Socialistët nuk kanë preferuar të bëjnë miting bombastik duke mbushur sheshet me njerëz të sjellë nga rrethet në mbyllje të fushatës zgjedhore për 8 majin. Organizatorët në selinë rozë bënë të ditur dje për gazetën se mitingu përmbyllës i mbajtur në “Asllan Rusi” ishte vetëm për qarkun e Tiranës, duke mos sjellë njerëz nga rrethet për një miting gjithëpërfshirës. Kjo zgjedhje, sipas tyre, është bërë për t’i kushtuar më shumë rëndësi punës në terren për zgjedhjet e së dielës në çdo qendër votimi se sa imazhit të një mitingu.
Në Pallatin e sportit “Asllan Rusi” qytetarët e Tiranës kanë pasur mundësi të dëgjojnë të gjithë kandidatët për njësitë bashkiake, kandidatin për bashkinë Vorë, Kamëz dhe Kavajë si dhe kandidatin për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama. Një minidokumentar i quajtur “Tirana 0” ka treguar pamje nga Tirana para se Rama të bëhej kryebashkiak dhe ndryshimin e saj nga puna e bashkisë në këto 10 vite të qeverisjes së tij. Gjatë fjalës së tij Rama ka kërkuar votën për atë që ai e ka quajtur të vetmen rrugë për punësim dhe një jetë më të mirë. Ai ka thënë se kandidati i Saliut për Tiranën fyen qytetarinë sepse ai minimalisht nuk duhej të ishte më në politikë për shkak të përgjegjësive që mban në kurriz. Rama kujtoi katër të vrarët në Bulevard më 21 janar duke vënë gishtin e përgjegjësisë mbi Berishën dhe Bashën.
Rama: Jo pushtetit që grabit votën
Kryetari i PS-së, Edi Rama, shoqërohej nga bashkëshortja e tij Linda dhe dy fëmijët, djali i tij Grigori dhe vajza e Lindës. Mitingu u hap me prezantimin e kandidatëve socialistë për kryetar të minibashkive në qarkun e Tiranës dhe 11 njësitë vendore. Pas paraqitjes së një videoje me pamjet filmike ku tregohej si ka qenë Tirana ku është tani dhe të ardhmen e saj e mori fjalën kryetari i PS-së, kandidati për kryetar i bashkisë së Tiranës Edi Rama. Rama foli për Paktin qytetar duke thënë se me zgjedhjet vendore dhe më pas me zgjedhjet e përgjithshme do t’i jepet zgjidhje problemit të papunësisë. Ai bëri thirrje të votojnë për Ramën, për PS-në dhe për kandidatët e “Aleancës për të Ardhmen” që “ti japim fund kaosit territorial e t’i hapim rrugë ndryshimit të Shqipërisë që dikur quhej zonjë e rëndë dhe që sot po sakatohet nga një pushtet i vjedhur dhe një pushteti që vrau se do të vjedhë”. Më tej Rama tha se “ne jemi e vetmja rruga e çdo njeriu të zakonshëm që beson te Shqipëria dhe talenti i këtij populli të mrekullueshëm, që beson tek puna, ndershmëria, bashkëjetesa qytetare pavarësisht përkatësive krahinore, fetare, partiake, gjinisë dhe moshës. Kjo është e vetmja rrugë, rruga e ‘Aleancës për të ardhmen’”. “Sot ne kemi nënshkruar një pakt qytetar, për punësimin, familjen dhe ëndrrat që bëhen realitet. Ky pakt është angazhimi ynë solemn përpara të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë për t’i hapur një luftë të ashpër papunësisë që kërcënon të ardhmen e çdo shqiptari. Ne jemi angazhuar solemnisht në paktin tonë qytetar për të mbështetur të rejat e të rinjtë që të dalin nga rruga e papunësisë dhe të hynë në rrugën e punës dhe jetës së ndershme. Ne jemi angazhuar për t’i bërë lehtësira të forta fiskale çdo biznesi prodhues se ne parafytyrojmë një atdhe që ofron vende punë dhe mundësi për çdonjërin që kërkon punë të ndershme. Kurrë më presione mbi nëpunësit e shtetit. Kurrë më presione mbi ata që paguhen me kontributet e qytetarëve dhe kërcënohen me bukën e gojës”, është shprehur Rama. “Ne jemi angazhuar që ta përkrahim dhe mbrojmë familjen shqiptare. Asnjë taksë për të gjithë katëgoritë në nevojë. 50 përqind të qerasë për çdo familje të pastrehë që nuk mund ta paguajë. Pjesë të pandarë të përkrahjes, kujdesit dhe mbrojtjes së familjes shqiptare, ne mbrojmë të ardhmen e çdo mësuesi. Kurrë më mësues që merren me forcë në mitingjet e qeverisë. Kur më mësues ku shteti tenton t’u diktojë dhe marrë me forcë votën. Jemi angazhuar ta bëjmë zero TVSH-në e ilaçeve sepse nuk mund të ketë të moshuar që të marrin ilaçe me listë në vitin 2011. Jemi angazhuar të kemi një vend me 100% rrugë të asfaltuara, me pastrim shembullor dhe një transport publik të standardeve evropiane siç është Tirana e sotme”, theksoi Rama. Kreu i PS-së më pas iu është drejtuar të gjithë votuesve duke theksuar se PS-ja dhe “Aleanca për të ardhmen” janë e vetmja rrugë për të ardhmen e këtij vendi. “Motra dhe vëllezër më lejoni që t’ju përshkruaj arsyet pse një qytetar i Tiranës pavarësisht bindjeve dhe përkatësisë duhet të votojë për mua, PS-në dhe ‘Aleancën për të ardhmen’. Çdo prind i këtij qyteti duhet të votoj për ‘Aleancën për të ardhmen’ dhe kandidatët tanë, sepse asnjë prind që vërtetë e do fëmijën e tij, ashtu siç çdo prind, nuk mund të lejojë kërcënimin e mësuesit të fëmijës së tij. Ai është qenia më e dashur dhe shtylla e një shoqërie demokratike të emancipuar që sheh nga e ardhmja”, tha Rama. “Të papunët duhet të votojnë sepse sot janë 1 milion të papunë që është një shifër që, edhe e vetme, do bënte që kryeministri të kërkonte falje dhe të ikte si i paaftë për ta bërë atë detyrë. Saliu nuk është kryeministri i Shqipërisë, por thjesht përfaqësuesi i një qeverie të kthyer në regjim që flet për ju dhe mendon vetëm për vete”, theksoi Rama.
Bare: Do të bllokojmë skemat e PD-së për manipulim të votës
Partia Socialiste dyshon për skenare të përgatitura për të prishur zgjedhjet nga ana e demokratëve me anë të manipulimit të votimeve të 8 majit. Informacioni që disponon selia rozë sipas saj ka të dhëna se demokratët kanë disa skenarë për të manipuluar votimin, por kjo do të jetë e pamundur pasi “ushtria” e vëzhguesve socialistë do jetë të dielën sy e veshë për të mbrojtur votën. Besnik Bare, kryetar i degës së Tiranës tha dje në Alsat Tv se “ne i kemi trajnuar shumë mirë ato nga pikëpamja e mundësive të manipulimit sepse në Shqipëri është vështirë të mbash diçka secret, dhe ajo që ndodh në kampin brenda Berishës, praktikisht ka rrjedhur, dhe këtë informacion ne e kemi në duar. Kemi rënë në gjurmë të shumë situatave të tilla manipuluese, apo tendencave manipuluese. I kemi informuar dhe përgatitur ato që të kapen në flagrancë, në momentin që do synohet të kryhet manipulimi nëpër qendra votimit. Përveç kësaj ne do të kemi në çdo qendër një numër të konsiderueshëm njerëzish, që nuk do lejojnë të ketë dhunë dhe presion ndaj qendrave të votimit”. Sipas tij opsioni i fitores së sigurtë sipas socialistëve, është një rrjedhë logjike e mënyrës se si qytetarët kanë votuar në Tiranë në 2009-ën.
Comments are closed.
po normal qe ado paguante demon strues kete radhe se leku i duhej per votat! lek te madh ka hedh ket radh
tr tr shko meso shqip