Behrami e Krasiç, mitrovicasit e ndarë nga lufta

15 Prill 2011, 14:05Sport TEMA

Përballja ndërmjet Fiorentinës dhe Juventusit do të jetë e veçantë për dy futbollistët nga Mitrovica, Valon Behrami dhe Milosh Krasiç. Edhe pse vijnë nga i njëjti shtet, qyteti i tyre është i ndarë nga një lum, në dy pjesë. Ata kanë histori të ndryshme nga lufta, por të dielën do ta harrojnë të kaluarën, duke zbritur në fushë për të ndihmuar skuadrat e tyre.

Mitrovica është një qytet i ndarë. Ashtu siç ishte Berlini, por pa mur. Mitrovica është e ndarë nga një lum, i cili është bërë një simbol trishtues: në njërën anë ndodhet komuniteti shqiptar, e në tjetrën ai serb. Janë plagë të një lufte e cila, jo vetëm që është shkruar në librat e historisë, por edhe në ndërtesat e dëmtuara nga predhat.

Natyrisht, kjo histori është edhe në mendjen e djelmoshave si Valon Behrami e Milosh Krasiç, dy kampionë të lindur, me kombësi të ndryshme, të cilët do të jenë kundërshtarë dhe do të sfidohen edhe në Firence.

Kështu u ka kushtuar një tekst këtyre dy futbollistëve e përditshmja italiane, ‘Corriere dello Sport’.

Në fushë, vijat e saj do të jenë ato që do t’i ndajnë këta lojtarë. Ndërsa në Mitrovicë, punët qëndrojnë ndryshe. Këtë qytet e kontrollon KFOR-i, një forcë multi-nacionale e paqes nga NATO, e cila ruan sigurinë në mes të Urës së famshme të Ibrit.

Sepse, në mendjen e atyre që e përjetuan këtë luftë, qëndron ende një kujtim, një urrejtje dhe nuk mungojnë as tensionet. Pjesa e shqiptarëve në Mitrovicë numëron rreth 80 mijë banorë, kurse në Veri të saj jetojnë 20 mijë serbë.

Varfëria dhe shpresat për një jetë më të mirë, janë pjesë e pandashme në Mitrovicë. Mirëpo, të dielën këto të dyja do të lihen anash, të paktën për 1 orë e gjysmë, kur Valoni e Miloshi do të përballen në mes tyre.

Valon Behrami, shqiptar, me pasaportë zvicerane, luan tek Fiorentina, kurse Milosh Krasiç, serb, luan te Juventusi. Milosh kujton se deri në vitin 1999, qyteti nuk ishte i ndarë, se në këtë qytet mbizotëronte normaliteti dhe se ura ishte ajo që i mundësonte që të shkonte në shkollë me shokë. Ai e ka përjetuar luftën…

Kurse Valoni ka kujtime të tjera: ai ishte larguar nga Kosova kur ishte pesë vjeç. Problemet politiko-ekonomike ia kishin mohuar punën babait të tij, Ragipit, zyrtar i një fabrike dhe nënës Halime, sekretareshë, kështu që kjo familje kishte vendosur që të merrte rrugën drejt Zvicrës, ku kishte kërkuar dhe kishte fituar azilin, pas katër vjetësh dhe katër tentimesh të refuzuara.

Kështu, Valoni është bërë qytetar zviceran, por ai nuk e ka harruar kurrë vendin e tij, Kosovën, ku vraponte me një top më të madh se vetë ai, kur ishte fëmijë. Behrami ëndërronte, siç bëjnë sot fëmijët e Mitrovicës, që dëshirojnë të bëhen si ai, ose sikurse Miloshi./express/

Lini një Përgjigje