Armiq të hershëm. Letra e Edi Ramës për Sali Berishën në nëntor '94

14 Prill 2011, 08:18Politika TEMA

Kjo letër që Edi Rama i dërgon Sali Berishës, kur ky i fundit ishte president, i përket periudhës post-zgjedhjeve për referendumin e projekt-kushtetutës, në nëntor të 1994, ku politikisht, Berisha pësoi një humbje shokuese, dy vjet pasi kishte ardhur në pushtet me një votë plebishitare, siç ishte ajo e 22 marsit të `92.

Prej kësaj letre, fare mirë mund të kuptohet se ku ndahen këto dy figura të politikës aktuale; se ç`botë, vërtet ç`botë përfaqësojnë ata; dhe se rivaliteti mes tyre, që në fillesat e veta, nuk ka qenë thjesht për pushtet. Berisha e di mirë këtë, ndaj dhe përpiqet ta tkurr dimensionin e kundërshtarit të tij, tek etja për një karrige kryeministri. Por jo.

Me Edi Ramën, hesapet janë ndryshe. Ato tejkalojnë postet, pozitat, iki unë që të vish ti e të tjera meskinitete të këtij lloji. Sepse Berisha, po aq sa ka shpallur armik çdo kundërshtar të tij në skalionet e politikës, armikun më të madh, në fakt, ka pasur Edi Ramën, edhe kur ky nuk ka qenë pjesë e skalioneve.

Pse? Mjaft të lexohet kjo letër me gjithë ç`përmban në rreshta e mes tyre, për të kuptuar se çfarë i ndan këto dy njerëz; dhe akoma më shumë, se si kuptohet e përjetohet Shqipëria dhe shqiptari në post-komunizëm tek secili prej tyre…
Letër Presidentit S.Berisha
Edi Rama / Nëntor 2004

…pasi e kanë kundërshtuar projektin e një Kushtetute Bunker për presidentin, shqiptarët gjenden në një udhëkryq shumë të rrezikshëm e nëse Juve dhe Partisë që Ju drejtoni do t`ju mungojë vullneti i nevojshëm për të reflektuar mbi arsyet e vërteta të dështimit të projektit, shumë shpejt të gjithë ne mund të jemi dëshmitarë të një Katastrofe Politike, e cila, përveç Jush dhe Partisë Suaj, do të shkatërronte dhe vetë ëndrrën e demokracisë.(…)

…vota kundër projektit të Kushtetutës nuk është aspak një votë nostalgjie për të vjetrën, siç është shkruar krejt në mënyrë të sipërfaqshme edhe në disa gazeta të huaja. Vota kundër projektit të Kushtetutës nuk është as një votë kundër strukturës, apo disa neneve absurde të këtij projekti, të cilin jam i sigurt se 99 % e shqiptarëve, përfshi këtu edhe ideologët e Partisë Suaj, nuk e kanë lexuar fare.

Vota kundër projektit të Kushtetutës, nuk është as votë pro platformës së opozitës Socialiste. (…VOTA KUNDËR PROJEKTIT TË KUSHTETUTËS ËSHTË NJË VOTË PROTESTE KUNDËR SALI BERISHËS, ZOTI PRESIDENT! Vota kundër projektit të Kushtetutës, është një votë proteste kundër Partisësë Sali Berishës, kundër Televizionit të Sali Berishës, kundër gazetave të Sali Berishës, kundër Qeverisë së Sali Berishës, kundër Gjyqeve të Kafeve të Sali Berishës, kundër Sigurimit të Sali Berishës, kundër intelektualëve rekrutë të Sali Berishës, kundër Presidentit kosovar të Sali Berishës, kundër Pleqve Sklerotikë të komunizmit shkencor dhe Sazexhinjve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Sali Berishës, kundër Kanunit të çiftelive të Sali Berishës, kundër aksionit enverist të demokratçikëve të Sali Berishës për të nxjerrë deri dhe çiliminjtë nëpër sheshet e luginat e mitingjeve, bile nuk do ta ekzagjeroja aspak Zoti President sikur t`Ju thosha se vota kundër projektit të Kushtetutës ishte një votë proteste edhe kundër vetë zërit të ngjirur të Sali Berishës! …

Është e vërtetë që, kompleksi shqiptar, ashtu si çdo kompleks kombëtar, ka konstante që gjenden në epoka të ndryshme të historisë dhe ne shqiptarët kemi njëfarë tërheqje kah brutaliteti, kah kundërshtimi apriori, kah pozicionet asgjësuese, ashtu siç nuk ka dyshim që deformacionet e rënda në evolucionin politik dhe në sistemin e vlerave, të cilat aq shumë kanë rënë në sy në këto vite lirie, i kanë rrënjët thellë në të kaluarën dhe në karakterin e shqiptarit dhe që një fat i ngjashëm historik nuk do të kishte provokuar të njëjtat reagime tek popujt e tjerë.(…) Por, tashmë nuk është fjala për të ditur nëse respekti për dhunën, brutaliteti, kokëfortësia fëmijërore janë konstante të karakterit shqiptar, sepse sidoqoftë, këto tipare gjenden dhe tek popujt e tjerë, problemi është të ngremë pyetjen se, a është dhe paaftësia e shqiptarëve për të përvetësuar principin bazë të jetës shoqërore europiane, Dialogun, një konstante e karakterit shqiptar?

…Me aq sa më lejon vendi do të trajtoj këtu një fenomen të veçantë, i cili fillon të shfaqet pas vdekjes së gjeneralit Enver Hoxha, pikërisht atëherë kur komunizmi shqiptar filloi të humbte prestigjin e tij, derisa më 1989, ky prestigj u zhbë krejt duke lënë trashëgim reflekset e kushtëzuara të Frikës. Përgjatë këtyre viteve, në mënyrë gati-gati të shurdhët, dalëngadalë, filloi të shtrihej e zgjerohej ndjenja e trembur e një solidariteti mes njerëzish të shkelur keqas në personalitetin dhe individualitetin e tyre, e paralelisht, shpirtra të hapur karshi neurozave dhe histerisë filluan të shfaqen për t`u bërë të panumërt në jetën
politikë të vendit pas dhjetorit `90, ku gjendja e qëndrueshme gjysmëshekullore e Frikës Kolektive u transformua në Histeri Politike…

…Siç e tregon më së miri edhe eksperienca jonë e derikëtushme, kjo histeri e madhe politike, e cila pllakosi vendin duke përfshirë krejt shoqërinë e dalë nga trauma e gjatë, karakterizohet nga paaftësia për zgjidhjen e problemeve që nxjerr liria, nga paqartësia apo hipërtrofia në vlerësimin e vetvetes, nga reagimet jorealiste dhe krejt të disproporcionuara ndaj botës përreth. Të gjithë individët që kontribuojnë në çlirimin e manifestimeve histerike të shoqërisë, qoftë përmes aksionit politik të drejtpërdrejtë, qoftë përmes aderimit të tyre në doktrina të ndryshme politike, nuk janë domosdoshmërisht politikanë profesionistë dhe pozicionimi i tyre politik nuk është veçse një aspekt i psikikës së tyre të rënduar.

E pa farë dyshimi, Histeria Politike sekretoi në Shqipërinë postkomuniste një lloj individi qorr, të kufizuar dhe kokëderr; të zellshëm për t`i besuar iluzioneve të marra të histerisë dhe për t`i përhapur ato; ajo polli një grup përfituesish, të cilët duke notuar mbi dallgët e ngritura nga era histerike e Antikomunizmit Vulgar, jetojnë boll mirë; natyrisht nuk mungoi dhe zulma e torturuesve dhe gangsterëve që, e fshehur nën qeleshen e gavroshit të demokracisë shqiptare, u lidh pas kërthizës së pushtetit.

…Një shoqëri e ekuilibruar, edhe pse përfshihet ndonjëherë në manifestime të dhunshme të të gjitha kategorive, arrin më në fund në zgjidhjen e problemeve, sepse histeria nuk është tjetër veçse një bunker për t`iu shmangur konfrontimit me problemet; e jo vetëm i shpëton histerisë, por del më e fortë nga kalvari i mundimeve të saj, sepse, pasi i ka kërkuar shkaqet e vërteta të së keqes që e ka mbërthyer, nxjerr konkluzionet, duron atë që e njeh si të paevitueshme, merre përgjegjësinë për atë që e pranon hapur si dështimin e saj, kërkon sadisfaksionin moral tek padrejtësitë që i janë bërë, dorëzohet përpara asaj çka nuk e ndryshon dot, heq dorë nga iluzionet e parealizueshme, fikson dhe përmbush detyrat e saj.

Por krejt e kundërta ndodhi në Shqipëri: karakteri i pamasë dhe i paparashikuar i shkatërrimit në të gjitha kuptimet, ndjenja dominante që vuajtjet tona ishin të pamerituara, të padrejta, çnjerëzore, problemet e rënda që shfaqën radhazi, papjekuria…

…Duke u rikthyer te referendumi i 6 nëntorit, duhet të besoni Zoti President se përgjigja negative ndaj projektit të Kushtetutës që Ju paraqitet dhe propaganduat nën zhurmën e daulleve dhe çiftelive duke humbur çdo sens mase, është përpjekja instiktive e shoqërisë për t`u ngritur nga lëngata e Paralizës Politike, është shenja e parë që shoqëria kërkon të reagojë, është tentative për t`u zgjuar nga ëndrra me sy hapur e integrimit të shpejtë europian, është përpjekja për të ardhur në vete e për të mos besuar më në Abrakadabrat e Partisë Demokratike, është Momenti Historik kur Histeria Politike është përplasur me Kokëfortësinë e Fakteve, të cilat janë përherë më rezistentë sesa formulat magjike apo iluzionet.

Pas kësaj përplasjeje mund të vijë zhdehja dhe shërimi, të cilën e uroj me gjithë shpirt edhe për Jum ose një tjetër histeri, edhe më e keqe se kjo e derikëtushmja, frika e tmerrshme ndaj së cilës ishte edhe motivimi im për t`Ju shkruar këtë letër. (…)/Shekulli/

…Duke humbur mbështetjen popullore, Ju Zoti President, keni pasur shansin e madh të humbisni edhe mundësinë për të absurdizuar pushtetin Tuaj personal, por, nëse pikërisht tani, Ju nuk do të kërkoni ta rifitoni atë mbështetje duke kërkuar përmes Dialogut dhe Tolerancës zbutjen e qindra-mijëra shpirtrave të trazuar, atëherë shoqëria shqiptare rrezikon të mbetet e paralizuar dhe të mos arrijë dot të përfitojë nga Neveria që ka krijuar për Pushtetin Personal, por përkundrazi të kërkojë qorrazi rrëzimin Tuaj e pastaj të gjejë pas Jush ndonjë dorë dhe më të fortë, e cila do ta zhyste dëshirën për demokraci akoma më thellë në Baltën e Demagogjisë dhe të shkeljes së të Drejtave të Njeriut.

Zoti President!
Revolta e studentëve kundër sistemit totalitar ishte revolte kundër Gënjeshtrës, kundër Dhunës, kundër Pisllëkut, ishte revolta e Individit që mundi Frikën, ndërsa vota kundër projektit të Kushtetutës ishte verdikti kundër Nostalgjisë për frikën. Midis Diktaturës Zemërgjerë të Partisë Suaj dhe Lirisë, shqiptarët zgjodhën rrugën e vështirë, rrugën e Ankthit, të Individualitetit, të Përgjegjësisë, tek e cila është e mishëruar Liria, e vetmja rrugë e drejtë për në dyert e Shtëpisë së Përbashkët Europiane.

Me përjashtmin të atyre katërqind e kusur intelektualëve të nderuar që nuk bëjnë dot pa dashurinë Tuaj dhe të Partisë Suaj, shqiptarët nuk duan një Dorë të Fortë, por një Republikë shoqërisht të Drejtë, në të cilën Individi nuk do të ketë frikë të jetë i ndryshëm, në të cilën nuk do të vijnë duke u shtuar vuajtjet e të vuajturve, e pleqve, e fëmijëve, një Republikë që do të vigjilojë me kujdes kundër Krimit dhe Korrupsionit, një Republikë që do të ekzaltojë vlerat morale dhe shpirtin krijues të Njeriut të Lirë. Shqiptarët e kanë kuptuar që asnjë Kushtetutë e shkëlqyer nuk është në vetvete një Shtet i së Drejtës, sepse garancia themelore e këtij shtetit është mjedisi demokratik ku e Drejta mishërohet, Ndërgjegjja Demokratike, në funksion të së cilës janë kultura qytetare e lidershipi politik, mençuria e tij politike, sensi i tij i drejtësisë, paanshmëria e tij, aksioni i tij i matur politik.

Ju dhe Partia Juaj, Zoti President, nuk keni dhënë ende asnjë garanci që përbëjnë themelin e asaj ç`ka të gjithë së bashku duam e duhet të ngremë, një demokraci dhe një Shtet Juridik.
Sovrani e dha verdiktin dhe tani është radha Juaj ta respektoni atë në të gjithë domethënien e vet, është radha Juaj të qëndroni përballë Realitetit, të dëgjoni apelin e kohës, të kuptoni ekzigjencat e momentit, të respektoni përshpejtimin e ritmit të shqiptarëve, nevojën e tyre urgjente për drejtësi dhe informacion të lirë. Nuk është ende vonë…!/shekulli/

2 komente në “Armiq të hershëm. Letra e Edi Ramës për Sali Berishën në nëntor ’94”

  1. Nabukodonosor says:

    Ketu dallohet se kush eshte komunisti i thekur dhe kush ai qe ka vizion.

  2. fule says:

    I madh Edi Rama. Po ku e pranon driten shpellari…

Comments are closed.

Lini një Përgjigje