Zonat e përmbytura në Shkodër i japin një shuplakë me votë qeverisë

13 Maj 2011, 10:59Politika TEMA

Partia Demokratike ka fituar bindshëm Bashkinë e Shkodrës, por ka humbur besimin e zonave të përmbytura e përkatësisht Nënshkodrës. Nga 6 komunat e kësaj zone, Velipoja, Bërdica, Guri i Zi dhe Ana e Malit kanë zgjedhur përfaqësuesit socialistë të Aleancës për të Ardhmen.
Madje dy prej këtyre komunave Bërdica dhe Guri i Zi fitohen nga socialistët për herë të parë në këto 20 vjet, ndërsa Velipojë i rikthehet të majtëve pas 8 vjetësh, pasi herën e fundit që ajo drejtohej nga një socialist ishte në vitet 2000-2003. Deklaratat e shumta të kryeministrit për investimet në zonat e përmbytura por që u ripërmbytën të paktën 5 herë brenda vitit 2010 konsiderohen si një nga shkaqet kryesore të kësaj lëvizjeje dhe fitoreve të shumta në këto zona.
Përpara zgjedhjeve banorët e fshatrave të Gurit të Zi dhe Anës së Malit u shprehën optimistë se do të mund të merrnin paratë e shumëpremtuara të dëmshpërblimeve nga ana e qeverisë për përmbytjet, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Shpeshherë në media ata deklaruan edhe faktin se edhe në paratë e ndara në përmbytjen e parë pati një padrejtësi të madhe dhe se shumë prej atyre që arritën të përfitonin ndihma në të vërtetë ishin persona që nuk i kishin vuajtur përmbytjet, ose ishin të afërm të atyre që merreshin me shpërndarjen.

Fitorja e kandidatit socialist në Velipojë u deklarua rreth orës 20:00 të së enjtes ku pas numrit të votive rezultoi se Aleanca për të Ardhmen mori 2006 vota përkundrejt 1459 votave të Aleancës për qytetarin, duke i lënë të majtëve komunën tetë vjet pas marrjes së saj.

Ndërkohë, në komunën Bërdicë dhe Gurin e Zi të majtët nuk kishin mundur të fitonin asnjëherë në këto 20 vjet, duke u konsideruar kështu edhe si bastione të të djathtëve. Por gjatë së mërkurës në këtë komunë, KZAZ nr.41 shpalli fitues Besnik Brahimin me 1273 vota përkundrejt 849 votave të kandidatit të pavarur Besnik Tahiri dhe 844 votave të Qamil Xhurretës të Aleancës për Qytetarin.
Ndarja e votave mes dy kandidatëve të djathtë që u shoqërua dhe me një fushatë elektorale me deklarata të ashpra nga PD-ja e Shkodrës dhe Xhurreta, ka ndikuar në marrjen e komunës bastion i PD-së nga PS-ja. Kjo është e dyta komunë bastion i PD-së që në këto zgjedhje merret nga PS-ja, pas asaj të Gurit të Zi. Por këto dy komuna të Nënshkodrës nuk janë të vetmet që ndryshojnë ngjyrë partie nga blu në rozë, pasi dhe Velipoja u fitua nga PS-ja, ku kandidati i saj Pashko Ujka fitoi ndjeshëm ndaj kandidatit të PD-së Nikollë Marku. Ndërkohë Ana e Malit është mbajtur vetëm një mandate nga të djathtët dhe më pas i është kthyer sërish të majtëve.

Nga gjashtë komunat e Nënshkodrës, e cila në vitin 2010 u përmbyt pesë herë, vetëm Bushati dhe Dajçi rikonfirmuan kryekomunarët e tyre të djathtë. Kreu i Bushatit pati mbështetjen e banorëve të tij për shkak të investimeve të mëdha që ka bërë në këtë zonë. Ndërkohë për Dajçin u përfol se fitorja kishte jo pak të bënte edhe me presionet parazgjedhore ndaj kandidatit të pavarur.

“SHEKULLI”

6 komente në “Zonat e përmbytura në Shkodër i japin një shuplakë me votë qeverisë”

  1. egli kruja says:

    Populli ka gjithmone te drejte dhe nuk ben kompromis me asnje padrejtesi.
    Politikanet duhet ta kene parasysh shprehjen popullore se :Qiraxhiu me hanxhiun takohen perseri.

  2. Mentari says:

    nje kope delesh me nje bari tropojan

    1. pak rendesi ka says:

      nje bari i mir din te mbaj delet…

  3. tito says:

    turp per shkodren. e tregoj vehten edhe sot ,turp per jete .

  4. pinku1979 says:

    Pershendetje,…Nuk ka pse Shkodra te kete turp,pasi kryetari i bashkise se PD ka bere shume per Shkodren dhe i ka kthyer fytyren e vertete se saj,Jam Shkodran po i rritur ne Tirane dhe jam i majte,po te votoja ne Shkoder voten time do ja jepja se majtes,..po nuk me vjen keq qe kryetari i bashkise eshte rikonfermuar pasi ka be shume per Shkodren dhe nuk eshte faji i tij per permbytjet,. po faji eshte i qeverise qe premton ,premton ,premton dhe nuk ben asgje po mendojne si si te vjedhin..Shqiperia ka nevoje per kryetar bashkie punetore qe dijne te realizojne sic eshte Edi Rama po edhe kryetari i bashkise se Shkodres qe eshte rikonfermuar,..

  5. ILIR PAPA says:

    shkodranet i gezojne pd sepse kane dale te fituar nga mos pagesat e detyrimeve bashkiake dhe shteterore si,drita uje e tjera ,por meqenese ishin zgjedhje lokale duhet ti jepnin nje mesime te mire pushtetit qe te mblidhte mendjen per zgjedhjet parlamentare.me vjene keq qe nuk mbeshteten ata te cilet per dite e jave te tera jetuan me fatkeqesine natyrore te permbytjes.me nje votim ndryshe kete radhe do te thosha ;kjo eshte shkodra demokratike .

Comments are closed.

Lini një Përgjigje