Është fare logjike që në një shoqëri si e jona, ku gruaja, në rastin më të mirë, injorohet në mospërfillje ose bëhet e rëndësishmja në mbretërinë e gjërave të parëndësishme, dhe në rastin më të keq, zhdëpet në dru ose vritet, të gjesh ndër shumicën e burrave një unitet që nuk e pranon abuzimin ndaj gruas. Përndryshe si do mund të ngryseshin e gdhiheshin me veten e vet? Megjithatë, ngaqë gjendja e gruas ulërin padrejtësi, e kam gjithsesi të vështirë ta kuptoj verbërinë që i lejon të flenë më mirë e mbretërojnë më rehat. Më poshtë sjell lakime të ndryshme të gruas në diskursin tonë publik, pavarësisht nga pozicioni në hierarkitë e arsimimit të lakuesve. Herë ky lakim është nënvlerësues, e herë tjetër urrejtës. Sido qoftë, në të gjitha rastet synon të ruajë një status quo shfrytëzimi e padrejtësie shoqërore, madje edhe të rëndojë më tej ndëshkimin ndaj gruas. Para pak ditësh më bëri përshtypje në një takim televiziv në Opinion një version “intelektual” i nënvlerësimit të gruas, në formën e vështrimit superior mashkullor. Vinte nga dy burra të njohur mediatikë. Disa herë u shfaqën ndërhyrje nervoze ndaj zhvendosjes së problemit nga individi grua në qendër të emisionit, në rrafshin e përgjithshëm kritik shoqëror e sistemik, që është tamam këndi në të cilin duhet vështruar problemi që të mund të çojë drejt emancipimit. Herë të tjera vura re nënqeshje ironike ndaj “sloganeve feministe” dhe “çuarjes në absurd” të problemit të trajtimit të gruas nga institucionet. Edhe nëse vetë të dy burrat janë të panjollë në praktikat e marrëdhënieve të tyre personale me gratë, me pozicionime ideologjike të tilla, i bëjnë një shërbim regresit të shoqërisë shqiptare dhe jo progresit të saj. Sinqerisht nuk e prisja. I mendoj të dy burra të rinj në moshë e krye. Aleati i vetëm që gruaja ka në Shqipëri (veç vetes) janë mediat dhe shkollat, ndaj këta burra mediatikë pritet t’i kuptojnë dukuritë më mirë e të ndërtojnë imazhe më konstruktive. Dihet që mediat kanë gjithashtu zë e sy mashkullor. Por, nga një burrë i përgatitur mediatik, personalisht pres qasje progresive bazuar mbi të gjitha në njohjen e realitetit; pritet që ky lloj mashkulli të ketë aftësinë të kapërcejë ideologjitë e internalizuara mashkullore brenda vetes në rreth 40 e ca vjet jete në një ambient që ushqen ideologji të tilla, të jetë më i hapur, të shohë më larg, të kuptojë se “institucionet” që sipas tij nuk janë veçanërisht anti-grua, nuk janë ndërtesa formale prej letre, por kanë fytyrën, mendjen, duart dhe gojën e funksionarëve institucionalë. E shpesh këta funksionarë janë burra civilë a me uniformë, me pantallona të Ermenegildo Zegna-s apo me brekushe e që herë e dinë që janë gra-abuzues (me të drejtë, pa dyshim), e herë as që e kanë idenë.
Zbrit më poshtë në hierarkinë e edukimit dhe edukatës formale, dhe lexo si lakohet gruaja. Më 6 mars në një shkrim titulluar “8 marsi i Emmy-t” botuar në Shekulli, gazetari me të drejtë do ta kalojë problemin e Emmy-t në një rrafsh më të gjerë sesa ai i një fatkeqësie individuale. Dhe pse jo: përndryshe e gjithë drama nuk kish përse të diskutohej fare në gazetë. Ai kritikon jo veç thjeshtëzimin e problemit nga njerëzit, por edhe sesi në një shoqëri dritëshkurtër, viktima shoqërore tretet në hiç, dhe vendin ia merr thashethemi për individin të cilin gishti patriarkal e bën fajtor … e sa më grua të jetë individi, aq më fajësues është gishti. Ky reagim me gishtin tundës që thotë “Turp!”, fatkeqësisht vjen edhe nga gratë, siç thuhet në shkrim. “Gratë (dhe tërë shoqëria) i bënë një skaner të shpejtë e cinik: “Ç’punë ka një 19 vjeçare me një 44 vjeçar?”, “Ajo vetë e paska kërkuar”. Mendoj se analiza duhet të shkonte pak më tej dhe të shënonte faktin që mungesa e vlerave të sotme i shtresohet një të shkuare (që ende mbetet fort gjallë) super-patriarkale ku ndërtimi i një marrëdhënieje të shëndetshme grua-burrë ishte i pamundur. Gjithashtu, mungesa e vlerave sot nuk është thjesht “femërore”, por, siç vërehet në shkrim, drejtohet nga po ai mentalitet mashkullor i azizëve dhe berluskonëve në një shoqëri që ofron pak alternativë në edukim e punësim për vajzat apo djemtë. Por unë ndaj me gazetarin po atë shqetësim që kërkon të kthejë dylbinë publike drejt parjes së plagës shoqërore në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet gjinore tek ne, dhe jo të fajësojë gruan-individ, dhe sidomos jo, individin-grua.
Por si kuptohet dhe çfarë vilet e përzgjidhet në këtë shkrim nga disa lexues? Aspak ajo që unë besoj se autori synonte. Njëri prej komentuesve që është dakord me idetë e shkrimit, madje falënderon Shekullin për këtë kënaqësi, e komenton kështu shkrimin duke barazuar shthurjen e shoqërisë shqiptare, me shthurjen e grave, vajzave e sidomos nënave (kam lënë formën e pacënuar të komentit):
“FLM Shekulli.Nje teme shume e Nxehte kjo,Tema me e Forte dhe me Aktualja.Kemi te bejme me nje Shthurje te Shoqerise Shqiptare,Totale do te thoja.Gra te martuara,(nje shumice e madhe kjo) jan me Dashnor.Dhe me e bukura eshte qe me vetedijen e tyre me te madhe e kane dhe per Krenari qe Jetojne keto Lidhje.Kam ven re qe shume Gra,Nena keto,perpiqen qe te Pispillosen duke u lyer e zhgryer dhe duke zbuluar shume pjese te trupit,edhe me shume se dhe vete Vajzat e tyre.Por nuk jane vetem keto,kemi dhe Matrializmin qe po e vret cdo dite e me teper shoqerin Shqiptare,gje qe ka sjelle ne Shkaterrimin Total te Vlerave Shoqerore.Nje femer ne Shqiperine Tone nuk e ka me problem fare kur ndahet nga nje djale,tak-tak gjen tjetrin,per te mos thene pastaj qe nje pjese e mire e femrave ne TR kane dhe me shume se 1 ose 2 Dashnore.Dhe ky eshte vetem Fillimi”
Një tjetër komentues përforcon idenë e të parit nën të njëjtën notë:
“Shoqeria Shqiptare ka plot 20 vjet qe nuk ka me as nje veti qe kishin prinderit e gjysherit tane ! Mbi te gjitha,nuk ka me TURP! Brezat e lindur mbas 1990 nuk e kane as me te degjuar prej prinderve te tyre se çdo te thote fjala Turp e as te jetosh me Ndere!”
Thua ata dhe unë të kenë lexuar ndonjë shkrim tjetër padashur? Është një gjuhë e thjeshtë dhe një logjikë pak a shumë transparente ajo e shkrimit: nuk duhet dënuar individi dhe as gruaja, por sistemi. Arsyeja pse këta lexues tjetërsojnë me entuziazëm mesazhin, është se, në shkrim, ata shohin atë që njohin në botën e vet. E vetmja pikë në shkrim me të cilën mund të lidhen, janë ato elemente që reflektojnë sistemin e vlerave patriarkale të “turpit” e “nderit” (në kuptimin e ngushtë të fjalës) që është shkopi mashkullor me të cilin i është rënë kokës historikisht gruas që ka ‘tendencën natyrore’ të bëjë turpe; ky patriarkalizëm dhe fryma antigrua është ajo që kanë brenda, që kërkojnë jashtë vetes, dhe, që pa dyshim, e gjejnë: pra “gruaja e ka fajin”, “gratë janë të shthurura”, “gratë dredhin bishtin, pispillosen e zhgërryhen që të kenë dashnorë”, “gratë shkojnë me shumë dashnorë dhe aq u bën kur ndahen me një djalë”… Dhe gjuha e urrejtjes që qartësisht ka shënjestër veç gruan (djali e burri këtu janë viktima të “matrializmit”, siç thotë komentuesi, e vuajnë nën robërinë e grave apo të dashurave të tyre që kanë aq e aq dashnorë), përfundon me retiçencën e frikës nga djalli-grua: Prisni e do shihni se çfarë do ju bëjnë gratë së shpejti. Linçimi që ato po u bëjnë burrave, si dhe vlerave tona shoqërore, veç sa ka nisur! Atëherë, çfarë prisni, o burra? Vërsuljuni e shkatërrojeni gruan, kalanë që gjeneron antivlerat në Shqipërinë e burrave të urtë! Mos i lini nam e nishan asnjë gruaje, mamaje, a fëmije femër! Ato kanë harruar vlerat e vërteta që historia jonë patriarkale na ka mësuar: “turpin” e “nderin”, faqe të së njëjtës monedhë. Tek ne mësohet negativisht, nëpërmjet “jo-së”, nëpërmjet ndalimit të veprimit dhe tkurrjes së individit nëpërmjet fjalës “Turp!”. Ne nuk kemi ndërtuar ende sisteme vlerash pozitive që thonë se çfarë duhet bërë, si duhen ndërtuar gjërat e mira e të bukura, sepse jo veç që i kemi të rralla të bukurat e s’i ofrojmë, por edhe s’na duhen sepse nuk janë vlerat tona tradicionale (ç’na duhen ato kur kemi makinën aq funksionale të turpit!). Mënyrë perfekte për të mbajtur e përjetësuar sistemin patriarkal që e çon shoqërinë tamam këtu ku jemi.
Ndoshta dikush do thoshte: “Ç’ia vë veshin atij lloj komentuesi! Nuk e sheh si e shkruan shqipen?!” Do thoja që komentuesi vërtet nuk i njeh rregullat e shkrimit, sidomos përdorimin e gërmës së madhe; Por nga ana tjetër do thoja se është një person që përpiqet të gërmojë, të lexojë e të jetë aktiv në mënyrën e vet. Jo veç se përdor kompjuterin dhe merr guximin të shkruajë online për “matrializmin”, por edhe nga leksiku dhe sintaksa që përdor dhe agjencia që i njeh vetes teksa i përdor. Ato janë në këtë rast tregues të një edukate të mesme komunikimi. Dhe mos harroni sa njerëz ka sot që nuk dinë rregullat e shkrimit të shqipes. Megjithatë, nuk është veç kategoria që nuk di të shkruajë që ka këtë mentalitet. Më poshtë po jap disa shprehje anti-grua në një shkrim nxjerrë në fb para rreth një muaji nga një person që shkruan për gazetat shqiptare dhe merr pjesë në forume folësish në TV (dhe, që ta shoh unë një njeri në TV, dmth që del më shumë sesa rrallë), por që mesa duket i ka për nder e krenari pikëpamjet e veta anti-grua:
“Lufta kundër fesë në Shqipëri një nga objektivat kryesorë ka patur gruan dhe në veçanti atë muslimane e cila ndryshe nga gratë perëndimore që shkonin në kabare e kurvëroheshin pa teklif…”
“ta nxirrnin nga shtëpia dhe ta bënin “të barabartë” me burrin. Pra me pak fjalë ta largonin nga pozita e nënës dhe gruas dhe ta “emanciponin” në pozitën e kurvës, dashnores, punëtores dhe revolucionares.”
“zv.ministrja e arsimit Nora Malaj e cila kishte veshur një bluzë dekolte nëpërmjet të cilës i dukej gjoksi”
“e kishte nxjerrë gruan pa shami si kaureshat e Evropës”
“…ku virtyti që zuskat mediatike dinë të reklamojnë është lakuriqësia, seksualizmi dhe mospatja e asnjëlloj norme morali apo turpi përpara mashkullit.”
“Shembulli më i fundëm i Republikës Franceze, ku presidenti i saj ka marrë për grua një rrospi mediatike si Karla Bruni, tregon qartë krizën e laicizmit dhe pretendimeve të tija universaliste.”
Ja edhe një shembull tjetër përdhosjeje e nënvlerësimi nga janari i këtij viti, nga një komentues në një ndër blogjet më progresistë shqiptarë sot, që kryhet, jo ‘kundër gruas e në emër të fesë’, por ‘kundër gruas e në emër të kombit’: “eshte e dobishme ideja se grate perendimore jane te perdala, pasi ky eshte stereotip qe krijon pengesa kulturore ne çeshtje martesore (ka me dhjetra pengesa kulturore qe prishin marredheniet, duke filluar nga fe te ndryshme, qe kane gerryer nga brenda edhe lidhje te forta), me leverdi per kombin, sikunder ka qene per shekuj pengesa kulturore qe ka penguar martesat mes shqiptareve me romet”. Në fakt, sido që e di (dhe e pranoj syulur) se shumë prej nesh në thelb mbeten racistë, dhe mund të shohin vlerë pozitive në pjesën e fundit të këtij citimi, ky mesazh, është sa anti-grua aq edhe racist.
Të gjithë mesazhet më sipër i bashkon një bosht unifikues: të gjithë duan të mbajnë gruan poshtë, ose duke thënë se po e mbitrajtoni si viktimë kur nuk është kështu (ekzagjerime feministesh!), ose duke thënë se ka vlerë e merr vlerë veç po e kur i bindet burrit dhe rregullave bërë prej tij, ose duke thënë se, në fund të fundit, ndonjë llaf i vockël kundër saj (si psh ‘e përdalë’) mund edhe të jetë me vend, kur e bëjmë në emër të atdheut. Po përse të mos e mbyll sekuencën e shprehjeve e shprehive anti-grua me kreun tonë: “lavire bulevardi”? Kreu i ministrisë nuk thotë, fjala vjen ‘kurvar bulevardi’. Për mua ‘kurvar’ e ‘lavire’ janë sëmundje sociale krejt të ngajshme me njëra- tjetrën e nuk do mundesha kurrë t’i përdorja si sharje. Por e them me siguri, se kush nga shpirti nxjerr klithma si “lavire bulevardi!”, jo veç e kupton botën, shoqërinë dhe individin sipas teorive të para 1900-ës, por ka në gjak urrejtje për modernen, për lirinë e njerëzve të barabartë, e sidomos përçmon gruan. E dini si më tha një amerikan të cilit i tregova shprehjen e kryeministrit tonë? Më tha: “Që një kryeministër ballkanas mund ta thotë këtë, e kuptoj, por si është e mundur që një mjek të shprehet në këtë mënyrë?” Është vështirë t’i vësh linjë ndarëse shoqërore kësaj rrjedhe anti-grua që përfshin nga më të edukuarit në më të paedukuarit.
A them se kështu janë të gjithë burrat shqiptarë apo ballkanas? Jo. Unë njoh plot që nuk janë të tillë. Por e di dhe e ndiej se ka shumë më shumë që janë qenie në thelb antigrua, mëkuar, rritur, ngjizur me këtë mendësi aq sa nuk e shohin dot më; është për të ardhur keq që nuk pozicionohemi më fort kur hapësira publike ndyhet me ide që çlirojnë reaksion dhe padrejtësi si kjo; opinioni publik nuk duhet t’i kalojë me indiferencë ide të tilla. Ato shtiren sikur janë veç kundër një kategorie grash, atyre “moderneve”, “zuzkave mediatike”, “të përdalave të këtyre 20 vjetëve të fundit”. Ka të tjerë që pozicionohen si zëra të arsyeshëm e të balancuar. Ose sikur kanë arsye metafizike me rrënjë hegeliane që i shtyjnë të bëjnë pohime të tilla jo personale për hir të ruajtjes së ‘pastërtisë racore të kombit’. Në fakt, ta thuash thjesht e shqip, janë kundër gruas së lirë e të barabartë me burrin. Sigurisht nuk u presin hundët grave “të pandershme” dhe as i vrasin duke u rënë me gurë, por janë nga e njëjta anë morale dhe filozofike si gra-vrasësit. E po përpiqem t’i rri larg termit misogjin, sepse dua me gjithë zemër që këta burra të reflektojnë e të rikthehen në sensibilitetet e veta njerëzore “të shtypuna” gjëkundi brenda vetes, që më pas të mund të jenë edhe burra “të nderuar”, në kuptimin e baballarëve, bashkëshortëve dhe bijve të mirë e të përgjegjshëm të një shoqërie të emancipuar.
*respublica.al
Comments are closed.
te lumte dora dhe mendja, Eda! Vetem nga nje grua (si ti) mund te denoncohej hapur patriarkalizmi modern shqiptar me ne krye kryeministrin e vendit.