Europarlamentarët: Duhet të ndërhyjmë, ata nuk janë të zotët të dalin nga kriza

13 Prill 2011, 18:45Politika TEMA

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë marrë në shqyrtim dje problemin e krizës politike në Shqipëri në Komitetin e Jashtëm të PE-së. Shumica e eurodeputetëve kanë konstatuar se politikanët shqiptarë nuk po tregojnë aftësi për të dalë nga kriza, kështu që Brukseli duhet të ndërhyjë me një formulë të gatshme. Këtë ide e ka mbështetur dhe i dërguari i posaçëm për Shqipërinë Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se duhet tu bëhet e qartë zyrtarëve shqiptarë çfarë kërkohet prej tyre, njësoj siç u bë me vizat, ku pati një udhërrëfyes të qartë se çfarë duhet të bëjnë. Debati për krizën në Shqipëri u bë gjatë raportimit që drejtori menaxhues për Ballkanin, Miroslav Lajçak bëri para komitetit të jashtëm të Parlamentit Europian për Ballkanin. Duke folur për Shqipërinë, ai theksoi se mungesa e dialogut politik po mban peng reformat e nevojshme për integrimin europian të vendit. “Vazhdoni të dërgoni mesazhe, sidomos mbi domosdoshmërinë e një dialogu politik, pa të cilin nuk mund të ketë një jetë normale politike në vend. Së dyti, tregoni që këto zgjedhje duhet të jenë të lira e të ndershme. Sa më shumë që të jetë e mundur. Politikanët vendas e dinë shumë mirë se çfarë duhet për t’i zhvilluar ato të lira e të ndershme. Ky duhet të jetë presioni që këtej, në mënyrë që t’u bëhet e qartë atyre se ne po i ndjekim nga afër dhe se shumë varet nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve”, i ka thënë Lajcak europarlamentarëve.

Nga ana e tyre, eurodeputetët e pranishëm kanë shprehur pakënaqësi të dukshme për klasën politike në vendin tonë. Eduard Kukan, kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE tha se “në Shqipëri, gjithësekush nga ne investoi shumë për të ndihmuar politikanët shqiptarë që të kapërcenin këtë krizë politike që po rrëzon të ardhmen. Dhe pa e zgjidhur atë me mjete politike do të jetë vërtet shumë e vështirë që të flisnim për të ardhmen, e për më shumë për progresin.

Ndërsa rumuni Viktor Bostinaru tha se “në rastin e Shqipërisë, ne dukshëm dështuam të flisnim njëzëri. Rezultati është i keq, për të mos thënë shumë i keq. Siç e dini, së fundmi ka ndryshuar dhe rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto rregullat e reja, që janë tërësisht zbulim i ri, në fillim votohet ligji, e më pas mund të debatosh mbi të! Është krejt një vizion i ri ky dhe ju duhet të shpreheni për të”.

Eurodeputeti Jelko Kacin kërkoi gjithashtu që PE të ndërhyjë. Ai tha se “duhet t’iu bëjmë gati diçka, sepse ata janë të pazotë që të arrijnë çfarëdolloj gjëje. Ne duhet të depërtojmë”.

Ndërsa euroreporteri për Ballkanin, greku Nicholaos Chountis komentoi mbi fushatën zgjedhore në vend. “Në Shqipëri, fushata elektorale nuk më duket e paanshme, ka pasur madje dhe raste të dhunshme, ndaj shqetësohem. A vërtet mendoni se këto zgjedhje do të jenë demokratike? Çfarë mendoni ju për drejtuesit lokalë atje? Çfarë presin ata prej nesh, që të zgjidhim problemet në vend të tyre?”, tha ai duke iu drejtuar të dërguarit të BE-së. Lajçak iu përgjigj se “njerëzit presin nga Bashkimi Europian një perspektivë të mirë e të qartë. Në kuptimin që ne nuk mund të ndryshojmë qëllimin tonë në fund të procesit, nuk mund të shtojmë kushte të tjera. Duhet t’i bëjmë të qarta ato çfarë nevojiten, siç e bëmë shumë mirë me çështjen e vizave, ku kishte një udhërrëfyes që përcaktonte pastër çfarë duhej bërë për të marrë liberalizimin. Ne duhet t’i ndihmojmë ata që t’i europianizojmë dhe jo të bëhemi instrumente për interesat e tyre të brendshme”.

I dërguari i posaçëm i përfaqësueses së lartë të BE-së, Ashton, për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, ka refuzuar ndërkohë që të zërë vendin e Piter Feith, si përfaqësuesi kalimtar i BE-së në Prishtinë, deri në emërimin e zyrtarit të ardhshëm. Shteti nga vjen Lajçak, Sllovakia, nuk ka njohur ende zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

3 komente në “Europarlamentarët: Duhet të ndërhyjmë, ata nuk janë të zotët të dalin nga kriza”

  1. hajriu says:

    Ça prisni, se keta zagaret tane kane zene llogoret e nuk leshojne pe. E keqja eshte se keta ndyresira politikanesh e kane ne terezi pe veten e tyre dhe i vetmi qe e vuan eshte populli Shqiptar.

  2. ben says:

    Edhe keta europianet u nisen te na c’ballkanizojne ne, por me sa duket Sala i ballkanizoi edhe keta,u bene si ne.Ketu po e marr vesh qe parlamenti jone paska bere kete rregullin e ri, qe ne fiilim votohet ligji,pastaj diskutohet.Jemi unikale ne bote.

  3. hysni dajaku says:

    “deputet e parlamantit europian”ne perberien e te cilit jan dhe disa dashnore te Berluskonit,po “intelektuale ama”..po keshtu edhe ato shoqet e Sarkozit.”keto, intelektuale dhe modele”…eshte aq “serioz” sa qe pa tjeter po ka thene se duhet te nderhyje,kam besim te plot se e do ja beje forra.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje