Ç'farë kërkojnë grevistët paraplegjikë e tetraplegjikë?

16 Prill 2011, 19:13Blog TEMA

?Nga Jeton Muçollari

Një grup personash me aftësi të kufizuar që prej datës 14 Prill kanë guxuar të hyjnë në grevë urie. Nuk është hera e parë gjatë 20 viteve të demokracisë, që invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë protestojnë në këtë mënyrë. Natyrisht që demonstrimi është i garantuar me ligj, por për këtë kategori sociale qëndrimi për një kohë qoftë dhe minimale në grevë urie është sakrificë e tejskajshme, po të kemi parasysh diagnozën e sëmundjes e delikatesën e jetës së përditshme. Por përse paraplegjikët e tetraplegjikët kanë zgjedhur këtë formë radikale protestimi? Nuk është vetëm fakti që kanë dështuar format e tjera të protestimit, por indiferentizmi dhe neglizhenca e institucioneve shtetërore për të dhënë qoftë dhe përgjigje negative për kërkesat e tyre.

Personat me aftësi të kufizuar përballen sot me vështirësi të mëdha ekonomike, sociale, fizike e mentalitet paragjykuese në shoqëri. Trajtimi e zgjidhja e tyre kërkon kohë e angazhime të mjaft institucioneve e strukturave të pushtetit qendror e atij lokal, por dhe ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë. Në vitin 2005 qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar. Kjo strategji është hartuar e përpunuar me disa ministri, institucione, shoqata dhe nën prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Për herë të parë AK u vu në baza studimi e statistika për të njohur gjendjen, por dhe u hartuan strategji e u caktuan objektiva për të ardhmen. Sigurisht që ka pasur përmirësime, por këto jo në nivelin e duhur, e jo të kapshme për të gjithë personat me aftësi të kufizuar, ku dallimi mes fshatit e qytetit është i madh e në vendet rurale edhe më shumë.

Por, çfarë kërkojë grevistët?

Le t’i marrim me radhë kërkesat që aktualisht kanë paraqitur.

1-Paga e paaftësisë për personat me aftësi kufizuar dhe personat që u shërbejnë, nga 90 mijë lekë aktualisht, të bëhet 15 mijë lekë në muaj.

Në pamje të parë duket se kërkesa është e ekzagjeruar dhe e pa realizueshme. Në fakt nuk është kështu sepse për të verbrit, paraplegjikët e tetraplegjikët kjo pagë ka filluar me miratimin e statusit të tyre. Në fillim ishte 70% e pagës minimale e më pas u caktua një pagë 6200 lekë dhe kjo do të pësonte ngritje me lëvizjen e pagës minimale. Ndërsa paga minimale sot ka arritur në 19.000 lekë, pagesa e paaftësisë nuk është rritur me të njëjtin ritëm, madje nuk ka njohur rritje që nga viti 2008. Me tre vendimet e qeverisë të datës 23 korrik 2010, ku paga e paaftësisë nuk do të ngrihet sipas pagës minimale, por me indeksin e çmimeve, tregon se gjendja financiare do përkeqësohet edhe më tej në vitet në vazhdim. Ngritja e pagave nuk ka qenë asnjëherë e ndarë, veç për indeksimin e çmimeve dhe veç për  ngushtimin e diferencave, përafrimin me vendet e europiane. Në këtë kontekst, kërkesa është e drejtë pasi ka qenë mohim i një të drejte caktuar me vendim nga qeveritë para ardhëse. Ndërkohë që çmimet e disa produkteve bazë gjatë këtyre dy-tre viteve janë dyfishuar, kjo pagesë nuk ka njohur rritje. Pra, niveli i jetesës i këtyre familjeve është përkeqësuar po kaq. Ndërkohë që në vendet e tjera europiane niveli ekonomik  për këtë shtresë quhet i tejkaluar, tek ne detyrohen të përshkallëzojnë mënyrën e demonstrimit deri në grevë urie për kërkesa të domosdoshme e jetike.

Por, a është e realizueshme kjo kërkesë? Vetë qeveria ka deklaruar se ka një situatë financiare të qëndrueshme dhe nuk u prek nga kriza botërore apo u ndie shumë pak, por dhe numri i personave me aftësi të kufizuar në bazë të statistikave është deri në 70 mijë vetë, që nuk do të ndikojë në buxhetin e shtetit. Ose nëse do të përbënte vërtet problem të tillë për shkak të mosparashikimit në buxhet, negocimi me grupin e grevistëve do të sjellë dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët, ndoshta ndarjen në dy pjesë të kësaj kërkese, deri në janarin e vitit tjetër, por me anulimin e vendimeve të miratuara në korrik.

 

2-Paketa higjienike nga 16 mijë lekë të bëhet 30 mijë lekë.

Ç’është paketa higjienike dhe përse shërben ajo?

Për herë të parë paketa higjienike ka filluar të paguhet në vitin 2006 në bazë të ligjit nr.9506, datë 3.4.2006. Paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët kanë përfituar statusin, përfitojnë një shtesë në të ardhura për mbulimin e shpenzimeve të paketës së domosdoshme me materiale të veçanta higjieno-sanitare. Masa, kriteret dhe procedurat e përfitimit të kësaj shtese në të ardhura përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Vende të ndryshme e kanë në forma të ndryshme sigurimin e kësaj pakete, por tek ne është menduar që lekët t’i invalidit dhe ata t’i blejnë vetë në treg materialet e domosdoshme. Mendoj se është vepruar drejt po të kemi parasysh se mënyrat e tjera nuk do të ishin rezultative për më tepër që materialet janë të ndryshme për persona të ndryshëm. Këto materiale të domosdoshme, jo vetëm që kanë çmime të larta, por disa prej tyre janë njëpërdorimshme, të tjera bëhen të papërdorshme pas përdorimit, disa duhet të sigurohen në tregjet e huaja, ku përveç çmimit të lartë duhet angazhim personash të afërm, miq e shokë. Në këtë mënyrë del e nevojshme që paketa duhet të ndryshojë. Pra, 1000 lekë në ditë është një kërkesë minimale dhe e domosdoshme. Po të kemi parasysh që numri përfitues i këtyre personave është  rreth 1000 persona, nuk do përbënte problem të madh për buxhetin e shtetit.

3-Për personat që përdorin mjete motorike kërkohet që kompensimi për karburantin e harxhuar nga 7 mijë lekë aktualisht të kompensohet për 80 litra karburant.

Pagesa për karburant nuk është e re, ajo ka ekzistuar edhe në kohën e diktaturës kur të drejtat dhe liritë e individit nuk respektoheshin sa duhet. Tashmë kërkohen standarde pasi jo vetëm se Shqipëria ka nënshkruar konventën ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, ka ratifikuar Kartën Sociale Europiane me ligjin nr.8960, 24.10.2002 për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, ku vihen standarde minimale edhe për personat me aftësi të kufizuara, por edhe për arsye se synohet të hyjmë në familjen e madhe europiane. Në këtë kontekst nuk duhet të ecet me standardet që kishte krijuar diktatura, që për fat të keq kompensimi 7 mijë lekë nuk është as në këtë nivel. Edhe pse nuk ka një shifër të deklaruar se sa persona disponojnë mjete motorike, por jam i bindur se nuk i kalon 500 persona paraplegjike e tetraplegjikë  përdorues të tyre. Ndërkohë që dikur ishte detyrimi i Sigurimeve Shoqërore sigurimi i pajisjes me mjeteve motorike, sot i vetmi lehtësim është ai i zhdoganimit doganor, të cilën e përfitojnë dhe invalidët që janë bërë të tillë para moshës 21 vjeç, por nuk përfitojnë karburantin. Për mos njohje të ligjit nga punonjësit e institucioneve lokale, neglizhencës apo korrupsionit në raste të veçanta, personat e interesuar hasin vështirësi të mëdha në përfitimin e kësaj të drejte. Duke pasur parasysh numrin e vogël përfitues, kompensimi i kërkuar do ishte i papërfillshëm për buxhetin e i realizueshëm.

4- Strehimi. Kërkohet që strehimi të jetë falas për këtë kategori sociale.

Strehimi mbetet sfidë e madhe për pushtetin qendror dhe atë lokal, por dhe të politikave zbutëse qeveritare për shtresa e kategori të ndryshme sociale, përfshi këtu dhe Personat me Aftësi të Kufizuara. Flitet se bashkitë kryesore duhet të ndërtojnë shtëpi me kosto të ulët apo banesa sociale ku të strehojnë kategori me të ardhura të pakta, mes tyre dhe (PAK), por kjo deri tani nuk është bërë e mundur. Ndoshta në këtë kontekst por dhe mënyra të tjera mbështetëse për këtë kategori mund të bëhet zgjidhja e kësaj kërkese.

Pa kaluar 24 orë nga fillimi i grevës një person ka pasur probleme shëndetësore, i cili u shtrua në spital, por grevistët janë të vendosur ta vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

Lini një Përgjigje