Nisur nga kriza perpetum e votës e padurimi i shoqërisë për të lënë tranzicionin pas, ‘tharmi’ i ngjizur politik që i paraprin 8 majit e rrit pritshmërinë e votës përtej asaj çfarë ‘guaska’ lokale mund të strehojë. Me implikime përtej formatit të fatit komunitar, ajo ka gjasa të shndërrimit në test referendar duke u ‘mistifikuar’ si një tjetër ‘gur kilometrik’ në ‘kalendarin maja’ të rrugëtimit demokratik të një shoqërie që një brez pas rënies së murit të Berlinit, ende paragjykohet se është e paaftë të respektojë ‘sine qua non’ e demokracisë – integritetin e votës.
Në mënyrë të paprecedentë e deri nën ‘prozhektorët’ perëndimor, klasa politike e tranzicionit vazhdon ende të nëpërkëmbë ‘tabutë’ e demokracisë – vota, prona dhe ligji. Në 8 maj konvergon me sensibilitet maksimal çështja e legalitetit dhe pronës teksa ende përvijojnë modele absurde ku legalizohet e paligjshmja: lëvizja e pakontrolluar demografike dhe tjetërsimi pronës, ndërtime dhe shtesa pa leje, amnisti fatura shërbimesh utilitare apo debi administrative. 8 maji është: (a) udhëkryqi i fatit të votës së lirë pas intimidimit 20 vjeçar dhe mohimit të transparencës së 2009 me rrjedhojë arrogancën e klasës politike dhe nëpërkëmbjen e interesave të elektoratit; (b) test për të sfiduar ‘amnezinë’ sociale dhe marzhinalizuar të përfolurit e precedentëve jodemokratik të imunizuar ende me ‘korracë’ politike; (c) jo vetëm një shans për t’u distancuar nga trashëgimia rraskapitëse e tranzicionit por dhe për të konfirmuar precedentin e punës dhe legalitetit; (d) ftesë, përtej debatit për politikat e zhvillimit komunitar, për ‘katarsis’ demokratik dhe sensibilizimin e klasës politike dhe perëndimit ndaj inspirimit demokratik të një shoqërie që meriton më shumë.
Ndryshe dhe mëdyshje
Sot sytë e të gjithëve janë drejtuar drejt Tiranës sepse trofeu i saj ka domethënie kombëtare. Mazhoranca e kërkon atë si për të ‘kopsitur’ ciklin integral të pushtetit dhe ‘djegien’ e karrierës politike të kryeministrit ‘hije’ (shoqëruar me fragmentizimin e përçarjen afatgjatë të kampit opozitar) ashtu dhe për sfumimin e akuzave për fitoren e debatuar të 2009 e paragjykimin që mostransparenca provokoi. Me pritshmëri të madhe, mazhoranca po lançon një sfidant energjik por të lakuar prej opozitës teksa profili perëndimor që pretendohet nuk përkon sipas saj me reagimin ndaj një seri ndjesish publike e mediatike – mbikalimi tek Zogu i Zi, rruga e Kombit, kufiri detar apo 21 janari. Ndonëse në respekt të ligjit kërkujt nuk i lejohet paragjykimi i kërkujt, protagonizmi formal e rastësia ‘në kohë e në vënd’ do të mjaftonin për një politikan me përqasje perëndimore për të dhënë dorëheqjen e ndihmuar transparencën duke gjeneruar besim tek elektorati se përgjegjshmëria politike nuk është një butafori por realitet që respektohet sa herë një situatë problematike ‘pret’ trajektoren e karrierës politike. Kjo nuk ndodhi, duke u perceptuar nga syresh si shpërfillje organike ndaj interesit publik duke lënë terren për paragjykim apriori për sinqeritetin e kauzës për kryebashkiak.
Përtej polemikës me predispozicionin ndaj të vërtetës, edhe disa prej tezave të sfidantit për Tiranën si përqasja ‘ndryshe’ ndaj punës 10 vjeçare në kryeqytet apo ulja e taksave pa sqaruar garantimin e performancës së investimeve publike, mbeten problematike për aspiratën e 8 majit dhe konteksti nuk mund amortizohet prej insinuatave se nëse mazhoranca, krahas qeverisë, merr dhe Tiranën (ndërkohë që po aq probabël është dhe inversi), qeveria do të mundësojë hopin e nevojshëm të investimeve, gjë që nëse ndodh, kompromenton thelbin e marrëdhënieve mes pushteteve dhe arsyen e përqasjes së sotme të mazhorancës ndaj buxhetit të bashkisë së Tiranës. Për më tepër kur mazhoranca e ka patur një shans të tillë (gjysma e parë e viteve ‘90) dhe trashëgiminë e betonizimit të asaj periudhe tashmë e përjetojmë të gjithë.
E përdorur shpesh në fushatat elektorale në perëndim, teza e ‘ndryshes’ presupozon qartësi dhe kontekst. Ndryshe mëdyshja sfumon komunikimin elektoral nëse referenca është një eksperiencë pozitive dhe shpresëdhënëse sikurse Tirana përjeton ku kryebashkiaku aktual ka arritur të mpleksë në një përkushtimin e përqasjen perëndimore ndaj punës me imagjinatën dhe profesionalizmin duke krijuar një preçedent pozitiv të titullarit që e respekton votëbesimin. Të jesh ndryshe nuk do të thotë domosdoshmërisht më mirë sepse trajtimi i mbikalimit tek Zogu Zi mbetet larg progresit sikurse të përgojosh se kryebashkiaku aktual nuk ka qënë në krye të punëve, përveçse jo reale, rezulton shpërfillje e konceptit të pashmangshëm, modern e të domosdoshëm të delegimit dhe miopi rreth teknikave të komunikimit bashkëkohor që kryebashkiaku aktual i posedon mjeshtërisht.
Nën ethet e sfidës elektorale dhe ‘çmimit’ të lartë që 8 maji ngërthen, mazhoranca po kalkulon dhe po bën gjithshka për të garantuar fitoren duke ngjallur shpesh reagimin e opozitës, medias dhe së fundi vetë vëzhguesve të huaj në etikën e legalitetin e përqasjes së saj. Fakti që për bashkinë e Tiranës, mazhoranca konkurron përballë vetë liderit opozitar e tundon të bëjë gjithshka ndaj nëse trendi elektoral përkon me perceptimin opozitar se mazhoranca është tkurrur në maksimum, kjo rrit sensibilitetet ndaj ‘mëkatit’ eventual elektoral nga ana e mazhorancës, që në tentativën e ‘misionin e pamundur’ për të sfumuar alternativën e sprovuar përballë, e ka të vështirë të mbetet ekuivok apo i pakapshëm nga ‘radarët’ e perëndimit. Dilema e sfida e mazhorancës është fitorja e ‘imunizuar’ prej kontestimit të votës e boomerangut të riciklimit të proçesit të transparencës. Për të shmangur një ‘fitore’ Pirroje e për të mos provokuar sërisht opozitën me ‘mëkatin’ e territ të votës, mazhoranca duhet të promovojë modelin e respektimit të etikës dhe rregullave të proçesit elektoral, duke i garantuar apriori vetvetes, pavarësisht rezultatit zgjedhor, përfitimet e ‘copyright’ të respektimit të votës si aset e avantazh unik për betejat e ardhshme zgjedhore në respekt të vetë protagonizmit demokratik të lëvizjes së dhjetorit thelbi i së cilës ishte vota e lirë.
Liria e votës – e vetmja rrugë për të gjithë
Pas dy viteve betejë për votën e lirë, sfida opozitare për 8 majin është historike sepse përtej një dinamike lokale, ajo është votë për vetë votën, lirinë, integritetin, dinjitetin dhe transparencën e saj si kushti thelbësor për ngrehinën e demokracisë më pas. Opozita zgjodhi të respektojë Tiranën me vetë liderin e saj. Pas tre mandateve të punës së tij, thelbi i fushatës është vijimësia. ‘E vetmja rrugë’ që lançohet prej opozitës nuk duhet të interpretohet si përjashtim ndaj alternativës, por si rikujtesë ndaj normalitetit demokratik që e duam dhe e shohim të gjithë por që i ‘biem aq gjatë’ për të shkuar atje. Duke ngërthyer mesazhin e ndryshimit të duhur drejt normalitetit të shtetit ligjor ku mazhoranca respekton dhe bashkëpunon me opozitën dhe vota e lirë dhe transparente është ‘busulla’ e vetme në rrugëtimin demokratik, ‘E vetmja rrugë’ nuk presupozon bulevard të shtruar apo shëtitore piktoreske por ‘kthesën’ e duhur në kryqëzimin e zhvillimit që ndonse nuk përjashton të përpjetat dhe gropat, mbetet rruga e vetme për të europianizuar vetveten dhe gjeneruar optimizmin për të ardhmen.
Përkundër kritikave ekstreme, kryebashkiaku aktual ka ndikim direkt në përfshirjen e Tiranës në proçesin e shndërrimit në metropol. Ai ka vitalizuar shpresën dhe përjetimin europian jo vetëm të kryeqytetasve por mbarë vëndit që në Tiranë ‘prek’ me dorë progresin. Përtej tam-tameve mediatike dhe shiritave elektoralë, modestia e punëmbarit dhe përulësia ndaj qytetarit, është një tjetër virtyt që plotëson formatin e profesionalizmit dhe modernizmit që ai përfaqëson duke e bërë garën për Tiranën, një garë epike për sfidantin përballë në eklipsimin e një dekade kontribut të prekshëm pozitiv. Nëse Tirana ka ende pika të dobëta, është e padrejtë të etiketohen ato eskluzivisht si pika të dobëta të kryebashkiakut aktual. Shumë prej tyre janë relike të vetë trashëgimisë blu, ‘skelete në dollap’ këto që sot rrezikojnë të marrin peng fatin e votës së sfidantit blu përballë elektoratit që pret distancimin e duhur si test të sinqeritetit për të ardhmen për të mos e shndërruar garën në ‘garë pa rivalë’.
Sfida e 8 majit nuk ka përse të jetë fatalitet për kërkënd. Vota e lirë dhe transparente nuk janë ndasi për një shoqëri me inspirim demokratik por konvergim dhe identitet. ‘Tulla’ e parë duhet vënë mirë nëse duam të ngremë lart pafundësisht ‘murin’ e demokracisë për të qënë partner të denjë të perëndimit dashamirës. Në emër të demokracisë, respektit ndaj shoqërisë dhe vetë perspektivës së saj, politika nuk duhet të zhgënjejë më. Prozhektorët janë ndezur. Vota e lirë është e vetmja rrugë.
Comments are closed.
Pas 20 vjetesh grabitje legjitimiteti e vetmja rruge (nuk ka tjeter) qe na ndan nga tranzicioni traumatik e gjemezi eshte zgjedhja e lire nga qytetaret e respektimi i cdo vote.Kjo e vteme rruge do te na favorizoje ristartimin e demokracise.