Serbët dhe Beogradi zyrtar po përpiqen ta bëjnë kryeministrin rus Vladimir Vladimiroviç Putinin, atë që ai në të vërtetë nuk është dot as në Rusi: jo vetëm hero rus e gjithortodoks ose pansllav, por edhe shpëtimtar të popullit serb! Madje edhe shumë më shumë sesa kaq: po duan ta bëjnë këtë kryeministër Putin Grozny. Carin e parë rus në Mesjetë që pati pushtuar shumë popuj e vende për t’ia bashkuar Rusisë.
Për këtë arsye e qëllim, para shkuarjes së Putinit në Beograd, serbë dhe institucione serbe ia bënë gjithë ato nderime verbale: e shpallën madje edhe “qytetar nderi të Kosovë -Metohisë” nga eksponentë të tyre në Zubin-Potok të Kosovës dhe e shpallen doktor nderi të Universitetit të Beogradit.
Vërtet, a është Vladimir Putini Grozny aktual i Rusisë?
Kryetar i Rusisë në dy mandate, që nga viti 2000, deri në vitin 2008, ish-punëtor i përkushtuar i KGB-së (shërbimi sekret sovjetik), nuk donte të dinte në kishte kryeministër Rusia, dhe, kryeministër që nga viti 2008, nuk do t’ia dijë në ka president Rusia. Dhe, tani, në skadim të mandatit të kryeministrit, po lufton për të përsëritur mandatet e presidentit. Njohësit e rrethanave ruse thonë se ka shumë gjasa ta realizojë edhe këtë ëndërr pas fitores në zgjedhjet e fundit rajonale, ku arriti sukses të madh me partinë e vet, Rusia e Bashkuar.
E kështu dhe këtë, me gjasë, po e duan më së shumti serbët zyrtarë të Beogradit, të cilët me deklarime, politikën e tyre të jashtme e kanë të bazuar në katër shtylla antagoniste dhe të çuditshme: në SHBA, Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Kinën. Me hesape të qarta politike: për ta mbajtur, të paktën edhe vetëm me ëndrra, Kosovën me Serbinë.
E a është dhe a mund të jetë kështu?
Zhvillimi i deritashëm i ngjarjeve në dhe përreth Kosovës e thotë të kundërtën. Madje edhe për Rusinë dhe për Putin Groznyn e Serbisë. Këtë gjë, ose e kanë harruar, ose nuk duan ta përkujtojnë vetë zyrtarët serbë që po i duartrokasin me kaq eufori kësaj vizite shumë më shumë propaganduese sesa efektive.
Sepse: Nëse Boris Jelcini, i përzgjedhur i të cilit ishte dhe mbetet Vladimir Putini, u nxitua tepër shumë që para forcave perëndimore të instalonte forcat ruse në Kosovë, duke lënë pozicionet në Bosnjë e Hercegovinë në qershorin e vitit 1999, është Vladimir Putini ai që i tërhoqi pa pikë përtese e hamendjeje forcat ruse nga Kosova. Me këtë hap ai deshi vetë që të mos jetë më pjesë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Dhe bëri shumë mirë.
Është po ashtu Vladimir Putini ai që pak kohë pas largimit të pjesëtarëve rusë të KFOR-it, dorëzoi hangarët e Aeroportit të Prishtinës duke larguar edhe ushtarët e vet të mbramë pothuaj pa paralajmërim nga Kosova. Dhe jo vetëm kaq: pavarësisht se çfarë thonë mediet dhe zyrtarët serbë, Putini rrugën ballkanike për në Beograd e ka marrë më së paku për Kosovën.
Ai atje shkon për hesape ekonomike dhe kontrata të kësaj natyre, që Serbia nuk i ka përmbaruar. Një fjalë goje ose një përsëritje se “Rusia nuk ka ndryshuar qëndrimin e vet për Kosovën”, është vetëm kurtuazi diplomatike që nuk do të ndryshojë asgjë në konstelacionet ndërkombëtare të pozitës së Kosovës.
Siç nuk e kanë ndryshuar, ama me asgjë, këtë konstelacion as “Kosovat” që Putin Grozny u përpoq t’i krijonte në ish-republikat sovjetike. Në Gjeorgji, ku i mban të shpifur “dy shtete” – Abkazinë dhe Osetinë Jugore. Dhe të korrigjohemi këtu pak: as këto “shtete” nuk i ka krijuar për inat të SHBA-së e “sipas modelit të Kosovës”, por për bazat e veta ushtarake afër Detit të Zi. Ndërkohë që lufton me të gjitha mjetet kundër “një Kosove” tjetër, Çeçenisë, e cila, me shekuj e decenie po përpiqet për të dalë nga kthetrat ruse.
As data 23 mars, që koincidon me vigjiljen e përvjetorit të sulmeve të NATO-s kundër pozicioneve ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi, nuk ka pse dhe si të merret si ndonjë simbolikë. As e mirë as e keqe. Është thjesht një rastësi sikur që ishte rastësi edhe afrimi i Hënës me Tokën që ndodhi rrafsh pesë ditë para datës së kësaj ndërhyrjeje historike. Sepse, Vladimir Vladimiroviç Putin nuk viziton enkas dhe në mënyrë speciale vetëm Serbinë. Kryeministri rus, para saj, viziton Slloveninë e më pas është paralajmëruar edhe vizita e tij në Mal të Zi, dy shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
E qëndrimi vetëm pesë orë në Beograd është një dëshmi tjetër shumë e qartë se Putin Grozny nuk ka shumë kohë për Serbinë, të paktën jo aq sa thonë dhe do të donin serbët zyrtarë. Edhe pse Serbia e konsideron hero kombëtar të vetin. Vladimir Vladimiroviç Putin – Groznyn.
Për fat, jo më të Tmerrshmin.