Shqiptarët e Kosovës plaçkiten dy herë nga shteti serb. Fondi pensional i qytetarëve të Kosovës, i cili është plaçkitur dhe mbahet peng në Serbi që nga viti 1999, është burim i plaçkitjes së radhës që iu bëhet pensionistëve kosovarë, të cilët nëpër rrugë joinstitucionale përpiqen të nxjerrin në Serbi kontributet e tyre.
Qytetarët shqiptarë të Kosovës, kanë nisur të realizojnë të drejtën e pensionit nëpërmjet njerëzve dhe grupeve të ndryshme të përbërë nga kosovarë dhe serb-punonjës në avokatura dhe institucione serbe kompetente.
Megjithëkëtë, haraçi që shqiptarët duhet të paguajnë për shërbimin që të marrin pensionin nga shteti serb, mban një vlerë jo të ulët. Pensionistët detyrohen t’iu japin ndërmjetësuesve një shumë të pensionit të tyre, si kompensim të angazhimit se ua kanë nxjerrë të hollat.
Por, të shumta janë rastet kur shqiptarët kontaktojnë avokatë serbë, të cilët iu marrin 5000 deri në 7000 euro për t’ua nxjerrë kontributet dhe nuk iu paraqiten më.
Japin të holla për të nxjerrë pensionin, humbin të dyja
A. Kurshumliu nga qyteti i Gjakovës, është njëri nga personat që ka rrëfyer për “Zërin” se ia ka dhënë 5 mijë euro deri më sot një avokati serb, nga Beogradi, i cili i ka premtuar se do t’ia nxjerrë pensionin, pra paratë që ai ka kontribuar gjatë kohës së Jugosllavisë, përreth 25 vjet sa ka qenë në marrëdhënie pune.
Kurshumliu është njoftuar nga një person shqiptar, emrin e të cilit, ai nuk e tregon, por që i kishte folur për një avokat në Beograd, se mund t’i nxjerrë paratë e kontributit duke bërë padi në gjykatë. Ndërsa për t’ia kryer këtë shërbim, Kurshumliut i ishte thënë se duhet ta paguajë.
“Kështu kam rënë në kontakt me personin në Beograd, ku kam shkuar dhe jam takuar personalisht, pasi që kam pasur ende të ruajtura dokumentet e ish-Jugosllavisë, dhe fillimisht vetëm për të hapur procedurën më janë kërkuar 500 euro”, ka thënë ai për “Zëri”.
Pas disa javëve, nga i njëjti avokat, Kurshumliu thotë se është kontaktuar dhe i janë kërkuar edhe 1 mijë euro, me arsyetimin e avokatit se duhen për të paguar disa persona në gjykatë, në mënyrë që të përshpejtohet lënda. Ai pranon se ka dhënë edhe ato 1 mijë euro. Më pas, thotë se i janë kërkuar edhe 2 mijë euro të tjera dhe kështu për një vit, Kurshumliu konfirmon se ka paguar këtë avokat për rreth 5 mijë euro, dhe i cili ende nuk ka bërë asnjë hap për të.
“Nuk e di nëse jam mashtruar apo jo. Do të pres edhe ndonjë ditë, edhe pse e di që nuk kam çka të bëj, as kë dhe si ta akuzoj për mashtrim në Serbi”, thotë ai. Dyshon se ka rënë edhe pre e mashtrimeve të ndërmjetësuesit, i cili i ka thënë fjalë të mira për atë avokat, duke i premtuar se do të kryejë punë.
Avokatët serbë zhvatin shqiptarët
Ndërkohë, gazeta ka kontaktuar edhe me një tjetër person nga Peja, emri i të cilit është i njohur për gazetën dhe ka nisur procedurën për të nxjerrë kursimet e tij. Ai të premten për këtë ka angazhuar edhe një ndërmjetës.
Këtij personi rreth të 60-ve, i është kërkuar fillimisht që të ketë dokumentet serbe, të ketë dokument që ka qenë i punësuar në kohën e ish-Jugosllavisë dhe ku ka qenë i punësuar, dokument të bankës, përmes së cilës ka marrë pagën në atë kohë dhe dokument se ka paguar rregullisht kontributin.
“Të gjitha këto dokumente fatmirësisht i kam pasur të ruajtura dhe duke parë se ato para janë humbur, dua ta provoj fatin” thotë ai, ndërkohë që është në pritje të përgjigjes.
Jo zyrtarisht, gazeta ka mësuar se nxjerrja e pensioneve të tilla është proces i vështirë, mbase edhe nuk bëhët fare, por avokatët serbë bashkë me ndërmjetësues janë duke mashtruar kosovarët sa për t’i plaçkitur.
“Me dhjetëra mijëra euro marrin avokatët në Serbi për këtë punë dhe në fund nuk bëjnë asgjë”, tregon ky person, i cili ka pasur kontaktet drejtpërdrejt me raste të tilla. Personalisht thotë se ka shkuar te një avokat në Beograd, sa për t’u informuar rreth kësaj pune, i cili në start i ka kërkuar 400 euro vetëm për informata.
“Ata janë plaçkitës dhe shqiptarët duhet të dinë këtë, të mos mashtrohen, pasi është shumë vështirë të nxirren pensionet. Nuk e di nëse ka pasur ndonjë rast që i është nxjerre pensioni, edhe nëse po, janë shumë të rralla”, tha ai.
Kërkohet presion për kthimin e kontributeve
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar nga qeveria të përshpejtohet dialogu. Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka theksuar se kjo sindikatë ka kërkuar përshpejtim të procesit (bisedimeve) për fondin pensional dhe që të bëhet zgjidhje institucionale e këtij problemi.
Sipas Arifit, moszgjidhja institucionale deri më tani ka lënë hapësira që qytetarët të përmes njerëzve të ndryshëm të kërkojnë rrugë tjera për t’i marrë këto mjete, duke u dëmtuar kështu gjatë këtij procesi me marrje të një pjesë të madhe e këtyre të hollave nga ana e ndërmjetësuesve. Këtë formë të nxjerrjes së pensioneve ai e ka quajtur të papërshtatshme dhe të egër që nuk shkon në dobi të askujt.
Arifi ka thënë se janë rreth 110 mijë pensionistë kosovarë që kanë kontributet e tyre në fondin pensional të plaçkitur nga Serbia. Një muaj më parë edhe Partia e Pensionistëve të Kosovës (PPK) ka kërkuar nga shefja e ekipit të Kosovës në dialogun me palën serbe, Edita Tahiri që pjesë e dialogut të zë çështja e kthimit të fondit pensional.
“PPK-ja konsideron se deri më tani Prishtina zyrtare nuk ka bërë asgjë për kthimin e kontributeve të tyre, të cilat u takojnë me ligj. PPK kërkon që gjatë këtyre bisedimeve t’i bëhet presion Serbisë, që t’i kthejë kontributet”, ka qenë mesazhi i kësaj partie përmes një njoftimi për media.
Premtohen pensionet institucionalisht
Shefja e ekipit të Prishtinës në dialogun me Beogradin, Edita Tahiri ka deklaruar për “Zërin” se sikurse çështja e kontributeve dhe të tjerat që do të diskutohen do të kenë rëndësinë dhe hapësirën e vet në tryezën e bisedimeve.
Ndërkaq, për datën e saktë të diskutimit të kësaj çështjeje ajo nuk ka dhënë ndonjë detaj, duke iu referuar agjendës, e cila hartohet sipas marrëveshjes ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe përfaqësuesit të BE-së, por ka premtuar se Kosova do ngritë zërin e saj për këtë problem.
Ruan identitetin serb, merr pensionin
Derisa pensionet e Serbisë janë ndërprerë për shqiptarët tash e 12 vjet, ka prej tyre që ende i marrin. Kjo mundësohet në rastet kur shqiptarët kanë dokumentet serbe (që dëshmojnë se janë banues serbë) edhe pse jetojnë në Kosovë.
H. A. është një shqiptar që ka jetuar kohën e ish-Jugosllavisë në Beograd dhe vazhdon të ruajë shtetësinë e Serbisë, edhe pse jeton me shtëpi në Kosovë, vazhdon të marrë pensionin serb.
“Më ka shpëtuar pensioni që marr atje, në krahasim me pensionin në Kosovë. Nga Serbia i marr 400 euro pension. Por, Serbia nuk e di se unë jetoj në Kosovë, prandaj nuk më është ndërprerë”, tregon H. A., 68-vjeçar nga Prishtina.
Për një pension, shtetësia kosovare ndërrohet me atë serbe
Ndërkohë lufta për ekzistencë (mbijetesë sociale) si dhe lakmia, po bën që disa shqiptarë që kanë kontribuar për ish-Jugosllavinë, të nxjerrin dokumentet e reja biometrike serbe.
Ky realitet po ndodh duke njohur dhe nuhatur nga qytetarët rrethanat politike, në të cilët Serbia del fitimtare. Duke ditur po ashtu se kur Serbia të hyjë në BE, çdo person që i plotëson vitet e kontributit do të mund të marrë pension nga Serbia aq të madh sa të vendeve të BE-së, shqiptarët kanë nisur të ndërrojnë shtetësinë.
Gazeta ka biseduar edhe me të interesuar dhe ndërmjetësues që konfirmojnë këtë./zëri/
Comments are closed.
I SHKRETI U BE SERBE PER PENSION DHE NAIVI SHQIPTARE E BESON RINI ORE MERUNI ME PUNET TUAJA MOS E HARXHONI KOHEN KOT ME TA AI KA JETUAR 1000 VITE ME SERBIN DHE NE NJE DITE TE BUKUR NA U BEN SHQIPTARE POPULL RIDICULE
Isha mese i sigurt qe nuk do mungoje o eddy. Me thuaj nje arsye pse i urren kosovaret?
gomar
I nderuar Eddy, shqiptaret e Kosoves nuk u “bene” shqiptare “nje dite te bukur”. Behet fjale per mijevjecare te tere – keshtu qe informohuni pak me shume para komentimit.
Sofi e nderuar, mos e ul veten duke u marr me kete Eddyn se dihet qe nuke shte shqiptar ai, keshtu qe mos ia rrit vlerat duke u marr me te
sofi e njoh mire historine por eshte turpe te thuash u bera serbe per pension i pelqen te jete serbe puna e tije ta gezoje nacionalitetin serbe por une personalisht nuk i quaj shqiptare por shqipegjysemfoles
O eddy ti vetem te folmen qe e ke shqip, se minoritar grek je po leri ato mos na u hiq si shqiptar ketu