Italia zhvilloi të dielën dhe të hënën zgjedhjet lokale. Në Milano, ku popullsia e qytetit është rreth 3 milionë banorë, numërimi i votave përfundoi brenda një dite. Në Tiranë, ku popullsia nuk është as një milionë dhe ku votuan 250 mijë persona, ende nuk është certifikuar rezultati i zgjedhjeve, edhe pse kanë kaluar plot 10 ditë. Kuptohet, Italia është një vend me demokraci të stabilizuar prej kohësh dhe paralelizmat me Shqipërinë janë të ekzagjeruara. Por, ky paralelizëm tregon në një farë mënyre, duke parë ato që po ndodhin me këto zgjedhje, se në Shqipëri do të duhen edhe shumë vite të tjera, që zgjedhjet të jenë thjesht një proces.
Një gjë tjetër që të bën përshtypje nga zgjedhjet italiane, është qetësia me të cilën ato u shoqëruan. Këtu nuk është fjala për incidente, pasi në vende si Italia ato ndodhin shumë rrallë. Bëhet fjalë për atmosferën para dhe pas zgjedhjeve. Në të kundërtën e Shqipërisë, në Itali fushata zgjedhore pothuajse nuk është ndjerë fare dhe mediat e kanë raportuar atë si gjithë lajmet e tjera. Në Shqipëri, për zgjedhjet lokale ka muaj të tërë që flitet dhe tensioni mes forcave politike, ka bërë që të përcillet edhe tek shoqëria shqiptare. Fushata ishte e dhunshme dhe plot me incidente, ndërsa numërimi i votave, nëse nuk do të kishin hyrë ndërkombëtarët, do të kishte shkaktuar ndoshta edhe një luftë civile. Për këtë arsye, duke parë atë që ndodh në zgjedhjet e vendit që është shumë pak larg nesh në hapësirë gjeografike, por shumë larg në standarde, të kaplon një pesimizëm.
Një gjë tjetër interesante nga zgjedhjet vendore në Itali, ishte fakti se, siç e përmenda pak më lart shkarazi, mediat i kanë dhënë shumë pak hapësirë atyre, ose më saktë, hapësirën që u takonte. Natyrisht, zgjedhjet janë pasqyruar si lajm kryesor, por televizionet kryesore apo edhe dytësore, duke përfshirë edhe gazetat, nuk janë marrë gjithë ditën me zgjedhjet. Përkundrazi, u kanë dhënë një minutazh të përafërt me një kronikë tjetër, bie fjala për festën e Milanit me rastin e shpalljes kampion në futboll. Në Shqipëri, për të mos përmendur gjithë muajin e fushatës, televizionet, në mënyrë të pashpjegueshme dhe anormale, na kanë bombarduar 24 orë vetëm me atë që ndodhte në qendrat e numërimit, a thua kjo ishte e vetmja gjë e rëndësishme në jetën tonë. Në rubrikat e lajmeve nuk transmetohej asnjë kronikë që nuk kishte lidhje me zgjedhjet, sikur në Shqipëri nuk ndodhte asnjë gjë tjetër përveç zgjedhjeve dhe jeta ishte ndalur.
Ndoshta do të ishte e udhës që në shumicën e gjerave të kopjuara nga italianët, të kopjonim edhe mënyrën se si ata i zhvillojnë zgjedhjet.
Comments are closed.
C,’far mendon qe mund te behemi dhe ne si Europa . Ne gjithe jeten e kemi pare Europen si ender . Duhet te kuptojme se endra jane ,ca dalin ca nuk dalin. Duhet te pohojme qe i gjithe organizimi yne u kopjua nga Greqia dhe Italia ejugut epara 50 ose65 vitesh .Mos prisni qe shpellari te ndryshoj.
Sa te jete Saliu nuk ka zgjedhje te ndershme ne Shqiperi