Ujku që kërkon “MacGuffin”

12 Maj 2011, 18:08Politika TEMA

Nga Arbër Zaimi

Kandidati i PS apo kandidati i PD? Gara zhvillohet e fortë, rrotë më rrotë, e po të dëgjosh komentatorët televizivë, mund të të krijohet përshtypja se po flasin për pilotë të Formulës 1. Mirëpo fatkeqësisht nuk po flasim për diçka po aq zbavitëse. Bombardimi me informacion të çfarëdollojshëm sjell shpërqendrim të publikut, sjell nervozizëm, sjell acarim e përgatitje për ndonjë të pabërë. Se stres është gjithë ky lëmsh që po krijohet. Ç’thotë një media, nuk e thotë tjetra – e sikur të mos mjaftonte ky ekzagjerim në shpallje shifrash, flitet edhe për kompani bastesh, apo për koeficientë të njërit apo tjetrit kandidat.

Duhej ndërhyrë në këtë situatë karnavaleske, meqenëse ekziston instrumenti për të ndërhyrë. Publikut i është ofruar një rrugëdalje prej konfuzionit, dhe kjo rrugëdalje është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni që do të duhej të ofronte koordinatat e besueshme, transparente e të shpejta, duke zbutur sadopak zhurmën që bëhet për çfarëdolloj interesi pjesor.

Mirëpo kështu ndodh vetëm në letër, ose vetëm po të lexosh ligjin e rregulloren që përshkruan detyrat e funksionimin e KQZ. De facto KQZ vepron ndryshe. Vonesat në numërime e në shpallje, mungesa e transparencës, arroganca në deklarime e nëpër mbledhje, të gjitha këto duket sikur ndihmojnë në krijimin e asaj mjegullës që, sipas proverbit, dëshirohet aq shumë nga ujqërit (elektoralë). Nuk mjaftokërka një histori e tërë plot me rekorde kryeneçësie të panevojshme që kulmuan në mënyrë të palavdishme me djegien e fletëve të votimit të 2009 (kujtojmë që djegia e fletëve të votimit, ndërkohë që ende nuk ishte sqaruar dyshimi i opozitës mbi ato zgjedhje, është e barabartë me djegien e provave për një krim të supozuar), me pretekstin që nuk kishte kuti të lira, edhe pse pastaj kutitë u blenë të reja…

Ben Ristani jo vetëm ngjan, por me sa duket edhe mendon si aktor filmash me cowboy. Aq thellë është rrasur në rolin e vet, saqë po na bind të gjithëve se KQZ-ja nuk është institucion publik, po një tjetër “tokë e xanun” me autorizim nga Partia, dhe vetë Beni (i hirosur nga Kryetari) s’është veçse “i zoti i toks”. Arroganca e Ristanit filloi të shfaqej që para zgjedhjeve, kur këmbëngulte se komisionerët e numëruesit e opozitës do t’i zëvendësonte me profesionistë “të paanshëm” (që më pas u zbulua se ishin ish-anëtarë strukturash blu). Megjithatë, kulmi i performancës aktoreske të Ristanit erdhi në mbledhjen e pardjeshme, ku si një cowboy i vërtetë, ia plasi në sy anëtarëve të opozitës në KQZ, faktin që burri në KQZ ishte ai, dhe që ata nuk mund ta përdornin foltoren e KQZ pa i marrë leje atij. Sepse natyrisht, për mentalitetin e cowboy-t kryetari i një komisioni ndërpartiak, kushtetues (pra publik), nuk është primus inter pares. Ai KQZ-në e ka me tapi, bashkë me foltoren e saj. E në mos e pastë me tapi, le të shkojë ta sqarojë këtë punë ai që ka tapinë… Mentaliteti i zakonshëm i privatit uzurpues të çdo hapësire publike, i personit që edhe pse e merr rrogën nga populli, e sheh veten si eksplorator të perëndimit të egër, ku ata që e mendojnë ndryshe janë indianë lëkurëkuq, e duhen qëlluar, apo duhen kyçur në rezervat.

Kështu pra, Beni foli si burrat para kamerave, e po si burrat shau kur ikën kamerat, duke ekzaltuar organet e veta gjenitale (ka dalë në modë kjo punë, që kur Çili filloi të përdorë argumentimin e tij, me tashmë të famshmin “trap”).

Alfred Hitchcock, regjizori i famshëm britanik ka qenë pionier i shumë risive e teknikave filmike, sidomos në zhanrin e thrillerit psikologjik. Një nga teknikat që përdorte Hitchcock, së bashku me skenaristët e tij, quhet “MacGuffin”. Estetët e kinemasë e përshkruajnë “MacGuffin” si një element të skenarit që tërheq vëmendjen e publikut prej linjës kryesore të ngjarjes. Përdorimi i “MacGuffin” shton ankthin psikologjik, konfuzionin, si dhe hap rrugën për efektin surprizë të ngjarjes. Afër fundit të filmit mësohet se fokusimi tek “MacGuffin”, në fakt ka qenë i parëndësishëm, dhe kulmi i ngjarjes ka qenë tjetërkund. Kështu edhe puna e Ristanit në KQZ. Ndërkohë që ky aktor vijon, në përputhje me skenarin e S.B., të ndërtojë pakënaqësi në opinion, të pengojë transparencën, të bëjë arrogantin – gjithçka shkon në funksion të divergjencës, të shpërqendrimit të publikut, të medias e të kujtdo. Ky spektakël i përbuzshëm mund të shërbejë për të mbuluar ndonjë të vërtetë edhe më të përbuzshme. Se në fund fare, Ristani s’ka as nga kush të trembet. Fajin për vonesën në publikim mund t’ua lërë IT-ve e teknikëve të kompjuterave, fajin për procedurat e numërimit mund t’ua lërë komisionerëve e numëruesve, gjithçka e ka një përgjegjës tjetërkund. Në fund fare, ekziston edhe mundësia e djegies së fletëve…

Në një shtet për të qenë KQZ-ja do të ishte duke përfunduar punën e vet fare qetësisht. Infrastruktura do të ishte përgatitur deri në detaj (se kohë kanë patur, fonde po ashtu). Absolutisht nuk do të kishte vend për cic-mice partiake në një shtet për të qenë. Sepse që në momentin e parë kur kryetari i një institucioni fillon të luajë “garipin” dhe fillon t’i shkelë syrin pushtetit, do të qe pushuar nga puna. Askush nuk do ta mbronte, as partia e vet (sepse keqpërdorimi dhe abuzimi nuk është çështje partiake, është çështje ligjore). Ditët e fundit ka patur zgjedhje në Kanada, në Skoci, në Finlandë. Asnjë trazirë, asnjë gjullurdi. Edhe atje ka patur palë të pakënaqura e rekurse. Po askund s’tolerohet arroganca prej atyre që në fakt duhet të jenë garantë të mbarëvajtjes së garës. Prandaj Ristani është fenomen endemik. Si i tillë, konflikton me demokracinë, këtë aspiratë universale. Pra, është mirë ta kufizojmë e ta ruajmë nëpër muze, që t’ia tregojmë fëmijëve si shembull negativ, si ajo çka nuk duhet të jetë një shërbyes publik.

Keqfunksionimi i këtij institucioni publik nuk vjen veçse si vijim i personalizimit të publikes, si vijim i privatizimit të së përbashkëtës me logjikën e “të fortit”. Fenomeni Berisha, që deklaron publikisht se të vërtetën finale e thotë facebook-u, është skenaristi i thrillerit. E për sa kohë ne kënaqemi duke qenë thjesht spektatorë pasivë, përse të mos e lejojmë ta bëjë gjithë sheshin përshesh Ristani, gjithë ky aktor bukurosh!

*saktivista.com

8 komente në “Ujku që kërkon “MacGuffin””

  1. Claus says:

    Ne Gjermani as me emer nuk njihet se kush eshte kryeatar i KQZ. E di qe ekziston nje institucion i tille por eshte aq i panjohur sa per njerezit eshte pothuaj inekzistent.

  2. ema+ says:

    arben ristani ne qofte se beson nji zot ,por edhe ne mos besofsh ai egsiston dhe eshte e verte si buka qe ha.kujdes zoti te shef.je pergjegjes para zotit per manipulime.kjo qeveri i ka sjelle shume fukarillik lene padrejtesine vrasje krime hajdutlliqe.shume nona qajne per femit e vrame shume fmi jane jetim shume njerez nuk kane buk te hajn,para dy vjetve manipulove ne favor te nji krimineli dhe nji kafshe pa shpirt qe ka zbrit nga pyet e vicidolit qe nji dit te vret pa pik gajle ne mes tirone te nesmen del ne fotografi me nipat embesat. ki frik zotin ,ai i shef te gjitha .ruaju nga denimi i te madhit zot,pamvarsisht se ti je me pd mos fshih te verteten.leket kurre nuk te lumturjon edhe ne qoftese krimineli te kercenon bohu i ndershem para zotit dhe vetes nji none

    1. anticensurë says:

      po mbetëm te shikimi i zotit do të marrim fund më keq se po marrim!
      berisha,basha agim shehu,pollo e të gjithë kriminelët e tjerë duhet të japin llogari para popullit!para atyre që iu kanë shkaktuar dëme!po dhanë dhe te zoti,aq më mirë!ne si vdektarë duhet tu kërkojmë llogari sa më shpejt!zoti si i përjetshëm ka kohë boll!
      NE JO

  3. Permetaria says:

    Nje vegel manipulimi ne duart e S.B qe mundohet me c’fare ka ne dore te favorizoje vrasesin. Eshte fatkeqesi e madhe se si neser Tirana mund te drejtohet nga nje vrases. Me ben pershtypje se c’rol ka Presidenti ne kete rast.

  4. zani says:

    Miku i shqiperise po bene pazarin e radhes duke i bere presion per nje kompromis ne emer te demokracise ne shqiperi duke i premtuar z.Rama ,postin e kryeministrit me kusht qe bashkine e Tiranes t’ja faturoje Lulzim Sali Bashes.Zhurma po behet shume e madhe per asgje pasi ky rezultat eshte vendosur nen tavoline!Rrofte miqesia Shqiptaro-Arifziane.

  5. beso says:

    Ky boti e ka marre me shume revan,dhe kur gomari provon te beje kalin domosdo qe do ti thyhen gjunjet.Prit kur saliu ta beje zv/kryetar te PD,qe ky boti te mos haje shkelmat qe i meriton.

  6. linda says:

    I jati i ketij “trimi” ka qene fotografi personal i Enver Hoxhes. Mbase nuk perben me cudi sesi njerezit qe kane qene prane asaj familje, vazhdojne te kene pika kyce, si Sali Berisha e te tjere.

  7. Shpatar says:

    Po lodhemi dhe jemi lodhur kot kur duam te gjukojme ata qe i sherbejne Saliut.Nuk eshte vetem Ristani qe zbaton ose plotson ato qe do Berisha.Kjo murtaj ,servilizmi,ka egzistuar brenda shoqerise sone dhe eshte veshtire te shpetojme prej saj.Ne Shqiperi ka dy lloje servilash.Kategoria e pare qe do te perfitoje per te mos mbajtur barkun bosh dhe te dytet qe hyjne per shuma marramendese.Nuk ma do mendja qe Ristani ti perkas te parve.Si djale energjik ka kuptuar, se ne vendin e ndershem qe kryen detyren, ka nje mundesi qe e admirojne te gjithe intelektuale per ta prishur ndershmenin para shumave qe i afrohen.Ndokush do me hidhet me shprehjen :Cthua ke fakte?Komunist,Enverist,servil i Ps,anti amerikan ,ste pelqen demokracia etjera Por keto nuk mjaftojne qe te shpetojne Shqiperine.Shqiperine e shpetojne intelektualet e pakorruptushem kur populli thote paster pa deformime fjalen e tije.Pse eshte kjo permysje kaq drastike.Eshte merite e Edit,Ps apo e natyres?Jo.Eshte shkalla e ndergjeshmerise qe po tregon populli kur Shqiperine e mere lumi .Sigurisht qe nje rol poercaktues ka dhe inteligjenca Shqiptare .Por vetem kur ajo eshte e paster.Mendoj me llogjiken e thjeshte se populli,ne 8 Maj,beri pasrtimin e pare per ti hapur rrugen politikes per ndryshime drastike drejt nje demokraci te ndershme.Gjithcka do te varet se si do te kuptohen ndryshimet nga gjithe shoqeria .Ne se pislleku mbetet popullit i duhet te na fuse perseri ne lavatricen e tij.Kjo do te na kushtoje shume mbasi keto pislleqe pastrohen 1 here ne 20 vjete nga populli Shqiptar.Me tipat si Ristani mos u merrni.Kariera e tyre ka vite qe eshte kufizuar .Ai e dha kontributin ne 2009 .Le ta gezoje corben qe fitoj nga Sala.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje