Kallëzimi i drejtorit të FNSH-së për zv/ministrin e Brendshëm.
Zbardhet deklarimi në prokurori i drejtorit të Forcave Lëvizëse Operacionale në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi. Gazeta MAPO ka patur dje mundësinë të konsultojë deklarimin e firmosur nga vetë Prençi para prokurorëve, ndërsa ky i fundit ka përshkruar në detaje bisedat telefonike, kërcënimin dhe sharjet e ministrit në detyrë Avenir Peka. Në deklarimin e bërë para prokurorëve mesditën e së hënës, Prençi jo vetëm ka përshkruar kërcënimet e ministrit në detyrë, por ka detajuar dhe kontekstin në të cilin janë zhvilluar këto kërcënime. Prençi ka deklaruar para prokurorëve se ministri në detyrë Avenir Peka ka kërkuar ta fusë në kurth atë me nxjerrjen e trupave speciale për incidente zgjedhore, me qëllim që ta implikonte dhe ta shkarkonte, duke qenë se disa të afërm të tij janë mbështetës të Partisë Socialiste. Prençi e ka mbështetur këtë pretendim të tij në faktin se në një prej telefonatave me Pekën ky i fundit i ka kërkuar në mënyrë të prerë që të tërhiqte urgjentisht njerëzit e tij, nipërit e vëllezërit, që sipas Pekës po punonin kundër kandidatit Xhelal Mziu në Kamëz.
Padia e Shemsi Prençit në Prokurorinë e Tiranës:
Telefonata 1
Më datën 10 prill 2011, rreth orës 17:30 minuta jam telefonuar nga ministri në detyrë Avenir Peka, i cili më ka thënë në telefon: “ Çfarë janë ato Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë në Bathore?”. Nga ana ime i kam bërë të ditur në komunikimin me telefon se nuk ka asnjë forcë FNSH të dërguar me mision në Bathore dhe as në gatishmëri dhe dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar verifikimin e informacionit, pasi nuk ishte i saktë.
Telefonata2
Pas disa minutash ministri në detyrë Avenir Peka më ka telefonuar për të dytën herë, duke më thënë se ishin bërë verifikimet dhe se në Bathore nuk kishte forca FNSH, duke shtuar se këto forca duhet të përgatiteshin dhe të ishin në dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pasi kishte ndodhur një incident në Bathore. Menjëherë pas kësaj telefonate, unë jam lidhur në telefon me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili më konfirmoi faktin se nuk ishte dijeni për një situatë të tillë në Bathore. Megjithë këtë fakt, unë nga ana ime, kam bërë përpjekje personale për të marrë informacion mbi situatën në Bathore dhe ato çka mora vesh ia bëra të ditur eprorit tim Muhamet Rrumbullaku.
Telefonata 3
Rreth orës 19:20 minuta, ndërsa unë isha duke udhëtuar nga Sukthi në drejtim të Tiranës me makinë së bashku me nënën dhe nipin tim, më merr sërish në telefon ministri në detyrë Avenir Peka dhe më thotë: “ Bëji gati forcat e FNSH-së Tiranë, lidhu me drejtorin e Policisë së Tiranës dhe duke e drejtuar ti operacionin do t’i merrni zvarrë dhe do t’u shtypni kokën rrugaçëve që mbështesin kandidatin e Partisë Socialiste për Kamzën, sepse kanë shkaktuar një incident në Bathore”. I gjendur në këto kushte, unë i jam përgjigjur ministrit në detyrë, duke iu referuar ligjit “Për Policinë e Shtetit. I kam shpjeguar se unë nuk mund ta zbatoj këtë urdhër, pasi unë duhet të urdhërohem posaçërisht nga Drejtori i Përgjithshëm i policisë. Gjithashtu, i kam thënë ministrit në detyrë se duhet të jemi të kujdesshëm në këto momente, pasi angazhimi i FNSH-së në periudhën zgjedhore është i ndaluar dhe në rast urdhri për t’u angazhuar këto forca, një kopje e urdhrit duhet të protokollohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë interpretimit të kërkesave ligjore nga ana ime, ministri në detyrë Avenir Peka më ka kërkuar ndërprerjen e bisedës telefonike, duke më thënë se po e kërkonin në telefon.
Telefonata 4
Pas pesë minutash, ministri në detyrë Avenir Peka më telefonoi sërish. Më kërkoi medoemos zbatimin e urdhrit dhe pasi unë e kam refuzuar ai më ka thënë: “Të kërkoj të tërheqësh me çdo kusht vëllain tënd, nipat e tu, dhe të gjithë njerëzit e tu që janë kundër Xhelal Mziut në Kamëz”. I gjendur përpara këtij fakti, unë i kam thënë ministrit në detyrë se ishte e tepërt që ai të më krijonte mua një situatë të tillë bazuar në dezinformime që i vinin nga Kamza. I kam thënë se unë kam familjen time dhe nuk bashkëjetoj me vëllezërit dhe të afërmit dhe se nuk mund t’u imponoja dot unë atyre bindjet e tyre politike. Pasi i kam thënë këto fjalë, ministri në detyrë më është drejtuar me këto fjalë në telefon: “Unë të njoh mirë ty, prandaj zbato urdhrat, sepse unë të shkrij fare!” Unë isha i ndërgjegjshëm se ministri në detyrë ishte në një gjendje shumë të irrituar dhe pikërisht në atë moment shtrëngova forcat e mia për të ruajtur gjakftohtësinë. Pasi më ka thënë ato fjalë, unë i kam thënë: “Për çfarë shkrirje bëhet fjalë, zoti ministër, pasi unë nga ana ime po këmbëngul në zbatimin e ligjit?”. Pasi i kam thënë këto fjalë, ministri në detyrë më është përgjigjur: “Mos më trego ligjin, por zbato urdhrin se unë të … (sharje nga familja)” dhe pas kësaj fiku telefonin. Kam bërë disa përpjekje për t’u lidhur me ministrin në detyrë, por nuk më është përgjigjur. Në këto rrethana rreth orës 19:40 minuta i kam nisur zotit ministër një mesazh telefonik në telefonin e tij, me të cilin kisha komunikuar edhe më parë me këtë tekst: “Uroj të mbash fjalën për atë që më shave”. Këtë mesazh unë e kam ende të ruajtur në telefonin tim dhe e vë në dispozicion të prokurorisë. Këto janë kontaktet telefonike që kam patur më zv.ministrin në detyrë Avenir Peka. Pas këtyre kontakteve kam vënë në dijeni për gjithë këto fakte eprorët e mi, zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku, si dhe drejtorin e Përgjithshëm të policisë më datën 11 prill ora 09:00.
Prapaskenat e konfliktit, i plagosuri në Bathore nip i Prençit
Arsyet e polarizimit të situatës politike në Bathoren që deri dje konsiderohej një nga hambarët e votave të demokratëve. Kandidati i PS-së, i afërm i drejtorit të FNSH, Shemsi Prençit dhe një ish-mbështetës i PD-së. Ndikimi në elektoratin e Kamzës dhe loja e PS-së me kandidatin.
Ndërsa në Bathore të dielën konsumohej një konflikt dhe gjendje e tensionuar mes militantëve të PD-së dhe PS-së, paralelisht në rangjet më të larta të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit po konsumohej një tjetër betejë, e lidhur drejtpërdrejtë me të parën, mes ministrit në detyrë Avenir Peka dhe drejtorit të Forcave Lëvizëse Operacionale, Shemsi Prençi. Lidhjet e këtij të fundit me ngjarjen e së dielës pasdite në Bathore shkojnë përtej urdhrit të ministrit në detyrë Avenir Peka dhe moszbatimit të tij nga drejtori i specialeve. Nga burime të Prokurorisë mësohet se djaloshi i lënduar në ngjarjen e së dielës, Elvis Vladi, është nipi i Prençit dhe se aktualisht kishte një rol të rëndësishëm në Shtabin elektoral të kandidatit të PS-së në Kamzë, Rakip Suli. Nga ana tjetër, mësohet se Prençi ka lidhje farefisnore me vetë kandidatin Suli. Një situatë e tillë njerëzore përtej asaj ligjore, duket se e ka vënë shumë në vështirësi shefin e forcave speciale dhe të ndërhyrjes së shpejtë, për të hedhur forcat që ka nën komandë në atë zonë.
Përplasja brenda llojit
Socialistët, të ndërgjegjshëm për limitet e tyre në elektoratin e Bathores, kanë bërë manovrën e tyre politike në këto zgjedhje, duke kandiduar biznesmenin Rakip Suli, i cili njihet si një ndër biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri. Prej vitesh ai ka qenë një ndër kontribuesit kryesorë në fushatat e Partisë Demokratike. Ai ka mbështetur shumë deputetë të PD-së dhe kandidatë lokalë të kësaj partie në zgjedhjet e vitit 2007. Por, në ndryshim nga viti 2007, balancat duket se kanë ndryshuar në Bashkinë e Kamzës, ndërsa kandidimi i Rakip Sulit për llogari të socialistëve ka shtuar sigurinë e këtyre të fundit në përballje me PD-në në një zonë ku edhe socialisti më optimist nuk do ta ëndërronte dot fitoren. Suli kishte kërkuar më parë të konkurronte nën siglën e demokratëve në Kamzë, por pozitat e forta të Xhelal Mziut në lidershipin e PD-së dhe disa probleme krijuar biznesit të Sulit nga doganat, e bindën atë që të hidhej përfundimisht në kampin tjetër. Kandidimi për llogari të socialistëve solli interesim të posaçëm deri në nivelet më të larta drejtuese të Partisë Demokratike.
Rakip Suli, përveçse është një kontribues i vjetër në Partinë Demokratike, paralelisht përfaqëson edhe lidhje farefisnore të rëndësishme dhe me influencë në zonën e Kamzës. Njëra prej këtyre lidhjeve është dhe me drejtorin e Forcave Speciale, Shemsi Prençi, ndërsa ky i fundit nga ana e tij është gjithashtu një demokrat “24 karat”, madje një ndër të akuzuarit për rrëzimin e rendit kushtetues në shtator të vitit 1998. Një pjesë e farefisit të Prençit është radhitur tashmë në mbështetje të kandidatit socialist Suli. E gjithë kjo situatë “e çuditshme”, e krijuar me kandidimin e Sulit, ka ushtruar efektet e veta dhe në lidershipin e PD-së. Diku nga fundi i vitit 2010, te drejtuesit kryesorë të PD-së shkuan ankesa nga mbështetës të Xhelal Mziut, kryebashkiakut aktual dhe kandidatit të PD-së, të cilët e bënin përgjegjës Prençin për rreshtimin e të afërmve të tij në krah të socialistëve. Mësohet se i gjendur në këto kushte, Prençi i ka bërë një letër të gjatë drejtuesve të PD-së, duke u bërë të ditur se ai ishte i gatshëm të largohej nga policia dhe të kandidonte përballë kushëririt të tij Rakip Sulit dhe të siguronte fitore dërrmuese të PD-së. Përfshirja e FNSH dhe komandantit të tyre Shemsi Prençi në konfliktin e së dielës, sipas mbështetësve të kandidatit të PS-së në Bathore, mund të konsiderohet si kurth për këtë të fundit, që të tregonte se me cilin krah politik ishte ai.
Dosja e Prokurorisë
Zbardhen telefonatat, Peka-Prençit: Zbato urdhrat, se unë të shkrij fare
Zbardhet deklarimi në prokurori i drejtorit të Forcave Lëvizëse Operacionale në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi. Gazeta MAPO ka patur dje mundësinë të konsultojë deklarimin e firmosur nga vetë Prençi para prokurorëve, ndërsa ky i fundit ka përshkruar në detaje bisedat telefonike, kërcënimin dhe sharjet e ministrit në detyrë Avenir Peka. Në deklarimin e bërë para prokurorëve mesditën e së hënës, Prençi jo vetëm ka përshkruar kërcënimet e ministrit në detyrë, por ka detajuar dhe kontekstin në të cilin janë zhvilluar këto kërcënime.
Comments are closed.
PO PARTIA KOMUNISTE DEMOGRAFIKE PASKA MBLEDHER GJITHE RRUGACET PER MINISTRA SA TURPEEEEEE
Store,ishalla i ka regjistruar te plota bisedat me ministrine.Meqense morali ka vdekur me kohe,pergezime ps-se per levizjen brilante ne kamez.
Po edhe ky miku 24 karatesh, paska reaguar vetem se i eshte prekur familja dhe jo se i plasi per rregullat e kushtetuten. Me pak fjale, ketyre “demon-krateve”, vetem po tu q. nenen Saliu mund te reagojne, ne te kundert “amin” jane nga mengjesi deri ne darke.