Agimi

11 Prill 2011, 19:13Blog TEMA

Nga Enver Robelli

(Ribotim për arsye aktualiteti)

Ju kujtohet Agim Ramadani? Janë disa rrugë në Kosovë që e bartin emrin e tij! Pas luftës së fundit, Lidhja Demokratike e Kosovës u përpoq ta rrëmbente për interesa të politikës ditore. Synonte t‘i thoshte demokratëve të Hashim Thaçit: “Ju Adem Jasharin, ne Agim Ramadanin!” Ky budallallëk nuk funksionoi. Ishte e pamundur të keqpërdorej figura dhe flijimi i një luftëtari, në garën qesharake se kush është më shumë patriot. Ashtu siç nuk ka funksionuar as përpjekja fillestare e PDK-së, për përvetësimin e sakrificës së Adem Jasharit. Edhe nga bota e përtejme, thua se një fuqi e padukshme i korrigjon çmenduritë e politikanëve të Kosovës…

Ju kujtohet Agim Ramadani? Është luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili, pas Adem Jasharit, ka komanduar aksionin më të fuqishëm dhe më domethënës në historinë e re të Kosovës: mposhtjen dhe përzënien e ushtrisë serbe, nga kufiri me Shqipërinë. Edhe pak javë, e do të mbushen 8-vjet nga rënia e Agim Ramadanit në betejën e Koshares. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, shumë patriotë të përgjumur filluan të thurin legjenda për marrëdhëniet e tyre miqësore me Agim Ramadanin. Njëri thoshte kam pirë kafe me të çdo ditë, tjetri çirrej se e kishte shoqëruar deri në front! Personalisht, jam trishtuar nga këto rrëfime të rrejshme, nga paturpësia për të shtrembëruar realitetin. Vetëm njëherë në gjithë këto vite, kam shkruar një tekst të shkurtër për Agim Ramadanin dhe për bisedat me të në Zürich. Ai nuk ka folur kurrë për luftën, unë nuk e kam pyetur kurrë për luftën. E dija që është oficer i shkolluar në Zagreb. Bota që na lidhte kishte të bënte me shkrimin…

 

Zbehja e kujtesës

 

Më kujtohet një vizitë e përbashkët varrezave “Fluntern” në kodrën e Zürich-ut dhe varreve të dy kolosëve të letërsisë: James Joyce dhe Elias Canetti. Si autor politik dhe si ballkanas, Canetti (i lindur në Bullgari, në një familje hebraike) ishte më i afërt për ne. Është një citat nga vepra e këtij nobelisti, të cilin e kishim diskutuar gjerë e gjatë, disa muaj para se Agim Ramadani të largohej nga Zvicra. Ky citat i Canettit sot lexohet si profeci për rënien në betejë: “Unë përulem para kujtesës, para kujtesës së çdo njeriu. Dua që ajo të jetë e paprekur, ashtu siç i takon njeriut, i cili lufton për lirinë e tij dhe nuk e fsheh përbuzjen time kundër atyre që ia lejojnë vetes, që atë t‘ia nënshtrojnë ndërhyrjeve kirurgjikale, derisa kujtesa t‘i përngjajë të gjitha të tjerave. Ata mund të operojnë hundë, buzë, veshë, lëkurë dhe flokë, sa të duan, ata mund, nëse vërtet duhet, të implantojnë sy me ngjyrë tjetër, edhe zemra të huaja, të cilat rrahin një vit më shumë, mund të prekin gjithçka, të shkurtojnë, të lëmojnë, të barazojnë, por, kujtesën do të duhej ta linin ashtu si është”.

Cila është sot, kujtesa për Agim Ramadanin? Është e zbehtë, pothuaj joekzistuese. Familja e tij vazhdon të jetojë në katund, në pronë e shtëpi të veten. Familja e ngushtë në Zürich. Vëllezërit e tij vazhdojnë të jenë qytetarë të barabartë me të tjerët. Bekimi, i cili vazhdon të jetojë dhe punojë në Zürich, në ditët me diell, lundron me varkë nëpër liqen. Kurrë nuk e kam dëgjuar duke u kapardisur për vetëmohimin e vëllait të tij. Me një humor të papërsëritshëm të Karadakut, ai thotë se gjërat bien në vend me kohën.

 

Të jetosh me kusarë

 

Tani për tani, gjërat nuk janë në vend. Mafia patriotike dhe mediale e Prishtinës, e cila dominohet kryesisht prej gazetarëve të korruptuar deri në fyt, si model kulturor ka imponuar figura të diskredituara, shkathtësia e vetme mendore e të cilëve janë muskujt, armët, kërcënimet! Nën petkun e patriotizmit, këta kusarë defilojnë nëpër televizione si të ishin instanca e fundit e moralit, nderit dhe përgjegjësisë. Janë e kundërta! Janë pasqyra më e mërzitshme e një shoqërie të dominuar nga mafia! Dhe shumica e kosovarëve e kanë të qartë këtë! Por, me një lehtësi të padurueshme, vazhdojnë të durojnë imponimin e këtij modeli të zi kulturor.

Çfarë është dashur të bëjë familja e Agim Ramadanit, për ta ruajtur kujtesën për heroizmin e tij? Sipas shembullit të të tjerëve, vëllezërit e Agim Ramadanit u është dashur të kurdisin tenderë, të ndërtojnë vila dhe ta bëjnë Prishtinën çiflig; është dashur të bëjnë zhurmë nëpër qytet me vetura të shtrenjta, të mëdha dhe të zeza; është dashur të kërcënojnë gazetarë, “të shajnë me nanë”, të ndërhyjnë në politikën redaktuese të Televizionit Publik, të imponojnë frikën si mundësi të jetës dhe ta masovizojnë modelin kulturor të tipit Ceca&Arkan.

Familja e Agim Ramadanit nuk ka bërë asgjë nga këto fëlliqësi, nuk ka marrë pjesë në këtë sistem mafioz. Për këtë arsye, edhe është harruar nga opinioni dhe nga ajo që publicisti britanik, Tim Judah, së fundi e quajti “shoqëria e poshtër e kafehaneve të Prishtinës”.

3 komente në “Agimi”

  1. Sofi says:

    Faleminderit per shkrimin, dyshja TemA-Robelli :). Me shume analiza te tilla ju lutem, aq me teper qe ‘kesaj ane’ te Shqiperise ka fare pak kujtese kolektive per keto ngjarje dhe personalitete.

  2. zana19 says:

    Kur e lexon kete shkrim te shkruar nga zemra, te duket sikur lexon per nje person ne shqiperi, qe ka qene nje disident i vertete gjate sitemit totalitar, por s’e njeh njeri, sepse disidentet e rreme, bertasin kaq shume, sa s’i vjen radha te verteteve te flasin dhe te ngrene zerin.

  3. zana19 says:

    Vazhdim:
    Eshte fatkeqesi qe ne te dyja anet e kufirit, ne si popull po perjetojme ekzaktesisht te njetat fenomene, te njetin korrupsion, te njetet politikane te korruptuar, dhe me ironikja eshte se ne cdo ane ka nje grup qe pasi kritikon qeverine e tij, e shikon qeverine e anes tjeter me idealizem dhe i vihet kundra vellezerve ne anen tjeter qe si guxojne te kritikojne shtetin e konsoliduar shqipetar. Ka njeri te ma s’pjegoje se si keta njerez kane aftesine te shohin korrupsionin e qeverise se Kosoves , por jo ate te shqiperise dhe vice -versa?
    C’fare po ndodh me trurin shqipetar? Kush po luan nje loje kaq te keqe qe disa nga ne po e kapim grepin e leshuar ne ajer kaq lehte dhe ne si komb nuk jemi ne gjendje te shohim te verteten e hidhur ne sy , qe qendron para nesh si nje re e zeze, e te kuptojme, qe nje loje teper e keqe po i luhet kombit tone te shkrete e ne si thote autori po e lejojme me ” një lehtësi të padurueshmete” na marrin neper kembe? Eshte me te vertete e trishtueshme qe populli yne ne Shqiperi e Kosove, me intellektuale shume te ngritur po perfundon deri aty, qe disa kosovare shkruhen serbe e jugoret e Shqiperise po shkruhen greke per nje pension te qelbur, se qeverite tona nuk po i sigurojne popullit ate c’ka meriton.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje