Morali dhe procedura

25 Maj 2011, 21:16Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Në funksion të justifikimit të ‘djegies’ së etapave prej shumicës në KQZ për shpalljen e fituesit paraprak, mazhoranca po përdor së fundi ‘kartën’ morale të numërimit të votës pavarësisht procedurave, referencave ligjore apo praktikave të shndërruara në ‘rregulla’ të pashkruara por të gjithëpranuara. Numërimi i votës së vlefshme ka moral dhe kjo u dëshmua dy vjet prej opozitës në epikën e saj për të ndërkohë që e kundërta ndodhi me mazhorancën që e refuzoi atë sistematikisht në emër të procedurës ndonëse nuk synohej ndërrimi i pushtetit në tavolinë pavarësisht diferencës së vogël të rezultatit zgjedhor 2009. E ardhur nga ky precedent ‘inkuizicioni’ i votës së lirë, sot mazhoranca stonon me tezën e respektit ndaj fatit të saj për aq kohë sa minimalisht nuk reflekton publikisht ndaj asgjësimit apo syrgjynosjes në arkiva të vullnetit zgjedhor 2009. Kjo nuk po ndodh, përkundrazi, mazhoranca vazhdon karshillëkun ndaj opozitës duke ironizuar vullnetin e ndjeshmërinë e saj ndaj votës së lirë me akuzën e konvertimit të sloganit ‘hapni kutitë’ në ‘mbyllni kutitë’ thjesht dhe vetëm për të cenuar besueshmërinë e saj në publik, ndonëse indirekt përbën një ‘autogol’ politik për vetveten.

 

Liria e votës tejkalon numërimin e saj

 

Opozita nuk është kundër votës së lirë, por spekulimit me shenjtërinë e saj në funksion të objektivave politikë. Vota e lirë është një koncept integral që përfshin si garantimin e lirisë së votimit prej çdo presioni direkt apo indirekt të pushtetit, kushteve të barabarta të fushatave elektorale, etikës së mesazheve e praktikave elektorale ashtu edhe leximit korrekt të saj. Votën nuk e bën të lirë vetëm leximi i saj, sado korrekt qoftë ai, sepse pushteti ka përgjegjësi integrale dhe ekskluzive për garantimin e lirisë së votës përballë tundimit të deformimit në çdo etapë të saj.

Apeli i mazhorancës sot për numërimin e votës në emër të moralit, për më tepër në funksion të ndërrimit të rezultatit në tavolinë, tejkalon moralin e kompromentuar të saj në raport me transparencën e votës në të shkuarën. Nëse vlerësohet apeli, pavarësisht subjektit që e përcjell, numërimi votës mbetet gjithsesi një precedent pozitiv që vetëm e shëndosh procesin elektoral në vend, për aq kohë sa respekton kontekstin zgjedhor, kuadrin ligjor dhe traditat e gjithëpranuara të vendimmarrjeve. Këto të fundit janë për një qëllim dhe nëse duhet të tejkalohen për hir të moralit të votës, në emër të moralit politik duhet të kenë efekte për të ardhmen dhe jo për interesa afatshkurtra për të përmbysur rezultate në tavolinë.

 

Profesionalizëm apo politizim!

 

Puna ka radhë dhe gjithkush, partnerët perëndimorë përfshirë, priste prej KQZ zbardhjen paraprake të rezultateve mbasditen e 14 majit, pasuar me ankimimet përkatëse dhe apelimet në Kolegjin Zgjedhor. Mazhoranca i ‘dogji’ këto etapa jo vetëm për të shmangur akuzën për ‘ndërrim rezultati në tavolinë’ për aq kohë sa nuk shpalli një të tillë paraprak, jo vetëm për të mos identifikuar veten, qoftë dhe përkohësisht si ‘humbëse’ të zgjedhjeve, me efekte në moralin e mbështetësve dhe institucioneve nën tutelë, jo vetëm për t’i ofruar vetes kohë të vyer në funksion të strategjisë së radhës, por dhe për detyruar opozitën të ndërmerrte hapin ankimues në Kolegjin Zgjedhor ku tashmë mazhoranca ‘intimidon’ me statusin e fitueses së certifikuar.

Shumica në KQZ, pasi afishoi një rezultat progresiv jo të detajuar, shpesh jo në kohë reale deri dhe me gabime, nuk përvijoi llogaritjen deri në kutinë 485 që përkoi me shpalljen ‘de facto’ të fituesit për Tiranën duke dëshmuar minimalisht papërgjegjshmëri profesionale për një institucion shtetëror me status elite. KQZ e ka detyrim shpalljen e rezultatit paraprak zgjedhor dhe ‘fotografimi’ i finishit dhe zbardhja formale e tij është procedurë standarde që ai nuk e përmbushi në kohë. Më tej dhe mbi bazën e ankesave të palëve, roli i tij mund të ishte proaktiv dhe kërrkush nuk do ta paragjykonte. Nëse për precedent, numërimi i votave në kutitë e gabuara nuk duhej të ndodhte, të paktën në fazën e zbardhjes së rezultatit paraprak. Diferenca e pakët e votave pas kutisë 485 nuk mund të jetë apriori arsye për rinumërim sepse ligji nuk përcakton diferenca ‘kritike’ që e bëjnë të domosdoshme këtë proces. Për më tepër që diskriminon indirekt rezultatet zgjedhore në rajone të tjera të vendit duke hapur kutinë e ‘Pandorës’ elektorale. Një diferencë e vogël aq sa është arsye morale për apelim për humbësin, është dhe arsye morale për fituesin që iu nënshtrua pa paragjykim të njëjtave rregullave të lojës ndërkohë që loja me rregullat e lojës indirekt ngre pyetjet hipotetike nëse do të reagonte po njëlloj mazhoranca nëse rezultati 14 majit do të ishte në favor të saj apo diferenca mes kandidatëve do të ishte e ndjeshme.

 

Morali apo procedura!

 

Procedurat kanë një funksion rregullator dhe përsosja e tyre nuk duhet të përdoret si alibi për abuzim zgjedhor në funksion të dobishmërisë partiake të momentit. Është e njëjta mazhorancë, protagonistë të së cilës, falë procedurave dhe në emër të tyre, kanë shmangur një seri procesesh gjyqësore rreth çështjesh të bujshme me ndjeshmëri publike, potencialisht me kosto politike për karrierën politike dhe popullaritetin e partive të tyre, pavarësisht moralit të respektimit të interesit publik, zbardhjes e transparencës së rrethanave dhe rolit të protagonistëve që sot apelojnë për votën e tij.

Në një shoqëri ‘tranzicio-kratike’ morali politik ende nuk përbën një standard korrekt konstant në interes të publikut përveçse alibi e rëndomtë për të justifikuar synimet e radhës. Tashmë e paragjykuar, klasa politike në përgjithësi e mazhoranca si përfituese e manovrimit elektoral të radhës në veçanti, në emër të emancipimit demokratik dhe respektit ndaj miqve perëndimorë, duhet urgjentisht të mos provokojë më tej predispozicionin e elektoratit shqiptar duke e marrë të mirëqenë atë, por të respektojë rregullat e lojës demokratike në respekt të vetvetes dhe shpresës për të ardhmen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje