Rruga e kombit si Urë e Xhehenemit

27 Prill 2011, 20:33Blog TEMA

Nga Enver Robelli

[email protected]

 

Labirint shqiptar: Prishtinë – Tiranë për gjashtë orë, mes lopëve, plakave dhe pirësve të birrës

 

Ata që kanë qenë në dynjanë tjetër tregojnë se Ura e Siratit (ose Ura e Xhehenemit) është e mbrehtë si brisk i rrojës dhe e hollë si një fije floku. Derisa ata që sapo kanë shkuar në amshim nisen të kalojnë këtë urë, poshtë e shohin ferrin, i dëgjojnë zërat frikësues të atyre që s’i kanë plotësuar kushtet për të shkuar në parajsë, ku thuhet se secilin e presin hiq më pak se 72 virgjëresha. Nëse ky mendim është i saktë, atëherë në parajsë ka vend vetëm për meshkuj heteroseksualë dhe për femra lesbike. Çfarë do të bënte një homoseksual me 72 virgjëresha ose një femër heteroseksuale? Sidoqoftë, kush e kalon Urën e Siratit ka arsye të ndihet i lumtur, sepse në bregun tjetër të lumit e pret mrekullia, parajsa. Kush s’e kalon këtë urë përplaset në ferr dhe paguan çmimin.

Shqiptarët, si komb me fat, edhe para se të shkojnë në dynjanë tjetër, kanë shans të kalojnë nëpër Urën e Siratit. Kjo urë e ka emrin rruga e kombit, e cila nganjëherë quhet edhe autostrada Durrës – Kukës. Mund të niseni në orën 09:00 të mëngjesit nga Prishtina drejt Tiranës. Në pikën kufitare të Vërmicës do të arrini pas tri orësh, pasi pranë asfaltit të vjetër kosovar keni parë qindra pompa benzine, pishina, dyqane. Nëse rastësisht udhëtoni me ndonjë koleg të huaj gazetar dhe nëse ai është kureshtar, atëherë do të përballeni me pyetjen: “Çka domethënë KEMI FLIJA?” Kjo reklamë e shkruar në një karton të thjeshtë të shfaqet para syve në Grykën e Carralevës. Si t’i shpjegohet një të huaji çka është flija? Më duket se shpjegimi më i mirë është: flija është versioni shqiptar i picës (pizza), por pa zarzavatet e specialitetit të famshëm italian. Edhe pica është gatuar së pari nga fukarenjtë, të cilët s’dinin çka të bënin me brumin e mbetur. Shqiptarët me gjasë s’kanë ditur çfarë të bëjnë me qullin e miellit. Duke tëholluar mendimet për pica dhe flija do të arrini në Vërmicë, ku policët e të dy shteteve, ata të Kosovës dhe të Shqipërisë, janë më se të përzemërt. Ndoshta kjo përzemërsi është paralajmërim se tani fillon Ura e Siratit. Ndonëse politikanët shqiptarë në pushtet disa herë e kanë bërë hapjen solemne të rrugës së kombit, kryesisht për qëllime të propagandës zgjedhore, e vërteta është se kjo udhë ende nuk e meriton emrin autostradë sipas standardeve ndërkombëtare.

 

Salto mortale

 

Befasia e parë e pakëndshme: pothuaj të gjithë i grahin automjetit në anën e majtë, në vijën tejkaluese të autostradës. Çdo përpjekje për t’ia bërë me dije atij që udhëton para teje se e ke ndërmend të tejkalosh është e kotë. Shoferët shqiptarë sidomos në autostradë mendojnë se nuk e pengojnë askënd, kujtojnë se rruga është vetëm e tyre. Pas disa kilometrash edhe shoferi zviceran e humb durimin dhe pyet: “A bën ta tejkalojmë këtë autobus nga ana e djathtë?” Është e ndaluar, por këtë e bëjnë të gjithë, ndryshe po i respektove rregullat e komunikacionit do të mbetesh prapa autobusit apo kamionit deri në Tiranë. Sapo e heq qafe këtë pengesë në largësi duket diçka e zezë. Nja dyqind metra më tutje bashkudhëtari duhet të bërtas me krejt fuqinë e zërit: “Kujdes se mund të jetë njeri”. Vërtet ishte njeri, madje në mes të autostradës. Ishte një plakë e veshur me të zeza, e cila ndoshta ishte duke shkuar te të afërmit për t’ua uruar Pashkët. Ndoshta e shkreta s’e dinte se mund të jetë rruga e saj e fundit. Kësaj radhe shpëtoi falë kujdesit të shoferit nga Zvicra. Herën tjetër mund të qëllojë ndonjë shofer nga Kosova apo Shqipëria – dhe plaka zor s’e do të shpëtojë e gjallë.

Sapo të keni harruar pak tronditjen me plakën në largësi do të shfaqet pengesa tjetër. Një grumbull lopësh që lodrojnë nëpër autostradë dhe jo larg tyre një çoban që qetësisht shikon veturat që kalojnë atypari me shpejtësi marramendëse. Autostrada herë e meriton këtë emër, herë ngushtohet dhe shndërrohet në rrugë të thjeshtë, shpesh pa paralajmërim të duhur. Udhëtimi i ngjan shpesh ecjes nëpër labirint. Përherë, ndërkaq, do të shihni njerëz që ecin nëpër autostradë, pleq, plaka, çobanë, kureshtarë. Do të shihni edhe aksione spektakulare, që i ngjajnë salto mortaleve, kur, ta zëmë, një shofer i papërgjegjshëm kthehet për 180 shkallë dhe del në anën e kundër të autostradës, pasi ka gjetur një vend për t’u përbiruar. Aty-këtu autostrada nuk është e ndarë me pengesa hekuri në mes, siç është çdo kund tjetër. Përveç lopëve, të pashmangshëm janë edhe qentë e të gjitha racave. Edhe ata lodrojnë ose ecin me hap të lodhur nëpër autostradë.

 

Te “TOMA”

 

Dikur, pas lodhjes që shkaktohet nga përqendrimi i madh, buzë rrugës do të shihni pompën e benzinës “TOMA”. Hyrja në këtë pompë s’i plotëson standardet e sigurisë, por kush pyet këtu për standarde dhe Bashkim Evropian në këtë pjesë të Shqipërisë, të cilën s’e pushtuan as osmanët, sepse ishte aq e shmangur nga bota. Te “TOMA” ka benzinë të të gjitha llojeve, pije dhe ushqim të shpejtë. Derisa në pompat e benzinës që gjenden në autostradat zvicerane s’mund të gjesh asnjë pije alkoolike, te “TOMA” sheh çka të duash. Birra e raki, uiski e konjak. Është e hënë, mesditë, dhe burrat barkmëdhenj shqiptarë, pasi e bëjnë shurrën, ulen te “TOMA”, e ndezin një cigare dhe pinë birrë ose raki. Shumica prej tyre janë shoferë. Vetëm mund të merret me mend se sa të koncentruar mund të jenë ata pastaj, kur t’i grahin veturave drejt Tiranës apo qyteteve të tjera. Sipas një statistike të policisë, vitin e kaluar në rrugët e Shqipërisë humbën jetën 316 persona, ndërsa 1570 u lënduan rëndë e lehtë. Opozita në Shqipëri, e cila s’përton që për çdo gjë ta fajësojë pushtetin, ka bërë të ditur se “viktimat e aksidenteve rrugore në Shqipëri janë në nivele të përafërta me vrasjet në Afganistan”. Të dhënat flasin se aksidentet në komunikacion janë shkaktari kryesor i vdekjes së të rinjve shqiptarë.

Pas një udhëtimi prej gjashtë orësh nga Prishtina, pas shpëtimit nga xhungla e trafikut të Tiranës, mund të arrini në përfundimin se shqiptarët bashkë me pushtetarët e tyre pothuaj asnjë punë se kryejnë si duhet, as andej, as këndej kufirit. U bëmë me autostradë, por ajo ende po i ngjan Urës së Xhehenemit. Edhe në Kosovë gjendja s’është më e mirë sa i përket sigurisë në trafik. Në vitin 2009 humbën jetën 128 persona, ndërsa vitin e kaluar (deri në muajin tetor) 126. Sipas një hulumtimi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës mes viteve 2003-2008 në rrugët e Kosovës kanë vdekur mbi një mijë njerëz. Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë bërë disa fushata për, siç thuhet, sensibilizimin e shoferëve, por pa ndonjë sukses të madh. Ilaçi i vetëm duket se është kontrolli i rreptë në komunikacion dhe gjobat e larta. Policia duhet të jetë po aq e pamëshirshme si ndaj qytetarëve të thjeshtë ashtu edhe ndaj politikanëve, të cilët shpesh nuk janë shembull i mirë i sjelljes korrekte në komunikacion. Derisa autostrada e kombit të mos i plotësojë standardet ndërkombëtare, shqiptarët dhe të tjerët do të kalojnë nëpër të sikur nëpër Urën e Siratit.

Lini një Përgjigje