Tifozët turq, peticion klubit për mosshitjen e Canës

31 Maj 2011, 11:32Sport TEMA

Transferimi i Lorik Canës te Lazio, që është shumë pranë zyrtarizimit, ka revoltuar tifozët e Galatasarayt, që i kanë dërguar një letër proteste Këshillit administrativ të klubit turk. Duke parë avancimin e këtij procesi, aq sa sipas mediave italiane, mesfushori shqiptar ka “rezervuar” fanellën me numrin 19 te Lazio, mbështetësit e skuadrës më të madhe turke kanë kërkuar që ai të mos shitet për asnjë çmim.
Tifozët e kanë konsideruar Canën si mishërim të traditave luftarake që ka Galatasaray, por edhe trajneri i ri i kësaj skuadre, Fatih Terim.
“Pasi kemi mësuar se Lorik Cana është tashmë shumë pranë një transferimi te Lazio, ne, si tifozë, duam të shprehim gjithë pakënaqësinë tonë për shitjen e mundshme të futbollistit”, thuhet në peticionin e tifozëve të publikuar të hënën nga gazeta ndër më të mëdhatë italiane “Corriere Della Sera”. “Për ne ai përfaqëson një pikë referimi, një futbollist që i përshtatet në perfeksion stilit dhe mentalitetit të Galatasarayt si edhe trajnerit tonë Fatih Terim. Duam që Cana të qëndrojë me ne”, thuhet më tej në letrën e tifozëve.
Në fakt, edhe pse Lazio ka arritur një akord me futbollistin, mes dy klubeve mungon ende marrëveshja zyrtare. Në këtë mënyrë tifozët, që janë një pjesë e rëndësishme e gjigantit turk shpresojnë që të arrijnë të frenojnë këtë lëvizje.
Sipas “Corriere Della Sera”, letra e tifozëve lë të kuptohet se mesfushori kuqezi është kthyer në harkun e një viti në një nga futbollistët më të preferuar të tifozëve, kjo edhe për shkak të karakterit të tij luftarak.
Në të vërtetë, ky transferim është gjithnjë e më afër të realizohet. Lazio e Cana janë në pritje vetëm të “dritës jeshile” nga Galatasaray.
“Nuk më intereson se do më ulet rroga, unë dua të luaj te Lazio”, ka thënë Cana, përcjell e përditshmja tjetër italiane “Corriere dello Sport” të hënën.
Cana pritet të marrë 800 mijë euro më pak me kalimin te Lazio, ku i ofrojnë 1.7 milionë euro dhe ky është çmimi që ai ka pranuar ta paguajë për të luajtur në një ligë më të fortë se ajo turke, në Serie A.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje