Unë jam Popull…
Edhe siç e dinë të gjithë, unë gjithnjë kam halle shumë…
Kam nevojë të bisedoj e ti qaj hallet e mija me dikë. Me dikë që të ma ketë ngenë për të më dëgjuar, durimin dhe vëmëndjen e nevojshme për të më dëgjuar deri në fund. Të bisedoj me dikë që ka dëshirën e mirë të mi qajë hallet, paçka se ndonjëherë as unë vetë nuk e gjej dot se ç’më mundon. Kam nevojë të kem dikë që është në gjëndje të ma qajë dhe të ma zgjidhë një hall, po edhe të ma tolerojë dhe ma mirëkuptojë një dëshirë. Të paktën për dikë që ka durimin të arësyetojë bashkë me mua për pamundësinë e realizimit të një dëshire ose zgjidhjes së një halli…
Po ku ta gjej një të tillë?..
Për fatin tim të keq, një të tillë nuk ka.
Nuk ka, por unë kam nevojë ta kem patjetër atë. Dhe meqë ai nuk egzistonte, e krijova vetë. Jo thjesht dhe vetëm si pjellë të fantazisë, por si një koncept abstrakt të materializuar në formën e një grupimi të organizuar njerëzish…
Të krijova ty Politikën, që në ato fillime të lashta mbajte emrin “bashkësi primitive”, për të arritur deri në ditët e sotme të një “politike moderne” që ende pa përfunduar cikli kontinental i zhvillimit të saj, ka marrë ngjyra të forta të një politike globale.
Të krijova ty Politikën…
Nga barku im të nxorra, si pjellën time. Ndaj dhe më ke ngjarë aq shumë. Ndaj edhe të plotësoj aqë shumë teka. Ndaj dhe nuk të kërkoj edhe aqë llogari.
Unë jam i mënçur, posaqë të krijova ty, si një mënyrë komode për të siguruar zhvillimin tim social dhe përmirësimin e vazhdueshëm të moralit tim social dhe ambientit tim material, gjëra që nuk arrihen vetiu.
Ti je më e mënçur se unë, posaqë e ndjen veten aq të aftë sa të zgjidhësh hallet që kemi edhe unë, edhe ti.
Unë kam halle shumë, por ti ke edhe më shumë halle se unë. Sepse ke edhe të mijat, edhe të tuat. Unë luftoj të çlirohem nga hallet e mija, ti lufton së pari të çlirosh veten nga hallet e tua dhe së pasmi për çlirimin tënd nga hallet e mija.
Unë kam shumë dëshira dhe pretendime. Madje nganjëherë grindem edhe kot. Bën vaki edhe qiqrra në hell të kërkoj. Ti ke edhe më shumë dëshira e pretendime se unë, madje je më tekanjoze se një fëmijë.
Unë kam edhe ca të meta, po për to nuk e kam fort me qejf kur flas. Edhe ti ke plot të meta. Po as ke qejf të flasësh vetë për to, as mua nuk më lë të ti përmënd.
Unë jam Populli, ti je Politika.
Bashkëudhëtarë të lashtë e të pandarë.
Të dy kemi ndryshuar shumë që nga ato kohëra. Herë për mirë e herë për keq. Ku për mirë e ku për keq. Vazhdimisht e mira e padukshme ka qenë më e madhe se e keqja sunduese, prandaj edhe është zhvilluar dynjaja.
Ndonëse i brishtë dhe i lëkundshëm, vazhdimisht është ruajtur ekuilibri mes nesh të dyve nga njëra anë dhe mes së mirës e të keqes nga ana tjetër. Nuk ka qenë kurrë e lehtë ta ruajmë këtë ekuilibër, madje herë pas here është dëmtuar aq rëndë, sa është dashur kosto e lartë për ta rivendosur. Sepse edhe unë populli përbëhem nga njerëz, edhe ti politika përbëhesh nga njerëz. Dhe njeriu nuk është një qënie aq e përkryer sociale dhe morale, sa pretendon të bëhet, paçka se pandërprerë përmirësohet nga pak.
Historia rrëfen paprerë për grindje e konflikte të dhunshme, revolta, kryengritje e revolucione, luftëra rajonale e të përbotshme. Shtete, mbretërira e perandorira, fise e popuj të tërë, që pas lulëzimit janë shkërmoqur të tërë.
Kam fajet e mija edhe unë Populli për këto prapësira që kanë kaluar. Se të përkëdhel e të llastoj aq shumë, saqë kur kujtohem të të mbledh rripat, ti më ke hedhur shalën, më je hedhur sipër dhe fillon e më tërheq yzengjinë.
Po ku unë e ku ti me fajin. Fajin e madh e ke ti, me atë babëzinë tënde ekstreme për pushtet, por ama vicklat i ha unë. Kur ka të korra, ato i merr ti. Krrundet unë. Ka apo nuk ka të korra, koston e paguaj unë.
Gjen mirë me kaq. Sepse plagët e kostos më shërohen dalëngadalë duke i lëpirë ndër vete mbrëmjeve. Dhe sado që e pabesa harresë lumturuese mi fsheh vrragët e plagëve, diç mbetet prapë mbi lëkurë.
Rri nga rri dhe sytë më shkojnë vetiu mbi këto vrragë. Drithërohem nga kujtim i tyre dhe sakaq ja pakësoj përkëdheljen bijës sime të llastuar Politikë. Dhe ajo e di pse u dembelos dora ime. Ajo është qerratalleshë e madhe dhe e di se çfarë duhet të bëjë për të ma zbutur zemrën.
Si një mace e llastuar ajo vjen e më fërkohët pas këmbëve duke mjaullirë ankueshëm, kryqëzon sytë mbi të mijtë me rënkimin e një pafajësie të thellë, përsëri serviloset duke mjaullirë e fërkuar pa pushim derisa më bën të më duket vetja brutal e i paaftë për të dhuruar dashuri, miqësi e butësi, të më duket vetja kurrnac e zemërngushtë.
Sa e ëmbël ish, sa më kënaqte ajo mackë lozonjare me atë gërhimë harmonike dhe të paqtë…
Me ngadalësinë e kërmillit harresa zvarritet pa u ndjerë mes zbrazëtisë kohë.
Gjithnjë e më tepër statukuoja mi përgjum sytë vigjilentë, të cilët gjithnjë e më rrallë kthejnë vështrimin mbi vrragët gjithnjë e më të padukshme të plagëve.
Përkëdhelja e maces më bëhet forcë zakoni dhe nuk e ndal dorën, nuk e ndjej që tonet vajtuese të mjaullitjes janë transformuar në knurrje pretenduese, nuk e marr për të vërtetë faktin, që në vënd të më fërkohet këmbësh me servilizëm, më gërvisht duart me thonj kur nuk e përkëdhel aty ku do ajo dhe atëherë kur do ajo.
Dikur filloj të mos e ndjej veten rehat.
Vë veshin të dëgjoj, po zhurma nuk ndjej kund.
E pra qetësi nuk është!
Rrotullohem sa nga njëra anë në tjetrën, po prehje nuk gjej dhe gjumin e bëj të trishtë. Një trishtim që gjith e më shumë bëhet më i thatë gjersa një makth ngulmues ma kaplon fytin.
Dua të ngrihem, ta largoj këtë makth, por ndihem i mpirë nga inaktiviteti i gjatë, i lidhur kokë e këmbë me fije pa hesap merimangash që kam lënë pa fshirë në kotësinë që më ka zënë.
Dua të besoj se jam në një ëndërr të keqe, po e ndjej që nuk mund të jetë kështu dhe i hap sytë me përdhunë. Por e dija që jam zgjuar, edhe pa i hapur ende sytë. E dija që nuk do të shihja më atë mackën paqëfrymëzuese, por një luan nursëz, që hungurin kërcënueshëm dhe imponues për të treguar se zot në shtëpinë time është ai….
Ah, jo moj bija ime e dashur politikë, jo!
Jo deri këtu. Është shtëpia ime Shteti, jo e jotja. Ti je pjella ime dhe të takon një pjesë nga ky vend. Po vetëm kaq. Se të emërova vërtet guvernator, por ama sovrani jam unë.
Të dhashë vërtet shumë pushtet, por për të administruar Shtetin, jo për të më telendisur mua.Të dhurova shumë dashuri, por që të shkojmë në harmoni e të më respektosh, jo të më qortosh pse nuk të përkëdhel më apo të më kopanisësh pse nuk ti plotësoj dot tekat.
Ka ardhur koha ti ndryshojmë ca gjëra. Kapistallin që më ke hedhur mua, të ta shtie ty. Të ta detyroj rrugën nga do shkosh e kufirin ku do ndalesh…
Fjalë goje. Hajde dhe gjeje mënyrën se si ta heq kapistrën nga vetja dhe t`ja hedh një pele të hazdisur, që më godet me shkelma si të isha ujk. Dhe ka shkelm të rëndë me ata potkonj, që për të zezë timen ja paskam vënë.
E kundroj i trishtuar dhe ndjej dhëmbje në çdo skutë të trupit. Si ta mposht? Është e re dhe e ushqyer mirë. Sepse ka mjaft kohë që han porcionin e saj dhe timin. Nuk denjon as të më hedhë sytë, jo më të frigohet prej meje. E njeh fuqinë e saj të madhe. E ndjen veten tepër lart për të denjuar të dëgjojë për hallet e mija…
Mos u gajas o bija ime Politikë, e mos më hidh romuze pse flë mbi dyshek prej dheu, të cilin nuk ma merr dot! Hajde zbrit këtu në tokë të bisedojmë njerëzisht e ti mbushim hendeqet që ke çelur midis nesh! Mos u ngjit aqë lart, se nuk të kam bërë krahë të fluturosh!
Ti ke shumë pushtet, posaqë komandon goxha shtet. Edhe mbi mua kishe shumë pushtet, sa kohë që mendoja se nuk ma ke me hile. Derisa mu hapën sytë dhe hoqa dorë nga robëria ku më kishe hedhur pa e ndjerë.
Ti ke ende shumë pushtet, por jo më mbi mua. Ti ke shumë fuqi, por më kot dhe për të zezë tënde tashmë. Sepse kjo fuqi është një potencial i stërmadh presioni, të cilit tani i mungoj unë populli, valvula jote e sigurisë.
Hajde, lëri tangërllëqet, harroji ëndrrat perandorake dhe zbrit poshtë në tokë! Unë do gëzohem për kthimin e bijës plangprishëse dhe do të ta pranoj pendesën e sinqertë.
Pa mua ti je e humbur e nuk mund të egzistosh. Ndaj mbi mua nuk fiton dot. Unë vërtet jam i stërlashtë, por unë nuk jam plak i pafuqi, sepse nuk kam moshë. Unë jam i përjetshëm. Jam krijuesi yt dhe i gjithë paraardhësve të tu, që i ndrrova sa herë dolën kundër meje. Që prej fisit dhe bashkësisë primitive e deri më sot.
Me turp apo lavdi, të gjithë janë shuar, e unë vazhdoj të jem.
Aleksandrë apo Pirro. Neronër apo Çezarë. Stalinër, Hitlerë, Çausheskë, Enverë, Mubarakë, Gëdafë, Ben Alirë apo Salirë. Ikën e vanë, me të keq ame të mirë.
Unë jam Populli. Ti je Politika.