Nuk është mire të jesh në ballinën e ‘The Washington Post’, pasi që kjo do të thotë që, ju jeni një vend në telashe. Fakti që Kosova është hequr nga ballinat e gazetave, do të thotë që kjo është një shenjë e progresit të vazhdueshëm dhe e stabilitetit këtu”, u shpreh ai.
“EXPRESS”