UPDATE- Presidenti kosovar, Behxhet Pacolli, ka anuluar axhendën e sotme, ku ishte paraparë një vizitë në Gjakovë.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, nuk do të realizojë dy takimet e parapara për ditën e sotme me përfaqësuesit e biznesit dhe me intelektualët në Gjakovë”, thuhet në një njoftim të presidencës.
Anulimi i vizitës mbase është bërë për shkak të ngjarjeve të fundit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që zgjedhja e tij, nuk ishte kushtetuese.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ndërkohë, në takimin e jashtëzakonshëm të sotëm, pas situatës së krijuar prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit Pacolli, i ka sugjeruar kryetarit Bexhet Pacolli që të japë dorëheqje nga ky post.
Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka, thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka treguar se Kosova nuk ka pasur president dhe çdo vendim që është marr gjatë kohës sa Pacolli ishte president, duhet të shfuqizohet, njofton Telegrafi.
Sipas tij, tani duhet të propozohet një kandidat i ri për president dhe çështja duhet të kthehet aty ku ka filluar. Megjithatë, ai tha se edhe AAK-ja prapë do të bojkotojë sallën në Kuvend, kur të zgjidhet presidenti i ri. Gjini tha AAK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim as në raport me ofertën që mund t’ia bëjë dikush për koalicion. Sipas tij, AAK-ja ka parimet e veta, të cilat nuk do të ndryshojnë, pavarësisht ofertës që mund t’i bëhen.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet respektuar nga secili person ndaj të cilit kjo gjykatë merr vendim. I pyetur nëse Behxhet Pacolli duhet të respektojë këtë vendim dhe të japë dorëheqje, Haliti ka thënë se para pak kohe Kosova kap pasur një praktikë të tillë, ku presidenti ka dhënë dorëheqje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe nëse Pacolli nuk e bënë një gjë të tillë, atëherë Kuvendi duhet të marrë veprime konkrete.
Ndërkohë, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, para mediave nuk deshi të prononcohet shefi i Grupit Parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli.