Dje Shqipëria e Josip Kuzhes renditej në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Bjellorusinë, ndërsa sot e pa veten një shkallë më poshtë. Rezultati i ndeshjes Rumani-Bosnjë (3-0) e ndryshoi pak situatën e Grupit D, ose më mirë të themi e pështjelloi më keq. Rumania, nga “pika e hallit” tashmë ka 8 pikë, aq sa ka Shqipëria, dhe me të drejtë e sheh veten më pranë vendit të dytë. Trajneri dhe futbollistët kuqezinj e kanë ndjekur të gjithë bashkë këtë ndeshje, duke kërkuar pikat e dobëta të kundërshtarit. Edhe një njeri që merr vesh pak nga futbolli do ta kuptonte se mbrojtja e Bosnjës ishte inekzistente.
Bosnja në krizë: Rezultati 3-0 (mund të ishte 4-0 nëse rumunët nuk do të humbisnin një 11-metërsh në minutën e fundit) tregon qartë supermacinë e Rumanisë, ose krizën që ka mbërthyer Bosnjën. “Janë në një situatë mjaft të keqe. Kam lexuar edhe deklaratat e trajnerit Sushiç, i cili i kritikonte ashpër lojtarët e tij. Janë në një situatë krize dhe do të përpiqen që të kthehen në garë duke fituar me Shqipërinë”, shprehet Josip Kuzhe. Safet Sushiç, trajneri i Bosnjës, pritet të bëjë ndryshime rrënjwsore në formacion, por është e vështirë të parashikohet nëse lëvizjet e tij do të jenë të suksesshme.
Jashtë garës: Çfarë e pret Shqipërinë në Zenica? Mos vallë kuqezinjtë kanë shansin më të mirë për të dalë me pikë nga ky “ferr”? Trajneri Kuzhe e ka të vështirë ta parashikojë ndeshjen, por për një gjë është i sigurt: nëse Bosnja nuk fiton, mbetet jashtë gare: “Nuk e di, e kam të vështirë ta them. Mund të ndodhë gjithçka, pse jo edhe mund të fitojmë. Dhe nëse e bëjmë mrekullinë, e fundosim Bosnjën në grupin tonë. Do ta kenë shumë më të vështirë të ngrenë kokë. Por të mos nxitohemi, mund të ndodhë e kundërta: ata të fitojnë dhe ta hedhin pas krahëve krizën që u shkaktoi humbja me Rumaninë. Duhet të kemi shumë kujdes në 30 minutat e para, sepse ata do të sulmojnw fort qysh në fillim”, analizon Kuzhe.
Batuta
“Për Mujdzën pyesni Xhemon”
Kroati, teksa komenton mbrojtjen e brishtë boshnjake, gjen rastin të thumbojë zëvendësin e tij, Xhemal Mustedanagiç. “Për Mujdzën pyesni “Xhemon”, besoj ai ka më shumë informacione”, tha Kuzhe, duk pasur parasysh se mbrojtësi i sipërpërmendur është dhëndri i Xhemal Mustedanagiçit./sportishqiptar/
Pyesni kunatin e shokut Xhemal…