Dr. Dod Perleku
Në gjithë këto vite të turbullta dhe të mbrapshta në vendin tonë gjithçka që ka ndodhur lidhet, për së drejti apo tërthorazi, dhe me emrat e ambasadorëve dhe emisarëve perëndimor të kohës. Ose sepse ata kanë ndikuar në zgjidhje të caktuara politike, ose sepse politikanët tanë duan të fshihen prapa tyre për të justifikuar veprimet e tyre personale. Janë mediat ato që na përgatisin se po vjen ai apo trojka dhe po ato na trumbetojnë mendimet e porositë e tyre, që ne duhet ti zbatojmë pa mëdyshje si të vërteta të patundshme.
Që vendet mike apo aleate e përçojnë politikën e tyre nëpërmjet ambasadorëve të tyre këtu dhe prej emisarëve të herëpashershëm është më se e ditur dhe krejt normale. Por, po aq normale është që dhe neve të kemi gjykimin tonë për veprimet dhe mesazhet e tyre politikës dhe publikut. Sepse mesazhet kur janë qëndrime politike mund dhe të mos i pëlqejnë njërit krah të politikës, pra gjysmës së shqiptarëve, ashtu siç mund edhe të spekuloj me to krahu tjetër. Dhe kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhi. Ata duhet të jenë më të saktë, pra më të qartë, që të mos keqinterpretohen, duke na thënë e shpjeguar çfarë dhe pse është keq dhe çka është mirë apo e drejta. Ata në se duan të bëjnë guvernatorin duhet të dinë se në mos sot nesër do ti themi atë që ju takon, pra të pranojnë të jenë pjesë e historisë sonë. Po kështu ne duhet të informohemi cila është karriera e tyre pasi largohen me suksese e duar plotë prej këndej, që tregon tërthorazi vlerësimin e qeverisë që i ka dërguar për veprimtarinë e tyre në vendin tonë dhe rezultatet.
Kohët e fundit ka patur kundërshtime, debate dhe replika të shumta për fjalët, qëndrimet dhe “porositë” e të huajve që janë këtu apo vizitojnë Shqipërinë. Ajo që nuk kuptohet ndër ne është e drejta e shqiptarëve për të menduar ndryshe nga ambasadorët, të kujtdo qofshin ata, si dhe e drejta për ta shprehur hapur në publik këtë qëndrim e pa pasoja. Fatkeqësisht, në këtë rast të fundit, ata që e ndjejnë veten të përkrahur nga të huajt kërkojnë të të mbyllin gojën, madje dhe kur është sheshit e qartë se ata kanë qëndrime “personale” dhe në kundërshtim krejtësisht flagrant me faktet e njohura publikisht nga të gjithë.
Po kështu ka ndodhur që të jenë vetë të huajt që e gëlltisin fjalën e tyre, veçse në këtë rast, ndërkohë, pasojat kanë rënduar mbi ne shqiptarët. Shembulli i shumicës së zgjedhjeve, me ligje të hartuara dhe miratuara nga ata me fjalë të mëdha, që pasi kryhen me dështim dhe pasoja kritikohen, është mjaftë folës për këtë argument. Po kështu kur japin mendime për ndodhi tragjike e me viktima është mirë që më përpara të hetojnë pastaj të flasin, sepse po kafshuan gjuhën mbrapa, ne nuk i besojmë më. Shqiptarët thuhet në mënyrë figurative që nuk kanë “kujtesë”, por ata nuk harrojnë për deri sa mbajnë mëri e hasmëri gjithë jetën.
Shqiptarët nuk janë budallenj, përkundrazi, prandaj të huajt duhet të jenë më të vëmendshëm me problemet tona në se duan që ne ti mbajmë mend për mirë. Për shumë arsye bëjmë sikur jemi të një mendje me ta dhe kur thonë broçkulla, dhe kur na nëpërkëmbin apo dhe kur na dëmtojnë, por ndër vedi e themi atë që mendojmë dhe nuk na vjen mirë kur e keqja na vjen nga individë që vijnë nga vende realisht mike të popullit shqiptar, që e kanë treguar me vepra këtë. Nuk është faji i ynë kur ndonjëri prej tyre nuk na konsideron dhe na nëpërkëmbë. Me qenë se jemi popull mesdhetarë ne e kemi më lehtë të mohojmë se të pohojmë, pra më lehtë të themi jo se po dhe në këtë rast mbajtja e anës nga të huajt i bën tanët që të jenë më të papërmbajtur në prapësira dhe nxisin tensione dhe konfrontime, prandaj i lusim të huajt të jenë më të kujdesshëm në përfundimet e sidomos në leksionet që na përsërisin. Neve të mos na thonë se do biem prokurorë dhe hetues kur flitet për krime të qeveritarëve, se atëhere pse për krimet e qytetarëve mjafton “drejtësia” shqiptare ? Ndryshe krimi dhe korrupsioni do vij përherë në rritje, në se ata nuk na demaskojnë keqbërësit. Po kështu duhet të shqetësohen, së paku njësoj, si për pakicat por dhe për shumicën apo dhe të tjerët.
Po kështu dhe gazetarët, që sot nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në Evropë, për tryeza dhe dreka pune, duhet të jenë më kritikë ndaj të huajve pa harruar etiketën e rastit. Kjo vlen dhe për analistët dhe politologët e shumtë në se duan me të vërtetë të jenë të dobishëm për vendin.
Të huajt nuk duhen nënvlerësuar por respektuar për vendin që përfaqësojnë, por për këtë nuk duhet të spekulojnë, por të na konsiderojnë. Ndryshe kemi të drejtë të themi kush jeni ju, pa na tregoni CV-në tuaj. Unë i respektoj dhe dua ti respektoj, por më lejoni t’ju them se këtu nuk janë vetëm dy të vetëquajturit liderë. Shqipëria ka dhe të tjerë – gjithë populli, shikojeni atë, dëgjojeni dhe pyeteni pastaj përcaktoni vlerat, mbështetjen reale që kanë, shkallën e burrërisë të atyre të dyve. Gjithashtu ata duhet të jenë më të përgjegjshëm se lozin me imazhin e vendit të tyre në sytë e shqiptarëve. Ata duhet të na respektojnë deri sa ne i paraqesim si të pagabueshëm, për shumë të zot dhe se fjala e tyre del nga goja e perëndive, kur ata në vendin e tyre janë njerëz e nëpunës të zakonshëm, për të mos thënë askusha, dhe se këtu ka shumë e shumë më të zot se ta. Ata vetë, dhe ata që na i dërgojnë ,duhet të dinë se një ditë historia, ajo e vërteta, do të shkruhet, kur ata që heshtin do të flasin, kur të na ndihmojë Wikileaksi apo kur të hapen arkivat.
Ne kemi të drejtë ti kritikojmë për qëndrimet e tyre në kundërshtim me rregullat e demokracisë dhe shtetit ligjor ( që i kanë në vendet e tyre), kritikat tona do ti ndihmojnë të mos gabojnë, por, po aq të drejtë kemi të themi se është sjellja e jonë e mbrapshtë e vazhdueshme dhe prapanike për shekullin e XXI, që i mundëson apo u lejon atyre që për interesa jo tonat, shpesh as dhe të vendit të tyre, të veprojnë në këtë mënyrë, duke na përbuzur si qytetar dhe si shtet, madje sa të na emërojnë haptazi dhe presidentët.
Aferim na qoftë!
Comments are closed.
TE HUAJT DUHEN RESPEKTUAR SI MIQ DHE JO TI LEME TE BEHEN ZOTER SHTEPIE. NE SHTEPINE TONE. KUSH ABUZON NE EMER TE MIQESISE, MAJAT NGA THEMBRAT, ME MIRE MOS KISHIN ARDHUR.