Sfida e normalitetit
Me mënyrën se si filloi e po zhvillohet, fushata zgjedhore 2011 nuk të ‘ngroh’ se do të hapë siparin e normalizimit të jetës për një shoqëri të kapur peng kaq gjatë në tranzicionin më absurd të ish-Lindjes. Duke filluar nga megalomania politike, qasja ‘patronazh’ e ‘apriori’ ndaj interesave të elektoratit, statukuoja e koalicioneve, imazhet e përfolura të syresh prej kandidatëve që në respekt të perceptimit e ndjesisë publike mund të mos lançoheshin si të tillë, ashpërsia e përplasjes e mungesa e një ‘kodi etik’, preçedenti i refuzimit të transparencës zgjedhore, butaforia e patetizmi elektoral, performanca klienteliste apo presioni ndaj medias, tiradat e përnatshme të syresh analistëve të pozicionuar politikisht, impenjimi i dyzuar perëndimor, kodi problematik zgjedhor apo objektiviteti në pikpyetje i KQZ, sërisht inercia post-elektorale mbetet statukoja rraskapitëse e 20 vjetëve tranzicion. Me të humburin e madh votuesin që voton por nuk zgjedh duke tjetërsuar raportin ‘zgjedhje’ – ‘zgjidhje’ – ‘zgjedhë’. Kuptimi e shpresa që vota bart, është sfumuar deri në kotësi duke provokuar një rreth vicioz ku shpresa që mban ëndrrën gjallë ka nevojë vetë për inspirim duke e bërë sfidën e majit, sfidën e emancipimit e rilindjes demokratike për të gjithë.
‘Politizimi’ i politikës dhe vijat e bardha
Zgjedhjet 2011 mbeten po aq politike sa ato të përgjithshme, jo thjesht kontekstit ‘përvëlues’ politik post-2009, ndasive për çështje kardinale të demokracisë apo sepse formalisht skena dominohet nga partitë por sepse vota, qoftë dhe për problemet e komunitetit, është subjekt i ‘tenderit’ politik, pavarësisht protagonistëve në të. Ndërsa qasja politike është e përbashkët, ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale mund të toleronin mungesën e koalicioneve në garë, ku ‘tenderi’ politik të dominohej prej individëve e partive, secili për llogari të vet. Vetë prezenca e koalicioneve është dëshmi e qasjes politike, në sensin e votëbesimit elektoral, duke zhvlerësuar çdo spekullim me karakterin thjesht administrativ të tyre. Ndërsa formula e koalicionit të 2009 u servir në emër të stabilitetit të qeverisjes, i njëjti partnership në 2011 mbetet i debatueshëm nëse pretendohet se janë zgjedhje jo-politike. Pikërisht se synimi i mazhorancës mbetet ‘trofeu politik Tiranë’, pasuar me krisjet e rrokadën eventuale në lidershipin opozitar, këto zgjedhje përveçse politike, po ‘politizohen’ në ekstrem prej vetë politikës.
Pasioni mesdhetar nuk mund të shërbejë si alibi për ‘ndezjen’ më keq të tij kundrejt llogjikës së ‘ftohtë’ të etikës, rregullave e shtetit ligjor. Ky i fundit mbetet ende virtual për aq kohë sa ‘mentaliteti’ i tij nuk ka zënë rrënjë në qënien e rutinën tonë e nuk promovohet si duhet prej vetë politikës e shtetit që ajo ndërton. Vijat e bardha në rrugë janë vetëm një në rradhën e gjatë të dëshmive të rrugës së gjatë drejt europianizimit të vetvetes si parakusht për asocijim në BE. Aty ku së toku dështon shteti e individi – makina që nuk respekton kalimtarët, kalimtarët që nuk presin për semaforin jeshil apo presin rrugën vënd e pa vënd, policë që nuk ndërhyjnë, shpërfillje kjo që kompromenton predispozicionin për rregullsi dhe ligj.
Përtej natyrës politike të zgjedhjeve 2011, debati spostohet tek ‘politizimi’ apo ‘adrenalina’ e pazakontë që po i imponohet sërisht ‘artificialisht’ elektoratit prej politikës. Votimi është një vendimmarrje komplekse. Ai presupozon qetësi e përpunim racional të informacionit elektoral e objektivitetit të vullnetit politik. Elektorati, për inerci të tranzicionit problematik e vakumit demokratik të trashëguar, ende nuk është në lartësinë e atij perëndimor, me shfaqje të fanatizmit ekstrem partiak që abuzohet prej politikës teksa e përdor si alibi për ‘karikimin’ e mëtejshëm të militantizmit dhe tensionimin absurd, deri në fragmentizim artificial të elektoratit duke e marrë këtë të fundit të ‘mirëqënë’. Gjuha e ‘drunjtë’ shpërfill e paragjykon inteligjencën e publikut, sikurse ngjizja e qasjes emocionale në vlerësimin e ofertave elektorale përmes mitingjeve ‘alla-propagandë’, debateve mediatike të tensionuara deri në vulgaritet, intervistat e deklarimet mediatike denigruese, reklamave butaforike e përjashtuese, filtrimit jo profesional mediatik të evenimenteve apo lufta patetike e flamujve e posterave elektoralë në rrugë, nuk janë ajo ç’ka elektorati ka nevojë në investimin e votës së tij. Misioni i politikës është promovimi i shpresës e jo zhgënjimi konstant deri në fatalitet me pasoja ndaj vetë besimit tek vota, ndaj, politika duhet të çmojë progresin e emancipimin demokratik duke respektuar e stimuluar integritetin e potencialin e një shoqërie që e stresuar në ‘tunelin’ e errët të tranzicionit të stërgjatë, kërkon e meriton dritën reale e jo iluzionin e rradhës.
Trashëgimia anglo-saksone
Sepse tradita demokratike ende nuk është formësuar por dhe sepse politika spekullon me vakumin eventual duke na privuar nga konsolidimi i saj, shoqëria ka nevojë për suport të besueshëm për të konfirmuar shpresat dhe pritshmëritë e saj demokratike. Ky është Perëndimi. Faktikisht mesazhet nuk kanë qënë gjithnjë në unison dhe shpesh me ‘doreza’ duke zgjatur agoninë e tranzicionit të një shoqërie që aspiron reforma demokratike efikase e përgjegjshmëri në qeverisje. Reagimet e tij ndaj momenteve kulmore të post-2009 si refuzimi i transparencës zgjedhore, refuzimi i rezolutës së PE apo kriza e 21 janarit mbeten ende të debatueshme përkundrejt pritshmërive në terren me sfidën e rradhës zgjedhjet e 2011.
Ndërkohë që ka rezerva ndaj perceptimit perëndimor për zhvillimet politike në vënd, nevojitet vëmëndje e veçantë në prezantimin e tyre, veçanërisht ndaj miqve anglo-saksonë, në respekt jo vetëm të mendimit të lirë por dhe të etikës së komunikimit, parimit të ‘avantazhit të dyshimit’ e sensit të perspektivës. SHBA, me investimin esencial në odisenë e trazuar të shtetit shqiptar dhe sot të vetë çështjes shqiptare në Ballkan, janë më shumë se partnerë dhe, pavarësisht frymëzimit eventual anglo-sakson apo frankofon, të gjithë konvergojmë se ndjeshmëritë e marrëdhënieve me SHBA janë maksimale. Përballë krizave të panumërta e absurde që stisim mes vetes, qëndrimi i mikut tonë të madh ka qënë gjithnjë vendimtar pro-shqiptar dhe përtej interesit ditor të politikës ndaj çdo dilemë eventuale, nëse vlerësohet se duhet të jetë domen publik, i shtruar parimisht, brënda etikës dhe larg referimeve individuale, duhet të paraprihet nga komunikimi personal, informal apo jo, sipas niveleve oportune, për të ballafaquar në kohë qasjet e perceptimet përkatëse, kontekstet, sensin e perspektivës dhe motivimin për konvergim.
Demokracia anglo-saksone, SHBA e Britania e Madhe dhe institucionet që i përfaqësojnë ato, mbeten frymëzim demokratik për shoqërinë shqiptare dhe sfida e politikës, e opozitës në kauzat sublime të saj dhe intelektualëve mbetet lobimi intensiv, sensibilizimi dhe ftesat publike etike ndaj tyre në respekt të ndjeshmërive që karakterizojnë këto marrëdhënie. Kërkush nuk mund të pretendojë monopolin e së vertetës dhe të gjithë kemi nevojë për reflektim e njëri-tjetrin për të zbardhur sadopak atë. Frymëzimi anglo-sakson e njësimi me botën e lirë është një shans e trashëgimi e çmuar. Duke respektuar atë kemi respektuar vetveten dhe perspektivën e nesërme të lirisë.
Comments are closed.
Ore mik ketu eshte problemi se ai qe eshte ne krye te shtetit ka kryer nje krim –dhe tani ai nuk e le pushtetin me paqe-
-Kete ta nguli mire ne koke opozita
——– sepse eshte njelloj sikur nje kriminel te veje ne burg me kembet e tij …–Kjo nuk ndodh kurre–Nga ana tjeter
ne nuk kemi prokurori funxionale qe ta akuzoje kryeminsitrin per krimet e tij , si psh per krimin e tradhetise ndaj Atdheut me shitjen e detit , dhe te kerkonte ndjekjen penale te Kryeminsitrit ,dhe ta conte ceshtjen ne gjyq
Ndaj ne kete rast…… bijen poshte te gjitha keto teorizimet per demokracine etj si keto dhe duhet folur se cfare ruge duhet te ndjeke opozita ,
pasi ky kryeminsiter nuk e njef gjuhen e paqes dhe te regullave demokratike ne nderimin e pushteteve, sepse ky te goditi me snaiper …..
–Ky do lufte ….Opozita c’duhet te beje ne kete rast ?????????…..