Ka gjithfarë diplomatësh. Diplomatë të trashë. Diplomatë të hollë. Ka diplomatë arrogantë dhe ka të mirësjellshëm. Ka diplomatë konspiracionistë, por ka edhe diplomatë të hapur e direkt. Ka diplomatë biznesmenë, po edhe diplomatë filantropistë. Ka edhe diplomatë të lindur për këtë punë. Ka edhe diplomatë si ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell.
Mendoj se është e thjeshtë për ta kuptuar çfarë mendon dhe kërkon zoti Dell. Ai kërkon të jetë i pranishëm në secilën skutë ku merret vendim. Që nga vendimet për privatizimin e kompanive publike dhe nënshkrimin e kontratave të rënda për infrastrukturë, e gjer te zgjedhja e krerëve institucionalë. Ai kërkon që këtë ta bëjë haptazi dhe direkt. Qëllimisht! Ulet sipër kokave të zyrtarëve dhe u thotë çka duhet të bëjnë.
Në anën tjetër zoti Dell gjen kohën që në përvjetorë të rëndësishëm, në momente dobësie të shoqërisë kosovare të shkruajë ndonjë editorial si ai i përvjetorit të NATO-s. Sigurisht që zoti Dell e di mirë që nuk ekziston, praktikisht është e pamundur të gjesh, një kosovar pjesëtar i komunitetit shumicë, pra shqiptar, që nuk vlerëson gjer në pietet NATO-n dhe vlerat për të cilat angazhohet kjo aleancë. Është e qartë se nuk ka asnjëfarë nevoje që shoqërisë kosovare t’i thuhet se duhet të respektojë vlerat që përfaqëson shoqëria amerikane dhe sfera perëndimore përgjithësisht.
Në çdo përvjetor intervenimi të NATO-s madje edhe boksierët kërkojnë të shprehin këtë pietet, duke organizuar turne nën moton “Thank You NATO, Thank You USA”. Këtë fjali kosovarët e bartin me vete kudo në mungesë të himnit të shtetit të tyre. Mirëpo, megjithatë, opinioni i zotit Dell për ditën e intervenimit të NATO-s shprehte një shqetësim. Dell fliste në editorialin e tij për një “mënyrë të rrezikshme të të menduarit”. Shumëkush që komentonte këtë opinion e dinte që kishte një tension brenda. Madje kishte edhe të tillë që ndienin se editoriali përmbante edhe një dozë kërcënimi. Mirëpo, askush nuk e shpjegonte dot “përse?”. Cili ishte faji që bënim ne për të merituar një editorial të tillë?
Mbase shpjegimi i asaj që donte të thoshte zoti Dell në këtë opinion kishte të bënte me pjesën e Kushtetutës që citon. Kosova është shtet multietnik dhe për këtë nuk ka dyshim. Si askush në rajon e më gjerë Kosova ka mbireprezentuar komunitetet në institucionet e saj. Kosova vazhdon të shohë me gjakftohtësi të paparë ndonjëherë cenimin e vazhdueshëm të kushtetutshmërisë nga serbët, të cilët në çdo cep të saj në mënyrë të dukshme parakalojnë me targa serbe nëpër vendbanime të Kosovës. Kudo në Kosovë serbët janë të mbrojtur dhe të respektuar. Kosovarët kanë hequr dorë nga lëvizja në pjesën veriore ku dominojnë serbët vetëm dhe vetëm për të mos i prekur nervat ndonjë diplomati. Të gjithë zyrtarët, edhe ata në pushtet, edhe ata në opozitë janë zotuar se më parë do të heqin dorë nga pjesa veriore sesa të përdorin mekanizmat e vendosjes së ligjit për të kthyer kontrollin në këtë pjesë. Prapë, dhe sërish, kosovarët futen në negociata pa asnjë parakusht.
Zoti Dell, çka duhet të bëjmë ne për të qenë ju i kënaqur?! Sa për pikën e Kushtetutës që ju keni cituar në opinion, duhet kuptuar që kosovarët thjesht nuk kanë më çka të bëjnë. Nuk është në dorën e kosovarëve për të bindur komunitetin serb të respektojë rendin e ligjin në Kosovë. Ata refuzuan UNMIK-un, refuzojnë ligjin e Kosovës, refuzojnë edhe EULEX-in.
Çka të bëjmë ne zoti Dell që ju të jeni i kënaqur?! Nëse shqetësimi juaj rrjedh nga fakti që në Parlamentin e Kosovës ka pasur rezistencë ndaj disa metodave që keni përdorur për disa raste, siç është për shembull në rastin e Strategjisë për privatizimin e PTK-së apo edhe për zgjedhjen e presidentit, besoj se një analizë gjakftohtë ndaj këtyre intervenimeve do t’ju jepte për të kuptuar se janë pikërisht vlerat perëndimore ato në të cilat kuvendarët kosovarë kanë insistuar. Demokracia është ombrella e të gjitha vlerave amerikane dhe demokracia është provuar të mbrohet në disa raste në Kuvendin e Kosovës. Dihet tashmë se zoti Dell ka pasur reagime mllefi në dy rastet që i përmenda. Edhe kur u refuzua Strategjia për PTK-në, edhe kur u bojkotua zgjedhja e Pacollit, zoti Dell ka provuar të japë një shpullë me opinionet e tij. Nëse shqetësimi i tij rrjedh e ka diçka të përbashkët me shqetësimet dhe mllefin që ai ka çliruar kur sugjerimet e tij u rezistuan në Kuvendin e Kosovës, mendoj se në përvjetorin e NATO-s nuk kanë vend shqetësimet e këtij lloji.
NATO-ja ka intervenuar në Kosovë për të parandaluar gjenocidin dhe supremacinë e një etniteti ndaj tjetrit. Nëse komunitetet sot janë të mbireprezentuara në institucione me rreth dhjetë herë, nuk besoj se ka vend për shqetësimin se Kosova po bëhet shtet multietnik. Por në këtë kuadër nuk duhen futur shqetësimet personale të zotit Dell, sepse pas tërë kësaj që po bëjnë kosovarët thjesht nuk është fer. T’i akuzosh sot kosovarët për “mendim të rrezikshëm” nuk është fer!