1 Prilli, “Festa” e Nastradin Saliut dhe e kandidatit Basha të “Qeverisë 1 Prilli”

31 Mars 2011, 19:54Blog TEMA

Nga Kledian Lula

[email protected]

Nëse ka institucion që meriton t’i jepet titulli “Qeveria 1 Prilli”, ky është pushteti i aleancës ekonomiko-financiare Berisha-Meta. Nëse ka personazh simbol, i kompletuar për 1 Prillin, ditën e mashtruesve, ky është politikani dhe kryeministri shqiptar Sali Berisha. Nëse ka person që është “monstër” e Berishës në mashtrime dhe demagogji, ky është kandidati Lulëzim Basha, i mandatuar nga “Qeveria 1 Prilli” e PD-LSI. Sot është 1 Prilli, ose siç e quajnë shqiptarët “Festa e PD-LSI”, dy klaneve politike që janë bashkuar në një “grazhd” pushteti për të vjedhur e jo për të integruar Shqipërinë në BE.

Saliu, mashtrues dhe shkatërrues në opozitë e në pushtet

Nëse hap librin e premtimeve të “Nastradin” Sali Berishës, të bëra gjatë 20 viteve në pushtet, në opozitë e përsëri në pushtet, nuk gjen asnjë shkronjë të bërë realitet. Gjithë jetën e tij politike dhe qeverisëse Nastradin Sali Berisha ka bërë mijëra premtime të reja, të përsëritura e të stërpërsëritura. Nëse shfleton defterë bakallë- premtim-mashtrimet e Sali Parajsës, të bëra përpara shqiptarëve në fushatat elektorale, në opozitë e gjatë qeverisjeve, gjen “lumë” premtimesh për shkolla, ujësjellësa fshati e qyteti, spitale moderne, rrugë fshatrash të largët, kredi për ferma blegtorale e bujqësore, strehim të individëve e jetimëve, kthim pronash, internet falas në zona skajore, dëmshpërblim të përndjekurish, paga e pensione si Europa, madje edhe renditjen në vendin e parë në Europë për mirëqenien ekonomike. Ka 20 vjet që premton e mashtron.

Kujtojmë Saliun e pushtet-sundimit 1992-1997 që u premtoi shqiptarëve futjen në BE brenda muajit mars 1992, por po i mashtron edhe sot pas 19 vitesh. Premtoi mirëqenie të lartë ekonomike si në Europë, por hodhi në veprim firmat piramidale duke u zhvatur shqiptarëve edhe paratë e shitjes së mullarëve e pulave. Premtoi strehim për të gjithë, por edhe sot ka ende 76 mijë familje të lëna pa strehë që prej vitit 1992. Premtoi lëvizje të lirë në Europë, por i rropati shqiptarët nëpër sportele ambasadash dhe sot u ka siguruar këtë liri lëvizjeje vetëm me 3 muaj afat, si “leje ushtari”. Premtoi punësim, por mbylli e shkatërroi 2675 ndërmarrje të mëdha, të mesme e të vogla, ndër to 8 kombinate, duke lënë rrugëve pa punë e pa bukë afro 1.2 milion shqiptarë. Premtoi kushte jetese dhe mirëqenie të lartë si në Europë, por me politikat e tij asociale detyroi afro 1 milionë shqiptarë të largohen në emigracion. Premtoi investime në 11 ish-qytete industriale, si në Laç, Maliq, Selenicë, Bulqizë, Memaliaj, Patos, Klos, Rrëshen etj, por i ktheu këto qendra banimi në geto sociale, duke lënë afro 115 mijë familje pa të ardhura. Premtoi fuqizim e zgjerim të shërbimit shëndetësor, por mbylli spitalet në 21 qytete dhe zhduku qendrat shëndetësore në fshatra. Premtoi zgjerim e konsolidim të arsimit në zonat rurale, por mbylli 210 shkolla të mesme bujqësore e 50 shkolla profesionale në qytete. Premtoi ndershmëri, por arriti deri në kontrabandën e naftës dhe të armëve, me të cilat furnizonte regjimin e Miloshevicit. Premtoi liri fjale e siguri për jetën, por vërsuli SHIK-un e policinë mbi shtypin, mbi popullin dhe opozitën, duke e kërcënuar, dhunuar, burgosur, djegur e vrarë. Premtoi siguri për biznesin, por rrëmbente biznesmenë si “GESTAPO”-ja dhe i torturonte e i zhdukte fizikisht. Të gjitha mashtrimet dhe krimet e tij, pushtet “SALIU” i kurorëzoi me krimin kombëtar, djegien e Shqipërisë në vitin 1997, duke vrarë afro 3000 shqiptarë dhe bërë shkrumb e hi 28 mijë kilometër katror Shqipëri.

Dhe kur populli e përzuri nga pushteti mizor “me dru” në vitin 1997, Nastradin Saliu filloi mashtrimet edhe në opozitë. Nisi premtimet se “po të vinte në pushtet do bënte mrekulli” për shqiptarët. “Mrekullitë” i nisi që në opozitë, në 14 shtator 1998, kur iu vërsul institucioneve me tritol, zjarr e tanke, për t’u bërë kryeministër. Gjatë 8 vjetëve në opozitë, Saliu nuk la ministri e institucion pa qëlluar me gurë, nuk la premtim e mashtrim pa bërë. Pas 8 vjetësh e solli në pushtet ortaku i sotëm ekonomiko-financiar, “integruesi me bllok” Ilir Meta, ose siç e quan veten: “disidenti” i SHIK-ut të Berishës. Që prej vitit 2009, kur e mbajti përsëri në pushtet Ilir Meta, Nastradin Saliu ka bërë mijëra premtime, por të gjitha i ka kthyer në shkatërrime mbi këtë popull e mbi këtë vend. Premtoi luftë kundër korrupsionit, por ka ndërtuar qeveri-banditësh, me ministra të zhytur në krime e korrupsion. Premtoi siguri për jetën, por vrau 26 shqiptarë në biznes-krimin qeveritaro-familjar të Gërdecit. Premtoi liri fjale e proteste, por vrau 4 shqiptarë në demonstratën e 21 Janarit 2011. I tillë ka qenë e ka mbetur personazhi simbol i 1 Prillit, Nastradini Sali Berisha: Mashtrues e shkatërrues i Shqipërisë edhe në opozitë, edhe në pushtet.

Shqipëria jashtë BE nga pushtetet “SALI”

Shqipëria vazhdon të jetë jashtë BE. Ky premtim nisi paralel me premtimin “SALI” për “Çekun e bardhë” në vitin 1992 dhe vazhdon të jetë ëndërr që nuk ka një vit se kur do të realizohet. Europa e ka thënë qartë dhe hapur: pengesë është Saliu. Këtë tha përsëri KE edhe dy ditë më parë: Pushteti po pengon zgjidhjet politike, po ushtron qeverisje te kriminalizuar, po bllokon futjen e Shqipërisë në BE. Dhe pushteti është Saliu me bandën e Ilir Metës. Pushteti edhe në vitet 1992-1997 ka qenë Saliu. Shkak për bllokimet edhe në vitet 1997-2005, ka qenë opozita denigruese, zjarrvënëse e shkatërruese e Saliut.

Shqiptarët, ata që kanë mbetur dhe ata që kanë ikur, i njohin shumë mirë “kontributet” dhe “arritjet” e Sali Berishës dhe të 3 pushtet-bandave të tij të këtyre 20 viteve, sepse i kanë përjetuar dhe po i përjetojnë në mënyrë të lodhshme e të dhimbshme. Këto “arritje” të pushteteve e opozitave “SALI”, nuk janë gjë tjetër, veçse e kundërta e integrimit në BE. Shqipëria e ka vuajtur dhe po e vuan me bllokazh integrues qeverisjen “SALI”, mbasi pushtet-bandat e tij politike e ligjvënëse kanë krijuar vetëm shkatërrime ekonomike, sociale, dështime, shqetësime, spostime nga rruga për në Europë. “Arritjet” e politikës e të pushtetit “SALI”, do të shënohen e do të mbeten në historinë e Shqipërisë, si vullneti i keq, për të mos i shërbyer vendit, si përpjekje për të mos u vënë në mbështetje të interesave kombëtare, por kundër tyre. Në 7 vitet e pushtetit “SALI” që kanë kaluar, pasqyra e qeverisjes së këtij vendi paraqet fytyrën e ndotur dhe dështake të këtij pushteti gangosh e hajdutësh, të këtij “kamxhiku” që ka rënë pa reshtur mbi shpinën e popullit e të vendit, duke shkatërruar ekonominë, shoqërinë, çështjen kombëtare, pasuritë publike e private, financat dhe mundësitë për të na integruar në familjen evropiane. Europa nuk të bën pjesë të saj për premtimet dhe mashtrimet e Berishës, as për blloqet e koncensioneve të Ilir Metës, as për tenderat e Lulëzim Bashës, por për zbatim detyrimesh. Futja në BE nuk është “ulërimë” e Sali Berishës, as biznes e ryshfet i Ilir Metës, por zhvillim shoqëror-ekonomik progresiv.

Këto tregues, pushtet-banda “SALI” i ka kthyer në hiç. Tashmë Shqipëria nuk disponon asgjë për t’u konsideruar edhe minimalisht shtet, vend apo komb. Kjo pjesë toke që kemi, me të cilën njihemi në Europë e në botë, nuk përjeton asnjë zhvillim. Ekonomia e falimentuar nuk është rigjallëruar, duke u tjetërsuar në kombinate, uzina, fabrika, ndërmarrje e linja prodhimi gërmadha, të cilat pushtet-banda “SALI” premtoi se do t’i rikthente në aktivitet të plotë, por mashtroi dhe sot ka vendosur t’i privatizojë me 5 “kacidhe” për llogari të klanit PD-LSI. Ky vend ka për ta vuajtur gjatë politikën, mashtrimin dhe shkatërrimin e bërë nga pushtetet “SALI”, duke na lënë jashtë BE.

Basha si Saliu ka trashur zërin dhe ka hapur “thesin” e mashtrimeve

Që kur Saliu i tha Lulëzim(e) Bashës se do kandidonte për të futur në kthetra Bashkinë e Tiranës, ish-ministri i trefishtë në poste, krime e korrupsion, ndryshoi zërin dhe shtoi mashtrimet. Kush e dëgjoi “broshurën” e tij elektorale, dëgjoi ulërima e mashtrime, jo sikur fliste kandidat Luli, por sikur fliste Saliu. Në këtë 1 Prill, edhe Luli, ashtu si Nastradin Saliu, përfaqësohet me mashtrimet e tij për banorët e Tiranës, duke u premtuar “luksin dhe parajsën”. Po ndalemi në disa nga këto premtim-mashtrime të Lulëzim(e) Bashës (Saliut):

1. Do ndërtosh linjë tramvaji në Kombinat, në Allias, në “Ali-Demi” dhe kodrat e Liqenit Artificial. Ky premtim mund të realizohet, por vetëm në bregdet, nëse vajza, dhëndri, djali dhe miku i kryeministrit Damir Fazlliç dorëzojnë vijën bregdetare pronë të banorëve të bregut, që e kanë zaptuar më dhunë.

2. Do të punësosh 30 mijë persona. Edhe kjo mund të bëhet, por vetëm nëse “arkitekti i kioskave” Sali Berisha, të jep urdhër që të rikthehet vendosja e kioskave në Tiranë.

3. Do t’u shpallësh luftë çmimeve të larta në treg. Populli e pret këtë zoti kandidat, por është pak si e vështirë kjo punë për ty, sepse nuk të lënë monopolistët e klanit PD-LSI, bosë ortak të familjes kryeministrore, që mbajnë me “bukë” përveç klikës në pushtet edhe shoqatën “Zgjohu” e cila bënë postera kundër opozitës.

4. Do të krijosh agjencinë për mbrojtjen e konsumatorit. Kjo është nismë e mirë, por je tepër i vonuar, sepse këtë agjenci e ka ngritur prej 5 vjetësh shef Saliu, duke emëruar kryetar “debatikasin” e PD, Altin Goxhaj, të cilin e financon dhe e dërgon me mision kazan më kazan të Tiranës, për të fotografuar plehrat.

5. Do krijosh Task-Forcën për punësimin e qytetarëve. Edhe kjo është nismë e mirë. Por edhe nëse e arrin, lind pyetja: A të lejon Saliu të punësosh banorë hallexhinj të Tiranës, që nuk janë mitingash të PD?

6. Do të heqësh 60 taksa e tarifa vendore. Dakord, po përse nuk të ka thënë Saliu, që bashkia ka vetëm 3 taksa direkt publike për banorët, ndërsa 160 taksa i ka qeveria që ia zhvat shqiptarëve edhe me dhunë. Nëse do ta bësh vërtetë këtë punë, filloje me taksën e TV-SALIUT që u shtua edhe me 1200 lekë dhe me taksën 90 euro në vit, që vendosi qeveria ndaj biznesit të vogël e të mesëm, si taksë për kolaudimin e këtyre kasave.

7. Do të ndërtosh parqe e mjedise të gjelbëruara. Dakord, por banorët e kryeqytetit nuk të besojnë më as ty e as Saliun, mbasi është pushtet-Saliu i viteve 1992-2001, që ia shkatërroi këto parqe e sheshe Tiranës, duke “mbjellë” kioska betoni e llamarine.

6 komente në “1 Prilli, “Festa” e Nastradin Saliut dhe e kandidatit Basha të “Qeverisë 1 Prilli””

  1. LORA says:

    Ne kongresin e PS-se,ne prag te zgjedhjeve politike te 2005-es,Edi Rama paralajmeroi; Kthimi ne pushtet i Sali Berishes(per mua eshte dr.tyryry-ja) eshte tradheti kombetare. Koha e vertetoi kete.
    Dua te them se ,per mua,qenia e tij ne vendimarrjen politike te Shqiperise per dy dekada eshte hedhja ne ere e cdo interesi social,politik e kombetar;eshte shkaktari kryesor,por jo i vetem, i shkaterrimit te substances shqiptare te ekzistences sone;eshte dhunuesi i perditshem,i paepur,i intelektit e nderit te shqiptareve etj,etj.
    Por ky fatalitet traumatik nuk soset nese vazhdojme ne ritmin e denoncimeve me shkrim e me goje.
    Meqe vota nuk ushtrohet dot,sovraniteti i deleguar ka marre fund praktikisht edhe pse Kushtetuta e garanton.Mbetet ,po ne baze kushtetuese,ushtrimi i vullnetit te njerzve drejtpersedrejti,me fort se ne 21 janar,ne rruge,ne perballjen finale.Dr.Tyrryry-ja tashme eshte ne drejtesine e popullit,pa u bere kjo drejtesi nuk mund te kete normalitet per ne.

  2. Frederik says:

    Ky shkrim analize e z. Lula eshte realiteti qe shqiptaret kalojne çdo dite ku nje pjese e mire e tyre jane ne perpjekjet e mbijeteses dhe u eshte mpire sensi i kundershtise ndaj Nastradin Sali Berishes .
    Nastradin Sali Berisha eshte dhe pergjegjesi dhe sherbyesi numer nje i serbo-grekeve per asimilimin e nje pjese te shqiptareve ne favor te fitimit te ndryshimit te kufijve ne dem te Shqiperise.
    Pra Nastradin Sali Berisha i ka mbushur te gjitha kupat per t’u cilesuar si armik i shqiptareve.
    Pergezime zotit Lula per cilesite e larta dhe reale te shkrimeve te tij !

  3. Gramozi says:

    —-Z.Fatos Lubonja tha nje llaf te mencur ne “opinion” te merkuren..qe—
    Populli Shqiptar esht akoma ne efektin e “bing-benbut” dhe shkaku esht pinoku mashtrus po dhe vrases…

  4. ben says:

    Sala + Lul & company e kane gjithe kohen 1 prill.Keto genjejne cdo dite,ndoshta vetem me 1 prill nuk genjejne.Do te ndigjojme qyfyre me te forta se tramvaje,trena elektrik,ulje taksash.Ne fakt,ky popull eshte pak(ndoshta shume) idiot,kur pa pike turpi Sala + Luli thone do ulim taksat e terci verci,dhe konkretisht i kane ngritur ato,si taksen e televizionit,dhe mileti bashke me disa “intelektuale” i bejne hosana ketyre krimineleve.

  5. benikuksiani says:

    problemi eshte se une nga rama nuk po shoh asnje drite jeshile dhe kam 1 vit pa pune.kryetari aktual i bashkise spo na nxjerr gjekundi me politikat e tij! ?

  6. england says:

    Ej po jepi ndonje numer telefoni Edit,ose adresen e sakte se ku jeton(si ta marri me mend Rama se ti je i pa pune)pastaj varet se cfar di te besh ti o Ben kuksiani,nga emri me le nje shije sikur je
    nga kuksi!!!Edi mund te beje dicka per ty ne se jeton ne tirane
    dhe ne se ke bere ndonje shkolle,per tu punesuar ne bashkine e tiranes
    Se me sa di une per cdo variant tjeter punesimi pergjigjet pushteti vendor
    pra duhet tja kerkosh kete Saliut
    ose paterices qe po e mban ne pushtet Ilir kokederrit(qe premtoi 160,000 vende pune)
    ne fushaten qe beri per zgjedhjet e 28 qershorit,ku cirrej duke share,e duke ofenduar
    kete qe sot i ulet ne preher,ne se Ed Rames mund ti telefonoje per vend pune
    ketyre po nuk pate ndonje shuk me euro,as mos e co neper mend se ke per te
    fillu pune ndonje here

Comments are closed.

Lini një Përgjigje