Kryeministri Sali Berisha dhe Lefter Maliqi
Botuar në gazetën Tema më 23.12.2009
Prej kohësh kryeministri, Sali Berisha, është përfshirë në një betejë me përfaqësuesit vendorë socialistë, që drejtojnë dhe qendrat kryesore urbane në vendin tonë.
Partia Demokratike, e cila ka dështuar në gjithë historinë e saj të pluralizmit që të prodhojë një model të qeverisjes vendore, ka vendosur në qendër të sulmeve të saj vendorët socialistë. Së fundmi beteja është thelluar për shkak të një serie nismash, që kulmuan me iniciativën e kryeministrit Berisha për t’u hequr atyre nga buxheti disa taksa të rëndësishme dhe krijimin e një njësie të posaçme të Policisë Ndërtimore, në varësi të ekzekutivit, që do të ndërhyjë, sa herë të gjykojë ajo, për të shkatërruar ndërtime të ndryshme.
Megjithatë demokratët e kanë një model të tyrin të qeverisjes vendore. Është hibrid politik, por ai ishte krenaria e tyre gjatë fushatës zgjedhore që lamë pas.
Bëhet fjalë për Lefter Maliqin, ish-drejtues i një njësie vendore në Berat. Ai është një nga shembujt tipikë se si kërkon mazhoranca e re të drejtohen njësitë vendore. Gjatë fushatës, edhe pse kandidonte për deputet, ai krenohej me disa bëma parademokratike, që do frikësonin çdo njeri me kulturë minimale demokratike.
Maliqi thoshte se kishte ndërtuar një sallë për mbledhjet e Këshillit Bashkiak, njësoj si sallat e Brukselit, e këtë e thoshte pa të keq, sikur Otllaka të ishte selia e Komisionit Evropian.
Maliqi krenohej se kishte arritur falë karakterit të tij të fuste fshatarët të punonin si argatë, pa pagesë.
Maliqi deklaronte po ashtu si pa të keq se në territorin e tij nuk mund të afrohej ndonjë firmë ndërtimi a ndonjë biznes, se ai paska blerë disa makineri dhe tashmë të gjitha punët i bëka vetë.
Ky model qeverisjeje, ku njësia vendore shihet si çiflig personal, u stimulua nga vetë kryeministri, që dha disa fonde për këtë komunë, duke diskriminuar njësitë e tjera, jo sepse kryetari i saj kishte ndonjë veti të veçantë, por sepse ishte i gatshëm që të bënte sherr e grushte me çdo njeri që i dilte përpara në politikë.
Duke projektuar për politikën e Tiranës një njeri që ishte i gatshëm të bënte gjithçka për të pasur pushtet, ata pa dashje reklamuan si model të tyrin, modelin Maliqi, që nuk ka asnjë lidhje me ligjin e demokracinë.
Modeli Maliqi në fakt ishte dhe ndër lajmëtarët e parë të aleancës së re qeverisëse, në qendër të së cilës qëndronte parimi se, ajo që të jep pushteti, është e jotja, jo e ligjit, por e Maliqit.
Comments are closed.
Nuk ja vlen te shkruash per kete injoriant-idiot.Ky duket 100 km larg se kush eshte.