Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mohuar të ketë ndërmend të marrë çfarëdo nisme para Gjykatës Kushtetuese me qëllim kontestimi të zgjedhjes së Atifete Jahjagës presidente të Kosovës. Ai i tha “Kohës Ditore” se me gjithë kritikat ndaj hapave proceduralë për këtë zgjedhje, respekton dhe mbështet marrëveshjen me të cilën vendi doli nga ngërçi politik.
“Unë si kryetar i Kuvendit nuk kam asnjë arsye që të bëhem pjesë e ndonjë procesi parlamentar për një gjë që për mua është e kaluar dhe është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, i ka deklaruar “Kohën Ditore” kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas spekulimeve mediatike se ai me Vetëvendosjen do të kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e presidentes Atifete Jahjaga.
“Zëri” dje transmetoi një shkrim të gazetës serbe “Pravada”, sipas të cilës kabineti i kryekuvendarit Jakup Krasniqi i ka thënë se me Vetëvendosjen do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për shkak se “ambasadori amerikan, Christopher Dell ka detyruar Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Behgjet Pacollin ta nënshkruajnë marrëveshjen për tejkalimin e krizës institucionale në Kosovë, e cila drejtpërsëdrejti është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës për zgjedhjen e Presidentit”.
Sot kryekuvendari Krasniqi këto pohime i quajti të pasakta.