Mund të jetë mallkim. Mund të jetë një nga ato shenjat misterioze me të cilat Fati shënjon fatin e një individi. Mund të jetë një nga ato lidhje shkak-pasojë e pastaj sërish në të kundërt, pasojë e shkak, që nuk arrijnë të shkëputen nga njëra-tjetra edhe kundër vullnetit të rrethanave. Por mund të jetë edhe “bekim” personal. Një “bekim” që lind nga shkaku dhe kushtëzon pasojën. Vdekja dhe Sali Berisha kanë krijuar në mënyrë gjithashtu të mistershme një lidhje të ngushtë mes tyre. Ajo ka nisur me 2 Prillin e vitit 1991, ka vazhduar me Marsin e Zi 1997, me shtatorin e frikshëm 1998 dhe ndoshta nuk ka mbaruar me të Premten e Zezë të 21 janarit 2011. Në të gjitha këto morte të dhembshme, ndërhyn edhe emri i njeriut që tashmë qeveris vendin dhe i premton vetes se do të qeverisë edhe 35 vjet të tjerë. Edhe si shkak, edhe si pasojë e “lumtur” e me një fat të ndryshëm vetjak për shkak të vdekjeve.
Të shtunën u mbushën 20 vjet nga masakra e Shkodrës. Katër qytetarë shkodranë u ekzekutuan me armë zjarri dhe dhjetra të tjerë mbetën të plagosur gjatë një proteste mbas zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Komunistët e Partisë së Punës kishin fituar shumicën dërmuese në Kuvend përballë demokratëve opozitarë, kryesisht në zonat rurale ku ende mbahej busti i Hoxhës në kuzhinat e varfëra dhe kishin humbur në të gjitha qendrat urbane ku Evropa dhe fryma e lirisë kishte mbërritur më parë nga antenat e televizorëve.
Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka janë prej 20 vjetësh martirë të demokracisë, të vrarë nga plumba të identifikuar në një histori, që megjithatë është e helmuar me shumë dyshime. Gjaku i tyre, tek i cili hipokrizia e zakonshme politike e vendit vë lule çdo 2 prill, ishte një nga argumentet kryesore të opozitës së dikurshme që frakturoi mandatin edhe ashtu të frakturuar të komunistëve.
Një vit më pas, komunistët e Partisë së Punës dolën në opozitë dhe një tjetër ish-komunist ortodoks si Sali Berisha, dominoi, siç po dominon skenën politike në mënyrë të paprerë.
Ish-ministri i brendshëm i kohës, Gramoz Ruçi doli pa asnjë faj nga procesi i hetimit gjyqësor. Sot është në politikë aktive edhe për shkak të vendosmërisë së tij personale që atëherë ju nënshtrua hetimit si një qytetar i thjeshtë.
Skaji tjetër i vdekjes ndodhi gati 20 vjet më pas. Në 21 Janar 2011, e Premtja e kryeqytetit u bë e Zezë dhe u Përgjak në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ndodhi përballë dritareve të zyrës së njeriut, që ngjitjen e tij në pushtet mund ta faturojë si pasojë edhe për shkak të gjakut të derdhur në 2 Prill 1991 në Shkodër. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, u vranë në Shqipërinë e vitit 2011. U vranë dhe u rivranë nga një qeveri që thotë se qëlluan me gurë. Nga një qeveri, që këtë “kundravajtje apo vepër penale”, e ndëshkoi me vdekje. Brenda pak çasteve, pa hetim, pa gjykim, por me ekzekutorë të çastit që ishin pozicionuar mbas gardhit të kryeministrisë me një axhendë të ndryshme zjarri nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës.
Shqipëria ka ndryshuar, por personazhet janë po ata. Vrasës dyshohet të jenë njerëz me uniformë, viktimat padyshim janë qytetarë të ndershëm, me fajin e vetëm se kërkuan liri dhe se ishin të varfër. Ndryshon vetëm “teknologjia” që i qëlloi. Kallashnikovët rusë të Shkodrës u bënë automatikë turq në Tiranë, fotot e dikurshme të rastësishme, u bënë objektiva kamerash që dëshmuan vijën e zjarrit në kahun e pandashëm: nga pushteti drejt demonstruesve.
Ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha është kandidat për bashkinë e Tiranës. Nuk ka asnjë hetim ndaj tij, edhe pse çdo hetim i ndershëm, profesionist dhe i pavarur do ta nxirrte atë absolutisht të pafajshëm, njëlloj si zoti Ruçi 20 vjet më parë. Fajtori është gjetkë. Eshtë përtej dritareve të një zyre apo në rrugëtim skajeve të Shqipërisë duke premtuar mbjellje ullinjsh dhe agrumesh dhe duke kërcënuar me shkulje dhëmbësh.
Në prillin e vitit 1991 as vetë komunistët nuk kishin dyshim se Shqipëria do të shkonte sërish në zgjedhje. Njëzet vjet më vonë, vetëm një ish-komunist ortodoks si Sali Berisha nuk do të pranonte idenë e zgjedhjeve të parakohshme si pasojë e shkakut: janë vrarë qytetarë. Njëzet vjet më vonë, një njeri i vetëm i reziston ende domosdoshmërisë për t´i dhënë vendit standarte evropiane të zgjedhjeve. Ky është shkaku pse Shqipëria ka mbetur ende në dyert e mbyllura të familjes evropiane, gjithë të tjerat janë thjesht pasojë, që nga varfëria, tek demokracia hibride që jeton vendi, tek pluralizmi si fasadë, liria e tregut apo e mediave.
Komunistët e djeshëm me tesera bënë sikur ikën në 2 Prill. Ish-komunisti duhet të ikë edhe sepse bëri 21 Janarin. Komunizmi është ende në pushtet në Tiranë. Tashmë pa teserë, tashmë me kostum borgjezi dhe fjalor demokrati, por me të njëjtën frymë dhe frymëzim që i vjen që nga Lenini. Dhe ky mund të jetë vërtet një mallkim, një mallkim për shumëkënd, përveç një individi dhe fatit të tij. Që me vdekjen ka krijuar një marrëdhënie të veçantë. Siç është e zakontë në Ballkan, por jo në Evropë.
*revista Mapo
Comments are closed.
Zoti Vangjeli. Ju ka shpetuar nje detaj i vogel ne te dy ngjarjet makabre te 2 prillit dhe 21 janarit. Ato lidhen me ambasadoret amerikane…
Me 2 prill 91, ne Shkoder demostrata u moderua politiksht nga ambasadori Rayerson, krahu i djathe i Berishes. Kurse me 21 janar 2011, mbasadori amerikan nuk denoi vrasjet e 4 civileve te pafajshem, por guxoi e “dekoroi” verbalisht kryeministrin Berisha “burre shteti”…Mendoj se ska shume nevoje per komente…
Pas disa vjetesh do te zbardhet e verteta edhe per ngjarjejt e 2 prillit dhe gjyqet farse qe sajoi Sali diktatori, per rolin e tij ne keto ngjarje. Kjo vlen per masat dhe syleshet se shume te tjere e dine!