Kosova “e verdhë”

7 Maj 2011, 09:52Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Dy raste të veçuara mjaftojnë për të debatuar për rikthimin e “deliktit verbal”, si vepër armiqësore në Kosovë. Dhe të dyja këto raste kanë të bëjnë me pyetje drejtuar kryeministrit, pra nuk kanë të bëjnë me kavanoza me bojë të kuqe dhe as me gjuajtje me vezë. Një gazetare e ka humbur punën dhe ka marrë kërcënime për jetën, kurse një student është nxjerrë dhunshëm nga auditoriumi ku mbante një ligjëratë ekonomike “të verdhë” kryeministri i vendit.

Ishte ligjëratë “e verdhë”, ngase shefi i ekzekutivit mbahet si pronar i plantacioneve të limonëve për sa i përket pronës kombëtare.

Është koincidencë fakti se “Freedom House” e rendit Kosovën në mesin e shteteve “të verdha.”

Neni famëkeq 134 po i kanoset Kosovës.

Shkruaj në këtë rast edhe në cilësinë e viktimës së shumëfishtë i këtij kodi fantazmagorik, që thjesht të dëftohej në gjumë e ulërinte: “Mshile gojën!”

Ky nen, sipas Kodit Penal të Jugosllavisë komuniste, e ka sanksionuar shprehjen e lirë të mendimit dhe fjalën e lirë dhe secili që është shprehur me gojë ose me shkrim lirshëm është cilësuar se ka bërë “delikt verbal”, pra është cilësuar armik i popullit dhe i shtetit.

Objekt trajtimi të këtij neni kanë qenë mijëra njerëz në ish- hapësirën e ish- shtetit federal, ndër ta më së shumti shqiptarë të Kosovës, e veçanërisht gazetarët kosovarë.

Mirëpo dallimi mes këtij neni dhe mënyrës se si trajtohet sot ai që shprehet lirisht në shtetin nominalisht demokratik, është në faktin se atëbotë ka ekzistuar një ligj, sado totalitar dhe kundërhuman, kurse sot liria e shprehjes dhe e shtypit cenohet pa mbështetje në ligj, pra sipas mendimit të egër. E ky është dallim kardinal.

Absolutisht, Qeveria kosovare sot nuk e ka ndonjë agjendë të shkruar që saktëson dhe sanksionon se kush dhe kur bën delikt verbal, por e ka një frymë të tillë autoritare dhe kjo e krijon një kontekst ideal për “lirinë” e kërcënimit madje edhe të rrahjes dhe vrasjes së gazetarëve.

Qeveria nuk jep liri, por ajo e ka përgjegjësinë e garantimit të tyre, gjë që nuk po e bën dot.

Thjesht, me vendin sot qeverisin inatçinj provincialë, të cilët tek ai që mendon ndryshe janë të prirë të shohin veçse një armik me brirë djalli.

Sa për ilustrim duhet të zihet në gojë trishtimi që të zërë nga fakti se stafi i një universiteti privat në Prishtinë përdori dhunë për ta ndaluar një të ri që të mos shtrojë pyetje, kurse në anën tjetër shumë studentë e miratuan me zemër aktin e dhunës.

Dhe aty ku nuk guxohet të shtrohen pyetje, përgjigjet nuk do të jepen kurrë.

Por sesa injorante dhe e egër po bëhet kjo shoqëri, dëshmon fakti se studentet dhe studentët i duartrokitën kryeministrit të vendit duke e arsyetuar dhunën ndaj një të riu tek po u mbante leksion profesorëve dhe studentëve, si dhe klasës politike, këtyre analfabetëve funksionalë, se si mbrohet liria përmes aktivizimit qytetar, duke refuzuar një qeveri, e cila mbahet nga taksat e qytetarëve dhe i vjedh ato…

Sot shoqëria kosovare mund të sillet indiferente ndaj rastit të Frashër Krasniqit, por nesër do të jetë e tëra ai!

E shtrënguar të heqë dorë fare nga ajo që e mendon, nëse nuk mund ta shprehë lirisht atë që e ka menduar.

Nuk është thënë kot se përgjatë një konflikti viktima e parë rëndom është e vërteta. Kosova dhe shqiptarët kurrë më parë në histori nuk kanë pasur më pak armiq, por kjo tendencë e fabrikimit të një armiku kujdestar nga pushteti dhe një pjese të medias nën kontrollin e tij doli sheshit në këtë pranverë, kur një ide e një segmenti të shoqërisë civile për inicimin e një debati shoqëror kundër degradimit të institucioneve dhe për mbrojtjen e integritetit të tyre u “lexua me sy policor” dhe u trajtua nga pushteti dhe nga një pjesë të medias proqeveritare dhe pa etikë profesionale si tendencë për puç, pra për rrënimin e shtetit!?

Ndërkohë që pushteti i aktivizon analfabetët funksionalë që  të vënë në shënjestër armikun e fabrikuar, që frikësimi të bëhet levë mbi të cilën mbahet ky pushtet.

Natyrisht se demokracia nuk mund të jetojë pa lirinë e shprehjes dhe pa shtypin e lirë.

Këto liri nuk u përkasin – sipas amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane – përfaqësuesve të zgjedhur, por direkt zgjedhësve, popullit, që e ka të drejtën (që madje cilësohet si patriotizëm) ta kritikojë qeverisjen, që të mos e lërë të gabojë.

Kosova duhet të mobilizohet si shoqëri (bashkësi e vullnetit qytetar) që t’i përqafojë sot këto vlera, veçanërisht lirinë e shprehjes dhe të shtypit, atë të besimit, lirinë ekonomike dhe mbi të gjitha, lirinë nga frika.

Natyrisht se këto dy liri, ajo e shprehjes dhe e shtypit, nuk munden dot pa gjyqtarin e pavarur dhe pa edukimin qytetar.

Përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen.

Shtetasit e një vendi demokratik janë të bindur se nëpërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe mendimeve, e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën, vlerat e të tjerëve çmohen më mirë, zonat e kompromisit përcaktohen më saktë dhe rruga drejt përparimit hapet.

Ndonëse është e vërtetë se qeveria nuk jep liri, por duhet ta garantojë atë, kjo Qeveri nuk e ka garantuar lirinë qytetare, lirinë e shprehjes dhe të shtypit, por as sigurinë.

Kjo Qeveri konsumon dhe nuk prodhon siguri dhe as liri, prandaj po e shkatërron imazhin e shtetit të ri, i cili nga “e verdha” e limonit mund të skuqet.

Gazetarët së këndejmi janë të frikësuar dhe të shantazhuar, e një dorë sish edhe të joshur me poste, gjë që është po ashtu shkelje e Kodit etik, por ka dhe gazetarë të korruptuar dhe partizanë të qendrave politike.

Gazetarët në Kosovë nuk janë të lirë (edhe pse për lirinë duhet luftë e përditshme dhe profesionalizëm i lartë) ta bëjnë punën e tyre konform Kodit etik, ndërgjegjes dhe bindjeve të tyre të lira e në interes të publikut.

Dhjetëra raste individuale dëshmojnë se pushteti ka hyrë tashmë në luftë me shtypin e lirë hapur.

Madje në këtë luftë, me shpatë të zhveshur, pati hyrë edhe ish- presidenti jokushtetues i fillimit të këtij viti, i cili në vend se ta inkurajonte kritikën shoqërore, paditi në Këshillin e mediave të shkruara kolumnistët e “Kohës Ditore”, për shkrimet e tyre, që i dëshmonin publikut se “mbreti është cullak”.

Raporti i fundit i “Freedom House” për vitin 2011 e pozicionon Kosovën në vendin e 104-t, si një nga vendet me liri shtypi më të dhunuar në rajonin tonë, pra në mesin e 65 vendeve “të verdha”, (me liri të pjesshme shtypi), me 51 pikë, ndërkaq e fundit është Koreja e Veriut me 97 pikë.

Kosovën e ndajnë vetëm 46 pikë, që “e verdha” të skuqet si në shtetin komunist.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit  (3 maj), një përfaqësues qeveritar u shpreh në Prishtinë se në këtë ditë festive (sic!) duhet kursyer kritikat ndaj Qeverisë.

Mirëpo, në Kosovë nuk ka festë, ka veç dhembje.

Kjo ditë do të duhej të festohej po qe se ky vend do të quhej Finlandë.

Thelbi pse ende ekziston filozofia, gazetaria dhe fjala e lirë përgjithësisht është te shtruesit e pyetjeve.

Por në Kosovë pyetjet nuk marrin përgjigje me fjalë, pra, sipas logosit, por me grushte.

Një gazetare tha në debatin e organizuar nga KMSHK se pasi ka qenë e kërcënuar me jetë në Lipjan, ajo e ka paraqitur rastin në Policinë e Kosovës dhe kurrë nuk është ftuar për dëshmi shtesë.

Që trishtimi të jetë gërryes, kërcënuesi, një qytetar me precedent penal, nga Gjykata Komunale e Lipjanit ishte dënuar me gjobë me 250 euro për kërcënimin e gazetares. “Jeta e gazetarit në Kosovë vlen 250 euro”, tha Edona Musa nga BIRN-i.

Shoqëria kosovare duke qenë me liri të kufizuar shtypi, sipas asaj që thoshte Jefferson, përfundimisht e ka humbur atë.

Prandaj koha është tash. Ta rikthejmë lirinë…

Duhet të vihet iks mbi Nenin e rizgjuar si fantazmë – 134, ose duhet pranuar diktatura.

6 komente në “Kosova “e verdhë””

  1. hashim lidhi qete se duel dielli says:

    deri kure do te vajtojne gazetaret e kosoves per lirin e shtypit

  2. fule says:

    Me sa duket pa u cliruar Shqiperia nuk cilirohet as Kosova

  3. Mentor Lame says:

    Profesjoni gazetarise eshte nga me te bukurit,kjo bukuri shkelqen kur gazetari eshte ne opozit, qe do te thot se eshte ne sherbim te popullit,kombit,te ardhmes dhe te vertetes..Gazetari ,analisti qe mbeshtet qeverin eshte servil nuk perffaqson vetveten ,as gazetarin>Qeveria po ka suksese ,populli i prek ato dhe eshte i kenaqur nga shteti dhe voten ja jep.Qe shoqeria ,kombi te eci perpara gazetari duhet te jet kritik dhe nje qeveri e pergjegjshme reflekton ndaj tyre.Nuk mud ta quaj bije fjala Cilin analist ,as gazetar por nje servil dhe sahan lepirs qe xhgryet ne fekalet e pushetarve pa cka se ato vijne era.

  4. Drenioni says:

    Z. Mero, po na iritoni shumë me këta klyshë Tite të Prishtinës!…

    Drenica shqiptare

  5. Mehmeti says:

    Pikrishte ketu eshte problemi bravo Halil Matoshi.

  6. Votren says:

    Cka ky matoshi qe flet per gazetaret?Ky gjithecka mund te jete,por vetem gazetar jo.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje