PD mbyll fushatën, Berisha e Basha protagonistë të vetëm

7 Maj 2011, 10:04Politika TEMA

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë mbyllur fushatën elektorale për 8 majin nën fishekzjarret në sheshin Nënë Tereza. Protagonistë të vetëm të këtij mitingu ishin Sali Berisha dhe Lulzim Basha duke sfumuar krejtësisht aleatët, të cilët nuk kishin as vend në tribunë, por poshtë saj. Kreu i LSI-së Ilir Meta ishte në rrjesht me deputetët e PD-së, ndërsa kreu i republikanëve Fatmir Mediu dhe ai i partisë çame Shpëtim Idrizi nuk u kapën nga kamerat dhe pse flamujt e partive të tyre valëviteshin pranë flamujve të PD-së. Nuk mund të mos binte në sy takimi i përzemërt dhe puthjet që shoqëruan takimin e Bashës me drejtues të lartë të PD-së, të cilët nuk janë shfaqur fare në krah të tij në këtë fushatë. Megjithëse njihen si rivalë brenda partisë dhe nuk kanë komunikim me njëri-tjetrin, Basha është përqafuar para kamerave ngrohtësisht me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Më tej ai përqafoi dhe deputetë të tjerë, drejtues të vjetër në selinë blu, Ridvan Bode, Sokol Olldashi, etj, ndërsa mori gjithë vëmendjen e atij mitingu. Kryeministri Berisha, i cili për herë të parë foli në kryeqytet u shfaq me zë të ngjirur nga mitingjet e shumta në rrethe. Ai e nisi fjalimin duke iu drejtuar Lulzim Bashës si qytetari numër një i ardhshëm i Tiranës dhe kërkoi votën për të. Gjithashtu Berisha ngriti lart dhe emrat e kandidatëve të tjerë në rrethe. Ndërsa Lulzim Basha, i cili foli i pari në miting dhe shumë më gjatë se Berisha ripërsëriti dhe një herë premtimet e tij dhe kërkoi votën duke akuzuar kryetarin aktual të Bashkisë se merret me sherre politike dhe jo me hallet e qytetarëve. Nga sheshi “Nënë Tereza” kryeministri Berisha i ka kërkuar të gjithë shqiptarëve të votojnë alternativën e tij, si e vetmja që hap rrugën e Europës, ndërsa qytetarëve të Tiranës t’i japin votën Bashës, i vetmi sipas tij që do punojë për Tiranën jeshile, për Tiranën e shëndetit. “Qytetarë dhe qytetare krenarë të mbarë Shqipërisë, ju bëtë realitet ëndrrën shekullore të lëvizjes së lirë. Ju bëtë që Shqipëria të jetë destinacioni turistik i globit. Shqiptar dhe shqiptare kudo që jeni, sot secili prej nesh, ka vetëm një ëndërr: Tiranën e zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar, Tiranën Europiane, Shqipërinë Europianë. Qytetarë dhe qytetare vota për Lulzim Bashën është vota për të ndërtuar së bashku Tiranën jeshilë Tiranën e shëndetit”, tha kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha i kërkoi të gjithë shqiptarëve të mbajnë së bashku, zgjedhjet më të lira dhe më të ndershme në histori, pasi sic tha ai, ato vulosin të ardhmen tonë. “Le të shkojmë në këto zgjedhje që mbahen në ditën e ngadhnimit të lirisë dhe vlerave, në ditën e zotimeve tona ndaj vlerave. Le të nderojmë ne miqtë tanë që na mbështetën. Të vulosim të ardhmen tonë me votën e lirë”, shtoi kreu i qeverisë.

Basha: Kam fshirë lot të pabindur larg kamerave

Fjalimi i fundit i fushatës për kandidatin e mazhorancës Lulzim Basha ishte më shumë se sa melankolik. Ai ka arritur deri atje sa të thoshte se kishte lotuar gjatë kësaj fushate, duke fshirë lotët larg kamerave (të cilave kamerave, sepse nuk njoftonte asnjë media për aktivitetet). Basha duke rendur të ishte sa më I dhimbsur në fjalimin e  fundit tha se “këto javë pranë qytetarëve të Tiranës, përjetova një zgjim të ndjenjave më të forta, dhe ju rrëfej se ndonjëherë larg kamerave kam fshirë edhe ndonjë lot të pabindur por të hidhur, por Tirana nuk ka nevojë për lot dhe as për ambicie personale”. Ai ka sulmuar kundërshtarin e tij në këtë garë, kryebashkiakun aktual prej tre mandatesh Edi Rama duke e akuzuar se merret me politikë dhe jo me hallet e Tiranës. “Tirana ka nevojë për kontributin e bijve të saj të devotshëm e idealist. Askush nuk mund të drejtojë nëse nuk dëgjon, por dëgjon vetëm jehonën e zërit të ambicies së tij politike”, u shpreh pretendenti për qytetar të parë të kryeqytetit. Sipas tij një kryetar bashkie që merret me betejat e tij politike nuk i zgjidh dot problemet e qytetarëve, prandaj shtoi ai sot është koha për një kryebashkiak që vë të parin qytetarin dhe të parën Tiranën. Basha vazhdoi akuzat ndaj Ramës duke thënë se ai nuk merr përsipër të krijojë vende të reja pune dhe nga ana tjetër siç tha Basha ka si qëllim luftën politike e bllokimin e projekteve për qytetarin.“Kam premtuar dhe do realizoj vende të reja punë, unazën e Tiranës, investime të reja. Kryetari Ramas thotë se nuk është detyra e tij për vende punë, për mua vendet e punës për ju, prioriteti numër një. Unaza e re çliron trafikun, Rama kundër unazës sepse refuzon të bashkëpunojë më kundërshtarët politikë, duke e mbajtur këtë projekt peng. Kryetari Rama ngre duart përpjetë për çmimet, unë mendoj se ai duhet të jetë i pari në krye të punëve dhe përgjegjesive të tij”, shtoi Basha.

1 komente në “PD mbyll fushatën, Berisha e Basha protagonistë të vetëm”

  1. dymi says:

    E gjith kjo fushate e Lul-it te Sal-iut ishte nje farse e ndyre e inskenuar mjaft trashe nga lakejte e tipit Cili, Zheji etj. U munduan pa sukses qe, me fabrikime te takimeve te peshtira gjoja intelektualesh eunuk, me perlotje e pergjerime qytetaresh e te kandidatit,jashte kamerave e te tjera truke, t’i mbushnin mendjen popullit se ata nuk jane sic ai i njeh, se jane ndryshe. Zheji thote ne pacavuren e Cilit se fushaten e Lul-it e ka karakterizuar “deshira… per Paqe e Pozitivitet”.
    Kush e garanton kete deshire?
    -Sal-iu qe vetem leh e cirret.
    .-Sal-iu qe vetem akuzon.
    -Sal-iu qe vetem shkateron e nuk di te ndertoje.
    -Sal-iu qe si plakat e keqia di vetem te shpif e te pergojoje njerezit e shtepise te kundershtareve.
    -Sal-iu qe edhe kur nis ndonje veper, gjysma e fondeve shkojne ne xhepat e familjes se tij biologjike e klanore.
    -Sal-iu qe vret diten per diell e thote qe te vrau shoku me stilolaps pistolete.
    -Sal-iu, qe per interesat e karrikes se tij, eshte gati te shese gjysmen e Shqiperise, sic i shiti kilometra te tera deti Greqise.
    Sado te robtohen Cili, Cani, Cupi, Zheji e te tjere letyra te ketij tipi qe ju ka dale boja, sepse jane shitur per euro,licensa apo poste zyrtare, nuk do te mund te arijne ta bejne te zezen te bardhe,diktatorin demokrat, ariun e shpellave njeri te civilizuar.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje