Fushatat zgjedhore në Shqipëri duhet të klasifikohen pa frikë si një nga gjërat më të shpifura në botë. Është teprim? Mua nuk më duket kështu, dhe ndërsa them këtë nuk është se harroj, që ka plot shqiptarë që i shijojnë këto fushata, që argëtohen prej tyre, që fitojnë e përfitojnë ndonjë gjë në këtë mes. Mirëpo ka shumë të tjerë (kam arsye të mendoj që është pjesa më e mirë e më qibare e shqiptarëve) që, të gjendur në mes të tollovisë së një fushate zgjedhore si kjo e këtyre ditëve, provojnë një nausea Sartre-iane. Kanë qënë të shumtë njerëzit, që me këtë rast e kanë thënë të vetën sa herë që kanë mundur. Unë jam përpjekur të bëj tok dhjetë motive, se pse kësaj fushate i duhen dhënë munxët.
1. Partitë bëjnë çmos t’i japin fushatës së tyre formën e një show gjigand. E ç’është më e keqja, në çdo rast është një one-man show (duke përjashtuar tubimet e fundit, në të cilat do të shohim se s’bën të ngjiten në skenë hordhitë e këngëtarëve shqiptarë). Është bukur të ndjekësh një one-man show, por kur në skenë ngjitet një artist i madh, e jo një palo politikan.
2. Në rrethana të tilla ndiqen e përndizen keq shpirtrat e shqiptarëve. Çdo ditë ka lajme përplasjesh mes militantësh. Kemi zgjedhur ne t’i quajmë militantë, por në fakt janë gangsterë të paguar nga partitë për të dominuar terrenin. Në një nanonews ftoja gazetat e televizionet të përuronin një kënd gazetaresk me titull “Dhuna zgjedhore”. Nuk do heqin keq për lajme. Përveç kësaj, ka për të qënë një rubrikë e ndjekur. Duhet shpresuar, megjithatë, që dhuna të mos prodhojë të vdekur. E vutë re? Nuk thashë “viktima”, pasi viktima ka prodhuar tanimë. Secili prej nesh është, pa e kuptuar, një viktimë e kësaj dhune. Nuk ka rëndësi që kjo dhunë s’na prek. Ne jemi, prapseprapë, viktima të saj.
3. Tubimet elektorale bëhen vetëm nëpër sheshe, dhe bëhen në atë formë, ku komunikimi mes politikës e qytetarëve është i pamundur. Vetëm në Shqipëri preferohen rrugët, sheshet dhe tubimet e mëdha për të përcjellë mesazhet elektorale. Ndoshta ngaqë duan të mos komunikojnë. Sipas meje, kush shkon në tubime të tilla fyen veten.
4. Pak më sipër përmenda termin “dominim terreni”. Kush del nga shtëpia, do të ndeshet se s’bën me makina që vijnë vërdallë duke mbajtur flamuj të PD-së në stilin e makinave ambasadoriale. Por edhe sikur të mos ish kjo puna e makinave, të marrin frymën banderolat, parrullat, sloganet e varura në shtylla anës rrugëve të qyteteve, posterat, etj. Po ta mendosh hollë-hollë vetëm posterat janë të nevojshëm; të tjerat janë dekori i një propagande në stilin fashisto-komunist. Synimi është thjesht “dominimi i terrenit”. Si provë force.
5. Gjatë fushatës praktikisht nuk ka më lajme televizive (duke përjashtuar kronikën e zezë dhe atë rozë, nga e cila televizionet tona s’kanë për të hequr dorë kurrë); ka vetëm propagandë politike. Është një propagandë vulgare dhe krejt e papërpunuar me ritëm e logjikë tubimesh.
6. Nuk di ju, por unë nuk gjej vend për t’u futur gjatë fushatës. Doni të më sugjeroni një bar a kafene? E keni kot. Sapo vë këmbë aty, do të dëgjoj zërin e Ramës, Berishës, Metës, Bashës, etj, të cilët flasin nga tribunat e improvizuara të tubimeve të tyre. Të zotët e bar-it kanë ndezur televizorin, dhe e kanë sintonizuar tek kanalet që japin informacion non stop. Ka vetëm një zgjidhje për ata që duan t’i bëjnë bisht tollovisë elektorale: të kyçen në shtëpi dhe të mos e hapin televizorin. Por edhe aty mund t’u vijë ndonjë sms nga shtabet elektorale, ku u thuhet: votoni për x-in! S’ka shpëtim, atëherë? Jo, s’ka.
7. Ka premtime, premtime, premtime; dmth rrena, rrena, rrena. Nuk ka gjë më të shpifur se ta të jesh i detyruar të shohësh live në TV një kandidat duke takuar njerëzit. Njëri i thotë, se “kjo rruga është e pasfaltuar”, dhe ai ia kthen “ma jep votën dhe do ta asfaltoj unë me të ardhur në pushtet”; tjetri i thotë, se “nuk kanë një park të vogël, ku të dalin”, dhe përgjigja është e hazërtë: “do të ndërtoj unë parqe”, etj, etj.
8. Kam dhe një problem personal me fushatat. Nuk duroj dot, pasi më ndalojnë në rrugë e më pyesin: kush do të fitojë? Mirëpo unë s’e kam idenë se kush do të fitojë. Unë di me siguri se kush do të vjedhë votat.
9. Ka shumë ambasadorë në xhiro. Në Shqipëri ka gjithëherën ambasadorë, por gjatë fushatës prania e tyre rritet. Nuk është se kam ndonjë gjë me ta. Thjesht u qaj hallin. Lodhen për ne, e thonë gjëra shumë të mençura (ja, si dje në Vlorë). Dhe ne nuk e meritojmë këtë lodhje të tyre fizike e këtë kokëçarje të tyre intelektive.
10. Është i vetmi rast, kur unë bëj biseda politike me fëmijët e mij. Nuk është zgjedhja ime. Janë ata që, të cytur prej atmosferës, duan të dinë me saktësi se çfarë po ndodh. Dhe unë u përgjigjem, duke mos harruar në fund t’u them, se “bëjnë mirë t’i rrinë larg fushatës”. Pse? Sepse nuk është fushatë. Është thjesht një festival i dhunës.
Comments are closed.
Edhe Ju,zoti Nano,nuk dilni dot nga shpura mediatike qe ka vite qe vendos simetri ne ushtrimin e dhunes?
Perderisa jeni i sigurt per ate qe do te vjedhe votat,rrjedh vetiu se kush dhunon e gjeneron dhunenne menyre permanente.I bie,sipas jush,te barazohen agresoret me viktimat.Kete po e bejne shume mire serbet me Kosoven si nje strategji te kalkuluar me aplikim te njejte ne te gjithe hapesiren shqiptare.
10mije lek ne dore ,,udhetimi falas me otobus dhe nje pilaf rruges….behesh pjesemarres ne mitingje….karagjozllek
Mustaf,
Akoma ne kafe ti?????!!!!
Ja pra perse Shqiperia do edhe shume kohe te behet,kjo ka lidhje edhe me nivelin tend or Muç,qe te me falesh por nuk e di per ke kategori intelekti shkruan!Ma merr mendja keta qe lexojne “Temen”i revolton e ofendon ky lloje shkrimi,.ta ka enda ,s’ta ka enda.