Kazerma x, 29 maj. Viti x.- Më urdhër të një komandanti lokal, djaloshi Hamzë A. Hatibi (13) është ndaluar nga dy pjesëtarë të forcave të Sigurisë dhe për dy javë rresht familjarët dhe shoqëria e tij e shkollës nuk kanë ditur për fatin e tij. Ndalimi ka ndodhur, sepse Hamza ishte i dyshuar se si pjesëtar i shoqërisë civile, e cila, synon rrënimin e shtetit, kinse në emër të mbrojtjes së integritetit të institucioneve të tij nga ndërhyrjet autoritariste të Qeverisë. Kjo e fundit sipas bindjeve të Hatibit, e ka degraduar modelin qeverisës duke shkelur të drejtat elementare të njeriut dhe ato civile.
Djaloshi ishte torturuar në njërën nga kazermat e kësaj force dhe pastaj ishte vrarë…
Më vonë u kuptua se forcat e sigurisë e kishin kidnapuar djaloshin derisa ai po protestonte kundër keqqeverisjes në vend. U dëshmua se ia kishin thyer eshtrat, e kishin shqelmuar, në trupin e tij kishte shenja të dukshme dhune deri edhe fikje të cigareve dhe në fund ia kishin prerë gjenitalet.
Trupi ishte gjetur pas dy javësh pranë një kontejneri në kryeqytet.
Rasti nuk është i trilluar, por nuk ka ndodhur në Kosovë.
Bëhet fjalë për Hamza Ali al-Khatibin (13) nga Jiza, i arrestuar më 29 maj 2011 nga forcat siriane të sigurisë të presidentit Bashar Al Asad.
Sipas një memorandumi të panënshkruar ende, nga ministri i Policisë së Kosovës Bajram Rexhepi dhe ai i FSK-së Agim Çeku, kjo mund të ndodhë sot dhe këtu, në Kosovën nominalisht demokratike!?
Ky memorandum është menduar për ta legalizuar dhunën ndaj qytetarëve që mendojnë ndryshe nga pushteti, pra për ta mbrojtur pushtetin nga qytetarët, në shërbim të të cilëve do të duhej të ishte kjo Qeveri dhe kjo forcë sigurie.
Qeveria nuk jep së këndejmi liri, por paguhet nga taksat e qytetarit për t’i garantuar ato.
Prishtinë, 2 qershor 2011 – Kur Hamëz Hatibi ose Gashi, ose akëcili qytetar kosovar do t’u bashkohej protestave antiqeveritare në një të ardhme, do të mund të kidnapohej pa asnjë mbështetje ligjore dhe të përfundojë si peng në kazermën “Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Kjo, sipas gazetës “KOHA Ditore”, do të jetë krejt e mundshme nëse hyn në fuqi një memorandum mirëkuptimi që e kanë përgatitur Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e FSK-së, e që pritet të nënshkruhet nga ministrat përkatës, Bajram Rexhepi e Agim Çeku. Memorandumi i çuditshëm, sipas gazetës, synon që të obligojë Forcën e Sigurisë të Kosovës që të ndihmojë Qeverinë, gjegjësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme në “aktivitetet për realizimin e misionit të saj”. Dihet se me Kushtetutën e Kosovës, Forca e Sigurisë nuk angazhohet në kurrfarë vendosjeje të ligjit, ndërsa “turma” (qysh përdoret në draftmemorandum) ka të drejtë kushtetuese të mblidhet, të kërkojë, të protestojë…
Sipas memorandumit, Forca e Sigurisë e Kosovës do të angazhohet edhe në “arrestimin e delikuentëve dhe mbajtjen e tyre derisa t’i dorëzohen policisë”, por edhe për “menaxhimin e situatave që dalin jashtë kontrollit”, dhe “kontrollimin e turmave në rrugë dhe në tubime”.
Cila instancë vendos paraprakisht profilin e delikuentit dhe për domosdonë e shpartallimit të turmave dhe si mund të paragjykohet intenca shkatërrimtare” e turmave, pa i ditur kërkesat e saj?
Pushteti?
Ah, t’i lëmë shakatë!
Ç’e do kur Kosova e ka një police të karrierës për presidente të vendit (komandante supreme e forcave të armatosura) dhe, me gjasë, do t’i pëlqente shumë memorandumi ushtarako-policor, si zbulim unik i kosovarëve, dhe e ka një kryeministër që vjen në politikë nga ish-guerilja UÇK, ka një ministër të FSK-së që është gjeneral lufte, pra ushtarak karriere, i cili mbase ka menduar se kështu i shërbehet atdheut në mënyrë shembullore; dhe natyrisht një bashkëluftëtar të tij të UÇK-së, ndonëse mjek karriere, ministër të Brendshëm.
Memorandumi i tillë (ndonëse ende draft i panënshkruar) duket se ka një prapavijë politike gri, sepse me gjasë vetë ideja u ka shkrepur në mendje politikëbërësve të errësirës, që nuk shfaqen në publik, por që dërgojnë mesazhe se janë fuqi influencuese e kombit dhe shoqërisë.
Paramendoni një memorandum mes policisë amerikane dhe marinsave për kontrollimin e turmave, gjatë protestave anti-globalizimit sot në New York ose kundër luftës në Vietnam, gjatë viteve ’70.
Hiqni dorë fare, sepse kjo nuk mund të ndodhë në demokraci.
Po të përbeheshin këta dy ministra për kokën e fëmijëve të tyre, a dinë t’u tregojnë qytetarëve të këtij vendi se çfarë kanë menduar (ose kush ka menduar për ta!) kur e kanë shkruar draftin e memorandumit kërcënues, thjeshtë totalitar dhe si mund t’ua shpjegojnë këtë qytetarëve dhe a shohin arsye për shpjegime shtesë.
A i bren ndërgjegjja?
Apo, ndoshta, edhe mendojnë ashtu siç kanë shkruar!?
Të trishton vetë ideja, por e mira më e madhe është se ky draft ra në duart e shtypit të lirë ende pa u nënshkruar nga ministrat përkatës, sepse po të ishte shndërruar “në ligj” autori i shkrimit në “KOHA Ditore”, që raportoi i pari lajmin, tashti do të kërkohej nga familja dhe kolegët e tij nëpër kazermat e FSK-së, si një “delikuent.”
E keqja më e trishtueshme është mendësia e tillë, e jo realizimi i një arresti të tillë, jokushtetues dhe kërcënues për secilin vend demokratik të globit.
Prej nga buron kjo mendësi?
Gjuha më së miri e shpreh vetë folësin, karakterin e tij, konstruktin shpirtëror, etikën, shijen, dijen, kujtesën, statusin shoqëror…
Por gjuha shpreh edhe marrësin, si do të reagojë ai, a do të jetë në gjendje për reagim të shpejtë, për ta mbrojtur veten dhe vlerat e shoqërisë së tij apo do të heshtë ose do t’i duartrokasë folësit, kjo varet po ashtu, nga ndërtimi psikosocial i tij.
Me ndërtimin e konstitucionit psikologjik të frikës dhe frikësimit dhe me kontaminimin e gjuhës në Kosovë merret një kompani multimediale, e vetëquajtur “ideja kombëtare”, e cila ka arritur masën kritike të përmasave të një lufte potencialisht të mundshme (ndonëse për sigurinë në Kosovë kujdesen disa mijëra ushtarë të KFOR-it, si trupë e NATO-s dhe e autorizuar nga KS i OKB-së.) Kjo gjuhë është terror verbal. Pikë.
Dhe këtu e ka burimin terrori klasik, pra në gjuhë.
Gjuha nuk është, siç dëshironte Aristoteli, një hapësirë neutrale dhe paqësore në të cilën mund të shprehen pikëpamjet e kundërta; ajo as nuk është siç mendon Marxi, një instrument politik të cilin mund ta përdorin njësoj në shërbim të tyre si sunduesit ashtu edhe të sunduarit…Gjuha është thjesht pushtet, vetë forma e pushtetit, tërësisht e konturuar nga pushteti, madje edhe në formën e saj më të thjeshtë retorike – vjen në përfundim Bernar Anry-Levi.
Ku konsiston ‘marksizmi gjuhësor’ i klasës politike në shoqërinë kosovare në transicion dhe si fshihet në ligjëratën e tyre dëshira për ta shtjerë në dorë pushtetin për ta kontrolluar me terror shoqërinë? Në këtë ‘dëshirë të projektuar për sundim’ më së denduri përdoret “ideali kombëtar për liri, pavarësi dhe siguri” dhe “tradhtia e tjetrit…”
Sipas Michel Foucault, “diskursi nuk është vetëm ajo që manifeston ose fsheh dëshirën..”.
Terroristët gjuhësor së pari hyjnë në një aleancë natyrore, lidhen me turmën pasi ta kenë frikësuar dhe prapa ‘diskursit’ fshehin dëshirën për ta shtënë pushtetin e pakufishëm në dorë. Pastaj ‘ndërtojnë’ një diktator, qoftë edhe nga një palaço, kjo fare s’ka rëndësi, duke iu bërë themel dhe shtyllë qendrore diktaturës. Mendimi diktatorial së pari i ndërsen grupet falangiste kundër vlerave të shoqërisë civile, i cyt dhe ushqen një kohë, pastaj i përdor për interesat e sundimtarit dhe i hedh në rrugë, për t’u përleshur me forcat e reja qytetare, që duan të dalin në skenë për ta mbrojtur veten dhe liritë e tyre, derisa skena mbushet plot gjak e kufoma.
Perdja bie pas luftës qytetare…
Kontaminuesit e gjuhës në media, në politikë dhe gjithkund rreth nesh sot në Kosovë po i prijnë terrorizmit klasik, duke ia krijuar ambientin e përshtatshëm-armiqësinë me tjetrin-tjetrën, me një fjalë me ata që nuk mendojnë si pushteti dhe për ta përligjur ndjekjen (persekutimin) e tyre…
Duke qenë se “çdo shoqëri humane karakterizohet nga një luftë simbolike inherente për prodhimin dhe dominimin e opinionit të përgjithshëm (common sense), e sidomos për sigurimin e monopolit të emërtimit zyrtar legjitim në shoqëri” (Pierre Bordieu) pretendentët ‘legjitimë’ të mbisundimit e ruajnë për vete ‘legjitimitetin'(?) e monopolit të emërtimit zyrtar, e këtë ‘legjitimitet’ atyre ua siguron monopoli politik (pushteti jolegjitim, por legal) që në esencë është marksizëm.
Tani, jo më gjuha është pushtet, por pushteti është gjuhë: që flet kudo dhe çfarëdo, me mjete të detyrimit; me sistemin e festave dhe zitë e veta, ka vetëm një të vërtetë, një histori dhe një logjikë: argumentin e forcës; një ligjëratë: L’etat c’est moi!; një kod: totalitarizmin!
Duke e ‘zbutur’ tezën marksiste dhe duke iu shmangur përjashtimit Jurgen Habermas, ka një botëkuptim ‘revizionist’ kur thotë: “Gjuha është një mjet komunikimi që i shërben mirëkuptimit”; porse gjuha në Kosovë nuk ka të bëjë fare me mirëkuptimin njerëzor, ajo të çon nga armiqësimi dhe konflikti.
Jo vetëm Gluksman, por edhe shumë filozofë “të rinj” të postmodernes, si Bernar Anry- Levi mendojnë se “gjuha është pushtet”, dhe se “nuk ka politikë që të mos jetë para së gjithash linguistikë”, për më tepër gjuha është esenca e pushtetit, ndërkaq “gramatika është shkenca e pushtetit”, “një shkencë idiomatike e pushtetit.”
Pretendentët e pushtetit në shoqërinë kosovare gramatikën e kanë për ‘shkencë të parë’ dhe ‘algjebër të dominimit’ – shprehet Levi.
Në këtë stadium fillon “përpunimi i gjuhës”, arrihet kontaminimi i pjesshëm apo i plotë i saj duke krijuar tregime stereotipe mbi “Ne dhe Ata”, mbi “Unë dhe Tjetri”, mbi “Patriotë dhe Tradhtarë”, “mbi ata që vrasin natën dhe qajnë ditën…” deri në përmasa të tragjedive shekspiriane, siç shprehet shkrimtari i famshëm hebre Amos Oz, perdja e të cilave bie rëndom me gjak dhe terror (sindroma e Shqipërisë gjatë krizës së vitit 1997 dhe paralajmërimet se sindroma është ende e gjallë mes shqiptarëve dhe kërkon të rishfaqet). Gjuha kështu vdiret, reduktohet në disa fraza, të cilat më fort u ngjajnë komunikatave të palëve ndërluftuese se sa politikanëve në kohë paqeje. Kjo gjuhë agresive (paramilitare) pastaj nis të prodhojë tym, shumë tym, i cili së pari tek turma krijon perde të mugët, pastaj frazat ripërtypen dhe prodhojnë shumë zhurmë (lehje apo ulërima?), që krijon perde të mosdëgjimit të palës tjetër opozicionale.
Dhe nis procesi i bindjes. Rregulla loje më s’ka, ka vetëm besim apo vetëm nënshtrim.
“Ndotja e gjuhës i paraprin ndotjes së ambientit dhe dinjitetit.
Në fund, shteti, regjimi, klasa apo ideja mbesin të paprekura, derisa jeta njerëzore përdhoset.” – thotë Oz.
Ndotja e gjuhës është shumëfish më e rrezikshme sesa kontaminimi nga bomba bërthamore, sepse ajo betonohet me shekuj të tërë në shpirtin dhe mbamendjen e një shoqërie.
Tashti mungon të thuash totalisht vetëdija kritike ndaj liderit, prijësve “moral dhe shpirtëror”, ndërsa ata që kanë ende kurajë për të folur zëshëm, stigmatizohen shpejt dhe hidhen në taborin e armikut nën etiketat stereotipe.
E në mungesë të zërit kritik, edhe njerëzit më tipare liberale, nisin t’i thyejnë pasqyrat përreth, shikojnë vetëm para vetes, përbuzin njerëzit e tjerë. Liberatori i veshur me pushtet tashti ndihet tepër i fuqishëm, e sheh veten në panteonin e të pavdekshmëve dhe ndjen sikur gjyqi i historisë nuk rëndon më mbi të. Kështu lind diktatori…
Dijetari spanjoll Ortega Y Gasset, duke e komentuar gjendjen e shtetit (përkatësisht të “anijes së shtetit”) në Evropën Perëndimore nga fundi i shekullit 18 deri në mesin e shek. 19 dhe raportin e tij kundrejt masës, shkruante: “Dallimi shumë i madh për nga niveli ndërmjet forcës së shoqërisë dhe të dhunës publike shkaktoi deri më 1848 revolucionin, shkaktoi revolucionet”.
Prandaj, duket se kontaminimi i gjuhës zbeh forcën e shoqërisë dhe rrit shumëfish dhunën, së pari terrorin verbal, pastaj rrokën sakicat…, një shpërputhje e tillë po e çon shoqërinë shqiptare në tragjedi. Pra në paradiktaturë, dhe logjikisht më vonë, pas të menduemit të diktaturës që akoma është në tentativë, kjo pason me revolucionin. Parimisht jam kundër revolucioneve të dhunshme, por paraprakisht mbroj qëndrimin e preventivës antidiktaturë, sepse, nëse ky model i qeverisjes arrin të konturohet dhe të etablohet si nomos i ri, atëherë revolucioni është e keqja tmerrësisht e domosdoshme!
“Civilizimi është, para së gjithash, dëshirë dhe vullnet për jetë në bashkësi me të tjerët”, – thotë Ortega Y Gasset. Në epiqendër të mendësisë liberale nuk është përjashtimi as satanizimi i kundërshtarit, por të jetuarit në bashkësi me të, në dallime, një koekzistencë paqësore dhe aktive me kundërshtarin.
“Të jetosh në bashkësi me armikun! Të sundosh bashkë me opozitën” – siç thotë Gasset, këtu është pikëmbështetja e demokracisë dhe shoqërisë civile, e paakceptueshme për pretendentët e mbisundimit në shoqërinë kosovare.
Gjuha kafshon shpirtin…andaj të provojmë së pakut që shthurja të jetë çehoviane.
Ta marrim depresionin, deziluzionizmin dhe zhgënjimin e ta lëmë helmin a litarin, hurin e shigjetën apo plumbin dhe sëpatën shekspiriane…
Atakimi i gjuhës nga pushteti paranoik (në rastin kosovar karshi ‘huliganëve’ ose ‘turmave’ armike), monopolizimi i saj nga kastat qeverisëse po e zëvendësojnë kulturën demokratike me kulturën e sekretit, e cila, pashmangshëm shpie te kultura e krimit.
Pra në dhunë.
E, ata “gjeneralasimusa” të kësaj mendësie që tentojnë ta hedhin qytetarin nga politika në biopolitikë (hapësira për jetë të zhveshur; Agamben) duhet të ndalen tash, sepse më s’ka kush i ndalë. Një vëzhgues neutral perëndimor do të thoshte me shpërfillje: “Budallallëk”! Pa e ditur se në këtë budallallëk ka sistem të përpunuar të të menduarit. Ata mund t’u shesin “barsoletën” qytetarëve naivë, se këtë e kanë menduar për situata të skajshme (ndoshta në pjesën veriore të Kosovës), mirëpo dhuna e drejtuar përjashta, lehtë kthehet përbrenda dhe kështu ka ndodhur në të gjitha rastet e diktaturave kudo që ato janë shfaqur.
Një ditë, sipas kësaj mendësie, secili qytetar i Kosovës, ose secili fëmijë kosovar mund të jetë Hamza Ali Al-Khatibi.
Eshte hera e pare o`Matosh qe po te kuptoj drejte.Nuk e di pse kisha krijuar pershtypjen se pena jote ishte vene ne sherbim te atyre qe jane ne pushtet.Te pakten ne disa shkrime qe bejne fjale per problemet nga Shqiperia.Por kete rradhe te lumte.Analize teper e sakte dhe me paralajmerime serioze.Ajo qe ju i frikesoheni qe te mos ndodhe,tek ne ka ndodhur me kohe dhe tashme i kemi pare dhe do t`i shohim me tej pasojat.Diktatura eshte vendosur dhe po studiohen rruget se si mund te rrezohet me kosto sa me te ulet.Mos qofte ethene qe edhe Kosova te kaloje te njejtin tranzicion.Me behet qejfi qe e keni kapur dhe po u bini sirenave te alarmit per rrezikun qe po i kanoset demokracise.Personalisht,jam shume i zhgenjyer me zhvillimet,sidomos pas zgjedhjeve te parakohshme dhe shoh nje paralele te cuditshme te zhvillimit t ngjarjeve.Fjalen e kane opozitat,si ne Kosove edhe ne Shqiperi per te shpetuar kombin nga revolucioni i detyruar,si ne vendet e Magrebit.Edhe nje here,faleminderit per trajtesen ne kohen e duhur.
o matosh je si mero baze asme pak as me shume ti je antishqtar je kundra bashkimit te kombit te kam ndjekur ne cdo debat dhe televizion je sishuku mero se edhe ai eshte anti shqiptar