Kurthi historik i pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve

10 Qershor 2011, 21:09Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Serbia e Tadiqit (të birit të Ljubes filozof) përpiqet ta mohojë një fakt historik, demografik dhe para së gjithash gjeopolitik, Kosovën, të cilën paraardhësit e tij dhe ai plot një shekull u përpoqën ta mbajnë pa njerëz, si tokë të djegur.

Pasi nuk ia dolën, tashti pas 17 shkurtit 2008, ekselenca e Tij, Tadiq, ka probleme serioze me makinën logjike, me faktin Kosovë, të cilën nuk ia do zemra, prandaj përpiqet ta përjashtojë edhe nga arsyeja e tij, dhe nga kujtesa kolektive serbe si joekzistent. Paçka se të gjitha luftërat dhe fatkeqësitë që ua ka sjellë kjo Serbi konstante imperialiste fqinjëve të saj shqiptarë ishin projektuar mbi bazën e një postulati, një nomosi të quajtur miti i Kosovës, që e hyjnizonte tokën e saj si djep të serbizimit dhe Serbisë. E tash?

A duket pak e palogjikshme që “djepi” të ndahet me Shqipërinë?

Po të mos ishte kurth i menduar mirë, duket tepër qesharake.

Presidenti serb, Boris Tadiq, në një bashkëbisedim të gjatë që e pati këto ditë me shkrimtarin Svetoslav Basara, (e botoi të plotë Magazina Status) duke folur për çështjen serbe në rajon dhe europianizimin e saj, natyrisht se pashmangshëm folën edhe për Mitin e Kosovës. Nga dy bashkëbiseduesit u tentua që të dekonstruktohet ky mit i përgjakshëm, duke e cilësuar madje jo vetëm të rremë, por edhe të banalizuar si instrument në duart e politikës. Tadiq&Basara, këtë “barsoletë” deshën t’ua shesin serbëve, duke ua dërguar mesazhin se miti është i rremë, Kosova kurrë s’ka qenë “djep i Serbisë”, por thjesht një tokë, e cila ia vlen të ndahet në dy hise. Kështu miti për Tokën e shenjtë serbe u bë kartëmonedhë brenda natës. Prandaj sikur këta dy burra serbë deshën të thoshin: “O njerëz, hiqni dorë nga “Serbia Qiellore”, zbrisni në tokë, të fitojmë diçka edhe ne, e jo vetëm pala kosovare”.

Ndarja sipas versionit të parë serb deri në luftën e vitit 1999, ajo nuk mundi të realizohej, për arsye të efektit zinxhiror që do të kishte në ish-republikat dhe krahinat e tjera të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq me intervenimin e NATO-s më 1999, u pengua jo vetëm gjenocidi në tentativë, por edhe vetë ndarja territoriale e Kosovës, por po ashtu ideatori i fashizmit serb, Milosheviq, mendonte se do t’ia dilte ta mbante Kosovën si të plotë.

Sipas doktrinës serbe, me integrimin e veriut të Kosovës në institucionet e shtetit të ri shqiptarët do të ishin të vetmit fitues të gjithçkaje  në Kosovë.

Serbia e ka humbur luftën për Kosovën dhe kreu i saj politik dhe ushtarak e policor është ndëshkuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, e pse u dashka të fitojë diçka Serbia, e cila po e ndjek “rrugën e fitores” sipas konditave të fashizmit të Milosheviqit?

Dhe çka mund të fitojë ajo?

Veriun? Jo. Sepse kjo e shkatërron rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e rizgjuar historinë dhe ulërimat e saj, boritë e luftës.

Serbia do të përpiqet që letrën e veriut ta ruajë për fund, për t’ia shitur BE-së tek pasi ta marrë statusin e vendit kandidat, më shtrenjtë se vetë kriminelin e luftës Ratko Mladiq – pra heqjen dorë nga veriu do ta kushtëzojë me pranimin në bllok, deri atëherë le ta harrojë secili në Prishtinë por edhe në Beograd se mund të përdoret forca, për nënshtrimin e vullnetit politik.

Madje Tadiqi po sillet si padron i një toke që ka pronar të ligjshëm, kosovarët duke provuar të gjejnë aleatë në Tiranë (ndonjë Ahmet Zog p.sh. që për mbështetje politike dhe ushtarake mund të falë tokë – rasti i Shën Naumit) dhe të hyjë në pazare me qarqe etnonacionaliste atje, duke bërë hopa pa e kërcyer gardhin. Sjellja e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës shtet, i cili është pronë e të gjithë kosovarëve si komb i ri konstitucional, ka arritur në shkallë armiqësie, sepse Tadiqi nuk e do matematikën, duke e ditur se dy është më shumë se një, bën luftë të madhe që dyshin ta rikthejë në histori si një.

Dhe duke qenë një paranoik etnonacionalist egalitar, ai po përpiqet t’i mashtrojë serbët për nevoja të brendshme politike dhe mundësisht ndonjë shqiptar që i qet kryet zjarr historish për rrumbullakimin e kombit unik shqiptar, sipas projektit të dështuar të Lidhjes së Prizrenit (1878), i cili tashmë është veçse një prononcim politik.

Evropianizmi i Tadiqit konsiston në pragmatizëm imperialist – ta heqë qafe përfundimisht Kosovën dhe kosovarët e të duartrokitet nga vendet e bllokut evropian për arritjen e një pajtimi historik me shqiptarët dhe Shqipërinë.

Nacionalizmi egalitar serb, pasues të të cilit janë ish-presidenti i Jugosllavisë sllobo-fashiste, Dobrica Qosiqi me babën e Borisit president në krah, Ljubomir Tadiqin, të prekur nga virusi i megaloideve ballkanike shtetomëdha, ende shesin dokrra në tregun imperialist (imperializmi primitiv, të lodhtë fare dhe të vonuar historikisht) duke projektuar dëshirat për shtete e kombe hyjnore e duke përjashtuar faktet gjeopolitike për shtete e kombe të qena fizikisht në fqinjësi. Idenë e madhe (Serbia e Madhe) këta nacionalistë egalitarë po përpiqen ta ruajnë edhe në shekullin 21, duke i mësuar serbët e rinj se Serbia kufizohet me Austrinë, me Italinë, përmes vijës ndarëse të Adriatikut, Shqipërinë, duke shmangur një entitet në mes (Kosovën), e ndonjëherë sillen sikur edhe Greqia është fqinji jugor i saj. Serbia e Tadiqit po e vazhdon rrenën e madhe, aty ku e kishin lënë “etërit e kombit”, rrenën të cilën e pati pranuar edhe vetë Qosiqi, serbët e kanë ngritur në doktrinë kombëtare.

Por kjo e thënë në gjuhën e tij i bie: “Tadi?u – Srbija se ne grani?i sa Albanijom. Dosta la?i” dhe në gjuhën shqipe: “O Tadiq – Serbia nuk kufizohet me Shqipërinë! Mjaft me rrena”

Ideja e ndarjes së Kosovës është e vjetër dhe mban firmën e Dobrica Nazi-Qosiqit.

Kjo ide daton që nga viti 1976 (Libri i kaltër) dhe i përshkruhet Dobrica Qosiqit, i cili e parashihte ndarjen diku tek hekurudha e Ferizajt dhe kjo ndarje duhej të arrihej mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke e shmangur në secilin rast Kosovën si entitet.

Qosiq & Tadiq Senior iu rikthyen idesë së tyre tashti në një version të ri: “Libri i bardhë”, që thërret për një marrëveshje historike mes serbëve dhe shqiptarëve, pra mes Beogradit dhe Tiranës, sërish duke e shmangur Kosovën si shtet i pavarur dhe për fat të keq edhe disa çarqe shqiptare po bien në kurthin e ngrehur nga qosiqizmi, duke luajtur keq rolin e imperializmave ballkanikë që munden, kur t’iu teket, të ridefinojnë e ripërkufizojnë etnikisht harta shtetesh e kombesh, pa i pyetur fare ato…

Dhe Tadiq Juniori po e mbështet këtë tezë naciste.

Tek po e lexoja librin eseistik të Amartya Sen, nobelistit indian, “Identiteti dhe dhuna”, në të cilin autori ringjall shpresën për një botë më pak të burgosur nga iluzioni dhe i jep zë njeriut që nuk do dhe nuk duhet të mbetet rob brenda një identiteti të ngurtë dhe përjashtues etnik ose fetar e ideologjik, por orvatet t’i çlirojë energjitë njerëzore duke ia rikujtuar faktin se njeriu njëherësh mbruan brenda vetes shumë identitete, gjithqysh ndihem i zemëruar me burgun e iluzionit ku janë katandisur shoqëritë ballkanike, pra edhe ajo kosovare, ose një pjesë e saj që duan përkufizime etnike të shtetit, në vend të deetnizimit duke ngarendur të lyejnë sa më shumë tokë me ngjyrat etnike, e duke harruar integrimet dhe globalizimin, mirëqenien e qytetarëve dhe edukimin e tyre.

Në këtë kontekst, duke qenë pengje të së kaluarës, robër të identiteteve të ngurta, ballkanasit sikur ndiejnë se historia po rizgjohet dhe po ulërin, prandaj vazhdojnë ta mbajnë paqen ndërmjet vete dhe me fqinjët ende sipas postulateve të luftës së ftohtë, veçanërisht në kontekst të “balancimit të frikës” e jo të dinjitetit njerëzor të qytetarëve.

Presidenti serb duhet të thyej zinxhirët e burgut të iluzioneve serbe, për një identitet hyjnor, brenda të cilit është katandisur, sepse rizgjimi i historisë do ta sillte Serbinë dhe serbizimin buzë katastrofës.

Duhet t’i kujtohet Tadiqit teza e mentorëve të tij (Qosiq&Ljuba) se “Serbia fiton në luftë dhe humb në paqe”, mirëpo në fund të shekullit të kaluar Serbia e ka humbur edhe luftën, prandaj s’do të duhej ta lëshonte shansin që të fitonte paqen me fqinjët, sipas modelit të balancimit të dinjitetit.

Tadiqi duhet ta pranojë faktin (Kosovën si faktor gjeopolitik dhe entitet në të drejtën ndërkombëtare pas GjND-së) para se të hyjë në paqe dhe “pajtim historik me Shqipërinë”, përndryshe, ai po u bie borive të luftës me një faktor X (të panjohur për të) që është Republika e Kosovës (faktor i njohur nga 75 kombe të botës.)

 

9 komente në “Kurthi historik i pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve”

  1. Besim Beqiri says:

    Shum bukur flet ky zotriu dhe ka bagazhe te dionis dhe nuk mundem me shmang si faktor politik/analist.
    Kjo që thot ky vlen per popujt qe jan mbrenda nji kufirit dhe nuk kan probleme si shqiptaret e maqedonis me shtetin maqedon ose lugina e presheves ose camet apo malsoret… te bëhemi nji dhe atehere mundemi te evropeizomi dhe integromi e qfar te duash. e jo te futemi ne BE mahalla mahalla siq ka then Albin Kurti.

  2. çami says:

    Ky renegat i shkolles jugosllave shiptaret e krahines se Kosoves i quan etnitet kosovar, jo mor pis se fjalet komb, etni, nation kane te njejtin kuptim dhe Kosova eshte krah i ine fjala krahine ne gjuhen letrare shqipe, as Kosova nuk ka te ardhme pa Shqiperine dhe as Shqiperia nuk ka te ardhme pa Kosoven,loja u hap tani do ti apo politikanet e dy aneve , historite perseriten ky eshte fillimi dhe vazhdimin do ta shohim ne te ardhmen ndoshta ne Maqedoni pse jo ne Greqi me nje kusht qe Turqia te mos lejohet te fuse hundet,me te mire dhe me te keq nje dite do shoshiten problemet me fqinjet.PARIS

  3. preng sherri says:

    Nje shkrim shume i goditur,dhe pasqyron deshiren per paqe qe ka ekzistu perhere ne mes popullit tone dhe asnjehere nga pala serbe.
    Megjithate,kam dhe nje pyetje apo kerkese dhe do ju lutem nese dikush me jep nje pergjigje apo sqarim: A duhet pala shqiptare ne bisedimet me serbine dhe faktorin nderkombetar te beje te njohur dhe fatkeqesite e tjera historike,si per shembull masakrimet dhe debimet nga trojet shqiptare qe vetem me 1878 ishin deri ne rrethinat e nishit afer kufirit te sotem bullgar?
    Nuk pretendon asnjeri keto troje,por duke be te njohura keto tragjedi i ben akoma me dije jo vetem nderkombetareve te vertetat historike,por dhe opinionit serb dhe ndoshta arrijne te gjykojne e te kuptojne se ideologjia mbi te cilen mbeshteten eshte thjesht iluzion nacionalist i strategeve te tyre.
    Por,mbi te gjitha opinionit shqiptar,politikes shqipare ne Tirane,Prishtine mbi te vertetat historike(te cilen nuk jam i bindur se e njohin dhe sa do pak te ndergjegjshem),TE GJITHE POPULLIT TONE,PER TE QENE DHE PER TE MENDU PER TU BE KOMB,JO THJESHT ME KUFI APO BASHKIM POR ME NDERGJEGJESIM,PUNE DHE PERKUSHTIM , PER TE QENE TE GATSHEM PER MBROJTJEN E VETES NDAJ ARMIQVE TANE ,TE CILET MUND TE NDERROJNE LEKUREN POR JO VESIN.

  4. F. Teneqja says:

    Është ky një shkrues mendjemadh që merret me tema të mëdha duke trokitur në dyer të hapura e duke treguar dalje aty ku nuk ka derë fare .?shtë ky një që niset nga argumentet fiktive duke menduar se kjo është zgjidhja pëfundimtare e idealit të ” kosovarëve për shtetin e tyre ” Kur njeriut fshihet e kaluara ai e ka humbur rrugën në oborr .Nuk ka e as që do të ketë komb kosovar .Ideja e kosovës shtet apo republikë ka lindur pas vitit 1966 kur u mënjanua na pushteti rankoviqizme e pasi kosova i kishte kufijt e caktuar më 1945 , mendohej se kështu , mund të arrihet më mirë qëllimi që këto troje shqiptare të shkëputen njëherë e përgjithmonë nga serbia .Edhe pasi u shpërbë Jugosllavia duke i ruajtur kufijt e brendshehëm e Kosova ishte njësi politike me kufijt e saj , u bë ky kompromis i dhembshëm . Esenca e këti konflikti nuk është Kosovë – Serbi por shqiptar – serb .Dhe Tadiqi harron me qëllim se ai nuk duhet të bisedojë me shtetin shqiptar të cunguar por me kombin shqiptar .Pasi kombi shqiptar është i ndarë , ai nuk mund ta evitojë pjesën e ndarë të Shqipërisë ,Kosovën e as që mund të paramendohet zgjidhja e konfliktit shekullor pa biseduar me pjesë e mbetur jashtë të kombit tonë që tashmë kanë shtetin e tyre të pranuar nga fuqitë më të mëdha botërore .Shqipëria mund t? hyjë me Serbinë në bisedime bashkë me Kosovën shqiptare për të biseduar me të për territoret shqiptare të pushtuara të rrethit Nishit etj , pasi iku pushtuesi turk , por kjo tashpërtash nuk është reale.Ata që flasin për komb kosovar e gjuhë kosovare nuk bëjnë gjë tjetër vetëmse përhapin mjegull kur çdo gjë ka filluar të kthjellohet e neve na mbetet të bashkuar të marrshojmë përpara . Populli thotë : një herë te vjen vera kah dera .

  5. katarakti says:

    Ka disa intelaktuale kosovare, te cilet i terbon ideja jo e ndarjes se Kosoves, por e bashkimit te saj me Shqiperine. Ka qene Rugova qe me me force nga te gjithe potencoi temen e Prishtines te baraslarguar nga Tirana dhe Beogradi, duke barazuar keshtu Serbine pushtuese me vendin ame. Disa te tjere, duke pare pamundesine e njohjes se plote nderkombetare te Kosoves ne OKB, dhe duke ndjere nje lloj frike nga nje “permbysje” e situates dhe forcimit te rolit te Rusise ne Ballkan, predikojne federata dhe konfederata Shqiperi – Kosove etj. I vetmi qe mban nje qendrim te drejte ne kete drejtim, duke perjashtuar Qosen, eshte Albin Kurti, i cili potencon fort e pa frike bashkimin e Kosoves me Atdheun nga i cili eshte shkeputur padrejtesisht 100 e ca vjet me pare.

  6. Donika says:

    O Besim Beqiri, i vetmi Albini eshte per bashkim kombtar, e Halil Matoshi shkelqen me shkrimet e tij. Shendet.

  7. pali says:

    Ky Halili me duket me teper si nje renegat,llogjika e tij te çon qe paskemi nje rep.te Devollit,nje te Malesise se madhe apo nje te Laberise….harron ky se u quajt “Lidhja e SHQIPETARE e Prizrenit”dhe jo”Lidhja e shqipetarve te Kosoves”- E pse u be pikerisht ne Prizren???…(se atje ish nje nga pjeset e kombit me patriote qe jepte jeten per flamur) e di ai qe nje nga idet e kesaj lidhje ish per Shkupin kryeqytet…Ky mund te hedhe ndonje ide te re p.sh.mbas bashkimit si komb…te vendosin bashkarisht a me nje referendum Prshtina kryeqytet i Shqiperise p.sh.po jo te vere ne dyshim kombin…Fati keq qe çameria eshte pjesa me e bukur sot nen Greqine , a mos nuk do ti quaj zoteria e tij dhe keta shqipetar apo te thone rep.e çamerise…..

  8. Besnik Ajdini says:

    Shkrim ,,modern,, me nje provencializem te thelle.
    Do te ishte shume ma origjinale te merresh me nje anliz ndeshje futbolli si p.sh. Llapi – Ylli Kuq, ose nje ndeshje boksi diku ne katundet e Kosoves apo te SERbise se te merresh me gjera qe nuk te shkojne.
    Ke shpirt PROVINCIALI edhe pse mundohesh te imponohesh si nje …………

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje