Gjirizi i proporcionalit – ose kur fiton çelësat e kashtës

27 Maj 2011, 18:59Blog TEMA

Nga Gjergj Erebara

Ka një si tip barsalete që tregohet për zgjedhjet e vitit 1996. Komisionerët e Partinë Demokratike po manipulonin votat kur dikush shtroi pyetjen: pse po i manipulojmë votat se praktikisht zgjedhjet i kemi fituar!? Njëri nga komisionerët iu përgjigj: Na duhet proporcionali!

Mund të jetë goxha ngushëllim për të djathtën dhe median pranë saj: Aleanca për qytetarin, falë votave të fshatarit shqiptar anekënd vendit, mori më shumë këshilltarë bashkiakë e komunalë në zgjedhjet e fundit vendore që u mbajtën më 8 maj, por që rezultatin e të cilave realisht nuk e kemi të qartë as pas dy javësh. Lajme të ndryshme sugjerojnë se kryebashkiakët e majtë do ta kenë të pamundur të qeverisin pasi këshillet bashkiake, të cilat kanë funksionin e parlamenteve vendore, do të jenë jashtë kontrollit të tyre. Ky ngushëllim është me të vërtetë i madh për kryeministrin, i cili pa se si kandidatët e tij nëpër bashkitë kryesore shpesh morën më pak vota sesa aleanca që i mbështeste, gjë që tregon se shumë qytetarë kanë votuar kundër kandidatit djathtas si një shenjë neveritjeje ndaj fodullëkut pushtetor.

Gjithçka është e rregullt deri në këtë pikë në rast se ne harrojmë historinë. Shqipëria ka bërë sakaq gjashtë palë zgjedhje për pushtetin vendor, kështu që është e mundur të shihet se nga ka anuar vota proporcionale, e cila në vetvete nuk është se shërben për pothuajse asgjë, sido që fituesi mund të mburret e ka fituar fjala vjen, më shumë deputetë ruralë.

Rezultati i parë që del po të shikosh zgjedhjet e së shkuarës është që proporcionalin e fiton qeveria, dmth ajo forcë politike që ka për momentin qeverinë qëndrore. Kështu ndodhi në zgjedhjet 2000 e 2003, kur në atë kohë maxhoranca e majtë, fitoi proporcionalin në mënyrë dërrmuese në fshat. Kështu ndodhi edhe më 2007 e 2011, kur maxhoranca e djathtë rrëmbeu zona që dukej sikur do të votonin ende për Enver Hoxhën po të qe gjallë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2003, kur edhe një herë e majta mori absolutisht më shumë vota, u duk sikur vendi po ecte sërish drejt shtetit njëparti. Kishte shumë pak gjasa që e majta të mund të konkurrohej realisht në zgjedhje.

Shkaku për këtë ndryshim të fshatit nga njëri krah në krahun tjetër nëpër zgjedhjet vendore lidhet ngushtë me vetë llojin e zgjedhjeve. Kur garohet për parlament, janë 140 vende në lojë. Fjala vjen, nja 500 kandidatë mund të kenë shpresë reale për të hyrë aksidentalisht në parlament. Për zgjedhje vendore kandidohet për mijëra postesh deputetësh vendor, që që i jep akoma më shumë mijërave politikanë mundësinë për të shpresuar. Çdo deputet vendor, përveç një rroge të ngjashme me Ndihmën Ekonomike, ka shpresë se mund të bëjë ndonjë korrupsion të vogël, jo ndonjë titull pronësie, jo ndonjë subvencion bujqësie. Këta mijëra kandidatë për politikanë, përfaqësojnë mijëra familje dhe dhjetëramijëra vota. Kjo shpjegon se si partitë e vogla arrijnë rezultat më të lartë nëpër zgjedhjet vendore. Natyrisht që në këtë rast, qeveria ka pushtetin dhe rrjedhimisht edhe rezultatin më të lartë në proporcional. Në të shkuarën ka ndodhur shpesh që parti të vogla, si ajo e Xhuvelit, të njihej prej kohësh si partia e Ministrisë së Bujqësisë, ose siç duhet të njihet tashmë e turje Partia Republikane si partia e ministrisë së pyjeve, ujërave e ambjentit. Këto ministri-parti apo parti-ministri, kanë rrjet drejtorësh e punonjësish në të gjithë vendin. Drejtorët e punonjësit, në raste zgjedhjesh, shpesh bëhen kandidatë për këshilltarë dhe rrjedhimisht, nënkuptohet që përbëjnë proporcional me të cilën maxhorancat e momentit mund të mburren.

Punët ndryshojnë kur bëhet fjalë për pushtetin real, atë të parlamentit. Kështu, psh në zgjedhjet vendore 2000, Partia Socialdemokrate mori 7.11 për qind të votave nga proporcionali. Aleanca Demokratike mori 4 për qind. Pak muaj më vonë në zgjedhjet e qershorit 2001, PSD zbriti në 3 për qind, Aleanca Demokratike nuk e arriti dot pragun prej 2 për qind. Ndërsa e majta korrte fitore të manumërta më 2000 e 2003, situata u përmbys më 2007. E djathta korri fitore të panumërta nëpër katundet e Shqipërisë ndërsa humbi pjesën dërrmuese të qyteteve kryesore. Zona të njohura si komuniste 24 karat si Lushnja apo Tepelena papritur votuan për qeverinë e djathtë. E njëjta gjë duket se ndodhi edhe më 2011. Morali i fabulës është që për dreq, fshati jep proporcional për qeverinë, cilado qoftë ajo. Me të ndryshuar qeveria, ndryshon edhe proporcionali.

3 komente në “Gjirizi i proporcionalit – ose kur fiton çelësat e kashtës”

  1. artur says:

    Te gjithe si pa dashje bejne lojen e Saliut.Nuk e thone ashiqare se eshte me e lehte ti vjedhesh votat ne fshat.por vazhdojne te bjene ne kurthin e skizofrenit me te madh qe ka njohur ndonje here Shqiperia.

  2. ilir says:

    Per mua kjo eshte nje dushkezim kombetar.
    Per zgjedhjet e 8 majit nje miku im qe me pare nuk e kishte nr e tel pas mundimesh e kishte gjete. me mori ne tel dhe ,e kerkoi ndihme. Cfare donte? Donte voten se kishte kandiduar per keshill bashkiak. Po per c parti e pyes kishte kandiduar? Per xhuvelin me thote. Me kete xhuvelin e kisha ngrene njehere kur kishte kandiduar nje mesuese shume e mire dhe dhame votat familjarisht, por na tradhetoi po familjarisht vete z. Xhuveli e jo mesuesja. Po ti i them e di qe une ja ne krahun tjeer telefonuesit. C ne merr vota majtas e co djathtas.? Pse nuk kandidon majtas e pyes? Pse nuk dei i pa varur ? Jp me thpte jo. ne fakt te qemit dikush me pak ze . shkolle dhe paok detyre jo rralle te gjuajne partite e keshtu bejne vota propocionale.
    zKeshtu nje shtrese dushku mbulon tere kete vend, ku nuk merret vesh lesh arapi.

  3. Nabukodonosor says:

    Fshati te rrethoje qytetin-ka thene Mao Ce Duni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje