Kujt i ka rënë rasti të kalojë përmes qytetit të Kamzës nuk mund të mos i ketë rënë në sy një fakt trishtues: tërë shtyllat elektrike përgjatë gjithë rrugës kryesore të qytetit janë lyer vetëm me bojë blu! Fasadat kryesore janë ngjyer blu. Edhe muret e Bashkisë janë blu. Blu është edhe ngjyra e mureve të brëndshme të zyrave, edhe kolltuqet e deri edhe tërë orenditë e këtyre zyrave!
Shkurt, kryetari i Bashkisë së qytetit të Kamzës, kandidat aktual për kreun e kësaj Bashkie, nuk ka pyetur se në qytetin e Kamzës dhe në tërë lagjet e Bathores ka edhe banorë të bindjeve të tjera, socialistë, demokristianë, socialdemokratë, republikanë etj! Ngjyrën blu e ka shndërruar në “armë” për të ushtruar dhunë të fuqishme psikologjike mbi tërë banorët e këtij komuniteti.
Shumë kohë para ditës së parë zyrtare të çeljes së fushatës së zgjedhjeve krejt qyteti i Kamzës, dhe jo vetëm ky, qenë mbuluar nga mijëra flamurë blu! Ditën që nisi periudha zyrtare e zgjedhjeve për pushtetin lokal, në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor socialistët morën masa për të vendosur simbolet e tyre. Sipas këtij Kodi kërkohej që njëra shtyllë të shfrytëzohej nga Partia Socialiste, tjetra, mbas saj – nga Partia Socialiste, si dy forca politike kryesore. Mirëpo, ku pyet Xhelal Mziu për Kod Zgjedhor! Sapo pa që shtabi zgjedhor i Partisë Socialiste po ndërtonte dekorin e saj propagandistik, gjithmonë sipas Kodit Zgjedhor, kandidati demokrat shfrytëzoi postin që mban: urdhëroi Policinë Bashkiake që t’iu kundërvihej militantëve socialistë!
Kur u pa, se beniamini i Sali Berishës nisi të vepronte në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor, atëhere drejtuesit e shtabit zgjedhor të Partisë Socialiste të Bashkisë iu drejtuan organeve kompetente. I dërgojnë një shkresë zyrtare kryetarit të Bashkisë, që të liroheshin vendet ku do të duhej të vendoseshin flamurët dhe mjetet e tjera propagandistike të opozitës. Mirëpo, ku mund të pranonte zoti Mziu! Unë jam Sali Berisha i Kamzës dhe i Bathores, vazhdon të mendojë ai. Jo vetëm që nuk lejoi mjedis propagandistik për forcën politike me të cilën rivalizon, por bëri të kundërtën: vuri në lëvizje Policinë Bashkiake dhe atë Ndërtimore! Kërkesa e shtabit zgjedhor të kandidatit Rakip Suli u përsërit, por sërish Mziu nuk u tund nga e tija. Në këto rrethana, ishte e natyrshme që të fillohej nga puna për krijimin e mjedisit propagandistik. Si duket, kaq iu desh kryetarit aktual që të fillonte zakonin: lejoi të përdorej dhuna fizike! Në qoftë se nuk do të kishte ndërhyrë në kohë Policia e Rendit, pasojat do të mund të ishin të paparashikueshme.
Duke pasur mbështetjen e gjithanshme të kryeministrit Berisha dhe duke imituar format dhe mënyrat se si ka vepruar dhe vazhdon të veprojë ky usta i tij në krye të Qeverisë, kandidati demokrat i Bashkisë për qytetin e Kamzës vazhdon ta mbajë vazhdimisht të ngritur tensionin brënda komunitetit! Me sa merret vesh, kjo mënyrë të sjelluri është pjesë e strategjisë së tij në këtë fushatë zgjedhore. Në një kohë që i kërkohet të krijojë kushte balancuese veprimi për të gjitha forcat politike, Mziu lejon të organizohen hapur veprime provokative! Para tri ditësh, ndërsa ishin duke kryer veprimet e një propagande politike normale e të natyrshme, simpatizantë të Partisë Demokratike sajuan incident, deri edhe dëmtimin e dy makinave të militantëve të Partisë Socialiste. Sa e tmerrshme! Banorë të të njëjtit qytet, për hir të karrikes së kryebashkiakut, ndërsehen njëri kundër tjetrit!
Epo, edhe mund të ndodhin incidente kësisoj, mund të mendojë ndokush. I ka këto lufta politike!!! Gjykuar me gjakftohtësi, mund të të shkojë mëndja se mund të rastis të ketë zënka, deri edhe ndonjë veprim i shkëputur i kundraligjshëm. Se njërëzit nuk janë të prerë njëlloj si me gërshërë. Mirëpo, në Kamzë e në Bathore nuk kemi të bëjmë me ndonjë zënkë a provokim dosido. Aty tensionimi i situatës, me shkak apo pa shkak është shndërruar në strategji nga ana e kryetarit aktual të Bashkisë! Kur shikohen të tilla përballje masive njerëzish të bindjeve të ndryshme, puna e do që të delet me deklarata publike për të frenuar gjaknxehtësitë dhe për të ndaluar kësisoj veprimet e rrezikshme. Fakti që Xhelal Mziu nuk është prononcuar asnjëherë kundër veprimeve të dhunshme tregon, se ai jo vetëm që nuk eshtë kundër tyre, por, përkundrazi, me sa kuptohet duket se është i interesuar për sa më shumë terror psikologjik! Kuptohet açik, se ky kandidati demokrat i është futur detit me këmbë. Nga ç’vihet re në qytetin e Kamzës dhe në mbarë Bathoren kandidati demokrat i Bashkisë së Kamzës po e ndjen se është para disfatës. Shumica e banorëve e kanë kuptuar, se para tyre kanë pasur një kryetar që shikon vetëm interesat e tij dhe ato të Berishës. Kanë mësuar, gjithashtu, se tashmë u ka ardhur një kandidat për kryetar Bashkie pa asnjë teserë partie në xhep. I gjendur para një rivali të tillë, që i ka xhepat plot dhe, si i tillë, nuk ka nevojë për të vjedhur, Xhelal Mziu nuk gjen rrugë tjetër për t’iu kundërvunë, veç asaj të mbjelljes së terrorit psikologjik, deri edhe fizik. Banorët e Kamzës dhe të Bathores, që nuk u rreh shumë për “trimëritë” e këtij apo të atij kandidati për kryetar Bashkie, kërkojnë rritje të mirëqënies përmes efektivitetit më të lartë të investimeve.
– Unë kam qënë demokrat i flaktë, – tha një një mesoburrë gjatë një takimi të organizuar me Rakip Sulin, – por këtë herë do të votojë familjarisht me bindje të plotë për kandidatin pa teserë partie, Rakip Suli. Dhe pse? Sepse ky nuk vjen për vete. Ky vjen për ne…
Comments are closed.
Kyn trapi i Bashkise se Kamzes mos eshte ai qe u ka vene rrugeve emra te cuditshem?Si Sali Berisha a ndonje emer tjeter.
kamza dhe qeleshet dhe lahutat duhet ti lyej blu ,si gjak hardhuce..mbas zgjedhjeve duhet te filloj operacioni fshesa dhe te pastrohet kamza
Them qe kandidati Rakip Suli do te fitoje sepse eshte i ditur,eshte i pasur dhe e ka teresisht ne avantazh dhunen e orkestruar nga dr.Tyryry-ja.Kjo dhune eshte shprehja perfekte e pafuqise se Tyryry-se per te c’bere rrjedhen normale qe shkon kunder tij.I uroj sukses Sulit e banoreve te Kamzes.
Kjo eshte levizje e PS-se per te thyer bastionin e PD-se me nje te brendshem nga kjo e fundit, por jam i sigurt qe ne vetvete Rakip Suli mbetet mbeshtetes i flakte i PD-se. Edhe sikur te fitoje, ne nje kohe jo shume te larget, ai do vetdeklarohet se eshte perfaqesues i PD-se, sikurse e kane bere dhe shume langonj te tjere qe kane kaluar me LSI-ne.
Gjithesesi per momentin, mqse Saliu i ben bilancet me Shqiperi Blu dhe Roze kjo levizje e PS-se mund te rezultoje e mencur per t’i thyer hunden PD-se.