Nga Kledian Lula, [email protected]
Nxitje për këtë shkrim u bë një e-mail i dërguar nga një intelektuale e quajtur Melisa, me reagimin për grupin e intelektualëve që dolën përpara shqiptarëve, si “ideatorë shpëtimtarë të Tiranës”, por që në fakt u (vetë)prezantuan si “karrikues” politik e amoral të kandidatit “SALI”, holandezit Lulëzim Basha. Melisa është kundër denigrimit, keq-përdorjes dhe vetë-përdorjes së shëmtuar të intelektualëve e për këtë na sjell si argument rastin e prindërve të saj, duke treguar: “Unë e kam përjetuar demokracinë shqiptare, kur isha në adoleshencë. Në ato vite shikoja prindërit e mi intelektualë, që u përfshinë në lëvizjen demokratike me pasion e sinqeritet. Ishin të tillë, që ngrinin probleme, mbronin personalitetin e tyre dhe të të tjerëve, kërkonin drejtësi e sinqeritet. Por “qëndresa” e tyre si aktivistë brenda PD (që kishte pushtetin në ato vite) zgjati fare pak kohë. Prindërit u zhgënjyen shpejt, mbasi përjetuan dhe nuk përballuan dot dy momente kryesore me të cilët i përballi fytyra e politikës. Së pari, tendencën dhe praktikën banale për t’i keqpërdorur si “kukulla e vegla qore” nëpër mitingje e takime false në favor të liderit të PD. Së dyti, për shkak të mos pranimit të këtij skllavërimi moral poshtërues, ata u sulmuan me ofendime e kërcënime në mënyrë vulgare nga “jeniçerët specialë” të kupolës e të bazës së partisë, deri me spostim dhe largim prej aktivitetit politik e shoqëror si intelektualë. Nuk janë vetëm prindërit e mi që e kanë përjetuar këtë gjë. Edhe unë e tillë jam ndier këto vite prej politikës”.
E bëra publik mesazhin e Melisës, jo për të “ndëshkuar” atë “batalion intelektualësh” që shërbyen si “dekor” e “radio dore” për dyshen SALI-LULI, por për të dalë tek një problem aktual esencial, madje me tregues përcaktues për fatin e zhvillimeve, në këtë zallamahi shqiptare që ka krijuar pushteti dhe politika. Eshtë fjala për intelektualët, këtë kategori sipërore e potenciale shoqërore, që duhet aktivizuar. Po çfarë po ndodh me intelektualët shqiptarë? Cili është vlerësimi ndaj tyre? Cili është pozicionim i tyre publik? Rasti i “intelektualëve LULI”, dëshmon se kjo pjesë e shoqërisë, vazhdon të jetë “manekine” në duart e politikës, të pushteteve, të interesave që burojnë prej borderosë zyrtare dhe aktivizimeve të tilla, si dikur në “Këndet e Kuqe”, apo “Nismat e letrat revolucionare”.
Inteligjenca “SALI-LULI” në “gjunjë” përpara pushtetit
Që në fillimet e politikës, inteligjenca shqiptare u fut në rreshtat e politikës ose u vendos përkrahë saj dhje kjo ishte nevojë e kohës për të orientuar lëvizjet. Por pak kohë pas aktivizimit, një pjesë e inteligjencës, ajo që kuptoi se vendi i saj nuk ishte në këto rreshta mitingjesh e parullash mashtruese prej kartoni, u spostua dhe tentoi të gjente pozicionin e saj të mundshëm e të duhur. Pjesa e intelektuale që rezistoi, u spostua nga politika me denigrime dhe me mekanizmin e votës së manipuluar dhe kjo ishte pjesa më dramatike e inteligjencës shqiptare e zhgënjyer nga pluralizmi arkaik, mospërfillës e goditës ndaj karakterit dhe aftësive të saj. Pjesa tjetër, kontigjenti i quajtur “atdhedashës”, vazhdon të qëndroj brenda këtij vendi të sfilitur, me mendimin për të bërë diçka për kombin, me shpresën se do të vij dita e ndryshimit, e ikjes së kësaj politike paralizuese. E gjendur e vetmuar e shpërfillur, pjesa e ndershme e potenciale e inteligjencës, nuk ka ende një pozicion të sajin, të vendosur kundër kësaj klase politike që ka marrë frenat e drejtimit të vendit dhe nuk po e lëshon “kapistallin” e punëve, përkundrazi të sulmon, të largon nga puna, të kërcënon e të vret nëse kërkon ndryshimin. Pjesa tjetër e inteligjencës, është pjesë e quajtur “plastelinë” e cila ka pranuar me vetëdije, të jetë nën këpucën e politikës e të pushtetit dhe të marrë formën që i jepet pas shtypjes. Pushteti “SALI” ka 20 vite që krijon, flak tutje e rikrijon “batalione” intelektualësh të cilët i hedh në veprim kur i duhen. Pasi ka rekrutuar disa “kokrra të inteligjencës” së vendit, politika po i përdor ato si “monstër” publike të demagogjisë së saj në raport me problemet jetike e kombëtare që ka populli dhe vendi. Pushteti i “ushqen” këta kallë-intelektualësh (u thënçin) si ata “konet e cirkut”, duke i mbajtur në “oborr” për çdo rast aktivizimi publik. Këtë bëri PD e SALIU, kur i çoi LULIT në dispozicion 130 intelektualët ‘figurina”, këtë kontigjent intelektualësh rekrutë, të cilët siç i njohin në Tiranë, kanë shkëputur lidhjet me “trurin” dhe i kanë krijuar me postet politike, zyrtare e përfituese të pushtetit. Aq komikë u bënë këta “intelektualë rekrutë”, sa që psh, drejtori i spitalit, në vend ta pyeste LULIN për shëndetësinë që i mungon edhe shiringa, ngrihej dhe e pyeste për reklamat e dyqaneve. Ose arkitekti, në vend ta pyeste e t’i kërkonte shpjegime për urbanistikën, ngrihej dhe e pyeste LULIN se cili do jetë vendimi i parë që do marrë.
Inteligjenca dinjitoze, në trotuare duke shitur lecka e fara
Por inteligjenca e vërtetë, ajo për të cilën ka nevojë ky vend, ku gjendet? Përderisa nuk I nënshtrohet politikës, përderisa nuk është në sallat dhe tribunat e takimeve false të politikës, përderisa nuk është në sheshe me parulla kartoni “Rroftë SALIU”, apo “Fitore për atdhetar LULIN” etj, natyrisht që gjendet e denigruar, e shpërfillur dhe e mjeruar në rrugë, roje objektesh, duke shitur lecka, fara e banane në trotuare, ose në emigracion. Kjo inteligjencë “rebele” jo servile zvarranike është aktualisht e shpërfillur, e larguar nga e drejta për t’u bërë faktor drejtimi e punëve të vendit. Ajo nuk aktivizohet nga shteti, pushteti dhe qeveria në problemet e mëdha që ka integrimi i Shqipërisë. Ajo është jashtë konsulencës qeveritare, jashtë ligjvënies, jashtë vendimmarrjes, jashtë administratës, jashtë institucioneve shkencore, jashtë tavolinave të debatit zhvillues, jashtë gjithçkaje, që organizohet prej intelektualëve “urithë” e që përdoret për interesa personale prej “ustallarëve të pisët” të politikës. Sepse, kështu i intereson politikës. Ndaj dhe ka gjetur atë “batalionin” e “intelektualëve LULI” që i përdor duke u vënë maskën që i duhet. Pse duhen intelektual kukulla, pa personalitet publik e interesaxhinj? Sepse po u bë aktivizimi inteligjencës VLERË, del në shesh paaftësia dhe mediokriteti i politikanëve e pushtetarëve “me shkolla të larta”, i atyre që megjithëse nuk kanë “fara në kokë”, drejtojnë gjithë piramidën politike e zyrtare të këtij vendi. E kështu, ky vend vazhdon të përfaqësohet me njerëz që nuk dinë as të lexojnë, që nuk arrijnë të krijojnë dot as tre fjali, me individë që lexojnë me rrokje, me qeveritarë që nuk kanë asnjë studim shkencor në fushat e tyre profesionale, me ish-mësues të qepjes së topave e të punës me dru, me ish-agronomë që nuk dinë se kur korret misri, me ish-mjekë që nuk dinë të matin as tensionin, me ish-shkrimtarë që kanë bërë vetëm poezi e tregime politike etj, etj, etj. ndaj dhe ata që i duhen vendit spostohen dhe lihen në rrugë të shesin fara e banane. Ndodh kështu, sepse ky kallëp politikanësh e qeveritarësh, disponon të drejtën të përcaktojë se cilët intelektualë duhet të aktivizohen, cilët duhet të drejtojnë institucionet shkencore e kulturore, cilët duhet të bëjnë studimet e prognozave të sektorëve prioritarë të vendit. Sepse këta “kokëboshët” e xhep plotët” janë kapot e vendit. Ndërsa inteligjenca, përballë kësaj shpërfilljeje, për më tepër e përfaqësuar prej “intelektualëve vemje”, gjenden të spostuar, të mbetur edhe pa vaktin e bukës në tavolinë.
Injoranca në pushtet nuk hap rrugë, 35% e inteligjencës në emigracion
Në këto 20 vite, veçanërisht kohët e fundit, Shqipëria vazhdon të ketë një firo të dukshme, të ndjeshme të specialistëve, shkencëtarëve, studiuesve, artistëve, mjeshtërve të prodhimit. Kjo shifër IKJEJE masive nga vendi, ka arritur në 35 % të masës së përgjithshme të inteligjencës. Sipas testimeve, ata kanë ikur për të mos u kthyer më, sepse nuk mund të bashkëjetojnë me një realitet poshtërues e shkatërrues për ta dhe veprimtarinë e tyre. Ata kanë pranuar të kryejnë edhe punë jashtë profesion, madje të rëndomta në shtetet e botës, por kurrsesi të jenë intelektualë “lango”, të tipi “SALI- LULI”, pra të jenë “pula” që të “kakarisin” për SALIUN e me urdhër të SALIUT. Ata kanë “marrë malet”, sepse shteti i tyre, qeveria e tyre, vendi i tyre ku ata janë diplomuar e kanë punuar, nuk po u afron asgjë, madje as vende pune për bukë, sepse këto të drejta vazhdojnë të mbeten monopol i zyrave të “kuadrit” të partive, të cilat, nuk të pranojnë në punë, nëse nuk mban parullat e mitingjeve, nëse nuk bëhesh shërbëtor i fushatave elektorale, nëse nuk bëhesh servil e bashkëautor i heshtur dhe i bindur në pisllëqet që gatuajnë politikanët. Këtë braktisje e diktojnë pagat e ulëta, dhuna administrative, mospërfillja, mungesa e punës, mungesa e hapësirave për të shprehur idetë dhe aftësitë për probleme të ndryshme, që duhen zgjidhur e duhen mbarëvajtur në procesin e integrimit. Politika e di mirë këtë realitet dhe nuk përpiqet ta parandaloj, ose të krijojë kushte të paktën minimale bindëse e konkrete, për ta kthyer në Shqipëri “trurin” e ikur të kombit. Përkundrazi, po vazhdon të jetë e ashpër e mospërfillëse ndaj saj, duke luajtur me personalitetin e njerëzve të ditur e të nevojshëm të këtij vendi. Inteligjenca po largohet, sepse po kupton përfundimisht, që nuk mund të jetë pjesë e lirë dhe e pranueshme, e respektuar, e aktivizuar dhe e shpërblyer në veprimtarinë e saj, për aq kohë sa politika po e bllokon, po e denigron, po e sposton. Dhe e gjithë kjo masakër anti-intelektuale po inskenohet dhe po realizohet prej 20 vjetësh, nga “çetë” pushtetarësh dashakeq ndaj kombit, mafiozë, primitivë e analfabetë si pushteti “SALI”, të cilët po e komandojnë këtë vend e këtë popull me sulltanizëm, të maskuar pas demokracisë false.
Comments are closed.
Faleminderit………..
Mendoj se bëni gabim që i quani këta përsona me emrin “Intelektualë”.
Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë përcaktim.
Duhet gjetur një emër i ri për ta, si psh “intelekt-halè”. Eshtë i përçmuar , por edhe puna e tyre po kaq e përçmuar është.