Gjithmonë i shkon nga pas
Nga Ardian Ndreca
Mendoj se ka të paktën tri arsye madhore për mos me e votue ketë kandidat të PD-së, dhe këto arsye nuk kanë të bajnë as me shtetësinë e grues së tij dhe as me faktin se ai vetë nuk asht bindës, as kur flet dhe as kur hesht. Nuk asht i bindun ai vetë për çka thotë, për si e thotë, mbasi në çdo rrokje që nxjerr prej gojet zbulon pasivitetin e nji instrumenti që i bindet në mënyrë të verbët dikujt. Thellësisht i disiplinuem dhe i komandueshëm në çfarëdolloj distance që të jetë, Basha asht kandidati ideal për dikënd që s’mund të jetë njiheresh kryeministër dhe president, sekser, kryetar i gjykatës së naltë, leader komunitetesh fetare, prokuror i përgjithshëm, ambasador i SHBA, ambasador i BE, përfaqsues i interesave të Serbisë, historian, mjek… por që aspiron pafundsisht t’i bajnë të gjitha.
Disa prej detyrave ekstra i kryen mrekullisht mirë, disa përpiqet. Ndonji tjetër ende nuk ka mujtë me e marrë. Fitorja e tij ma e madhe do të jetë kur të emnohet ambasador i SHBA në Tiranë dhe kur të marrin dekretimin si prokuror i përgjithshëm. Por le të kthehemi tek Basha.
Të gjithë e dijnë se Basha i ka shpëtue ndjekjes ligjore për qindra milionat e eurove që kanë avullue gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, vetëm falë Gjykatës së Lartë, e cila drejtohet prej Shpresa Beçës, personit që përmendej në videon e Metës, si individe e kontrollueme prej grupit në pushtet, gja kjo e vërtetueme prej fakteve konkrete. Kryetarja, me nji formim profesional domethanës në qarkun gjyqësor të Gramshit në vitet ’80, duhet së paku të dorëzonte postin për klientelizmin e deklaruem, por nuk e bani ketë gja. Vijoi detyrën tue e rritë kështu ndieshëm besimin e qytetarëve tek nivelet ma të epërme të drejtësisë shqiptare. Pengesa e hetimeve ndaj Bashës asht arsye e mjaftueshme që gjykata që drejton me dinjitet profesional dhe personal kjo kryetare, të jetë demokratike në kuptimin ma të naltë që ky koncept ka për S. Berishën.
Arsyeja e dytë për të cilën nuk duhet të votohet Basha asht pakti famëkeq detar me Greqinë. Falë interesimit privat të nji oficeri në pension dhe reagimit të shoqnisë civile, ky pakt u bllokue prej gjykatës kushtetuese, por ministri i jashtëm që kurdisi në mënyrë makiavelike ketë pakt ishte Basha. Nuk besoj se Basha asht makiavelik, pse nji instrument nuk asht as i mirë dhe as i keq në vetvete, por qenja e tij në atë dikaster lejoi “ata” që e donin atë pakt, me punue të patrazuem nën rrogoz, derisa doli dikush që ua zbuloi matrapazlleqet e mshehta. Të shkretin z. Pashaj u munduen me e nxjerrë fillimisht si të rrjedhun trush, e kur vendimi i gjykatës kushtetuese bllokoi gjithçka atëherë e braktisën, – ndoshta përkohsisht, – ketë tradhti të naltë ndaj atdheut. Por edhe çeshtja e “tradhtisë” asht e diskutueshme, mbasi kusarët nuk kanë atdhe, ata janë kozmopolitë, pse i besojnë plotsisht vetëm mjetit të shkëmbimit ma anonim që ekziston: pares.
Arsyeja e tretë për mos me votue Bashën asht vrasja me 21 janar e katër qytetarëve shqiptarë, akt i randë, i kryem kundër çdo ligji dhe rregulloreje që angazhon forcat e rendit në rrethana si ato që u verifikuen atë ditë. Basha ka aftësinë me u gjend gjithmonë në krye të punëve në momente kur ndodhin tragjedina. Me 21 janar ai ishte ministër i punëve të brendshme dhe si i tillë duhet të jepte dorëheqjen për vrasjet e asaj dite. Por me sa duket e ndaluen rreptësisht me ba nji gja të tillë.
Shqiptarët përpara se me qenë të majtë apo të djathtë janë qytetarë. Nji pjesë jo e vogël mbeten qytetarë edhe mbasi aderojnë në nji parti, por ka të tjerë që s’janë qytetarë as përpara dhe as mbrapa, janë thjesht partizanë, individë me të cilët mund të bahen shumë gjana, por jo nji shtet modern. Komandanti i partizanëve asht Berisha, dhe siç e kanë pa të gjithë shqiptarët, me të Europa mbetë nji andërr, ndërsa Gërdeci, përmbytjet, vrasjet, korrupsioni, vjedhjet masive janë të vetmet arritje.
Si asht e mundun që PD e Berishës nuk pati nji kandidat tjetër përveç Bashës, i cili përban nji sfidë ndaj ligjit dhe ndaj sensit moral qytetar!
Asnji prej këshilltarëve zyrtarë dhe sidomos jozyrtar të Berishës nuk mbërritën me i pëshpëritë nji emën tjetër, nji filan fistek që s’dyshohet të ketë zhdukë 200 milion euro (burime tjera flasin për 320 milionë), që s’asht i implikuem me paktin detar, që s’asht përgjegjës moral për vrasjen e 4 qytetarëve shqiptar dhe që s’ka lanë në mes të katër rrugëve jetimat e disa familjeve shqiptare!
Tashma dami asht ba. Un besoj dhe dëshiroj që nji si Basha, të sqarojnë pozicionin e tij tue u përgjegjë përpara drejtësisë shqiptare. Dhe me shumë gjasa, ma shumë se shiritin kuq e zi krahaqafë, nji i tillë në nji vend normal do të mbante nji uniformë me vija. Por ne nuk jemi nji vend normal, jemi thjesht nji vend.
Ndoshta PD-ja, këshilltarët dhe ndrikullat e Berishës, duhet t’i kishin propozue këtij si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë nji tiranas, nji person me merita të padiskutueshme për demokracinë, e kam fjalën për zotin Hysen Shoshorin.
Nuk kam parasysh meritat e përgjithshme të zotit Shoshori, i cili ka shpërnda 41100 trakte antikomuniste gjatë regjimit të Hoxhës dhe asht dënue fillimisht me vdekje e mandej ka vuejt për vite të tana dënimin, e kam fjalën për nji trakt të vetëm të tijin.
Po, nji trakt të vetëm, pse 41099 trakte të zotit Shoshori kanë shkue kot, s’kanë lanë gjurmë në historinë tonë, vetëm nji trakt i tiji i ka ndrrue rrjedhën historisë së Shqipnisë, pse ka arritë me brumosë, edhe pse 30 vjet mbas leximit të parë, antikomunistin ma të zjarrtë që ka njohtë historia jonë mbas ramjes së komunizmit.
Nji trakt i zotit Shoshori do të meritonte prononcimin e gjithë PD-së për kandidaturën e tij për kryetar bashkie në Tiranë. Të gjithë e kanë ndjekë në tv dhe kanë lexue këto ditë dëshminë e Shoshorit për nji trakt që ky kishte shpërnda në fakultetin e mjeksisë në vitin 1961, të cilin Sali Berisha e kishte ruejt dhe do t’ia përplaste në fytyrë në gjyq, në vitin 1974, tue kërkue varjen në litar të Shoshorit të mjerë.
Atë trakt, simbas Shoshorit, Berisha e kishte ruejt për plot 13 vjet, dhe mbas 13 vjet leximi të së vetmes literaturë antikomuniste kishte arritë tek dënimi me varje i autorit të rreshtave satanikë.
Megjithatë mbas 17 viteve të tjera përpunimi mendor të atij trakti, mjeku fanatik tropojan mbërrijti me u ba hero i demokracisë shqiptare, e tue mos ndrrue asgja do të ndërronte gjithçka në figurën e tij, do të bahej mesia i rremë i demokracisë shqiptare.
Këtë meritë dajrexhinjtë e Berishës duhet t’ia njohin Shoshorit, pse të paktën Shoshori as nuk ka vjedhë fondet e rrugës Durrës-Kukës, as nuk ka firmosë pakte që cënojnë sovranitetin e Shqipnisë dhe as nuk ka vra njerëz të pafajshëm në mes të Tiranës.
I dashur votues që don që Tirana të drejtohet prej nji demokrati të vërtetë, në vetminë e kabinës elektorale, mbi emrin e Lulzim Bashës shkruej emnin e zotit Hysen Shoshori, sepse njeriu që drejton sot qeverinë shqiptare asht nji uzurpator dhe mban atë post vetëm falë guximit dhe vuejtjeve të heronjve si Hysen Shoshori.
Comments are closed.
Eh mor Ardian kjo me duket se eshte mundesia e fundit per vendin tone qe te shporrim njehere e pergjithmone kete regjim te paklasifikueshem, po jo vetem ti shporrim po duhet ti fusim ne burg te gjithe edhe me kryesorja t’ju konfiskohen pronat qe i kane jashte edhe brenda vendit se atehere mund ti vije pak era shtet. Eshte per te ardhur keq qe njerez qe jetojne jashte prape bejne per Saliun, kur une zbrita vjet ne Rinas kisha ca gra qe benin be e rrufe ne koke te Saliut dhe po ju them disave ketu qe akuzojne gjoja “maloket” per mbeshtetje ndaj Saliut, qe ato gra nuk ishin maloke po nga Tirana dhe Skrapari dhe kur une ju thashe po kur shkoni ne komune ne vendin nga vinim te lene ata te hysh pa rradhe po ti thuash se jam kusheriri i ketij apo atij, natyrisht nuk te lene se s’jemi ne Shqiperi, i thashe e keni pare se si te japin shpjegime etj etj, po shkoni provojeni njehere ne administraten shqiptare te mbushur me injorante dhe militante e pastaj ecni flisni. Shpresoj qe ato gra budallaqe te kene nderruar mendim deri tani. Keta lloj njerezish duhet ti kthesh ne Shqiperi dhe t’ju thuash shkoni e kerkojini pune Saliut tani. Njera ishte tezja ose halla e anetares se bordit drejtues se PD kengetares se famshme “sa kam bothen e mire” çilit, ju betohem e kam seriozisht se ma tha vete plaka, aq me teper qe me tha ti dhe je nga veriu s’te vjen turp te shash Salen imgjinoni çfare mendimesh donkishoteske kane pushtuar kokat e njerezve.
Une mendoj qe ta votojme Lulin se eshte femije i mire dhe ben cfare i thote prindi ?
Te me fale Gjinoja i filmit per krahasimin ?
BËMAT E LULIT: SPIUN, MAFIOZ, KUSAR, TRADHTAR, VRASËS.
Ky Lulka që qesh, vërtet që një qeshje idioteske ka, por ama mos i a hamë hakun, se edhe ca vepra apo bëma i ka bërë.
Po ja, sa qëndroi në Kosovë, i mbushi nja njëqind dosje me të dhëna për luftëtarët e UÇK-së dhe ia çoi gjykatave Sërbe dhe Gjykatës së Hagës për t’i dënuar. Këtu Lulka mori titullin SPIUN.
Po ja, nuk do ta quanit juve bëmë me vlerë faktin që ky Lulka i mori e i transferoi në Hollandë, në emër të bashkëshortes, nja njëqind milion dollarë të Kompanisë Vefa? Nuk do ta vlerësonit juve shkathtësinë e Lulkës që për t’i shpëtuar kontrollit të Institucioneve dhe Drejtësisë Shqiptare për këto para të vjedhura, ia hoqi bashkëshortes shtetësinë shqiptare? A nuk e meriton Lulka me këto veprime emrin MAFIOZ?
Dhe bëmat e Lulkës vazhdojnë edhe më tej kur agjenti i vjetër e i rregjur sërb, Saliu i Viçidolit, e rekrutoi atë pranë një forumi të miqve të Gitës e të Zenit që ia vunë emrin e koduar KOPI.
Pastaj këtë Lulkën që qesh e bëri shef të tenderave të Saliut ose siç quhet Ministër i Punëve Publike. Këtu vodhën e vodhën sa mundën, por një dorë të mirë me pare e bënë me atë Vjedhjen e Madhe (200-300 milion euro të Rrugës së Kombit. Lulka tani na u shpall KUSAR.
Pastaj Lulka u bë Ministër i Punëve të Përjashtme të Saliut. Edhe këtu pati suksese në promovimin e Saliut nëpër botë si udhëheqës i përndritur i botës por suksesin më të madh e pati me firmosjen e marrëveshjes së dhënies së detit tonë grekut, akt ky që i vuri Lulkës damkën e TRADHTARIT TË ATDHEUT.
Pastaj ky Lulka që qesh u bë shef i terrorit të Saliut ose siç quhet Ministër i Brendshëm dhe këtu na tregoi se ky Lulka nuk di vetëm të qeshë por edhe të vrasë në emër të Saliut. Lulka është një VRASËS.
Dua t’ju falenderoj zoti Ndreca per kenaqesine e madhe qe me dhate me kete shkrim tuajin.Se pari,
per mjeshterine e gjuhes se perdorur;se dyti per gegnishten tuaj vibrante;se treti per fisnikerine e ndjeshmerine ndaj z.Shoshori qe hyri ne histori ne muzgun e jetes se tij e se fundi per angazhimin e vertete(jam e neveritur nga falsiteti i bere mode)ne shqetesimet e medha qe po kalon populli yt.Jetoj ne Tirane e dua t’ju them qe L.Basha eshte nje hic-konkurent per rrethin shoqeror qe ndajme mendime e shqetesime.Argumentet tuaja marrin nje vlere shtese ne bindjen qytetare te Tiranes.Uzurpatori i qeverise qendron jo vetem mbi kuserimin e vlerave te guximit e vuajtjeve te sojit Shoshori por kryesisht mbi kuserimin e vullnetit te mbare shqiptareve.Kjo eshte e vetmja “vlere” 20 vjecare e dr Tyryry-se e me te do te ndeshet Shqiperia me 8 maj.Ju uroj mbaresi zotni fisnik.