Mbi gjendjen e sotme politike në Shqipëri dhe zgjidhja e saj

27 Janar 2011, 20:45Blog TEMA

Nga Dodë Kahmajasi

Çfarë po ndodh:

Republika e Shqipërisë ndodhet në ditët e saja më të vështira në udhëkryqin ndërmjet demokracisë perëndimore dhe regjimit autoritarist të një familjeje prapanike e komuniste dhe bashkëpunëtorëve e veglave e të saj në korrupsion e krim. Sot në Shqipëri  nuk ka demokraci por autoritarizëm, një hap larg diktaturës,  e cila sigurisht nuk do të mund të rikthehet por, do të mbaj vendin në tension, varfëri dhe prapambetje, ndërsa rajonin nën kërcënimin e konflikteve edhe nëpërmjet aleancave të këqija që regjimi po lidh për të mbijetuar. Në themel të kësaj krize janë zgjedhjet e 29 Qershorit 2009, në të cilat vjedhja dhe tjetërsimi i votës së qytetarëve  kaloj çdo kufi. Qeveria që është vetë instaluar nuk është e ligjshme dhe kundërshtimi i saj ka bllokuar vendin.

Sot si rrjedhojë e saj ka mungesë të drejtësisë për qytetarët,  ka korrupsion të tejskajshëm si në Qeveri, Drejtësi, Administratë lokale dhe qendrore ashtu dhe në shërbimet. Ministritë janë kthyer në çifliqe të partive të titullarit ndërsa administrata ndahet me përqindje ndërmjet koalicionit.   Sot media, për ti shpëtuar dhunës dhe reprezaljeve ekonomike, në një mënyrë apo tjetër i është nënshtruar Qeverisë dhe për këtë merr financime prej saj. Administrata është e politizuar, e zgjedhur për militantizëm, krahinalizëm e nepotizëm  dhe jo sipas meritokracisë, madje ajo ndryshon vazhdimisht, sa herë që ndryshohen jo vetëm qeveritë por edhe titullarët e institucionit. Kjo po rrezikon ekuilibrin social dhe përçarjen në vend. Shpërfillja e institucioneve të pavarura nga qeveria dhe refuzimi i zbatimit të urdhrave të tyre ligjore është shenja më alarmuese e dështimit të demokracisë, mbas të cilës vjen kaosi dhe përplasja e popullit me shtetin..

Rezultat i ndërtimit të mbrapsht e jo demokratik të shtetit në gjitha nivelet e tij është edhe korrupsioni jashtë çdo imagjinate në qendër të të cilit janë qeveritarët dhe familjarët e tyre. Skandali  i fundit, që ka tronditur të gjithë shqiptarët dhe mbrojtja që i bën qeveria dhe tellallët e saj, flasin haptazi për shkallën e lartë të degradimit politik, ekonomik e moral të mazhorancës që na qeveris, dhe jo vetëm të tyre, por dhe të një pjese të inteligjencies dhe analistëve, që për tifozllëk politik, interesa meskine  apo  për mëri me kundërshtarin, nuk mbajnë qëndrim dhe heshtin. Në të njëjtën kohë, reagimi i ngathët e i vonuar i asaj që quan veten opozitë, lë për të dyshuar për lidhje në afera të krerëve, apo frikë për demaskim të veprimtarive të vjetra e të reja jo ligjore. Çdo ditë në shtyp kemi shembuj të kësaj natyre. Si pasoj në Shqipëri sundon një bandë kriminale e cila, dhe ligjet i harton ose i ndryshon që t’i mundësojnë përfitime korruptive të pamasa dhe që të mund të jetë e përjetshme në pushtet.

Në të tilla rrethana ka krim të organizuar e trafiqe kriminale,  shpesh dhe me element dhe në shërbim  të politikës, si  dhe mungon tërësisht besimi tek e ardhmja. Kjo, në një kohë jo të largët,  do të përbëj rrezik dhe për rajonin. Ka mungesë investimesh të huaja dhe vendase dhe papunësi të lartë sidomos në fshatra dhe qendrat e vogla të banimit. Ka keqpërdorim të koncesioneve dhe prokurimeve duke i përvetësuar  politikanët për vete  dhe klientët  e tyre. Ka bllokim të ekonomisë dhe mungesë hapësire për biznesin vendas dhe të shqiptarëve në përgjithësi (përjashtim bëjnë ortakët e tyre). Skandali i fundit ku ministrat denoncojnë njëri tjetrin për afera korruptive është mjaft me kuptim, për shkallën e lartë të korrupsionit në qeverinë e sotme. Nuk respektohet prona private, ajo vidhet masivisht nga qeveritarët ku në radhë të parë shquhet familja e Kryeministrit, nuk ju kthehet e as ju kompensohet pronarëve të vjetër.

Nuk mund të ketë demokraci dhe përparim kur vota vidhet sheshit dhe  nuk rinumërohet në publik, kur qeveritarët akuzohen për vrasje (Gërdeci-27 viktima) dhe megakorrupsion (rruga e Kukësit ~ 400 milion euro) e mjaft raste të tjera dhe askush nuk vihet para gjyqit (ka qindra padi). Prokuroria deri më sot nuk hap as edhe një proces penal ose civil kundër politikanëve dhe veglave të tyre. Gjyqësori është vënë në shërbim të qeverisë dhe nuk jep drejtësi, por i shërben atyre që e paguajnë më shumë, në kundërshtim të hapur me çdo normë ligjore dhe praktikat demokratike. Në Shqipëri nuk sundon ligji , nuk kemi shtet të së drejtës, prandaj ekziston rreziku i dhunës ndaj kundërshtarëve të regjimit.

Kështu mosrespektimi dhe nëpërkëmbja e ligjit nga “kupola” apo një grusht njerëzish, për interesa të politikës partiake apo dhe të tyre personale e të grupit, si dhe për të treguar autoritarizëm, është sot një fakt i përditshëm. Një vend me demokraci të brishtë thuajse virtuale ka nevojë për hapësirë demokratike  për çdo qytetar  jo vetëm për dy njerëz dhe njerëzit pranë tyre që quhen parti. Shkelja e së e votës së popullit, pra e të drejtë kushtetuese për të zgjedhur e për tu zgjedhur është një krim i rëndë që duhet ndëshkuar. E ka ndihmuar dhe inkurajuar këtë dukuri dhe qëndrimi indiferent, në mos përkrahës, i bashkësisë ndërkombëtare.

Sot, strukturat partiake dhe deputetët i zgjedh Kryetari i Partisë dhe jo qytetari. Parlamenti, në aspektin e përbërjes dhe nivelit të trajtesës së problemeve, është në nivelin më të ulët dhe më të turpshëm të këtyre 20 viteve. Në të njëjtën kohë nuk ka asnjë element të demokracisë në partitë kryesore politike. Mjafton të themi që nuk votohet sipas parimit një anëtarë një votë , që nuk mblidhen forumet për një vit (PD), për të kuptuar se sa larg demokracive perëndimore jemi. Perëndimi duhet të mos i pranoj këto parti aspak “demokratike” në gjirin e grupimeve partiake ndërkombëtare. Sistemi bipartiak, që po mundohen të instalojnë, shmang kundërshtimin dhe favorizon korrupsionin dhe krimin e organizuar pranë tyre duke prurë për pasoj degradimin e parlamentit në një turp për kombin. Ishte instalimi i këtij sistemi që përshkallëzoi korrupsionin pas vjedhjes masive të votave në maj 2009. Mungesa e kundërshtimit ndaj këtyre dy partive me lidhje okulte biznesi ndërmjet tyre, si dhe mungesa e demokracisë brenda partive ka dëmtuar rëndë jetën demokratike sepse pa parti të demokratizuara nuk mund të ketë Shqipëri demokratike.

Në Shqipëri ka një krizë të vërtetë të vlerave morale, mbizotëron makutëria ekstreme për tu kthyer në milioner brenda natës, duke shkelur mbi ligjin dhe njerëzit e ndershëm. Për fatin e keq tonin ata që na qeverisin janë të zhytur në krim dhe krimi as nuk e dënon dhe as nuk e lufton krimin.

Çfarë duhet bërë:

Në tilla rrethana shqiptarët e ndjejnë vetën të trembur dhe janë të tërhequr, madje kur protestojnë vriten barbarisht. Perëndimi nuk duhet të hesht dhe as të bëj sehir, siç po ndodh deri më sot, çka i ka dhënë të ashtuquajturës klasë politike, kurajë për të mos u ndalur, në korrupsion e trafiqe, në shkeljen dhe deformimin e ligjeve, në nënshtrimin e gjyqësorit, shoqërisë civile dhe mediave, në kufizimin e të drejtave të njeriut, në dhunë ndaj protestuesve. që shqiptarët të mos jenë aktiv kundër regjimit e kundër korrupsionit, në përmasa të tilla që do të jetë me pasoja katastrofike për vendin.

Një ndihmë mund të japin dhe qeveritë perëndimore të cilat duhet të ndërhyjnë që të ndalet mbrojtja indirekte që ata mendojnë se marrin, duke mos i demaskuar dhe  izoluar, për nivelin e lartë të korrupsionit që kanë instaluar si sistem në vend. Kështu, perëndimi e sidomos ShBA, duhet të jenë të kujdesshëm në deklaratat e zyrtarëve, të cilat duhet të jenë mesazhe të qarta, që të mos interpretohen nga të dy palët si mbështetje për veprime jo demokratike.

Rasti i fundit i Countrymen që tha se “ai mendon se KQZ ka vepruar sipas ligjit”, u interpretua nga Berisha si miratim i aktit kriminal të  djegies së jashtëligjshme të fletëve të votimit nga ana e një Qeverie hajdute e të ardhur në pushtet me vota të vjedhura, duke shkelur çdo ligj, edhe  Kodin Zgjedhor. Perëndimi na ka mësuar se me vota të vjedhura qeveria është e paligjshme, dhe për këtë nuk duhet të lejonte të na dhunonte. Veprime të tilla thellojnë konfliktin politik, në vend që të ndihmojnë në zgjidhjen e tij, dhe i bëjnë të huajt të konsiderohen nga shqiptarët si bashkëpunëtorë në prapësitë që bëhen në ditën me diell, pavarësisht se për oportunizëm nuk e thonë në publik. Jam i bindur se si unë mendon shumica dhe kjo nuk është gjë e mirë.

Perëndimi duhet të japi mesazhe të qarta për mos aprovimin dhe mbështetjen e klikave që drejtojnë vendin, duke bërë publike vërejtje të qarta. Por dhe të japi zgjidhje konkrete se dihet nga të gjithë se ata njohin pazarin jo dialogun për zgjidhje sipas ligjeve. Duhet të evidentohen nga strukturat e specializuara pasuritë ilegale të politikanëve të korruptuar dhe biznesmenëve që ju shërbejnë atyre, si dhe aktivitetet e ndaluara, Duhet të kërkohet rinumërimi votave në mos zgjedhje të reja me ligj demokratik, por jo me këtë qeveri. Duhet të kërkoj që të zhvillohen gjyqet kundër politikanëve të akuzuar publikisht, të cilëve ju duhet hequr imuniteti. Por jo më pak e rëndësishme është që të thuhet qartë secila është demokracia perëndimore, themelet dhe ligjet e rregullat e saj.  Mbas demonstratës që u përgjak nuk duhet të shqetësohen vetëm për sigurinë e pak shtetasve të tyre këtu, të cilët shqiptari nuk i prek kurrë, por, dhe për shqiptarët që po i vjedh, dhunon dhe përgjak një bandë mizore që çuditërisht konsiderohet, ndërkohë që ajo ka uzurpuar pushtetin me vjedhje votash. Ndryshe nuk ka pse ti dëgjojmë dhe respektojmë.

Në Tiranë palët kanë reciprokisht dyshime për shëndetin mendor të Liderëve. Shembulli më flagrant  dhe më kuptimplotë janë seancat e parlamentit në të cilat  Kryeministri flet dhe shan si nga rruga, dhe ku është instaluar haptazi gjuha e urrejtjes ndërmjet palëve. Kjo atmosferë dhune verbale e shoqëruar me akte  administrative aspak demokratike  po tensionon klimën politike dhe  mbartte në vetvete rrezikun e konfliktit dhe dhunën ndaj kundërshtarëve. Këtë e pamë me dhimbje në 21 janar. Qëllimi i fjalimeve përçart të Saliut dhe larove që i mbajnë ison për një lugë çorbë, është ndër të tjera, largimi nga jeta politike e shoqërore e intelektualëve dhe e të rinjve që mendojnë ndryshe, të cilëve ju bëj thirrje të mos largohen dhe t’ju kundërvihen tigrave prej letre. Është koha që zëri i tyre të ndihet fortë, sepse i duhen vendit sot më shumë se kurrë. Zemërimi shoqëror i një pjese të shqiptarëve që pamë më 21janar është për diçka sublime – për demokraci, por dhe kundër mjerimit që po na pllakos, kur familja dhe klika po pasurohet duke vjedhur e plaçkitur. Dhe kjo duhet të vlej dhe për të majtën sepse në rrugën  që e hapi, ajo u fut me ritme më të mëdha diktatori Sali.

Në se vendi do lihet në duart e regjimit kolapsi nuk do të vonoj dhe do të jetë me pasoja katastrofike për gjithë kombin shqiptar, jo vetëm për ata që banojnë në Republikën e Shqipërisë, madje edhe për fqinjët e tjerë, duke ndryshuar ekuilibrat gjeopolitik e pro perëndimor, sepse vërejmë, që për të mbijetuar në pushtet, ka tentativa për  afrime me komponentin sllav të Ballkanit dhe me të tjerë anti perëndimor. Ky veprim  që  do të thotë  përsëritje e gabimit të vitit 1944 kur Shqipëria u la në dorë të vendeve komuniste,  bart në vetvete  dhe  rrezikun e eksportit të krimit të organizuar. Njëherazi vlen të mendojmë se kujt jashtë Shqipërisë i intereson kjo gjendje eksplozive dhe destabilizimi i vendit.

Korrigjimi i Kushtetutës dhe i ligjeve të tjera në themel të shtetit të së drejtës është hapi i parë që duhet të ndërmerret, më tej rregullimi i Ligjit elektoral që të mundësoj dhe alternativa ndaj dy poleve si dhe  votën për kandidatin dhe jo për partinë, krahas numërimit në publik dhe rinumërimit kur ka ankime. Pas këtyre duhet të konsolidohen dhe të funksionojnë në mënyrë demokratike institucionet që të mund të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Asgjë nga këto nuk do të mund të realizohet në se do të jetë kjo qeveri. Duhet një qeveri tjetër që vendi të shmangi kaosin në varfëri.

Shqiptarët sot jetojnë në një klimë tepër të trazuar politike të mbushur me absurditet dhe marrëzi. Një atmosferë pasigurie dhe dhune absurde ndjehet kudo dhe në të tilla rrethana qetësia dhe përparimi nuk do të kthehen në Shqipëri pa ndryshim të mënyrë së qeverisjes dhe të njerëzve të saj, në se kjo nuk do të ndodhi duhet të përgatitemi për ditë më të këqija. Shembulli i qartë i 21 Janarit dhe reagimi i marrë pas asaj tragjedie e ilustron këto mendime tonat. Cilado të jetë zgjidhja kjo ngjarje do ketë pasoja negative në ecurinë e vendit.

Së fundi një vërejtje për Presidentin: Zotëri! Jeni  betuar dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e shqiptarëve dhe do ti shërbeni  përparimit të vendit, pra për demokraci,  Shërbejini!  sa nuk është vonë. Mjaft bëtë sehir, duhet të flisni në publik, duhet ti kërkoni ndihmë perëndimit. Zoti Bamir ! Që të veprosh sipas emrit, siç veprojnë në raste të tilla kolegët e Tu në botën demokratike, thërrit njeri pas tjetrit, në takime të shkurtra : ish-Presidentët, ish-Kryeministrat, ish Kryetarët e Kuvendit, Kryetarët e Partive parlamentare dhe kuptohet drejtuesit e sotëm të Qeverisë, Kuvendit e Gjykatës Kushtetuese, merr mendimin e tyre për gjendjen e sotme dhe si duhet futur Shqipëria në rrugën e drejtë. Të gjithë ata që do vinë ta japin mendimin e tyre edhe drejtpërsëdrejti në TV, ndërsa Ju ti drejtoheni popullit dhe institucioneve me një mesazh tuajin. Pastaj gjithsecili le të mbaj përgjegjësitë e veta. Besoj se e keni për detyrë ti paraqisni këto opinione dhe diplomatëve  dhe Qeverive të huaja, sepse për turpin tonë, vetëm ato dëgjohen nga liderët  tanë.

Ne mendojmë se për të kthyer vendin në rrugën e qetësisë dhe zhvillimit duhet të merren këto masa të menjëhershme:

-Ndryshimi i qeverisë Berisha me një Qeveri kalimtare, anëtarët e së cilës nuk do kandidojnë në  Zgjedhjet e parakohshme, deri në zhvillimin e  të cilave duhet të kryhen me bipartizanizëm dhe sipas modeleve demokratike dhe nën kontrollin e ndërkombëtarëve reformat e nevojshme për rikthimin e demokracisë.

-Përmirësimi i Kushtetutës duke mënjanuar defektet e vrojtuara, kundërshtitë dhe pasaktësitë që ajo ka, duke saktësuar rolin e Presidentit në dobi të demokracisë dhe shtetit ligjor si dhe zgjedhjen e tij nga populli, duke përmirësuar funksionimin e Institucioneve të pavarura dhe mënjanimin e krizave.

-Reformën e plotë e të gjithanshme të sistemit të drejtësisë.

-Hartimi i një Ligji të ri Elektoral që të siguroj zgjedhje të lira e të ndershme, numërim dhe rinumërim të votave në publik, komisione jo politike, votim me kartën e re të identitetit me verifikim elektronik të zgjedhësit, sistem që siguron alternativat dhe votim për kandidatin e jo për të përzgjedhurit e kryetarëve dhe jo vetëm për Saliun dhe Edvinin, përgjegjësit e vërtetë të kësaj që po na shohin sytë..

-Rindarjen territoriale edhe njësimin e komunave me bashkitë, duke marr në konsideratë lëvizjet e mëdha demografike dhe mënjanuar komunat jo efektive .

-Riorganizimin dhe rindërtimin e administratës publike sipas meritokracisë, duke i dhënë fund militantizmit, krahinalizmit, nepotizmit dhe ryshfetit, si kritere për punësim, si dhe çdo reformë tjetër të nevojshme për vendin, krahas luftës ligjore ndaj të korruptuarve dhe korrupsionit dhe kontrollit të pasurisë.

Vetëm atëherë do të kthehet qetësia dhe përparimi në vend e do luftohet korrupsioni dhe krimi ordiner e qeveritar, padrejtësia dhe paaftësia.

3 komente në “Mbi gjendjen e sotme politike në Shqipëri dhe zgjidhja e saj”

  1. dymi says:

    PERENDIMI? Me c’po shohim keto kohet e fundit po punon me dy standarte: Neve ne thone qe ne demokraci problemet nuk zgjidhen me revolta. Dhe te ashtuquajturit lider tanet menjehere thone amin, sigurisht per tu pelqyer PERENDIMOREVE. Po ne vendet e tyre demokratike pak perleshje kane ndodhur me policine? Pse ne France,Gjermani,Greqi, Spanje etj eshte demokratike, pse nuk vriten njerez ? Sepse ne Shqiperi, ndryshe nga keto vende,nuk ka kryeminister po shpellar; nuk ka parlament, por nje tufe sherbetoresh te majmur; nuk ka president, por nje mumje qe gjoja flet me heshtje( hajde muhabet memecesh hajde); nuk ka popull, por nje turme qe shkon si dele ku ta coje cobani ( krahasimi calon sepse cobani kujdeset per bagtine)
    Politikane shpjegojuani atyre situaten. Po nuk ju kuptuan, ju e keni fajin. Nxirrini nga meraku i tyre per stabilitetin ballkanik dhe bejini te kuptoje se nje Shqiperi me demokraci funksionale eshte nje lojtar shume me i mire per stabilitetin ballkanik. Dhe demokraci me Kryeministra,zv.Kryeministra, ministra e zyrtare te koruptuar nuk mund te kete.Kjo e perligj edhe dhunen, sepse opozita e populli nuk e gjen mundesine per te reaguar.

  2. loni says:

    Bukur fort, jam plotesisht me ty, por hajde te shporrim sali kriminelin dhe banden e hajduterve qe drejton.

  3. eshte nje kenge italiane e cansionisima vitet 70 parole parole parole, soltanto parole, e me the e te thashe e kendonte pati bravo, shume aktuale kemi njezet vjet qe perdhunohemi dhe degjojme pallavra

Comments are closed.

Lini një Përgjigje